Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Levitiku 16:1-22

Flijimet vjetore të shlyerjes të ofruara për priftin dhe për popullin

1 Zoti i foli Moisiut mbas vdekjes së dy bijve të Aaronit, që vdiqën kur u paraqitën para Zotit me zjarr të ndaluar.

2 Zoti i tha Moisiut: “Foli Aaronit, vëllait tënd, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej perdes, përpara pajtuesit që ndodhet mbi arkë, që të mos vdesë, sepse unë do të shfaqem në renë mbi pajtuesin.

3 Aaroni do të hyjë në shenjtërore në këtë mënyrë; do të marrë një dem të vogël për flijimin për mëkatin dhe një dash për holokaustin.

4 Do të veshë tunikën e shenjtë prej liri dhe do të mbajë mbi trupin e tij pantallona prej liri; do të ngjeshë brezin prej liri dhe do ta vërë mbi kokë çallmën prej liri. Këto janë veshjet e shenjta; ai do t’i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë.

5 Nga asambleja e bijve të Izraelit do të marrë dy cjep për flijimin e mëkatit dhe një dash për holokaustin.

6 Aaroni do të ofrojë demin e vogël për flijimin e mëkatit, që e ka për vete, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij.

7 Pastaj do t’i marrë të dy cjeptë dhe do t’i paraqesë përpara Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes.

8 Aaroni do t’i hedhë në short dy cjeptë: njëri prej tyre do të caktohet për Zotin dhe tjetri do të shërbejë si cjap për shlyerjen e fajit.

9 Aaroni do të afrojë cjapin e caktuar për Zotin dhe do ta ofrojë si flijim për mëkatin;

10 por cjapi i caktuar si cjap fajshlyes do të paraqitet i gjallë para Zotit, me qëllim që mbi të të bëhet shlyerja dhe për ta çuar pastaj në shkretëtirë si cjap fajshlyes.

11 Aaroni do të ofrojë, pra, demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij; dhe do ta therë demin e vogël të flijimit për mëkatin për vete.

12 Pastaj do të marrë një temjanicë plot me qymyr të ndezur të marrë nga altari përpara Zotit dhe do t’i ketë duart e tij të mbushura me temjan të parfumuar në pluhur, dhe do të çojë çdo gjë matanë velit.

13 Do ta vërë temjanin mbi zjarr përpara Zotit, me qëllim që reja e temjanit të mbulojë pajtuesin që është mbi dëshminë; kështu ai nuk do të vdesë.

14 Pastaj do të marrë ca gjak të demit të vogël dhe do ta spërkatë me gishtin e tij mbi pajtuesin nga ana lindore, do të spërkatë shtatë herë edhe pak gjak me gishtin e tij përpara pajtuesit.

15 Pastaj do të therë cjapin e flijimit për mëkatin, që është për popullin, dhe do të çojë gjakun e tij matanë velit; dhe do të bëjë me këtë gjak atë që ka bërë me gjakun e demit të vogël; do ta spërkatë mbi pajtuesin dhe para pajtuesit.

16 Kështu do të bëjë shlyerjen për shenjtëroren, për shkak të papastërtive të bijve të Izraelit, të shkeljeve të tyre dhe të të gjitha mëkateve të tyre. Do të veprojë në të njëjtën mënyrë për çadrën e mbledhjes, që mbetet midis tyre, në mes të papastërtive të tyre.

17 Në çadrën e mbledhjes, kur ai do të hyjë në shenjtëroren për të bërë shlyerjen, nuk do të ketë njeri, derisa ai të ketë dalë dhe të ketë bërë shlyerjen për veten, për shtëpinë e tij dhe për tërë asamblenë e Izraelit.

18 Ai do të dalë drejt altarit që ndodhet para Zotit dhe do të bëjë shlyerjen për të: do të marrë ca gjak nga demi i vogël dhe ca gjak nga cjapi dhe do ta vërë mbi brirët e altarit rreth e qark.

19 Pastaj do të spërkatë ca gjak mbi të me gishtin e tij shtatë herë me radhë; kështu do ta pastrojë dhe do ta shenjtërojë nga papastërtitë e bijve të Izraelit.

