Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Luka 24:1-49

Ringjallja

1 Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato erdhën te varri, duke sjellë erërat e mira të përgatitura, dhe gra të tjera bashkë me to.

2 Dhe gjetën gurin të rrokullisur nga varri.

3 Dhe, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.

4 Dhe ndodhi që, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, dy burra të veshur me rroba të ndritshme iu qëndruan pranë atyre.

5 Dhe, mbasi ato, të trrembura, e mbanin fytyrën të përkulur përdhe, ata u thanë: Ç’e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

6 Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,

7 duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohet në duart e njerëzve mëkatarë, edhe të kryqëzohet dhe të ringjallet ditën e tretë”.

8 Dhe ato kujtonin fjalët e tij.

9 Dhe kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.

10 Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.

11 Dhe atyre iu dukën këto fjalë si dokrra; dhe nuk u besuan atyre.

12 Por Pjetri u çua, rendi te varri, u përkul dhe pa pëlhurat prej liri të vëna, vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.

Dy dishepujt në rrugën për Emaus

13 Dhe ja, po atë ditë, dy nga ata po shkonin në një fshat, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.

15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, edhe vetë Jezusi u afrua dhe ecte bashkë me ta.

16 Por sytë e tyre ishin të penguar për të mos e njohur atë.

17 Dhe ai u tha atyre: ”Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?”.

18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur i tha: ”Ti qenke i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk ka marrë vesh ato që kanë ndodhur atje ndër këto ditë?”.

19 Dhe ai u tha atyre: ”Cilat?”. Ata i thanë: Ato të Jezusit nga Nazareti, i cili qe një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe gjithë popullit.

20 Dhe se si kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e kanë dorëzuar në dënim vdekjeje dhe e kryqëzuan.

21 Por ne shpresonim që ky të ishte ai që do ta shpengonte Izraelin; por, megjithëkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto.

22 Por edhe disa gra prej nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,

23 dhe duek mos gjetur trupin e tij, erdhën duke thënë se kishin parë një vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.

24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë”.

25 Atëherë ai u tha atyre: ”Të pamend dhe të ngjathët në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

26 A nuk duhej që Krishti të vuajë dhe të hyjë në lavdinë e tij?”.

27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat, që i takonin atij.

28 Kur iu afruan fshatit për ku po shkonin, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

29 Por ata e detyruan duke thënë: ”Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron”. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.

30 Dhe, ndodhi që kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.

31 Por atyre iu çelën sytë dhe e njohën, dhe ai u zhduk prej tyre.

32 Dhe ata i thanë njëri-tjetrit: ”Nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?”.

33 Në po atë orë u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, dhe gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta.

34 duke thënë: ”Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit”.

35 Dhe ata treguan atë që ndodhi udhës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.

Jezusi u shfaqet të njëmbëdhjetëve 

36 Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!”.

37 Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.

38 Dhe ai u tha atyre: ”Pse jeni të turbulluar? Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?

39 Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, se jam unë vetë. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”.

40 Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.

41 Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe çuditeshin, ai u tha atyre: ”A keni këtu diçka për të ngrënë?”.

42 Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe hoje mjalti.

43 Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.

44 Dhe u tha atyre: ”Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet”.

45 Atëherë ua hapi mendjen, që t’i kuptonin Shkrimet,

46 dhe u tha atyre: ”Sepse kështu është shkruar dhe kështu duhej të vuante Krishti dhe të ngjallej prej së vdekurish ditën e tretë,

47 dhe të predikohej në emrin e tij pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë kombet, duke filluar nga Jeruzalemi.

48 Dhe ju jeni dëshmitarë për këto.

49 Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit, derisa të visheni me fuqi nga lart”.

Tjetra

Historia Vazhdon

Një burrë i quajtur Jozef i Arimateut, shkoi te Ponc Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit. Ai ishte një ndjekës i Jezusit, por kurrë nuk e kishte rrëfyer hapur besimin e tij, nga frika se çfarë njerëzit e tjerë mund të mendonin. Nikodemi, një tjetër dishepull i fshehtë, shkoi me të. Ndoshta ata dëshironin që të kishin treguar guxim dhe besnikëri më të madhe ndaj Tij, kur kishin patur rastin. Pilati ishte i kujdesshëm. Përgjigja e tij e parë, ishte të pyeste për konfirmimin nëse Jezusi kishte vdekur me të vërtetë. 

Centurioni e konfirmoi vdekjen pa hezituar. Vetëm atëherë Pilati e dha trupin e Jezusit. Jozefi dhe Nikodemi e mbështollën trupin e Jezusit me pëlhura prej liri. 

