Borxhet e Xhonit kishin dalë jashtë kontrollit. Gruaja e tij kishte insistuar që ai të shihte një këshillues, kështu që, me hezitim, ai kishte pranuar të shkonte. Këshilluesi bëri një analizë të të ardhurave dhe shpenzimeve të tij. Nuk ishte e lehtë, por në fund ai krijoi një plan. Ky do të përfshinte një ndryshim radikal të mënyrës së jetesës së Xhonit, dhe do t’i duheshin 10 vite që të zgjidhte problemin.
Xhoni u drodh ndërsa shikonte skemën e planit. “E di se çfarë duhet të bëj,” tha ai. “Problemi është se nuk dua ta bëj.” Situata e vështirë e Gjonit na ilustron shumë mirë pse ndryshimi është kaq i vështirë. Të dish çfarë të bësh është e lehtë; ajo që është e vështirë, është të gjesh zemrën për ta bërë atë.
Perëndia na ka dhënë urdhërimet e Tij, duke na treguar si të jetojmë. Urdhërimet nuk janë të vështira për t’u kuptuar. Problemi është të gjesh zemrën për t’iu bindur atyre. Por Perëndia na ka dhënë një premtim që bën të mundur një ndryshim të vërtetë, të thellë, dhe të përhershëm në jetët tona.
Perëndia i tha profetit Jeremia se Ai do të bënte një besëlidhje të re. Dhe thelbi i kësaj besëlidhje të re, është një ndryshim në zemër: “Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve, … Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre” (Jeremia 31:33).
Dikush më tha para pak kohësh: “Pastor, unë shkoja në kishë kur isha i vogël, por nuk mora gjë prej kësaj. Nuk kuptoja se çfarë thuhej, dhe kur kuptoja, ndihesha keq. Ishte e mërzitshme dhe nuk mund ta shihja se si ishte e rëndësishme për jetën time. Gjithçka ishte një çështje detyrimi që më ishte imponuar, dhe sapo pata mundësinë, e braktisa.” Nëse kjo ka qënë edhe përvoja jote, ndoshta po pyet veten: A është vërtet e mundur ta duash Perëndinë me zemër?
Problemi me Zemrën
Zemra është mashtruese dhe shpesh herë mjaft çoroditëse. Ti nuk mund të parashikosh se në cilin drejtim do shkojë zemra jote: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9). Arsyeja pse zemra është e vështirë të kuptohet, është sepse mëkati e ka shpërfytyruar atë: “Mëkati … është shkruar me një stilo hekuri, është gërvishur me një majë diamanti mbi rrasën e zemrës” (17:1). Si hajdutë që hyjnë brenda dhe gërvishin muret e shtëpisë, mëkati është një armik që ka rrënuar zemrën tënde!
Kur mëkati shkruhet në zemrën tënde, ai gdhëndet në karakterin tënd. Ai krijon forcën e zakonit dhe është burimi i të gjitha betejave brenda teje. Intensiteti i betejës do të ndryshojë. Për disa, zemra bëhet një vend ku gjëra të shëmtuara dhe të liga janë gdhendur thellë. Për të tjerë, efektet e gërvishjes janë më pak të rënda, por Bibla është e qartë kur na tregon se, në një shkallë apo një tjetër, mëkati është gdhendur mbi çdo zemër njerëzore.
Askush nuk ka folur më fuqishëm se Jezusi në lidhje me problemin e zemrës njerëzore. Ai tha, “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, marrëzia. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun” (Marku 7:21–23). Kur Mbreti David u pendua për mëkatin e tij të tradhëtisë, ai i kërkoi Perëndisë dy gjëra. Së pari, ai tha, “Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora” (Psalmet 51:7). Davidi e dinte që ai kishte nevojë të ishte i falur, i larë dhe i pastruar.
Por ai nuk ndaloi aty. Ai e dinte që kishte nevojë për më shumë se falje, kështu që u lut, “O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër” (Psalmi 51:10). Davidi i kërkoi Perëndisë që të punonte me zemrën e tij, sepse ai e dinte se nëse zemra e tij nuk do të ndryshonte, do ta drejtonte përsëri në të njëjtën rrugë mëkati. Kështu që ai u lut, “Zot, vepro me zemrën që më nxiti të bëj këtë!”
