Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Ezekieli 1:1-28

Vegimi i katër qenieve të gjalla 

1 Në vitin e tridhjetë, më pesë të muajit të katërt, ndodhi që ndërsa isha midis të internuarve pranë lumit Kebar, qiejtë u hapën dhe pata vegime nga ana e Perëndisë.

2 Më pesë të muajit (ishte viti i pestë i robërisë së mbretit Jehojakin),

3 fjala e Zotit iu drejtua shprehimisht priftit Ezekiel, birit të Buzit, në vendin e Kaldeasve, pranë lumit Kebar; dhe atje lart dora e Zotit qe mbi të.

4 Ndërsa po shkoja, ja ku erdhi nga veriu një erë furtune, një re e madhe me një zjarr që mbështillej rreth vetes së tij; rreth tij dhe nga mesi i tij dilte një shkëlqim i madh si ngjyra e bronzit ikandeshent që ndodhet në mes të zjarrit.

5 Nga mesi i tij dukej ngjashmëria e katër qënieve të gjalla; dhe kjo ishte pamja e tyre: kishin ngjashmërinë e njeriut.

6 Secili prej tyre kishte katër fytyra dhe secili katër krahë.

7 Këmbët e tyre ishin të drejta dhe tabani i këmbës së tyre ishte si ai i tabanit të këmbës së një viçi, dhe shkëlqenin si bronzi me lustër.

8 Në të katër anët, poshtë krahëve, kishin duar njerëzish; dhe që të katër kishin fytyrat e tyre dhe krahët e tyre.

9 Krahët e tyre preknin njeri tjetrin; duke ecur përpara, nuk ktheheshin prapa, por secili shkonte drejt përpara tij.

10 Sa për pamjen e fytyrave të tyre, të gjithë kishin fytyrë njeriu, që të katër fytyrë luani në të djathtë, që të katër fytyrë kau në të majtë, dhe që të katër fytyrë shqiponjeje.

11 Kështu ishin fytyrat e tyre. Krahët e tyre ishin shtrirë lart; secili kishte dy krahë që preknin njëra tjetrën dhe dy që mbulonin trupin e tyre.

12 Secili shkonte drejt përpara tij; shkonin atje ku fryma donte të shkonte dhe, duke shkuar, nuk silleshin.

13 Sa për pamjen e qënieve të gjalla, këto dukeshin si qymyre të ndezur, si pishtarë. Zjarri lëvizte në mes të qënieve të gjalla; zjarri ishte i ndritshëm dhe prej tij dilnin shkrepëtima.

14 Qëniet e gjalla vraponin përpara dhe prapa, dukeshin si një rrufe.

15 Ndërsa shikoja qëniet e gjalla, ja një rrotë për tokë pranë qënieve të gjalla me katër fytyrat e tyre.

16 Pamja e rrotave dhe punimi i tyre ishte si pamja e ngjyrës së krizolitit; që të katra i ngjisnin njera tjetrës. Pamja e tyre dhe punimi i tyre si ato të një rrote në mes të një rrote tjetër.

17 Kur lëviznin, shkonin në drejtim të njerit prej katër drejtimeve dhe, duke shkuar nuk silleshin prapa.

18 Sa për rrathet e tyre ishin të lartë dhe të madhërishëm; dhe rrathët e gjithë të katërve ishin plot me sy rreth e qark.

19 Kur lëviznin qëniet e gjalla, edhe rrotat lëviznin pranë tyre dhe, kur qëniet e gjalla ngriheshin nga toka, ngriheshin edhe rrotat.

20 Kudo që fryma donte të shkonte, shkonin edhe ata, sepse aty shkonte fryma; rrotat ngriheshin bashkë me ta, sepse fryma qënieve të gjalla ishte në rrota.

21 Kur ata lëviznin, edhe rrotat lëviznin; kur këto ndaleshin, edhe ato ndaleshin, dhe kur ngiheshin nga toka, edhe rrotat ngriheshin bashkë me ta, sepse fryma i qënieve të gjalla ishte në rrota.

