Nëse do ti kërkoje një generali me 4 grada të analizonte betejat e luftuara nga ushtria Izraelite, unë nuk kam dyshim që ai do të thoshte, “Asnjë nga këto beteja nuk ka kuptim në sensin ushtarak.” Perëndia i dha popullit të Tij fitore në të gjitha betejat, edhe kur ata ishin të papërgatitur dhe nuk ishin mjaft në numër.
Për shembull, kur mbërritën përpara qytetit të rrethuar me mure të Jerikos, Perëndia i tha Jozueut të marshonte përreth qytetit 7 herë duke u rënë borive. Kur populli i Perëndisë e bëri këtë, muret rrethuese të qytetit u shembën—pa dyshim që ishte një nga fitoret më të pazakonta në faqet e historisë ushtarake!
Më pas, në librin e Gjyqtarëve, Perëndia na flet për Gideonin, i cili mblodhi një ushtri prej 32,000 njerëzish për të luftuar kundër Medianitëve. Perëndia i tha se ata ishin shumë, dhe se Gideoni duhej ta reduktonte numrin e luftëtarëve në 300. Ata hynë në kampin e armikut të armatosur vetëm me pishtarë, enë boshe, dhe bori, dhe Perëndia shkaktoi pështjellim në mes të Medianitëve të cilët u arratisën në panik.
Fitoret e Izraelit nuk u arritën me forcë apo fuqi, por me anë të ndërmjetësimit të Frymës së Perëndisë. Zoti e bëri të qartë vazhdimisht se ishte Ai që i drejtonte ata në fitore. Por njerëzit e Perëndisë nuk ishin të kënaqur.
Irritimet e të Jetuarit në Besim
Perëndia ishte mbreti i Izraelit. Ai bëri gjithçka që një mbret do të bënte për popullin e tij, dhe shumë më tepër. Por njerëzit e Perëndisë nuk donin të vareshin vetëm prej Tij, ose të prisnin tek Ai që të caktonte udhëheqësit e tyre. Ata donin të kishin një sistem trashëgimie, një person prej mishi dhe gjaku që t’i udhëhiqte ata.
Si përfundim, pleqtë e bashkësisë, një gjykatës, dhe një profet, vajtën tek Samueli dhe i kërkuan atij të caktojë një mbret (1 Samuelit 8:5). Kjo kërkesë nuk i pëlqeu Perëndisë. Ai i tha Samuelit: “Ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta” (1 Samuelit 8:7).
Kur njerëzit kërkuan një mbret, ata po largoheshin nga një jetë me besim në të cilën ishin drejtpërdrejt të varur nga Perëndia. Por Perëndia i lejoi të bënin sipas mënyrës së tyre.
Domethënia e Zgjedhjeve
Populli i Perëndisë bëri një zgjedhje të dobët. Ata e dinin që dëshira e tyre për një mbret po i jepte pakënaqësi Perëndisë, dhe Samueli i paralajmëroi ata për pasojat: Një mbret do i çonte djemtë e tyre në luftë. Ai do u kërkonte të punonin për të në arat dhe shtëpitë e tij. Ai do u merrte vajzat të shërbenin në kuzhinat e tij. Ai do u merrte tokat. Do u vinte taksa mbi të korrat dhe bagëtitë. “Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Perëndia nuk do t’ju përgjigjet” (1 Samuelit 8:18).
Samueli nuk mund tu kishte dhënë një paralajmërim më të fortë, por populli i Perëndisë nuk dëgjoi. Ata thanë, “Jo, do të kemi një mbret mbi ne. Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet” (1 Samuelit 8:19-20). Ata e kishin mëndjen të mbushur, ndaj Perëndia u dha atë që kërkuan.
Zgjedhjet e dobëta e të pamenduara mirë gjithmonë sjellin pasoja të dhimbshme. Por Perëndia është sovran, dhe kjo do të thotë se asnjë zgjedhje që ne bëjmë, pavarësisht sa e gabuar, nuk mund të na shpjerë larg hirit të Tij. Ne të gjithë marrim vendime të gabuara në ndonjë pikë të jetës tonë, dhe shpesh herë jetojmë me keqardhje të vazhdueshme. Kjo mund të jetë edhe përvoja jote—një karrierë irrituese, një martesë zhgënjyese, apo një vendim impulsiv që të bën të kthesh kokën mbrapa dhe të thuash, “Ah sikur…”
Lajmi i mirë është se Perëndia na shpengon nga vendimet dhe zgjedhjet e këqija. Nuk ka asnjë mëkat që na çon përtej hirit të Perëndisë, dhe asnjë vendim që na shpie larg ndihmës së Tij.
Kualifikimet e një Udhëheqësi
Perëndia e dinte që populli i Tij do kërkonte për një mbret, dhe tek libri i Ligjit të Përtërirë Ai kishte dhënë një përshkrim të personit që do udhëhiqte popullin e Tij.