Jozefi, kishte në pronësi një varr në një kopsht afër vendit ku Jezusi ishte kryqëzuar, kështu që ata e vendosën trupin e Jezusit atje dhe pastaj rrokullisën një gur të madh në hyrjen e varrit. 

Të nesërmen, Pilati urdhëroi që një roje të vendosej në hyrje të varrit. Atij i kishin raportuar, atë çfarë kishte thënë Jezusi se do të ringjallej ditën e tretë, dhe ai donte të sigurohej që zona përreth varrit të ruhej mirë. “Por Pilati u tha atyre: ”Rojen e keni; shkoni dhe siguroni varrin, si të dini.” (Mateu 27:65). Ata e bënë, por mëngjesin tjetër ishte dita e tretë. 

Gratë kishin dalë herët, sepse donin të kishin kohë për të çmuar kujtimin e Jezusit, i cili kishte vdekur dy ditë më parë, para se të fillonin të bënin gjëra të tjera. 

Maria Magdalena, Joana dhe Maria, nëna e Jakobit ishin pjesë e një grupi që udhëtoi me Jezusin dhe dymbëdhjetë dishepujt (shih Luka 24:10). Ato e kishin dëgjuar Krishtin duke folur për atë që do të ndodhte ditën e tretë, por është mjaft e qartë se në këtë ditë të parë të javës, ato nuk prisnin të ndodhte ndonjë gjë e pazakontë. 

Udhëtimi i tyre për në varr ishte i shtyrë nga dashuria, por ishte absolutisht pa besim. Çfarëdo besimi që kishin në Krishtin, ishte mbytur nga errësira e Kalvarit. Besimi ishte zhdukur; kishte mbetur vetëm dashuria. 

Shumë njerëz kanë një dashuri të thellë për Krishtin, por e kanë të vështirë të besojnë. Ato u tërhoqën fillimisht nga Krishti dhe filluan ta ndiqnin Atë, por më pas ato përjetuan një errësirë të madhe në një tragjedi personale, ose në ndonjë të keqe që kishte ndodhur, dhe diku në errësirë ato pushuan së besuari. 

Të Humbur Për Një Arsye

Kur gratë mbërritën, ato zbuluan se guri i madh para varrit ishte lëvizur nga vendi. Kur hynë brenda, panë që varri ishte bosh. Gratë nuk kishin asnjë ide se çfarë të mendonin. Varri bosh i la “të hutuara” (shih Luka 24:4).

Është e rëndësishme të vëmë re, se ato nuk arritën menjëherë në konkluzionin, që Jezusi ishte ringjallur prej së vdekurish. Vizitoret e para në varrin bosh, ishin mjaft të shushatura dhe kishin nevojë për një shpjegim. 

Nuk është se në momentin kur zbuluan që trupi nuk ishte më, Maria për shembull të thoshte: “Kam këtë ndjesi se ai duhet të jetë ringjallur së vdekuri,” dhe Joana të përgjigjej “E di, edhe unë e kam atë ndjesi”. Ky mendim madje as që i vajti ndër mend atyre. 

Atëherë, nga e mësuan ato se çfarë ndodhi? Zoti ua tregoi atyre.

Zoti Jep Shpjegimin

“Dhe ndodhi që, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, dy burra të veshur me rroba të ndritshme iu qëndruan pranë atyre. Dhe, mbasi ato, të trrembura, e mbanin fytyrën të përkulur përdhe, ata u thanë: Ç’e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile!” (Luka 24:4-6).

Zoti thirri dy engjëj dhe u tha: “Shkoni dhe tregojini atyre se çfarë kam bërë. Këto gra e duan djalin tim, por nuk ka asnjë mënyrë në botë që ato të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Shko tregojua atyre.” Besimi i Krishterë, bazohet në besimin e shpjegimit të Zotit për atë që Ai ka bërë. 

Kur Maria e virgjër u ngjiz me një fëmijë, nuk kishte asnjë mënyrë që ajo të dinte se çfarë po i ndodhte asaj. Kështu që Perëndia dërgoi engjëllin që t’i shpjegonte se çfarë do të ndodhte. E njëjta gjë ndodhi edhe me barinjtë dhe njerëzit e urtë. Si mund ta dinin ata që foshnja në një grazhd, të ishte Zoti i lindur njeri? Pa shpjegimin e Zotit nëpërmjet engjëjve dhe yllit, ata kurrë nuk do ta kishin ditur se çfarë po ndodhte. 

Ishte e njëjta gjë kur Jezusi u kryqëzua. Shumë njerëz e panë atë të vdiste, por shumë pak e kuptuan domethënien e Kryqit. Zoti na tregon se në kryq, Krishti mbajti mëkatin tonë, duroi ferrin tonë dhe dha jetën e Tij si një sakrificë. 