Vegimi i lavdisë së Zotit

22 Mbi kokat e qënieve të gjalla ishte ngjashmëria e një kupe qiellore, që i përngjiste ngjyrës së një kristali të madhërishëm të shtrirë mbi kokat e tyre.

23 Poshtë kupës qiellore shtriheshin drejt krahët e tyre, njëra ndaj tjetrës; secili kishte nga dy që mbulonin një anë dhe dy të tjera që mbulonin anën tjetër të trupit.

24 Kur ata lëviznin, unë dëgjoja zhurmën e krahëve të tyre, si zhurmën e ujrave të mëdha, si zëri i të Plotfuqishmit, si zhurma e një rrëmuje të madhe, si oshtima e një ushtrie; kur ndaleshin, ulnin krahët e tyre.

25 Dhe dëgjohej një zhurmë nga kupa qiellore lart që ishte mbi kokat e tyre; kur ndaleshin, ulnin krahët e tyre.

26 Mbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ndodhej një gjë që i ngjante një froni që dukej si një gur safiri, dhe mbi këtë lloj froni, në pjesën e sipërme të tij, ishte një figurë që i përngjiste një njeriu.

27 Nga sa tregonin ijët e tij lart, unë pashë gjithashtu diçka si ngjyra e bronzit inkandeshent që dukej si zjarr brenda tij rreth e qark; dhe nga sa tregonin ijët e tij poshtë pashë diçka që i përngjante zjarrit dhe që lëshonte rreth e qark një shkëlqim të madh.

28 Ashtu siç është pamja e një ylberi në re në një ditë shiu, kështu ishte pamja e atij shkëlqimi që e rrethonte. Ajo ishte një shfaqje e shëmbëlltyrës së lavdisë të Zotit. Kur e pashë, u rrëzova me fytyrë dhe dëgjova zërin e dikujt që fliste.

Tjetra

Tridhjetë-vjetori i lindjes së Ezekielit mund të ketë qenë dita më e vështirë e jetës së tij. Ai e kishte kaluar tërë jetën e tij duke u përgatitur për shërbesë në tempullin e Perëndisë, por në moshën njëzet e pesë vjeçare, në mes të trajnimit të tij, shpërtheu lufta dhe atë e shpunë me forcë në lumin Kebar. Tridhjetë-vjetori i një prifti ishte dita në të cilën do të fillonte shërbesa e tij në tempull. Por çfarë mund të bëjë një prift i ri nëse është shtatëqind milje larg tempullit?

Ezekieli ishte një burrë me shpresa dhe ëndrra të thyera. Ah sikur të kishte jetuar në një kohë tjetër; sikur të kishte qenë në një një vend tjetër. Ah sikur! Rrethanat dukej sikur e kishin bllokuar rrugën e tij drejt shërbesës që ai dëshironte, dhe ai e gjeti veten në mes të një grupi njerëzish të hutuar dhe të shkurajuar pranë një moçali në afërsi të Babilonisë. Ndoshta mund ta gjesh veten në pozitën e Ezekielit. Ndoshta edhe ti ke pasur ëndrra dhe shpresa të mëdha, dhe kurrë nuk e kishe imagjinuar se do ishe aty ku je sot. 

Populli i Perëndisë në Dy Vende 

Në kohën e Ezekielit, populli i Perëndisë ishte i ndarë në dy vende. 10,000 prej tyre ndodheshin në lumin e Kebarit në Babiloni, dhe pjesa tjetër ishte akoma në Jeruzalem, ku mbreti Zedekia mezi po e mbante fronin e tij.

Ezekieli u thirr që tu shpallte Fjalën e Perëndisë 10,000 të mërguarve, dhe në të njëjtën kohë, Jeremia po i përcillte Fjalën e Perëndisë pjesës tjetër në Jeruzalem. Familjet ishin të përçara, dhe të gjithë vrisnin mendjen se çfarë do të ndodhte më pas. A do mbijetonte komuniteti i mbetur në Jeruzalem? Kur do ktheheshin të mërguarit në vend? Muajin pasardhës? Vitin tjetër? Kurrë?