Pastrimi i Mbishkrimeve
Zemra jote kontrollon gjithë jetën tënde. Ne shpesh flasim për mënyrën “se si jemi gatuar”. Kjo shprehje e tregon tamam çfarë do të thotë. Diçka brenda nesh, na shtyn drejt zgjidhjeve që bëjmë. Kështu që, kur ne flasim për zemrën, ne po flasim për thelbin e qënies së një personi. Kur Perëndia tha se Ai do të shkruante ligjin e Tij në zemrat tona, Ai po përshkruante një ndryshim thelbësor që të gjithë ne e kemi të nevojshëm.
Nëse do të bësh atë jetë që Perëndia të ka thirrur të bësh, ligji i Tij do të duhet të përpunohet në zemrën tënde, në mënyrë që rregullat e jashtme të bëhen dëshirat e tua të brendshme. Ti nuk mund të jetosh një jetë të drejtë vetëm sepse Perëndia thotë, “Ti duhet” të bësh kështu. Nëse ti do të bëhesh ashtu si Perëndia dëshiron që ti të jesh, duhet të ketë një transformim të brendshëm që të sjell ty në atë pikë, ku ti me dëshirë “do të duash” të bësh vullnetin e Tij. Pyetja është kjo: Si mund të ndodhë kjo?
Frika nuk do ta Ndryshojë Zemrën Tënde
Disa njerëz mendojnë se disiplina e rreptë dhe frika nga pasojat do të krijojnë një karakter të mirë. Frika ka vendin e saj. Mund të modifikojë sjelljen, por nuk mund ta ndryshojë zemrën. Kur Perëndia e dha ligjin në malin Sinai, njerëzit ishin plotësisht të tmerruar. Por brenda disa javësh, ata po vallëzonin rreth viçit të artë (Eksodi 32). Frika nuk bëri asgjë për të ndryshuar zemrat e tyre.
Prosperiteti nuk do ta Ndryshojë Zemrën Tënde
Ka të tjerë që mendojnë se përgjigja për gjendjen njerëzore është kryesisht shoqërore dhe ekonomike. Argumenti është se, nëse njerëzit nuk kanë mjaftueshëm para, apo vuajnë nga mungesa e vetë-vlerësimit, ata nuk kanë shpresë, dhe mënyra për ta ndryshuar këtë është nëpërmjet programeve të ndihmës ekonomike dhe reformave sociale.
Përsëri, ka diçka të vërtetë te kjo. Por kur Perëndia e solli popullin e Tij në një tokë ku rridhte qumështi dhe mjalti, dhe i bekoi me liri, prosperitet, dhe mundësi të reja, zemrat e tyre nuk kishin ndryshim, ishin njësoj siç kishin qenë në shkretëtirë. Ti nuk mund ti fshish mbishkrimet e mëkatit mbi zemrën e njeriut duke ndryshuar situatat në jetën e tij.
Feja nuk do ta Ndryshojë Zemrën Tënde
A e ndryshon zemrën vajta në kishë, të luturit dhe leximi i Biblës? Përsëri, këto janë gjëra të mira, por ato nuk kanë fuqi të ndryshojnë zemrën. Para se të kthehej në besim, apostulli Pal ishte i përkushtuar ndaj një jete fetare. Ai donte të ndiqte ligjin e Perëndisë, por ai zbuloi se zemra e tij po e tërhiqte në një drejtim tjetër: “Unë nuk kuptoj atë që bëj,” thotë ai. “Sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej” (Romakëve 7:15). Ligji ishte i pafuqishëm për ta ndryshuar atë. Ishte mbingarkuar nga gjendja mbizotëruese e zemrës së tij.
Prindërit shpesh mendojnë se nëse ata ushtrojnë disiplinë të përshtatshme, të inkurajojnë vetë-vlerësimin, dhe t’i shpien fëmijët në kishë, ata do të kenë zemër të mirë. Por shumë shpesh ata kuptojnë se ka një forcë në zemrat e fëmijëve të tyre që i çon ata në drejtimin e gabuar.
Ndoshta ti sheh të njëjtën betejë edhe tek vetja. Ti ndjen se duhet të ndryshosh dhe të jetosh një jetë më të mirë. Por kur ti përpiqesh, ti sheh se impulset e zemrës tënde që të shtyjnë drejt egoizmit, krenarisë, epshit, dhe lakmisë, janë po aq të forta sa më parë. Po atëherë si mund të ndryshojë zemra jote?