Edhe gratë, nuk do ta kishin kuptuar kurrë vetë se çfarë kishte ndodhur. Zoti ua tha atyre. Besimi i Krishterë nuk është të mbështetesh tek ndjenjat, impulset apo njohuritë personale. Është të besosh në shpjegimin e Zotit për ngjarjet, të cilat na janë dhënë në Shkrimet. 

“Ai është ringjallur.”

I Ringjallur Do Të Thotë Vdekja Është Mposhtur

Gjatë gjithë historisë Biblike, vdekja ka qenë si një tiran që ushtron një mbretërim terrori mbi racën njerëzore. Askush nuk mund t’i shpëtonte. Vdekja mbretëronte (shih Romakëve 5:14,17). Abrahami, Isaku, Jakobi, Moisiu dhe Davidi të gjithë besuan në premtimin e Zotit, por vdekja mori secilin prej tyre. Kur vdiqën, ata vazhduan të kishin një ekzistencë në hije, të ndarë nga kjo jetë, por nuk ishin në gjendje të bashkoheshin me praninë e Zotit.  

Vdekja i shpuri ata në një vend, ku kishte një rrugë për të hyrë por nuk kishte rrugëdalje. Kur isha rreth 5 / 6 vjeç, klasa jonë e kopshtit kishte një mi të bardhë që mund ta mbanim në shtëpi. Një fundjavë, unë isha duke luajtur me miun së bashku me disa lodra në shtëpinë tonë. 

Miu u intrigua nga autobusi im i kuq dykatësh i stilit Londinez, dhe pasi nuhati përreth, u ngjit brenda. Kjo ishte jashtëzakonisht argëtuese, derisa miu arriti pjesën e përparme të autobusit. Atëherë patëm një problem. Miu nuk mund të lëvizte as përpara dhe nuk mund të kthehej as mbrapa. Kishte ngecur totalisht.  

Mbaj mend që babai im më tha: “Ka vetëm një gjë për të bërë bir. Do na duhet të shkatërrojmë autobusin! ” Ai mori një thikë dhe preu pjesën e sipërme të autobuzit. Miu ishte i lirë. 

Nuk mund të imagjinosh se çfarë lehtësimi ishte. Por autobusi im nuk ishte kurrë më i njëjti. Ishte me të vërtetë një pamje e rrallë; një autobus i kuq tipik Londinez, me gjysmën e pjesës së sipërme që mungonte. Sigurisht, kjo i bëri gjërat edhe më interesante për miun. 

Më parë, autobusi kishte një rrugë për të hyrë por nuk kishte asnjë rrugëdalje. Tani, miu mund të hynte nga dera, të ngjitej shkallëve dhe të dilte nga pjesa e sipërme! Ky ishte një ndryshim jashtëzakonisht i madh. 

Nga koha e Adamit deri në kohën e Krishtit, vdekja kishte një rrugë hyrje por jo një rrugëdalje. Por kur Jezus Krishti vdiq, ai hapi një vrimë në vetë vdekjen. Për njerëzit e Krishtit vdekja nuk është më një burg, por një kalim që të çon drejt e në praninë e Zotit. Ky është një ndryshim jashtëzakonisht i madh.

I ringjallur do të thotë që i gjithë personi do të shpengohet: Mesazhi i Pashkëve nuk është që Jezusi është gjallë, por që Jezusi u ringjall! Ja vlen të mendosh për ndryshimin. 

Biri i Perëndisë ishte gjallë në parajsë, para se Ai të merrte trajtën njerëzore. Pra, pse Ai nuk e la thjesht trupin e Tij të kryqëzuar në varr dhe të kthehej tek Ati. Dhe pastaj ishte thjesht mish dhe kocka. Pse u mundua ta bënte këtë? 

Engjëjt edhe mund të ishin shfaqur, në mëngjesin e së Dielës së Pashkëve dhe të kishin thënë: “Trupi i tij është këtu në varr, por mos u shqetësoni, sepse Shpirti i Tij është me Atin në qiell”. Në fund të fundit, a nuk është pikërisht kjo ajo që themi në një varrim, kur një i Krishterë vdes? 

Mesazhi i Pashkëve është se Krishti u ringjall! Nuk ishte vetëm fryma e Jezusit që u çlirua nga vdekja—por ishte trupi i tij. Zoti bashkoi trupin dhe shpirtin së bashku. Vdekja i ndan ato. Kjo është arsyeja pse vdekja është një armik kaq i tmerrshëm. Është shkatërrimi i natyrës tonë. 