20 Kur të ketë mbaruar së kryeri shlyerjen për shenjtëroren, për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të afrojë cjapin e gjallë.

21 Aaroni do të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit, të gjitha shkeljet e tyre, tërë mëkatet e tyre, dhe do t’i vërë mbi kokën e cjapit; pastaj do ta çojë në shkretëtirë me anë të një njeriu të zgjedhur enkas.

22 Cjapi do të mbartë mbi vete në tokë të vetmuar të gjitha padrejtësitë e tyre dhe ai njeri do ta lërë të shkojë në shkretëtirë.

Tjetra

Populli i Perëndisë zbuloi se Perëndia që i do ata është i shenjtë. Si mëkatarë, nuk është e mundur që ne t’i afrohemi Atij dhe të mbijetojmë. Duhet të ketë një shlyerje, e cila është ajo që duhet për të rregulluar diçka që është e gabuar. Shlyerja e mëkatit bëhet përmes një sakrifice, një zëvendësimi, një jete të dhuruar. Në këtë mësim ne do të shohim se si u krye shlyerja dhe si zbatohet tek ne.

Nëse do të duhet të përballesh ndonjëherë me një gjygj, me shumë mundësi do të duash të marrësh një avokat që të përfaqësojë çështjen tënde. Sallat e gjygjit janë vende që të frikësojnë dhe veprojnë nën disa rregulla mjaft komplekse, kështu që ke nevojë për ndihmën e një avokati që të të përfaqësojë para gjykatësit, dhe të flasë në emrin tënd. 

Në Dhjatën e Vjetër, priftërinjtë bënë diçka të ngjashme. Ata përfaqësuan njerëzit përpara Perëndisë, dhe folën në emër të tyre. Ata shërbyen në një çadër lëvizëse adhurimi, që quhej tabernakull. Ajo ishte e ndarë në zona të ndryshme nga një serë perdesh, dhe përmbante pjesë të ndryshme sendesh simbolike. 

Në qendër të tabernakullit, ndodhej Vendi Më i Shenjtë, që ishte i fshehur nga pamja nga një perde e rëndë. Brenda ishte Arka e Besëlidhjes. Ishte një arkë prej druri, e bartur në shtylla, me një mbulesë sipër. Nga mbulesa ngriheshin dy figura të arta të Kerubinëve—engjëjt që përfaqësonin gjykimin e Perëndisë. Midis këtyre dy figurave ishte një zonë e njohur si “mbulesa e shlyerjes” ose “vendi i mëshirës”. 

Një Dramë me Pesë Akte 

Një herë në vit në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti shkonte pas perdes në Vendin më të Shenjtë. Vetë Perëndia zbriste aty, ashtu si kishte bërë në malin Sinai. Ai nuk e bëri Vetën të dukshëm, por Ai u shfaq në një re mbi vendin e mëshirës, dhe takohej me kryepriftin (Levitiku 16:2).

Perëndia na mëson shpesh me anë të imazheve, dhe ajo që ndodhi në Ditën e Shlyerjes ishte si një dramë e shkëlqyeshme me pesë akte. Secila prej tyre na drejton drejt Jezus Krishtit, dha na ndihmon të kuptojmë rëndësinë e vdekjes së Tij në kryq.

Akti i Parë: Prifti Shfaqet 

Nëse do kishe patur mundësinë të shihje kryepriftin, do e kuptoje menjëherë që ai ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm në vend. Madhështia e rrobës së tij shfaqte dinjitetin e zyrës së tij. Por në Ditën e Shlyerjes kryeprifti nuk mbante veshur rrobën e tij, por dilte në rrugë i veshur me një rrobë të thjeshtë të bardhë, një veshje të ngjashme me atë të shërbëtorit më të ulët. Njerëzit do të viheshin në rradhë përgjatë rrugës njëri pas tjetrit për të parë spektaklin e kryepriftit të veshur si një skllav i rëndomtë, ndërsa ai ecte drejt tabernakullit si një boksier që është duke hyrë në ring. 

Akti i Dytë: Prifti Përgatitet 

Përpara se kryeprifti të dilte përpara pranisë së Perëndisë dhe të ofronte një sakrificë për mëkatet e popullit, prioriteti i tij i parë ishte të merrej me vetë mëkatet e tij. Ai merrte gjakun e një demi të therur, dhe e spërkaste atë në vendin e mëshirës. 