Nuk kishte mungesë përgjigjesh nga njerëzit që pretendonin të flisnin Fjalën e Perëndisë. Profetët e rremë ishin të etur për t’u siguruar njerëzve se ajo që kishte ndodhur ishte vetëm një pengesë e përkohshme: “Perëndia nuk do e braktiste kurrë tempullin e Tij. Të mërguarit do të ktheheshin së shpejti në shtëpi. Si mund të binte ndonjëherë Jeruzalemi?”

Profeti Jeremia kishte një mesazh ndryshe, dhe nuk ishte lajm i mirë. Në një letër dërguar të mërguarve, ai u tha 10,000 të larguarve se do të kalonin 70 vjet përpara se Perëndia t’i lejonte ata të riktheheshin. E gjithë jeta e tyre do të kalonte në një tokë të çuditshme dhe të huaj (Jeremia 29). Ata kishin nevojë për inkurajim, dhe Perëndia ua dha atyre nëpërmjet Ezekielit. 

Lavdia Shfaqet 

Ekzistojnë shtatë elementë në vizionin e Ezekielit për lavdinë e Perëndisë. E para ishte një platformë masive e bërë prej qelqi, e cila shkëlqente nën dritën e diellit (Ezekiel 1:22). Platforma po mbahej nga krijesa të gjalla, një në çdo qoshe. Këto krijesa ishin engjëj (1:20). Dhe ata e mbanin platformën në krahët e tyre, por kishin më shumë se një palë krahë, kështu që ata gjithashtu mund të fluturonin. Platforma mund të ngrihej vertikalisht, si një helikopter (1:19). 

Pastaj Ezekiel pa rrota: Ja një rrotë për tokë pranë qënieve të gjalla me katër fytyrat e tyre…si ato të një rrote në mes të një rrote tjetër” (Ezekieli 1:15-16). Imagjino një rrotë që shikon nga veriu në jug, duke u ndërprerë nga një rrotë tjetër, që shkon nga lindja në perëndim. Këto rrota mund të lëvizin në cilindo prej katër drejtimeve, gjë që do të ishte e dobishme nëse do të duhej të parkoje paralelisht makinën tënde në një hapësirë të ngushtë. 

Këto rrota i jepnin lëvizshmëri platformës. Ajo që na thuhet këtu është se prania e Perëndisë nuk është e fiksuar ose e kufizuar në ndonjë vend. Perëndia është i lirë të lëvizë kudo që Ai zgjedh, dhe në çdo drejtim. Nuk ka asnjë vend në tokë ku një nga njerëzit e Perëndisë është ndonjëherë shumë larg prej Tij. Mbi platformën, engjëjt, dhe rrotat, “ndodhej një gjë që i ngjante një froni që dukej si një gur safiri” (1:26). Kushtoi vëmendje fjalës “ngjante.” Ezekieli është duke u stërmunduar të gjejë fjalët e duhura për të përshkruar atë që po sheh, dhe sa më lart ai shikon, aq më të vështirë e ka të shprehet. 

Dhe pastaj mbi fron Ezekieli pa “diçka si ngjyra e bronzit inkandeshent që dukej si zjarr brenda tij rreth e qark” (1:27). Dhe bashkë me të, ka diçka tjetër që nuk do e prisje ta shihje në të njëjtën kohë: “Ashtu siç është pamja e një ylberi në re në një ditë shiu” (1:28). Ezekiel pa zjarr dhe vetëtima që tregojnë për gjykimin e Perëndisë, dhe në të njëjtën kohë, një ylber që flet për hirin e Perëndisë. Dhe të dyja dilnin nga froni. 

