Varri
Luka 24:1-49
Ringjallja
1 Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato erdhën te varri, duke sjellë erërat e mira të përgatitura, dhe gra të tjera bashkë me to.
2 Dhe gjetën gurin të rrokullisur nga varri.
3 Dhe, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
4 Dhe ndodhi që, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, dy burra të veshur me rroba të ndritshme iu qëndruan pranë atyre.
5 Dhe, mbasi ato, të trrembura, e mbanin fytyrën të përkulur përdhe, ata u thanë: Ç’e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
6 Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,
7 duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohet në duart e njerëzve mëkatarë, edhe të kryqëzohet dhe të ringjallet ditën e tretë”.
8 Dhe ato kujtonin fjalët e tij.
9 Dhe kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.
10 Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.
11 Dhe atyre iu dukën këto fjalë si dokrra; dhe nuk u besuan atyre.
12 Por Pjetri u çua, rendi te varri, u përkul dhe pa pëlhurat prej liri të vëna, vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.
Dy dishepujt në rrugën për Emaus
13 Dhe ja, po atë ditë, dy nga ata po shkonin në një fshat, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, edhe vetë Jezusi u afrua dhe ecte bashkë me ta.
16 Por sytë e tyre ishin të penguar për të mos e njohur atë.
17 Dhe ai u tha atyre: ”Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?”.
18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur i tha: ”Ti qenke i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk ka marrë vesh ato që kanë ndodhur atje ndër këto ditë?”.
19 Dhe ai u tha atyre: ”Cilat?”. Ata i thanë: Ato të Jezusit nga Nazareti, i cili qe një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe gjithë popullit.
20 Dhe se si kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e kanë dorëzuar në dënim vdekjeje dhe e kryqëzuan.
21 Por ne shpresonim që ky të ishte ai që do ta shpengonte Izraelin; por, megjithëkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto.
22 Por edhe disa gra prej nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,
23 dhe duek mos gjetur trupin e tij, erdhën duke thënë se kishin parë një vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.
24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë”.
25 Atëherë ai u tha atyre: ”Të pamend dhe të ngjathët në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!
26 A nuk duhej që Krishti të vuajë dhe të hyjë në lavdinë e tij?”.
27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat, që i takonin atij.
28 Kur iu afruan fshatit për ku po shkonin, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.
29 Por ata e detyruan duke thënë: ”Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron”. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.
30 Dhe, ndodhi që kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.
31 Por atyre iu çelën sytë dhe e njohën, dhe ai u zhduk prej tyre.
32 Dhe ata i thanë njëri-tjetrit: ”Nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?”.
33 Në po atë orë u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, dhe gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta.
34 duke thënë: ”Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit”.
35 Dhe ata treguan atë që ndodhi udhës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.
Jezusi u shfaqet të njëmbëdhjetëve
36 Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!”.
37 Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.
38 Dhe ai u tha atyre: ”Pse jeni të turbulluar? Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?
39 Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, se jam unë vetë. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”.
40 Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.
41 Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe çuditeshin, ai u tha atyre: ”A keni këtu diçka për të ngrënë?”.
42 Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe hoje mjalti.
43 Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.
44 Dhe u tha atyre: ”Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet”.
45 Atëherë ua hapi mendjen, që t’i kuptonin Shkrimet,
46 dhe u tha atyre: ”Sepse kështu është shkruar dhe kështu duhej të vuante Krishti dhe të ngjallej prej së vdekurish ditën e tretë,
47 dhe të predikohej në emrin e tij pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë kombet, duke filluar nga Jeruzalemi.
48 Dhe ju jeni dëshmitarë për këto.
49 Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit, derisa të visheni me fuqi nga lart”.
Tjetra