Kjo duhet të ketë krijuar një përshtypje të fuqishme te njerëzit. Kryeprifti që po mbante një nga pozicionet më dinjitoze në vend, po thoshte: “Edhe unë kam nevojë për një flijim.” Kryeprifti po pranonte, ashtu si çdo prift tjetër, pastor, apo udhëheqës fetar gjithmonë i duhet të pranojë, “Unë kam mëkatet e mia, dhe prandaj nuk jam në gjendje të merrem me të tuat.”

Akti i Tretë: Shlyerja është Kryer 

Pastaj dy cjep dilnin në skenë. Njëri ishte i therur dhe kryeprifti e merrte gjakun e tij mbrapa perdes, dhe e spërkaste atë në vendin e mëshirës, midis dy figurave të arta të Kerubinëve, që përfaqësonin gjykimin e Perëndisë. Drejtësia ishte përmbushur, dhe mëshira ishte lëshuar në momentin që sakrifica ishte kryer. 

Ashtu si në kopsht Perëndia e devijoi mallkimin larg nga Adami tek toka, po kështu, Perëndia ishte i gatshëm të lejonte që dënimi me vdekje të shkonte tek një kafshë, në vend që të shkonte tek një mëkatar. 

Akti i Katërt: Mëkati është Rrëfyer 

Ajo çfarë ndodh më pas, ishte pjesa më dramatike e të gjithë Ditës së Shlyerjes. Cjapi i dytë nxirrej përpara. Perëndia e kishte udhëzuar kryepriftin që “të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit” (Levitiku 16:21). 

Në kishat sot, kur ka një shërbesë përkushtimi ose pagëzimi për një fëmijë të vogël, pastori ose prifti e mban fëmijën në duart e tij ndërsa lutet për të. Kjo mund të shkaktojë disa probleme me fëmijët, që kuptohet se nuk duan të ndahen nga prindërit e tyre dhe të qëndrojnë në duart e një të panjohuri.

Shpesh jam stërmunduar të bëj një lutje të llogjikshme teksa mbaj një fëmijë të vogël në krahë, i cili përpëlitet dhe përpiqet dëshpërimisht t’i shpëtojë shtrëngimit tim. Por një problem i tillë nuk është asgjë në krahasim me atë që kryepriftit i duhej të përballej këtu! Ai duhet të rrëfente të gjitha mëkatet e Izraelit, ndërkohë që mbante me të dyja duart një cjap të gjallë! 

Kryeprifti vinte në dukje mëkate specifike në lutjen e tij, dhe nëse ti do të kishe qenë në mes të turmës, do kishe dëgjuar një lutje të ngjashme si kjo: “Perëndi i Plotfuqishëm, ne e rrëfejmë idhujtarinë tonë. Ne i kemi dashur dhuratat e Tua më shumë sesa të kemi dashur Ty. Ne rrëfejmë zilinë tonë. Ne kemi parë atë që i ke dhënë të tjerëve dhe kemi lakmuar duke dëshiruar të njëjtën gjë për veten tonë. Ne gjithashtu rrëfejmë zemërimin tonë. Ne kemi qenë të papërmbajtur dhe të pakënaqur ndaj të tjerëve …” 

Meqënëse kryeprifti duhej të rrëfente të gjitha mëkatet e popullit, kjo duhet të ketë qënë një lutje e gjatë. Por ai u lut në një mënyrë që njerëzit t’i njihnin mëkatet që ai rrëfente si të vetat. Nëse do të kishe qenë i pranishëm në mes të turmës, në fund do të mendoje, po, ky mëkat është një nga mëkatet e mia.

Kur kryeprifti rrëfente mëkatet e njerëzve me duart e tij mbi kokën e cjapit, një akt trasferimi zinte vend, me anë të së cilit Perëndia e zhvendoste fajin e këtyre mëkateve mbi cjapin. “Aaroni le të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit” (Levitiku 16:21). Kështë që tani keni vetëm një cjap të mbushur me faje! 

