Betejë
Efesianëve 6:10-20
Armatimi i Perëndisë
10 Së fundi, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e pushtetit të tij.
11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër dredhive të djallit,
12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të përbotëshëm të errësirës së kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore.
13 Prandaj merrni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e ligë dhe të qëndroni në këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.
14 Qëndroni, pra, të fortë, duke ngjeshur mesin tuaj me të vërtetën, të veshur me parzmoren e drejtësisë,
15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,
16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.
17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,
18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërim në Frymë, duke ndenjur zgjuar për këtë me çdo këmbëngulje dhe përgjërim për të gjithë shenjtorët,
19 edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas me guxim për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,
20 për të cilin jam ambasador në pranga, që të flas me guxim për të, ashtu si duhet të flas.
TjetraKur u bëre i Krishterë, katër gjëra ndodhën. Së pari, ti u solle në një marrëdhënie të re me Perëndinë, në të cilën mëkatet e tua u falën dhe dënimi yt u hoq. Së dyti, ti u bëre një krijesë e re, ndërsa Fryma e Shenjtë e Perëndisë pushtoi jetën tënde. Së treti, duke qenë një fëmijë i Perëndisë, ti u bëre pjesë e familjes së Tij, kishës. Dhe së katërti, ti provokove vëmendjen e një armiku, qëllimi i caktuar i të cilit është të kundërshtojë dhe shkatërrojë veprën e Perëndisë. Kështu që, të bëhesh i Krishterë do të thotë të angazhohesh në një betejë.
“Sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit” (Efesianëve 6:12). Beteja jote parësore nuk është me njerëzit. Mund të ketë njerëz që sjellin dhimbje në jetën tënde, por ata nuk janë armiku. Ata janë viktima të armikut. Problemi më i madh në martesën tënde nuk është partneri yt, dhe nuk je as ti. Problemi më i madh në martesën tënde është armiku i padukshëm që dëshiron ta shkatërrojë atë.
Kërcënimi yt më i madh nuk vjen nga plagët që ke vuajtur, humbjet që ke pësuar ose padrejtësitë që je përballur. Është armiku i padukshëm, i cili dëshiron të përdorë këto gjëra për të të shkatërruar. Qëllimi i parë i luftës tënde është të qëndrosh në këmbë. Pali përdor fjalën “qëndroni” katër herë:
“Vishni gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të qëndroni kundër dredhive të djallit” (Efesianëve 6:11).
“Prandaj merrni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e ligë dhe të qëndroni në këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë” (Efesianëve 6:13).
“Qëndroni, pra, të fortë, duke ngjeshur mesin tuaj me të vërtetën” (Efesianëve 6:14).
Kur të vijë dita e së keqes—kur beteja është më e ashpër—Perëndia të thërret të bësh një gjë: Nuk është të kesh dëshminë më të mrekullueshme, ose të bësh një përparim fenomenal. Thjesht, kur të përballesh me nxehtësinë e betejës në kohën më intensive të saj, të qëndrosh në këmbë. Bëje këtë qëllimin tënd: syno thjesht të mbash pozicionin tënd dhe të qëndrosh në këmbë.
Ji i palëkundur, i palëvizshëm. Dhe mos u dorëzo! Çfarë qëndrimi duhet të mbajmë në betejë? Ne duhet të veshim tërë armaturën e Perëndisë (6:11).
1. Qëndro në të Vërtetën
“Vishni gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të qëndroni kundër dredhive të djallit” (Efesianëve 6:11).
Pali nuk po flet për të vërtetën e Biblës këtu. Kjo tregohet më vonë, kur ai flet rreth “shpatës së Frymës, që është fjala e Perëndisë” (6:17). Këtu ai po flet për sinqeritetin, ndershmërinë, përballjen me realitetin, ose të vërtetën e situatës në të cilën ndodhesh. Brezi i së vërtetës, është ajo për të cilën Davidi foli kur tha, “Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb” (Psalmi 51:6).
Kur e gjen veten në nxehtësinë e betejës, pika nga ku fillon duhet të jetë gjithmonë të vërtetosh se çfarë është e vërtetë. Shpesh do të zbulosh, se Perëndia e sjell të vërtetën në vëmendjen tënde nëpërmjet Shkrimeve. Përdore Biblën si një pasqyrë. Mëso të dëgjosh miq të ngushtë dhe këshillues të urtë, të cilët do të flasin të vërtetën në jetën tënde.
Nëse dëshiron të ndihmosh dikë në kulmin e betejës, kjo është pika nga duhet të fillosh. Cila është e vërteta e kësaj situate? Cili është realiteti këtu? Ajo gjë për të cilën mund të japësh kontributin tënd shpeshherë mund të jetë diçka që ti sheh, por që personi vetë nuk ka qenë ende në gjendje ta perceptojë.
