Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Luka 1:26-38

Lajmërimi i lindjes së Jezusit

26 Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, 

27 te një e virgjër, që i ishte premtuar një burri me emër Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës qe Maria. 

28 Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: “Përshëndetje, o hirplote, Zoti është me ty; e bekuar je ti ndër gratë.” 

29 Por ajo, kur e pa, u trondit nga fjalët e tij dhe arsyetonte se ç’lloj përshëndetje ishte kjo.

30 Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. 

31 Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus. 

32 Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; 

33 dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.” 

34 Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?.” 

35 Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë. 

36 Dhe ja, Elizabeta, farefisi yt, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për atë, që e quanin shterpë, 

37 sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.” 

38 Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate.” Dhe engjëlli u largua prej saj. 

Tjetra

Historia e Dhjatës së Vjetër përgatiti skenën për ndërhyrjen më të madhe të Perëndisë në historinë njerëzore. Perëndia kishte dhënë shumë të dhëna për identitetin e një personi të premtuar, shpesh të referuar si Mesia ose Krishti. Kushdo që të ishte ky person, hyrja e Tij në botë do të ishte ngjarja më e madhe në të gjithë historinë e njerëzimit. Gjithçka që Zoti kishte premtuar të bënte do të përmbushej prej Tij.

Imagjino sikur të jesh duke jetuar në një ishull të bukur, me pamje mahnitëse. Plazhet shtrihen për qindra kilometra, dhe ishulli ka një popullsi shumë të madhe. Përgjatë viteve, banorët e ishullit shpesh kanë vrarë mendjen se çfarë ka përtej horizontit. Por askush nuk e ka lënë ishullin, ndaj askush nuk e di.

Banorët e ishullit kanë shpenzuar shumë kohë duke studiuar kafshët, bimët, kohën, dhe shkëmbijtë. Ata gjithashtu i kanë kushtuar vëmendje jetës së tyre familjare. Kanë bërë seminarë të ndryshëm për të mësuar më shumë si të kenë një martesë të shëndetshme në ishull, dhe si të rrisin fëmijë të mbarë për ishullin.

Banorët e ishullit janë të gjithë pasardhës nga disa të mbijetuar në det, që kishin përfunduar atje pas një katastrofe të madhe shumë vite më parë. Kanë kaluar kaq shumë vite nga kjo ngjarje, saqë shumica prej tyre dinë shumë pak ose asgjë rreth kësaj. Në qendër të ishullit është një vullkan. Disa banorë kanë frikë se një ditë do të shpërthejë, por shumica kanë arritur në përfundimin se kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Një Mesazh në Shishe

Një mëngjes, ndërsa je duke shëtitur buzë detit, ti sheh diçka që shkëlqen në rërë. Ndërsa i afrohesh, ti vë re se një shishe jeshile ka dalë në breg. Brenda saj ti gjen një mesazh: “Ndihma po vjen”. 

Sa e çuditshme. Ti nuk ke parë asgjë të tillë më parë. “Ndihmë”? Çfarë lloj ndihme mund të nevojitet në një ishull kaq të bukur?

Disa javë më vonë, ti gjen një shishe tjetër, me një mesazh të ngjashëm: “Ndihma do të vijë së shpejti!” Dy shishe me të njëjtin mesazh. Nga mund të kenë ardhur?

Këto zbulime janë paksa shqetësuese. Në fund të fundit, ti je duke jetuar në ishullin ideal, dhe je duke shijuar një jetë të plotë dhe të kënaqshme. Por mesazhet në shishe sugjerojnë që ekziston një farë problemi. 

Ndoshta ekziston dikush përtej horizontit. Dhe kushdo qoftë, ndoshta po të tregon se je në rrezik, dhe se ekziston një plan për të bërë diçka rreth kësaj. Por ndoshta mesazhet mund të jenë shkruar edhe nga fëmijë që banojnë në anën tjetër të ishullit. Dhe nëse ata i kanë hedhur shishet në det, dallgët e detit mund t’i kishin rikthyer ato lehtësisht mbrapsh. Sido që të jetë e vërteta, ti nuk mund të heqësh mesazhet e shisheve nga mendja: “Ndihma po vjen.”

Problemi i Banorëve të Ishullit

Historia e banorëve të ishullit mund të na ndihmojë të kuptojmë figurën e madhe të Biblës. Perëndia të krijoi ty që ta njohësh Atë, të gëzohesh me Të, dhe të jetosh në praninë e Tij. Por një katastrofë e madhe ndodhi. Mëkati e prishi marrëdhënien midis njeriut dhe Perëndisë, dhe tani ne jetojmë në një botë të rrëzuar, e cila pavarësisht gjithë bukurisë së saj, ka një mallkim që i qëndron mbi kokë. Ne të gjithë përballemi me shumë probleme duke jetuar në ishull, por problemi më i madh është se ishulli vetë një ditë do të shkatërrohet.