Akti i Pestë: Faji është Hequr 

Ajo që ndodhi më pas është një pamje e mrekullueshme se si Perëndia merret me mëkatet tona kur ato janë rrëfyer dhe faji i tyre është transferuar. Pastaj Perëndia i tha kryepriftit “ta çojë cjapin në shkretëtirë me anë të një njeriu të zgjedhur enkas” (16:21). Imagjinoje skenën ndërsa cjapin e nxjerrin jashtë, midis çadrave, dhe më pas jashtë kampit, dhe deri në shkretëtirë. Ti vazhdon ta shohësh derisa cjapi dhe njeriu bëhen thjesht një pikë në horizont, dhe pastaj nuk arrin më t’i shohësh.

Nuk arrij të imagjinoj një prezantim vizual më të fuqishëm të ungjillit. Kjo dramë me pesë akte ishte si një provë para shfaqjes së vërtetë, që na tregon se çfarë Perëndia do të bënte kur Jezus Krishti të vinte në botë. 

Nga Prova në Ngjarjen Kryesore

Duke vazhduar përpara nëpër 1500 vjet histori, mund të arrish në ngjarjen kryesore që përfshin Jezus Krishtin në rolin e Kryepriftit, i cili erdhi për të bërë shlyerjen e mëkateve tona. Dhjata e Vjetër na tregon se çfarë duhej të bëhej; Dhjata e Re na tregon se si u bë kjo. 

Akti i Parë: Krishti Shfaqet

Jezus Krishti është Kryeprifti ynë i madh! Ai është Biri i Perëndisë, dhe lavdia e Tij është shumë më e madhe se rrobat e shkëlqyeshme të veshura nga ndonjë prift tjetër. Ai kishte pjesë në lavdinë e Atit, përpara se bota të krijohej. Por ashtu si Kryeprifti nuk mbante veshur rrobën e tij madhështore në Ditën e Shlyerjes, ashtu edhe Krishti la mënjanë lavdinë e Tij dhe mori formën e një shërbëtori. Ai u mbështoll me lecka dhe u shtri në një grazhd.

Akti i Dytë: Krishti Përgatitet

Jezus Krishti jetoi një jetë ndryshe nga çdo jetë tjetër që ka ekzistuar ndonjëherë. Jezusi bëri vullnetin e Atit dhe përmbushi të gjithë veprën që Ati i kishte dhënë Atij për të bërë. “Ai nuk bëri asnjë mëkat” (1 Pjetri 2:22) dhe kështu që nuk kishte nevojë për sakrificë për Veten e Tij. Jeta e tij e përsosur e kualifikoi Atë që të arrinte atë që të gjithë kryepriftërinjtë e tjerë mundën vetëm të ilustronin. 

Akti i Tretë: Krishti Bën Shlyerjen 

Pas tre vitesh të shërbesës së Tij publike, Jezusi u arrestua dhe u dënua me kryqëzim. Në kryq, ai u bë sakrifica për mëkatet tona. Gjykimi i Perëndisë u largua nga ne dhe shkoi mbi Të. Kur gjaku i Tij u derdh, drejtësia e Perëndisë u përmbush, dhe mëshira e Perëndisë u lirua. Kryeprifti ynë i madh bëri shlyerjen për ne, dhe hapi një rrugë të re dhe të gjallë për të hyrë në praninë e Perëndisë. 

Akti i Katërt: Ne Rrëfejmë Mëkatet Tona

Mos harro, kishte dy cjep në ditën e shlyerjes. Njëri u flijua dhe tjetri u çua në shkretëtirë. Të dy këto kafshë na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë bën Krishti për popullin e Tij. Jezusi është Ai që sakrifikoi jetën e Tij si shlyerje për mëkatet tona, dhe Ai është gjithashtu Ai që largon fajet tona.

Këtu futesh edhe ti në skenë, për të luajtur pjesën tënde në dramë. Ashtu siç kryeprifti i vendoste të dyja duart mbi kokën e cjapit të gjallë dhe rrëfente mëkatet e popullit, Perëndia të fton ty “të qëndrosh pa lëvizur” përpara Jezus Krishtit, si një akt besimi, dhe t’ia rrëfesh të gjitha mëkatet e tua Atij. Kur ta bësh këtë, fajet e tua do të largohen prej teje.