Vdekja nuk do të mposhtej nga mbijetesa e shpirtit. Fitorja mbi vdekjen do të arrihej, vetëm nëse trupi dhe shpirti të ribashkoheshin, në fuqinë e një jete të re. Ky është lajmi i mirë i ringjalljes. 

Të Bësh një Pushim Virtual 

Supozo se ke planifikuar pushimet e një jete në Hawaii, por pak para se të nisesh për udhëtim, ti bie nga shkallët dhe thyen pothuajse çdo kockë në trupin tënd. 

Nëse do e imagjinoje në stilin e filmave vizatimorë për fëmijë, ti përfundon në spital i fashuar nga koka deri tek këmbët, dhe qëndron shtrirë me një termometër në gojë. 

Një mik, i cili është një mjeshtër në kompjuter, të ofron të bësh një turne virtual. Ai rregullon laptopin e tij, dhe ti padyshim ke mundësi të shohësh pamje të mrekullueshme të Honolulu. “Është kaq e bukur, thjesht do të doja që të mund të shkoja”. “Por, ti sapo e bëre,” thotë miku yt. “Ti ishe atje në një turne virtual”. 

Miku yt është i fiksuar pas kompjuterave, prandaj ja bën qefin dhe nuk e kundërshton dhe e lë të shkojë. Çfarëdo që të thotë ai në botën e tij të zbukuruar virtuale, ti e di që për sa kohë që trupi yt është i bllokuar në spital, ti nuk ke qenë në Hawaii. Të shkosh atje në mendjen tënde, ose përmes internetit, thjesht nuk është e njëjta gjë. 

Jeta që Zoti u premton njerëzve të Tij në parajsë, nuk është si një turne virtual. Nuk është një përvojë shpirtërore ose një lojë brenda mendjes. Perëndia e ka dërguar Krishtin, të të shpengojë ty në tërësi dhe të të marrë ty në trup dhe shpirt, në praninë e Tij. Lajmi i mirë është që Krishti është ringjallur. Ringjallja e trupit, është e ardhmja e lavdishme, që qëndron përpara çdo besimtari të Krishterë. 

I Ringjallur Do Të Thotë Që Ne Të Gjithë Do Të Ndryshojmë 

Kur trupi i Jezusit u ngrit nga të vdekurit, ai gjithashtu u ndryshua. Kjo ishte diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Jezusi e kishte kthyer Llazarin nga vdekja sërisht në jetë. Kjo ishte një mrekulli e jashtëzakonshme, por Llazari doli nga varri pikërisht ashtu siç kishte hyrë në të. Ai vazhdoi procesin e plakjes në pikën ku e kishte lënë, dhe pastaj në një moment të dytë të gjorit, iu desh të kalonte përsëri në të gjithë procesin e mjerueshëm të vdekjes. 

Por kur Krishti u ringjall, trupi i tij nuk i nënshtrohej më plakjes ose sëmundjes. Natyra e tij njerëzore, ishte shndërruar dhe përshtatur për përjetësinë. Kjo është arsyeja, pse të Krishterët mund të presin me padurim parajsën. Kënaqësitë më të mëdha të trupit dhe shpirtit në këtë jetë, janë vetëm një aluzion i vogël, i asaj që Zoti po përgatit për ata që e duan Atë. 

Një Moment Lutje

O At i Plotfuqishëm, 

Faleminderit që kur Jezusi vdiq, ai ndryshoi natyrën e vdekjes për të gjithë njerëzit e Tij. Faleminderit që Ai u ringjall dhe që, me anë të besimit në Të, edhe unë do të ngrihem.

Faleminderit që kur njerëzit e tu vdesin, ajo që është përpara është shumë më e madhe se ajo që mbetet prapa. Më ndihmo të jetoj në pritjen e gëzueshme të gjithçkaje që do të vijë, përmes Jezus Krishtit, Zotit tim, Amen. 

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u përfshirë më tepër në Fjalën e Zotit. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori si pyetje personale reflektimi.
  1. Shpjegimi i Zotit për varrin bosh, është se Jezusi u ringjall nga të vdekurit. A e beson këtë? Shpjego arsyetimin tënd.
  2. Disa njerëz janë të tërhequr nga Jezusi, por e kanë të vështirë të besojnë. Çfarë të pengon të mos besosh në Jezusin?
  3. Jezusi “krijoi një vrimë në vdekje”, kështu që kemi një përjetësi të tërë para nesh. Çfarë nënkupton kjo për ty, për mënyrën se si e jeton jetën tënde sot?
  4. A ke menduar thellë rreth vdekjes? A të tremb? Çfarë ndryshimi bën vdekja dhe ringjallja e Jezusit?
Save Progress
Shko në fillim