E para, mbreti duhej të jetë i vajosuri i Perëndisë. “Do të caktosh mbi ty mbretin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur” (Ligji i Përtërirë 17:15). Të njëjtën gjë lexojmë në Dhjatën e Re tek Veprat 6:3, ku caktohen dhjakët e parë, dhe kishës i ishte thënë të zgjidhte njerëz që ishin të mbushur me Frymën e Shenjtë. Drejtuesit e krishterë duhet të kenë shenjën e pranisë së Perëndisë në jetën e tyre. Ky është kualifikimi i parë dhe më kryesor.
E dyta, mbreti duhet ti përkasë popullit të Perëndisë. “Do të caktosh mbi ty një mbret të zgjedhur midis vëllezërve të tu; nuk mund të caktosh mbi ty një të huaj që nuk është vëllai yt” (Ligji i Përtërirë 17:15). Përsëri, tek Veprat e Apostujve 6, apostujt u thanë besimtarëve të zgjidhnin udhëheqës midis tyre. Populli i Perëndisë, duhet të kërkojë për udhëheqës të cilët e kanë treguar veten, në kishën apo bashkësinë lokale.
E treta, mbreti duhet të ushtrojë besim. “Por ai nuk duhet të ketë një numër të madh kuajsh, as ta kthejë popullin në Egjipt për të shtënë në dorë një numër të madh kuajsh” (Ligji i Përtërirë 17:16). Mbreti duhet të ishte shembull në besim. Kombet e tjera e vinin besimin e tyre tek kuajt dhe karrocat, por populli i Perëndisë duhej të besonte në emrin e Perëndisë, Zotit të tyre (Psalmi 20:7). Përsëri, edhe këtë e shohim të pasqyruar në Dhjatën e Re. Kur kisha zgjodhi dhjakun e parë, ata zgjodhën Stefanin sepse ai ishte “një njeri i mbushur me besim” (Veprat 6:5). Udhëheqja midis popullit të Perëndisë duhet të jetë gjithmonë në duart e atyre që besojnë në Perëndinë e gjallë.
E katërta, mbreti duhet të jetë besnik. “Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret” (Ligji i Përtërirë 17:17). I njëjti parim pasqyrohet edhe në Dhjatën e Re: “Drejtuesi duhet të jetë burri i një gruaje të vetme” (1 Timoteu 3:2). Besnikëria e një drejtuesi të krishterë ndaj Perëndisë do të shprehet nëpërmjet besnikërisë që ai tregon ndaj gruas së tij.
E pesta, mbreti nuk duhet të jetë lakmues. “Nuk duhet të grumbullojë për vete një sasi të madhe argjendi dhe ari” (Ligji i Përtërirë 17:17). Udhëheqësi i popullit të Perëndisë nuk duhet ta përdorë pozitën që ka për të mbushur folenë e tij. Ai është shërbëtori i Perëndisë dhe i popullit. Në Dhjatën e Re, Pjetri u shkruan pastorëve dhe pleqve të kishës, duke i udhëzuar ata të mos bëhen lakmues parash, por të shërbejnë me zell, dhe jo si zotërues mbi tufën (1 Pjetri 5:2-3).
E gjashta, mbreti duhet të jetë studjues i Shkrimeve. “Kur të ulet mbi fronin e mbretërisë së tij, do të shkruajë për veten e tij në një libër një kopje të këtij ligji… Do ta mbajë pranë vetes këtë libër dhe do ta lexojë çdo ditë të jetës së tij, që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij, dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve” (Ligji i Përtërirë 17:18-19). Kjo do thoshte se detyra e parë e mbretit, ishte të shkruante kopjen e vet të të gjithë librit të Ligjit të Përtërirë, dhe më pas ta lexonte çdo ditë! Në të njëjtën mënyrë, dhjakët duhet të “ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër” (1 Timoteut 3:9). Drejtuesit midis popullit të Perëndisë duhet të studiojnë, respektojnë dhe t’i binden Fjalës së Perëndisë.
E shtata, mbreti duhet të jetë i përulur. “Zemra e tij (mbretit) të mos ngrihet mbi vëllezërit e tij” (Ligji i Përtërirë 17:20). Në të njëjtën mënyrë, pastorët dhe pleqtë e kishës duhet të shërbejnë, “jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën” (1 Pjetri 5:3).
Ky profil për udhëheqësit është thelbësor për pastorët, pleqtë e kishës apo drejtuesit jo-zyrtarë, dhe të gjithë ata që marrin pjesë në zgjedhjen e tyre. Është një profil për studentët që përgatiten për shërbesë, dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të shohin vullnetin e Perëndisë të kryhet.
Ji i përkushtuar ndaj njerëzve të Perëndisë, dhe mëso të kesh besim tek Ai për çdo gjë. Kultivo besnikëri në të gjitha përkushtimet e tua—sidomos në martesën tënde. Braktise ndjekjen e parasë mbi altar, dhe merr vendimin të marrësh gjithçka që Perëndia të jep, me kënaqësi. Ji i qartë në bindjet e tua në lidhje me të vërtetat bazë të ungjillit, dhe ushqehu me Fjalën e Perëndisë çdo ditë, ndërsa ecën me përulësi me Perëndinë tënd.