Akti i Pestë: Mëkatet Tona Janë të Fshira

Kur mëkatet tona u vendosën mbi Krishtin, Perëndia premtoi se ai do ti shpinte ato aq larg nga ne, “sa larg është lindja nga perëndimi” (Psalmi 103:12).

Mundohu të imagjinosh një person i cili ka qenë duke luftuar me një ndërgjegje të trazuar. Le ta quajmë atë Sara. Ajo ka bërë një zgjedhje të pamend, dhe pyet veten nëse Perëndia do mund ta falë atë ndonjëherë. 

Sara është në mes të turmës duke parë dramën e madhe të Ditës së Shlyerjes, por ajo është ende duke luftuar me ndërgjegjen e saj, kur një mik i afrohet për të biseduar me të. 

“Sara, mendo pak për atë që pe dje. Çfarë ndodhi kur kryeprifti kapi atë cjapin nga koka?” 

“Ai rrëfeu mëkatet tona.” 

“Dhe a e rrëfeu ai edhe mëkatin tënd?”

“Po, në fakt e bëri, dhe kur ai po e rrëfente atë me zë të lartë, u ndjeva kaq shumë e turpëruar.”

“Çfarë ndodhi me mëkatet që ai rrëfeu?”

“Ato u vendosën mbi kokën e cjapit.” 

“Dhe çfarë i ndodhi cjapit?”

“Atë e shpunë shumë larg.” 

“Sa e larg e shpunë atë, Sara?”

“Më larg nga sa mund të shihja.” 

Merre këtë skenë dhe zbatoje në jetën tënde. A mund t’i imagjinosh mëkatet e tua që të largohen kaq shumë nga ty, sa që nuk mund t’i shohësh dot më, dhe që nuk mund të rikthehen më kurrë tek ty? Perëndia dëshiron që të dish se përmes veprës së përfunduar të Krishtit, mëkati yt është falur dhe faji yt është fshirë. 

Një Shteg i Hapur

Dita e Shlyerjes ilustron se si Jezusi bëri shlyerjen për mëkatet tona. Kur gjaku i Tij u derdh, gjykimi i Perëndisë u derdh, dhe mëshira u lëshua për mëkatarët. Shlyerja zbatohet për mëkatet e tua në veçanti, kur me anë të besimit ti mbështetesh tek Krishti duke besuar në Të dhe duke i rrëfyer mëkatet e tua Atij. Perëndia do i’a transferojë fajin e mëkatit tënd Krishtit ndërsa ti qëndron tek Ai me anë të besimit. Dhe kur Perëndia e transferon fajin tënd, Ai e largon atë nga ty, në mënyrë që të mund të shikosh drejt Perëndisë me gëzimin dhe lirinë e dikujt që me të vërtetë është falur.

Një Moment Lutje

O Atë i Hirshëm,

Faleminderit që Zoti Jezus Krisht erdhi në botë për të qenë Kryeprifti im. Faleminderit që Ai ishte i gatshëm të linte mënjanë lavdinë e Tij dhe të lindte në një grazhd. 

Faleminderit për jetën e Tij të përsosur që e kualifikoi Atë për të bërë shlyerjen. Faleminderit që Ai e bëri shlyerjen duke dhënë jetën e Tij dhe duke derdhur gjakun e Tij. 

Unë të rrëfej mëkatet e mia Ty. (Merr kohën që të duhet, për t’i rrëfyer mëkatet e tua Zotit.) 

Faleminderit që Krishti vdiq për mëkatet e mia. Më ndihmo tani të shijoj paqen, duke ditur se Ti i ke larguar ato nga unë, aq larg sa është lindja nga perëndimi, nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tim. 

Amen.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Cili ishte roli i priftërinjeve në Dhjatën e Vjetër?
  2. Çfarë tregonte Dita e Shlyerjes? Çfarë na ndihmon të kuptojmë?
  3. Pse asnjë prift, pastor, apo udhëheqës fetar nuk është në gjendje të merret me mëkatet e tua?
  4. Si u transferua dhe u largua faji në Ditën e Shlyerjes?
  5. Cili është roli ynë për të luajtur në këtë dramë?
Save Progress
Shko në fillim