Ndërsa Ezekieli i’a kishte ngulur sytë këtij vizioni, ai vazhdonte të shikonte më lart. Mbi krijesat, ishte platforma. Mbi platformë, ai pa “një gjë që i ngjante një froni” (1:26). Dhe mbi fron ai pa një person të lavdishëm, “Ishte një figurë që i përngjiste një njeriu…që lëshonte rreth e qark një shkëlqim të madh” (Ezekieli 1:26-27). Ajo që Ezekieli kishte më shumë nevojë të shihte, ndërsa qëndronte larg vendit që dëshironte të ishte, ishte pikërisht fakti që Perëndia ndodhej mbi fron, dhe se prania e Perëndisë ishte me të. Ajo që të duhet më shumë kur je larg nga vendi ku dëshiron të jesh, është një vizion i ri i lavdisë së Perëndisë. 

Lavdia Largohet 

Disa kohë më vonë, Ezekielit iu dha një vizion shumë ndryshe, në të cilin ai pa një idhull masiv në tempullin e Perëndisë. Ai pa imazhe të çuditshme të idhujve, të skalitur në muret e tempullit (Ezekieli 8:7-10). Gjëra të neveritshme po ndodhnin në fshehtësi, madje edhe në tempull, dhe njerëzit thoshin, “Zoti nuk na shikon” (8:12).

Pastaj Ezekieli pa të njëjtën lavdi të Perëndisë që kishte parë në vegimin e tij të hershëm (Ezekieli 8:2-4). Ishte sikur Perëndia po përballej me idhullin. Perëndia po bëhej gati të shkatërronte adhurimin e rremë që kishte përdhosur tempullin e Tij. Kur Ezekieli pa përsëri vizionin e lavdisë së Perëndisë, ai pa platformën, rrotat, dhe fronin e Perëndisë që po lëviznin drejt derës. Perëndia po bëhej gati të linte tempullin dhe qytetin e Tij (Ezekieli 10: 4, 18; 11: 22-23). 

Prania e Perëndisë, e simbolizuar nga platforma fluturuese, po largohej nga Jeruzalemi, por Ai nuk e kishte braktisur popullin e tij, apo premtimet e Tij. Fokusi i veprës së Tij shpenguese ishte largimi nga Jeruzalemi. Perëndia po largohej nga tempulli, por prania e Tij tani do të bëhej e njohur në mes të të internuarve pranë lumit Kebar. Ezekieli ishte larg shtëpisë së tij dhe larg tempullit, por ai ishte pikërisht në qendër të vullnetit të Perëndisë. Ti mund të mos jesh aty ku dëshiron, por Perëndia të ka vendosur aty ku je për një arsye. Dhe qëllimi i Tij i madh e i përjetshëm për të të përshtatur me shëmbëllimin e Jezus Krishtit, do të përparojë mrekullisht kudo që të jesh. 

Lavdia Rikthehet 

Njëzet vjet pas vizionit të parë të Ezekielit, Perëndia i foli përsëri atij. Dhe ajo që Ezekieli pa duhet t’i ketë sjellë gëzim zemrës së tij. “Dhe lavdia e Zotit hyri në tempull nga porta që shikon nga lindja… dhe ja, lavdia e Zotit mbushte tempullin” (Ezekieli 43:4-5). Lavdia e Perëndisë një ditë do ta mbushë një tempull i cili do të shërbejë si qendër adhurimi, për njerëz nga çdo fis dhe komb.

Kjo Është Historia e Jezusit 

Ezekieli pa “një shfaqje e shëmbëlltyrës së lavdisë të Perëndisë” (Ezekieli 1:28). Libri i Hebrenjve na tregon se Jezusi është “shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë” (Hebrenjve 1:3). Lavdia e Perëndisë zbriti midis nesh: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14). Mendoje në këtë mënyrë: Perëndia doli nga platforma e Tij! Krijuesi i përjetshëm, Zoti i Lavdisë, zbriti nga froni i Tij. 