Kush Është Sipas Këtij Përshkrimi?
A do habiteshe të dije se asnjë nga mbretërit e Izraelit nuk i përshtatej profilit të Perëndisë për të udhëhequr popullin e Tij?
Sauli, mbreti i parë, ishte kokëfortë dhe i pabindur. Solomoni, mbreti i tretë, kishte 700 gra, dhe kur u plak, gratë e tij i’a kthyen zemrën drejt perëndive të tjera (1 Mbretërve 11:4). Më i miri nga të gjithë mbretërit e Izraelit ishte Davidi, por edhe ai ishte fajtor për tradhëti dhe vrasje! Asnjë nga mbretërit e Izraelit nuk i’u afrua profilit që Perëndia kishte paracaktuar për ta.
Populli i Perëndisë priti 1000 vjet për mbretin që do të zbatonte vullnetin e Tij, dhe vetëm atëherë Perëndia i’u përgjigj thirrjes së tyre për një udhëheqës prej mishi e gjaku, i cili do t’i çlironte ata nga armiqtë e tyre. Një mbret u lind, dhe dijetarët ndoqën një yll për të adhuruar “mbretin e Judenjve” (Mateu 2:2).
Jezusi e përmbushi plotësisht profilin e Perëndisë për mbretin.
1. Ai u vajos nga Perëndia. Në pagëzimin e Tij, Perëndia deklaroi, “Ky është Biri im i dashur, në të cilin gjeta pëlqim”(Mateu 3:17).
2. Ai i përkiste popullit të Perëndisë duke lindur në linjën e pasardhësve të Davidit.
3. Ai ushtroi besim. Në Kopshtin e Gjetsemanisë Jezusi tha, “U bëftë vullneti yt!”(Mateu 26:42), dhe në vuajtjet e Tij Ai ia besoi Veten Atit “që gjykon drejtësisht”(1 Pjetri 2:23).
4. Ai ishte besnik. Kur Satani e tundoi, Krishti refuzoi çdo ujdi me armikun. (Mateu 4:1-11).
5. Ai nuk ishte lakmues. Krishti u tha dishepujve të tij se Ai “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave”(Marku 10:45).
6. Ai ishte një student i Shkrimeve të Shenjta. Fjala e Perëndisë kishte mbushur mendjen e Tij, dhe njerëzit që e dëgjuan Atë u mrekulluan se sa mirë Ai e kuptonte fjalën.
7. Ai ishte i përulur. “Dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:8).
Jezusi përmbushi profilin e Perëndisë për të qenë mbret, por ai nuk ishte mbreti që populli dëshironte.
Mbreti i Përulur dhe i Tallur
Kur Jezusi doli përpara gjyqit, Pilati e pyeti atë: “A je ti mbreti i Judenjve?”. Dhe Jezusi i tha: ”Ti po thua!” (Mateu 27:11). Pilati atëherë e dorëzoi atë të kryqëzohej dhe u tha njerëzve, “Ja mbreti juaj!” (Gjoni 19:14).
Ushtarët Romakë, “pasi e zhveshën, i vunë një mantel të kuq të ndezur. Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ”Përshëndetje, o mbret i judenjve!” (Mateu 27:28-29).
Tallja e mbretit Jezus vazhdoi. Mbishkrimi mbi kokën e tij ndërsa ishte varur në kryq lexonte: “JEZUS NAZARENASI, MBRETI I JUDENJVE” (Gjoni 19:19). Disa bërtisnin, “Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten” (Luka 23:37). Të tjerë bërtisnin, “në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do t’i besojmë” (Mateu 27:42).
Nëpërmjet këtij Mbreti të plagosur, të shpërfytyruar dhe të kryqëzuar, vullneti i Perëndisë më në fund u krye. Perëndia e ringjalli atë përsëri dhe i dha emrin që është mbi çdo emër. “MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE” (Zbulesa 19:16).
Nëse besimi yt është thyer nga një udhëheqës i cili ka dështuar tek ty, ka një mbret të cilit mund t’i besosh, dhe emri i tij është Jezus. Besimi i krishterë nuk ka të bëjë me faktin që ti besosh udhëheqësve të krishterë. Ka të bëjë me besimin te Zoti Jezu Krisht, dhe ata që besojnë tek Ai nuk do të zhgënjehen kurrë (Romakëve 10:11).
Një Shteg i Hapur
Jezusi është mbreti i cili përmbush të gjitha ato që Perëndia kërkon nga çdo udhëheqës. Është nëpërmjet mbretit tonë, që vullneti i Perëndisë do të kryhet në jetët tona dhe në botë. Perëndia i thërret të gjithë ata që kanë dëshirë të udhëheqin, t’i nënshtrohen Krishtit Mbret, dhe të ndjekin shembullin e tij.