Si Fillon Jeta e Re
Perëndia thotë, “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im” (Jeremia 31:33). Vetëm Perëndia mund të ndryshojë zemrën tënde. Sado që të përpiqesh, ti nuk mund ta bësh zemrën tënde ti bindet ligjit të Perëndisë. Është e pamundur. Kështu që Perëndia thotë, “Unë do bëj atë që ti nuk e bën dot vetë. Unë do e shkruaj ligjin Tim në zemrën tënde.”
Bibla e quan këtë ndryshim të zemrës “ripërtëritje” (Titi 3:5). Kjo punë e Perëndisë të jep ty një dashuri të re për Të, një uri të re për Fjalën e Tij, dhe një dëshirë të re për të ecur në rrugët e Tij. Ilustrimi më i mirë që unë di për ripërtëritjen, është mënyra si një jetë njerëzore fillon. Fara e jetës vjen, dhe në një mënyrë sekrete, misterioze dhe të mrekullueshme, një jetë e re ngjizet. Është e menjëhershme. Ndodh në një moment! Një jetë e re ka filluar brenda trupit të një gruaje, dhe gjëja më e mahnitshme është se në atë moment, ajo as që e di këtë!
Ditën që vijon ajo shkon në punë, dhe duket sikur gjithçka është njësoj, por disa javë më pas, ajo fillon të ndjejë se diçka po ndryshon brenda saj. Diçka duket ndryshe dhe ajo pyet veten, A mos jam shtatzënë?
Ndoshta ti mund të kthesh kokën mbrapa dhe të shikosh se si dhe kur Perëndia e ndryshoi zemrën tënde. Ishte një kohë kur ti nuk i përgjigjeshe Atij. Por dikur gjërat filluan të ndryshonin. Ti kishe një uri të re për Perëndinë, një kuptim të ri të nevojës tënde për Të, dhe një dëshirë të re për të qënë i pastër.
Ky është shpjegimi: ti je ripërtërirë. Një jetë e re është mbjellë në ty nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Kjo mund të të ketë ndodhur pa e kuptuar, por si çdo shtatzani, vjen një kohë që do duket! Pendesa dhe besimi në Zotin Jezus Krisht janë shenjat e para të dukshme të jetës së re që vjen nga Perëndia.
Një Zemër e Re
Ndodhi dikur që një njeri i respektuar me emrin Nikodem, erdhi të fliste me Jezusin. “Ti duhet të lindësh përsëri,” i thotë Jezusi (Gjoni 3:7). Problemi thelbësor për këtë njeri fetar dhe moral ishte se ai kishte nevojë për një zemër të re.
Nikodemi u hutua. Si kishte mundësi që një burrë në moshë të rikthehej në barkun e nënës dhe të lindte përsëri? Jezusi shpjegoi se Ai nuk po fliste për një lindje fizike, por shpirtërore. “Ç’ka lindur nga mishi, është mish, dhe ç’ka lindur nga Fryma është frymë” (Gjoni 3:6). Nikodemi kishte nevojë për punën e Frymës së Shenjtë brenda tij që do i jepte atij një zemër të re. Kur ti të jesh në parajsë, ajo që është në thelb të zemrës dhe qënies tënde do bëhet gjithçka që ti je. Nëse Perëndia ka mbjellë një jetë të re në zemrën tënde, dëshira më e thellë e jotja do përmbushet. Në prani të Perëndisë ti do të bëhesh personi që ti dëshiron të jesh.
Një Shteg i Hapur
Problemi i zemrës njerëzore është se ajo është shpërfytyruar nga mbishkrimet e mëkatit. Nevoja jonë më e madhe është që ligji i Perëndisë të shkruhet në zemrat tona, në mënyrë që urdhërimet e Tij të bëhen dëshira jonë. Vetëm Perëndia mund ta shkruajë ligjin e Tij në zemrat tona, dhe Ai erdhi tek ne në personin e Jezus Krishtit, në mënyrë që kjo të bëhej e mundur. “Nëse dikush ka etje,” Jezusi tha “le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë” (Gjoni 7:37-38).