Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Gjoni 20:19-31

Jezusi u shfaqet dishepujve.
Mosbesimi i Thomait

19 Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, që ishte e para e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u qëndroi në mes dhe u tha atyre: ”Paqja me ju!”.

20 Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart dhe brinjën e tij. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan.

21 Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: ”Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”.

22 Dhe, si tha këtë, hukati mbi ta dhe u tha: ”Merrni Frymën e Shenjtë!

23 Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur”.

24 Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të Dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi. 

25 Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: “Kemi parë Zotin.” Por ai u tha atyre: “Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe po nuk vura dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj.” 

26 Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mbyllura, dhe qëndroi në mes dhe tha: “Paqja me ju!.” 

27 Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; dhe shtrije dorën tënde dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!.” 

28 Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!.” 

29 Jezusi i tha: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe besuan!.”

30 Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera para dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.

31 Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emër të tij.

Tjetra

Bota është e mbushur me deklarata të shumta, dhe ndonjëherë është e vështirë të dallosh të vërtetën nga e gabuara. Atëherë, si duhet t’i vlerësojmë deklaratat e Jezusit? Ungjijtë të japin provat për të cilat ke nevojë të besosh se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë. Ata të ftojnë të vish dhe të shohësh. Dhe ndërsa i hedh një vështrim të sinqertë jetës, vdekjes, dhe ringjalljes së Jezusit, do të jesh në gjendje t’i përgjigjesh Atij me besim.

Supozo sikur je në një qytet të panjohur dhe të ka humbur celulari. Të duhet të shkosh në një vend ku nuk ke qënë kurrë më parë dhe ti nuk e di si të shkosh atje. Ka dy mënyra se si mund të veprosh. Së pari, ti mund të pyesësh dikë të të tregojë si të shkosh atje. Dikush mund të të thotë të marrësh autobuzin 29, të zbresësh tek ndalesa e dytë, pastaj të marrësh rrugën e tretë në të majtë, të kalosh urën, pastaj fushën, dhe më në fund do e gjesh në të djathtë.

Një mundësi e dytë mund të jetë të marrësh një taksi. Ti do t’i kërkosh shoferit të të shpjerë tek destinacioni dhe pastaj do hysh brenda. Tani, supozo se në rastin e parë, pasi ke hipur në autobuz, personi që të dha udhëzimet pëson një infarkt në zemër dhe vdes. Kjo ngjarje e trishtueshme nuk të prish punë sepse ti i ke marrë tashmë udhëzimet si të mbërrish atje.

Por supozo sikur je në taksi, dhe teksa je kthyer tek rruga e tretë majtas, shoferi pëson një infarkt në zemër dhe vdes. Tani ti ke ngecur totalisht. Ti nuk e di rrugën për të shkuar tek destinacioni yt, dhe personi të cilit i besove nuk mund të të shpjerë më atje.

Thelbi i Krishterimit nuk varet nga një sërë udhëzimesh, por nga aftësia e Jezusit për të na çuar ne në parajsë. Nuk është mësimi i Dhjatës së Re që do të të shpëtojë ty; është Jezus Krishti i cili do të të shpëtojë ty. Krishterimi qëndron ose bie falë aftësisë së Jezusit për të bërë atë që Ai ka premtuar. Jezusi na thotë se Ai mund të na shpjerë tek Ati, dhe kur ashtu si shoferi i taksisë Ai na fton të “hyjmë brenda”, ne përballemi me një zgjedhje: A jam unë gati ta vendos fatin tim në duart e Tij? 

Ti je Juria 

Ungjilli i Gjonit u shkrua “që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që duke besuar, të keni jetë në emër të tij” (Gjoni 20:31).

Imagjino sikur ti je anëtar i një jurie në një gjyq. Apostulli Gjon do të të paraqesë disa fakte, dhe kur ai të mbarojë, ai do të presë nga ty një gjykim. Gjoni nuk po përpiqet të të frikësojë, as nuk po përpiqet të manipulojë emocionet e tua. Ai po të paraqet faktet që ai ka parë dhe dëgjuar si dëshmitar i jetës, vdekjes, dhe ringjalljes së Jezusit. Gjithçka që ai kërkon është që ti të dëgjosh faktet pa paragjykim. “Eja e shiko!” (Gjoni 1:46).

Jezusi është Krishti 

Nëse dikush të kërkon të përmbledhësh në pak fjalë thelbin e besimit të Krishterë, çfarë do të thoje? Gjoni e bën këtë me tre fjalë: “Jezusi është Krishti” (20:31). Ndaj është e rëndësishme për ne të dimë se çfarë do të thotë emri Krisht. Ne e dimë që Zoti ynë mori emrin Jezus kur lindi, atëherë përse e quajmë atë Jezus Krisht?