Ky person i lavdishëm e i papërshkrueshëm, i rrethuar nga ylberi, dhe zjarri, dhe rrufeja, mori trajtën njerëzore dhe lindi në Betlehem. Ai që ishte i ulur në një fron të mbajtur nga engjëjt, qëndronte i shtrirë në një grazhd dhe engjëjt e shihnin Atë nga lart. 

Jo vetëm që Zoti i lavdisë zbriti nga platforma, Ai erdhi në tempullin e Tij dhe foli Fjalën e Perëndisë. Dhe Zoti i Lavdisë, i cili kishte zbritur poshtë, u largua nga tempulli, jo mbi një platformë, por duke mbajtur një kryq. Por lavdia që u shfaq dhe u largua, do të rikthehet një ditë. Këtu drejtohet e gjithë historia. Ne presim me padurim të madh ditën kur Zoti i Lavdisë do të zbresë nga qielli. Ne do ta shohim Atë, do të jemi si Ai, dhe do të jemi me të përgjithmonë! 

Kjo Mund të Jetë Historia Jote 

Ezekieli ishte një njeri i talentuar në kulmin e rinisë, e megjithatë ai e gjeti veten të harruar diku në një moçal të errët në Babiloni. Perspektivat e tij dukeshin të zymta, shpresat e tij personale për të ardhmen u shkatërruan. Mbase edhe ti je ndjerë kështu. Diçka ka ndodhur në jetën tënde, dhe ti e ke gjetur veten duke thënë, “Nuk është ashtu si duhej të ishte!” Ose ndoshta Perëndia të ka marrë nga një vend ku ke qenë i lumtur dhe të ka zhvendosur diku tjetër. 

Platforma fluturuese e Ezekielit na kujton se prania e Perëndisë nuk është e kufizuar në një vend. Nëse Perëndia të lëviz nga një vend, prania e Tij do të vijë me ty. Ai thotë, “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Nuk ka asnjë vend në tokë ku prania e Tij nuk mund të shkojë. Ezekieli zbuloi se ishte më mirë të ishe në Babiloni me praninë e Perëndisë, sesa të ishe në Jeruzalem pa të! 

Një Shteg i Hapur

Zoti i lavdisë zbriti mes nesh, dhe në Jezus Krishtin lavdia e Perëndisë erdhi në tempullin e Tij. Por njerëzit nuk e deshën Atë, ndaj lavdia e Perëndisë e la Jeruzalemin, jo në një platformë fluturuese këtë herë, por duke mbajtur një kryq.

Prania e lavdishme e Perëndisë zbriti midis nesh në Jezus Krishtin. Zoti i Lavdisë erdhi në tempullin e tij, por njerëzit e refuzuan, dhe Jezusi u largua nga Jeruzalemi duke mbajtur një kryq. Lavdia u shfaq dhe Lavdia u largua, por faleminderit Perëndisë që Lavdia do të rikthehet sërisht. Jezus Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe një ditë Ai do të rikthehet me pushtet dhe lavdi. Historia e Biblës tregon për kohën kur do të mbarojë mërgimi i madh i historisë njerëzore, dhe kur populli i Perëndisë do të sillet në praninë e Tij për ta shijuar Atë përgjithmonë.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. A ke thënë (apo menduar) ndonjëherë, “Gjërat nuk duhet të shkonin kështu!”?
  2. Cili është reagimi yt, kur dëgjon se Ezekieli ishte larg shtëpisë dhe tempullit, por përsëri ishte në qendër të vullnetit të Perëndisë?
  3. Në ç’mënyrë është vizioni i Ezekielit i ngjashëm me historinë e gjithë Biblës në miniaturë?
  4. Shpjego këtë thënie me fjalët e tua: “Është shumë herë më mirë të jesh në Babiloni me praninë e Perëndisë, sesa në Jeruzalem pa të.” A mendon se është e vërtetë kjo?
  5. Si krahasohet vizioni i Ezekielit për lavdinë e Perëndisë me mënyrën se si normalisht mendon për Perëndinë?
Save Progress
Shko në fillim