Por që nga fillimi, Perëndia premtoi se ndihma do vinte. Për qindra vjet Ai përsëriti të njëjtin mesazh përmes profetëve të Dhjatës së Vjetër: “Mos u dëshpëroni. Unë do të dërgoj ndihmë. Dikush do të vijë t’ju shpëtojë nga një rrezik që ende nuk e keni kuptuar plotësisht.” 

Ti je lindur për një tokë që nuk e ke parë kurrë, por mund të shkosh atje vetëm nëse dikush vjen të të shpëtojë. Kjo është arsyeja pse Jezus Krishti, erdhi në botë. Ai është ndihma që Perëndia premtoi që nga fillimi i historisë së Biblës.

Perëndia Merr Iniciativën 

Lindja e Jezusit ishte krejtësisht iniciativë e Perëndisë. Maria ishte një grua e re, që po përgatitej të martohej me një burrë të quajtur Jozef. Ajo ishte e virgjër, dhe Perëndia e kishte zgjedhur atë si personin që do sillte Jezus Krishtin në botë. Kështu që, Ai dërgoi engjëllin Gabriel për ti thënë asaj: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus” (Luke 1:30-31).

“Po si do ndodhë kjo?” pyeti Maria (1:34). Përgjigja e engjëllit na shpie në zemër të misterit më të madh në Bibël. “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty, dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë” (1:35).

Fëmija i Marisë, lindi si rezultat i iniciativës së drejtpërdrejtë të Perëndisë. Jozefi nuk kishte asnjë lidhje me këtë. Ai ishte një i jashtëm, një vëshgues pasiv i gjithë kësaj mrekullie. Nëse Perëndia nuk do t’i kishte thënë atij se çfarë po ndodhte, ai nuk do të kishte as idenë më të vogël. Perëndia e anashkaloi atë plotësisht, dhe ai nuk dha asnjë kontribut në këtë rast.

Bibla përmban histori të tjera lindjesh të mrekullueshme. Abrahami dhe Sarah dëshironin kaq shumë të kishin një fëmijë, por lindja e Isakut ishte një mrekulli, sepse ata ishin të dy të moshuar dhe e kishin kaluar moshën për të bërë fëmijë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Zakarian dhe Elizabetën, kur Gjon Pagëzori lindi.

Këta fëmijë lindën si rezultat i ndërhyrjes së veçantë nga ana e Perëndisë, i cili punoi nëpërmjet bashkimit të babait dhe nënës. Por Maria ishte e virgjër. Jozefi nuk ishte bashkuar me të para se të lindte fëmija, dhe ai nuk e njohu atë, deri pas lindjes së fëmijës (shih Mateu 1:25). 

Jeta në barkun e Marisë u krijua përmes një mrekullie krijuese të Perëndisë, e cila përshkruhet kaq bukur në fjalët e engjëllit:  “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet” (Luka 1:35). Dhjata e Re na mëson tre të vërteta thelbësore, rreth identitetit të Jezusit. Së pari që Ai është Zot, së dyti që Ai është njeri, dhe së treti që Ai është i Shenjtë. 

Udhëtimi i Mrekullueshëm i Perëndisë 

Engjëlli i tha Marisë se fëmija i saj do ishte “Biri i Më të Lartit” (Luka 1:32). Ai do të quhej “Biri i Perëndisë” (1:35). Ai do të ishte “Perëndia me ne” (Mateu 1:23). Përpara se Ai të lindte, Perëndia Bir gëzonte jetën më të mrekullueshme. Jeta jote filloi kur u ngjize në barkun e nënës tënde. Para atij momenti ti nuk ekzistoje. Perëndia përdori bashkimin e babait dhe nënës tënde për të të sjellë në jetë.

Por me Jezusin është ndryshe. Jeta e tij nuk filloi në barkun e virgjëreshës. Para se Ai të lindte në stallë, Ai ndante jetën e përjetshme të Perëndisë. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1). Ai që ndante jetën me Atin erdhi tek ne. Ai nuk erdhi prej racës njerëzore, por Ai erdhi tek raca njerëzore. E vërteta e mrekullueshme që Jezusi është Perëndi është një lajm i mirë, sepse vetëm Perëndia mund të na pajtojë me veten e Tij.

Misteri që i Jep Kuptim Gjithçkaje Tjetër 

Pasi të kemi kuptuar që Jezusi është Perëndi, është shumë e rëndësishme për ne të kuptojmë që Perëndia u bë njeri. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë, dhe nuk ka ndodhur kurrë që atëherë. 