Fjala Krisht vjen nga Greqishtja Kristos, që do të thotë “Mesia” ose “I Vajosuri”. Krisht është një titull që i referohet të premtuarit, i cili do vajosej nga Perëndia. Dhe një analizë e shpejtë e atyre që u vajosën në Dhjatën e Vjetër do na ndihmojë të kuptojmë domethënien e kësaj.

Përgjatë historisë Biblike, Perëndia e zbulon Veten në mënyrë që ne ta njohim Atë, Ai na pajton me Veten në mënyrë që ne të vijmë tek Ai, dhe Ai mbretëron mbi botën, në mënyrë që qëllimi i Tij të përmbushet. Në Dhjatën e Vjetër, disa njerëz “vajoseshin” si shenjë që Perëndia do i përdorte ata në një nga këto mënyra—ata ishin profetë, priftërinj, dhe mbretër.

Ndërsa historia e Dhjatës së Vjetër përparonte, ekzistonte një pritshmëri në rritje, që një ditë Perëndia do të dërgonte një të vajosur me shkëlqim në botë. Por meqenëse i vajosuri i Perëndisë mund të jetë një profet, prift, ose mbret, është e lehtë të kuptohet se si u zhvilluan teoritë e ndryshme në lidhje me Mesian që pritej. Disa besonin se Ai do ishte një profet, i cili do i thërriste njerëzit në drejtësi. Të tjerë besonin se Ai do ishte një prift, i cili do restauronte adhurimin e vërtetë. Dhe të tjerë ishin të bindur se Mesia do të ishte një luftëtar i lirisë, i cili do e drejtonte popullin në një kryengritje politike, dhe do i çlironte ata nga shtypja e Romakëve.

Por kur Jezus Krishti erdhi në këtë botë, Ai përmbushi jo njërën, por të gjitha pozitat e Dhjatës së Vjetër. Perëndia Atë i tha Birit të Tij, “Shko e bëhu profeti, prifti, dhe mbreti i tyre.” Jezus Krishti është i vajosuri i Perëndisë, dhe Gjoni na parashtron faktet që e vërtetojnë këtë, dhe na tregon se është Ai që e zbulon të vërtetën e Perëndisë, pajton njerëzit me Perëndinë, dhe triumfon mbi armiqtë e Perëndisë.

Ekzaminimi i Fakteve 

Gjoni parashtron faktet që Jezusi është Krishti. Ai është profeti, i cili njeh sekretet e çdo zemre dhe jete. Ai e njihte të vërtetën e fshehtë për gruan Samaritane. Pasi takoi Jezusin, ajo u tha njerëzve, “Ejani, shikoni një njeri që më ka thënë gjithë sa kam bërë; vallë mos është ky Krishti?” (Gjoni 4:29). Por Jezusi është shumë më tepër se një profet. Kur gruaja tha, “Unë e di se vjen Mesia, i quajtur Krisht” Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!” (4:25, 26). 

Jezusi është prifti, i cili jep jetën e Tij si sakrificë për mëkatet tona. Gjon Pagëzori e identifikoi Jezusin si “Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës!” (1:29). Por Jezusi është shumë më tepër se një prift. Kur Andrea, njëri nga dishepujt e Gjonit, filloi të ndiqte Jezusin, ai i tha vëllait të tij Pjetër, “E gjetëm Mesian’ (që e përkthyer do të thotë: Krishti)” (1:41).

Jezusi është mbreti, i cili na çliron nga armiqtë tanë. Një ditë Ai erdhi tek varri i Llazarit, i cili kishte vdekur katër ditë më parë. Jezusi tha, “Unë jam ringjallja dhe jeta,” (Gjoni 11:25) dhe ai e pyeti motrën e të vdekurit nëse ajo e besonte këtë. “Po, Zot,” tha ajo, “Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë” (11:27). Jezusi “Thirri me zë të lartë, ‘Llazar, dil jashtë” (11:43). Dhe Llazari “i vdekuri, doli” (11:44). Jezusi është mbreti, i cili mund të na shpëtojë ne nga tirania e vdekjes dhe ferrit. 

Kur e dimë që Jezusi është profet, prift, dhe mbret, ne do të kuptojmë se çfarë do të thotë të kesh besim tek Ai. Pra, të besosh në Jezusin do të thotë që ne t’i besojmë asaj që Ai thotë si profet, dhe ta marrim Fjalën e Tij si të vërtetë. Do të thotë që ne i besojmë Atij si prift për të na sjellë në praninë e Perëndisë. Do të thotë që ne t’i nënshtrohemi Atij si mbret për të jetuar nën autoritetin dhe sundimin e Tij.