Këshillat e urta fillojnë duke kuptuar në mënyrën e duhur të vërtetën e një situate, prandaj Jakobi thotë se ne duhet të jemi të shpejtë në të dëgjuar dhe “të ngadalshëm në të folur” (Jakobi 1:19). Ne duhet të vëmë rripin e së vërtetës, sepse mënyra më e shpejtë për t’u bërë një i Krishterë i padobishëm është të jetosh në cekëtinë e një jete të pashqyrtuar.
2. Qëndro në Drejtësi
“Qëndroni, pra, të fortë, duke ngjeshur mesin tuaj me të vërtetën, të veshur me parzmoren e drejtësisë” (Efessianëve 6:14).
Parzmorja e drejtësisë nuk i referohet drejtësisë së Krishtit, e cila konsiderohet e jona kur vijmë tek Ai me besim. Pali është duke u shkruar atyre që tashmë janë në Krishtin. Drejtësia e Tij është e tyre. Kur drejtësia e Krishtit llogaritet si e jotja, dhe ti vishesh me të, nuk ke pse ta vendosësh atë çdo ditë.
Ajo për të cilën flet Pali këtu, është zgjedhja jonë e përditshme për të bërë atë që është e drejtë. E vetmja mënyrë për të qëndruar në betejë, është të përcaktosh se çfarë është e drejtë para Perëndisë, dhe ta bësh atë pa marrë parasysh koston.
Brezi i së vërtetës dhe parzmorja e drejtësisë janë në krye të listës, sepse pyetjet e para që ne bëjmë në jetë janë: “Çfarë është e vërtetë?” dhe “Çfarë është e drejtë?” Një baba i thotë bijës së tij se ajo duhet të kthehet në shtëpi para mesnate. Kur ajo vjen në orën 2 të natës, ai është gati të shpërthejë. Por para kësaj, ai duhet të zbulojë të vërtetën. Ndoshta ajo ka vendosur të mos respektojë orarin e përcaktuar nga ai, por ndoshta edhe mund t’i jetë prishur makina. Nëse ai merr kohë të zbulojë të vërtetën, ai do të jetë në gjëndje të dijë çfarë është gjëja e drejtë për të bërë në këtë rast. Ky parim vlen për çdo çështje konflikti.
3. Qëndro në Ungjillin
“Dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes” (Efesianëve 6:15)
Një nga strategjitë e armikut është të përdorë dëshirën tonë natyrale për rehati, në mënyrë që të na ndalojë të bëjmë më shumë për t’iu bindur Perëndisë. Mënyra për të qëndruar kundër kësaj strategjie është të veshësh këpucët e ungjillit. Këpucët janë për lëvizje, dhe ti veshësh këto këpucë, do të thotë që ti bëhesh i qëllimshëm për të ndarë ungjillin me të tjerët.
Kushtoi vëmendje faktit se ungjilli përshkruhet si ungjilli i paqes. Ja se si mund të durosh kur gjithçka po tërbohet rreth teje: lajmi i mirë i Jezusit është se Ai ka bërë paqe duke derdhur gjakun e Tij në kryq; se në Të, ti ke paqe me Perëndinë, edhe pse mëkatet e tua janë të shumta dhe jeta jote është larg asaj që do të doje të ishte. Prandaj qëndro i vendosur në njohjen që përmes Krishtit ti ke paqe me Perëndinë.
4. Qëndro në Besim
“Mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut” (Efesianëve 6:16).
A ke pasur ndonjëherë përvojë shqetësuese të mendimeve shkatërruese, mendimeve të mbushura me urrejtje, apo edhe mendimeve blasfemuese që të vijnë në mendje? Kur ato vijnë, ti ndihesh i turpëruar dhe thua: “Nuk mund të besoj se kam menduar për këto gjëra.” Në një kuptim shumë real, nuk je ti që po i mendon këto gjëra. Këto janë shigjetat flakëruese të të ligut. Ato vijnë nga jashtë, jo nga brenda, dhe ti e di që këto mendime vijnë nga jashtë sepse i urren kur vijnë.
Çfarë qëndrimi do të mbash kundër këtyre shigjetave? Merr mburojën e besimit. Besimi beson se Zoti është për ty, dhe se Ai është më i madh se gjithçka tjetër që ka dalë kundër teje. Ushtarët romakë e mbrojtën veten me dy mburoja të ndryshme. Një mburojë e vogël dhe e rrumbullakët e veshur në parakrah përdorej në luftimet trup me trup, por nuk ofronte mbrojtje kundër një goditje me shigjeta flakëruese.