Në Dhjatën e Vjetër, kishte shumë raste kur Perëndia u shfaq në formë të dukshme. Këto shfaqje quhen teofani, dhe ato mund të krahasohen me një aktor që vishet apo maskohet për një shfaqje teatrale. Kur shfaqja mbaron, aktori heq kostumin dhe largohet nga teatri. Por lindja e Jezusit ishte krejtësisht ndryshe. Biri i Perëndisë mori trajtën njerëzore. Ai nuk ndaloi së qëni Perëndi, por Ai u bë njeri me të vërtetë. 

Kjo ndoshta është diçka që ti kurrë nuk do të arrish ta kuptosh plotësisht, por kur e di dhe beson se kjo ndodhi, gjithçka tjetër merr kuptim. Kur e kupton që Perëndia u bë njeri në Jezusin, nuk do të jetë e vështirë të kuptosh deklaratat, mrekullitë, dhe ringjalljen e Jezusit. 

Meqënëse Jezusi është “Perëndia me ne,” askush nuk duhet të çuditet kur Ai na thotë se Ai është rruga për tek Perëndia dhe se nuk ka asnjë rrugë tjetër. Dhe kur ti e di se Perëndia ka ardhur tek ne në Jezusin, ti mund të mahnitesh që Ai lejoi armiqtë e Tij ta gozhdonin në kryq, por ti nuk do habitesh për faktin që Ai u ringjall prej së vdekurve. Çfarë përfundimi tjetër do të prisje ti?

Një Lloj i Ri Njerëzimi 

Jezus Krishti është si ne në çdo aspekt, përveçse një–Ai është i Shenjtë (Luka 1:35). Kjo do të thotë që Jezusi nuk bëri në asnjë moment ndonjë mëkat. Por do të thotë edhe më shumë se kaq. Ai ishte i Shenjtë në mendimet e Tij, në qëllimet e Tij, dhe në karakterin e Tij. Natyra e Tij ishte e shenjtë. Ai nuk ishte tërhequr nga mëkati dhe Ai nuk kishte prirje të brendshme për mëkat. Në të gjithë historinë njerëzore nuk ka pasur askënd tjetër për të cilin mund të thuhet kjo. 

Apostulli Pal ishte një njeri i mirë, i cili dëshironte me gjithë shpirt të jetonte një jetë të shenjtë. Ai ishte lindur në një familje të privilegjuar dhe ishte edukuar në shkollat më të mira. Prindërit e tij i dhanë gjithçka që ai mund të dëshironte, përveç diçkaje: ata nuk mund t’i jepnin atij shenjtërinë. Natyra që ai kishte trashëguar prej prindërve të tij ishte shumë larg nga të qënit i shenjtë.

Prindërit u kalojnë fëmijëve të tyre shumë gjëra të mira, por shenjtëria nuk është njëra prej tyre. Ne nuk e kemi atë në ne. Ajo që ka lindur nuk është e shenjtë, dhe ajo që është e shenjtë nuk kishte lindur derisa Jezus Krishti erdhi në këtë botë. Jezusi çau rrugën për një lloj të ri njerëzimi që do të jetë i shenjtë, i lirë nga mëkati, dhe kështu i pacënuar nga vdekja. Qëllimi i Perëndisë ka qënë gjithmonë që Jezusi do të ishte i pari ndër shumë të tjerë, të cilët nëpërmjet Tij do të triumfojnë mbi vdekjen dhe do jetojnë përjetë në gëzimin e pranisë së shenjtë të Perëndisë. 

Një Shteg i Hapur

Përgjatë Dhjatës së Vjetër Perëndia kishte premtuar se ndihma ishte duke ardhur. Në Jezus Krishtin, ajo ndihmë ka ardhur tashmë. Perëndia Bir mori trajtë njerëzore dhe lindi nga një virgjëreshë. Ai zbriti të jetojë ndër ne, dhe shkoi në kryq për mëkatet tona. Si Perëndi, Ai na pajtoi ne me veten e Tij. Si njeri, Ai na çliroi nga zemërimi i Perëndisë. Si i Shenjti, Ai na fuqizon për një jetë të shenjtë, dhe një ditë Ai do të na mirëpresë në gëzimin e pranisë së Tij të shenjtë.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Cila është përgjigja jote për mesazhin e Biblës se “Ndihma po vjen”? A ndihesh i shqetësuar për këtë? Kurioz? I çliruar? Skeptik? Tjetër? Pse?
  2. Çfarë e bën lindjen e Jezusit plotësisht të veçantë në historinë e botës?
  3. Dhjata e Re na mëson tre të vërteta thelbësore në lidhje me identitetin e Jezusit: Ai është Perëndi. Ai është njeri. Ai është i shenjtë. Cilën prej tyre e ke më të lehtë të besosh? Po më të vështirë? Pse?
  4. Sa mirë mendon se Jezusi e kupton përvojën e jetës tënde?
  5. Mendo për udhëtimin mahnitës të Birit të Perëndisë. Çfarë është më e mahnitshme për ty? Pse?
Save Progress
Shko në fillim