Jetë në Bollëk

Kur beson se Jezusi është Krishti, jeta jote do të jetë tërësisht ndryshe. Duke besuar, ti do të kesh “jetë në emër të tij” (20:31). Jezusi foli për një jetë të begatë që vetëm Ai mund të japë: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (10:10). Çfarë do të thotë kjo?

Në fillim të historisë së Biblës, Adami dhe Eva, gëzonin një jetë pa frikë dhe shqetësime. Ata kishin një punë kuptimplotë në një mjedis të mrekullueshëm. Por mbi të gjitha, ata gëzonin praninë dhe shoqërinë e Perëndisë, i cili ecte me ta në kopsht. Ata kishin një jetë në bollëk, por e humbën atë, dhe ne kurrë nuk e kemi përjetuar atë që ata gëzuan. Jezusi erdhi të na çlironte nga kjo botë e rrëzuar dhe e mbushur me sëmundje, rrezik, shkatërrim, dhe vdekje, dhe për të na çuar në një jetë të begatë, që fillon tani dhe do të vazhdojë përjetë. Është duke besuar në Jezusin që ne kemi këtë jetë në emrin e Tij. 

Diçka Madhështore 

Pak kohë më parë, unë dhe Karen kishim mundësinë të dëgjonim Orkestrën Simfonike të Çikagos, me një solist të ftuar. Ata po luanin Çajkovskin, dhe ishte madhështore. Solisti luajti sikur harku i tij do t’i vinte flakën violinës së tij, dhe në fund, publiku u ngrit i gjithi në këmbë me një brohoritje të fortë. Ishte e parezistueshme. Duartrokitjet nuk mbaronin, dhe solisti u ndje i detyruar të na shpërblente me një pjesë tjetër. Kjo e ndezi sallën akoma edhe më tepër.

Kur dolëm jashtë në intervalin e pushimit të orkestrës, shpirtrat tanë ishin të lartësuar dhe audienca gumëzhinte nga gëzimi. Por në koridorin e teatrit, një burrë i moshuar dukej shumë i zemëruar nga përsëritja e performancës së solistit. Teksa kalova pranë tij, e dëgjova të thoshte, “Kam mbi 30 vjet që vij këtu, dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Nuk më pëlqen fare,” tha ai. “Nuk e kuptoj pse duhet të ndodhë kjo!”

Mu desh ta përmbaja veten. Ja ku ishte një njeri, i cili kishte qënë në prani të diçkaje madhështore e që kishte ngritur në këmbë qindra njerëz përreth tij, dhe ai vetë nuk shihte asgjë të jashtëzakonshme në këtë. Çfarë nuk shkonte me këtë njeri?

Teksa kemi ecur nëpër Ungjijtë, ne kemi qënë në praninë e diçkaje vërtet madhështore. Ne kemi parë planin e mrekullueshëm të Perëndisë në zbatim, ndërsa Biri i Perëndisë u bë njeri si ne, u përball me armikun tonë, dha jetën e Tij si sakrificë për ne, u ringjall nga vdekja, dhe u ngjit lart në qiell—në mënyrë që të na shpjerë në jetën e përjetshme, nëpërmjet besimit në emrin e Tij. 

Asgjë nuk është më tragjike sesa dikush që përballet me deklaratat e Krishtit dhe ofertën e ungjillit, dhe prapë largohet sikur të ketë parë apo dëgjuar diçka krejt të zakonshme. Ungjijtë janë shkruar “që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emër të tij” (Gjoni 20:31).

Një Shteg i Hapur

Emri Krisht do të thotë “Mesia”, ose “I Vajosuri”. Në Dhjatën e Vjetër, Perëndia vajosi profetët, priftërinjtë, dhe mbretërit për të realizuar qëllimet e Tij në botë. Ata ishin paraprirës të Atij që do përmbushte çfarë ata mundën vetëm të ilustronin. Ungjitjtë na japin provat që Jezusi është Krishti, dhe na tregojnë se si vetëm Ai i përmbush rolet e lashta të profetit, priftit, dhe mbretit. Thelbi i historinë është se Perëndia Vetë u bë njeri në personin e Jezusit, dhe është nëpërmjet Tij që të gjitha premtimet e Perëndisë janë përmbushur.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Nëse do të ishe në një juri, cilat dëshmi për Jezusin do të ishin më bindëse për ty?
  2. Çfarë do të thotë Bibla kur thotë, “Jezusi është Krishti”?
  3. Me fjalët e tua, çfarë do të thotë të kesh besim tek Jezus Krishti?
  4. Nëse gjithçka që kishe do ishte mësimi i Jezusit, a do ishte e mjaftueshme kjo për të të çuar në parajsë? Pse ose pse jo?
  5. Si ndryshon jeta në bollëk që Jezusi ofron, nga jeta siç e përjetojmë normalisht në këtë botë?
Save Progress
Shko në fillim