Imazhi këtu është i një mburoje më të madhe, drejtkëndëshe, katër metra e lartë dhe dy metra e gjerë, si një mburojë e gjithë trupave të policisë, kur ka një trazirë të madhe. Romakët zhvilluan idenë e një mbrojtje të tillë, në të cilën një grup i vogël ushtarësh do të qëndronin së bashku, duke vendosur mburojat e tyre në mënyrë të atillë që të formonin një mbulesë mbrojtëse rreth gjithë grupit, si gëzhoja e një breshke.
Satani do që ti të jesh i izoluar në betejë. Ai do të dëshironte që ti të luftoje vetëm kundër sulmeve në mendjen tënde dhe në shtëpinë tënde, për të cilën askush tjetër nuk di gjë. Por qëllimi i Perëndisë nuk ka qenë kurrë që ti të luftosh vetëm. Ndaji mundimet e tua me dikë që ke besim, i cili do të qëndrojë me ty. Merr mburojën e besimit dhe bashkohu me besimtarët e tjerë nën mbulesën e saj mbrojtëse.
5. Qëndro në Shpresë
“Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit” (Efesianëve 6:17).
Nëse do që të kesh një jetë të tërë të frytshme në shërbim të Krishtit, ti duhet të mundësh dekurajimin. Do ketë raste kur rezultatet e punës tënde do të të zhgënjejnë. Lutjet do duket sikur nuk po marrin më përgjigje ashtu si ti shpresoje, dhe do ta gjesh veten duke u përballur me probleme për të cilat duket sikur nuk ka një zgjidhje. Lodhja do të të turbullojë gjykimin, dhe ti do fillosh të dekurajohesh. Bibla flet për shpëtimin në kohën e shkuar, të tashmen dhe të ardhmen, dhe kur Pali shkruan rreth përkrenares së shpëtimit, ai po i referohet shpresës së shpëtimit në të ardhmen (1 Thesalonikasve 5:8).
Pali i vuri vuajtjet e tij përkrah lavdisë që në fund do zbulohet, dhe doli në përfundimin se i’a vlente të qëndronte në betejë. “Sepse shtrëngimi ynë i lehtë i tashëm, prodhon për ne, një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken, janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen, janë të përjetshme” (2 Korintasve 4:17-18). Nëse je i lodhur nga beteja, mbaji sytë e përqendruar në shpresën që të pret.
6. Qëndro në Fjalën e Perëndisë
“Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:17).
Bibla përshkruhet këtu si shpata e Frymës. Me fjalë të tjera, Shkrimi është mjeti që Fryma e Shenjtë përdor për të kryer punën e Tij. Ushqeje Fjalën e Perëndisë në jetën tënde, dhe me fuqinë e Frymës së Shenjtë ti do të jesh në gjendje të mbash qëndrimin e duhur.
Dhe mos harro se parzmorja që ti vesh është parzmorja e Perëndisë. Ai ta jep këtë parzmore. E vërteta që të mban është e vërteta që Ai zbulon. Drejtësia që të mbulon, është drejtësia që Ai jep. Ungjilli mbi të cilin qëndron është ungjilli i Tij. Besimi që bëhet mburojë për ty, është besimi tek Ai. Shpresa që të mbështet është pritja e çlirimit të Tij. Forca që Ai të jep, vjen përmes fuqisë së Fjalës së Tij.
Faleminderit Perëndisë, këtu ka më shumë sesa një thirrje për përpjekje më të mëdha. Perëndia është me ty në betejë. Ti mund të triumfosh sepse Shpëtimtari yt është me ty! Prandaj, “forcohuni në Zotin dhe në forcën e pushtetit të tij” (Efesianëve 6:10).
Një Shteg i Hapur
Çfarë qëndrimi mban kur beteja po zhvillohet me tërbim rreth teje? Përballu me të vërtetën. Bëj atë që është e drejtë. Pusho në paqen e ungjillit. Ushtroje besimin përkrah besimtarëve të tjerë. Parashiko gëzimin e çlirimit tënd të ardhshëm. Ec përpara me anë të fuqisë së Frymës, i cili ndërmjetëson përmes Fjalës së Perëndisë.
- Në cilin aspekt është beteja më e ashpër për ty tani?
- Cilët janë njerëzit që kanë qëndruar me ty në betejat e jetës tënde? Si të kanë ndihmuar?
- Cili është ai hapi që mund të ndërmarrësh, në mënyrë që të qëndrosh më i vendosur në betejën tënde?
- Pyetjet e para që duhet të bësh në çdo konflikt janë "Çfarë është e vërtetë?" dhe "Çfarë është e drejtë?" Si mund të të ndihmojë kjo në një konflikt me të cilin po përballesh?
- Çfarë të ka inkurajuar në këtë mësim që të vazhdosh të luftosh betejën tënde?