Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Isaia 6:1-8

Vegimi i Isaias dhe thirrja e tij

1 Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin.

2 Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte.

3 Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij”.

4 Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym.

5 Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive”.

6 Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari.

7 Me të ai preku gojën time dhe tha: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet”.

8 Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”. Unë u përgjigja: “Ja ku jam, dërgomë mua!”.

Tjetra

Ne kemi ndjekur historinë se si populli i Perëndisë u rebelua kundër Tij, përfundoi në mërgim, dhe më pas i’u dha mundësia të rikthehej përsëri në Tokën e Premtuar. Gjatë këtyre viteve, Perëndia i foli popullit të Tij përmes profetëve. Shtatëmbëdhjetë librat e fundit të Dhjatës së Vjetër përmbajnë shkrimet e këtyre profetëve, i pari prej të cilëve ishte Isaia.

11 Shtatori 2001 është një datë që do mbetet në historinë Amerikane. Në një mëngjes pa re në qytetin e New York-ut, dy aeroplanë të rrëmbyer, u përplasën me kullat binjake të Qendrës Botërore Tregtare. Vetëm disa orë menjëherë pas tragjedisë, gazetarët po pyesnin udhëheqësit e Krishterë: Ku është Perëndia në gjithë këtë? A është ky një gjykim mbi Amerikën? A është ky fundi i botës? 

Perëndia nuk na dha një përgjigje për këto pyetje, kështu që në të gjithë vendin, pastorët kërkuan përgjigje tek Shkrimet, ndërsa u përpoqën të kuptonin se si ta zbatonin më së miri Fjalën e Zotit në këtë ngjarje të jashtëzakonshme.

Ishte ndryshe për profetët. Ata këshilloheshin nga vetë Perëndia dhe e merrnin Fjalën e Tij drejtpërdrejt. Ata e dinin se çfarë po bënte Perëndia, dhe ishin në gjendje të thonin: “Kështu thotë ZOTI”. 

Të Jesh Indiferent ndaj Perëndisë 

Isaia, një nga profetët më të njohur, komunikoi Fjalën e Perëndisë për më shumë se 60 vjet. Ai shërbeu gjatë kohës së 4 mbretërve të ndryshëm: Uziahut, Jothamit, Ashazit, dhe Ezekias (Isaia 1:1). 

Në vitin kur mbreti Uziah vdiq, Isaia mori një vizion nga Perëndia, gjë që formoi gjithë jetën dhe shërbesën e tij. Uziahu mbretëroi mbi Jeruzalem për 52 vite, dhe përgjatë kësaj kohe, kombi gëzoi një periudhë të jashtëzakonshme prosperiteti. Kjo solli një ndjenjë sigurie midis popullit të Perëndisë, dhe sa më shumë që kjo ndjenjë rritej, aq më pak rëndësi i kushtonin Perëndisë. 

Turma të mëdha vazhdonin të mblidheshin në tempull, duke ofruar sakrifica dhe duke ndjekur të gjitha festat. Por feja e tyre nuk sillte ndonjë ndryshim në jetën e tyre. Tempulli që dikur ishte mbushur me lavdinë e Perëndisë, ishte kthyer në thjesht një simbol të traditave të tyre. Por Perëndia nuk ishte i kënaqur me këto aktivitete fetare; Zoti e pa atë si të neveritshme, si një “shkelje të oborreve të mia” (Isaia 1:12). Problemi më i madh në kohën e Isaias ishte se njerëzit nuk e shihnin më shenjtërinë e Perëndisë.

Një Vizion i Perëndisë

Isaia kishte disa vite që predikonte, kur Perëndia i foli atij në një vizion: Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin” (Isaia 6:1).

Çfarë pamje ka Perëndia? Isaia na tregon se: “[Ai ishte] ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin” (6:1). Ajo që ai thoshte pak a shumë është që: “Perëndia m’u shfaq, por unë nuk mund ta shihja dot fytyrën e Tij. E vetmja gjë që mund t’ju them, është se Ai qëndronte shumë lart. Unë mund të shihja vetëm cepat e mantelit të Tij.” 

Shkëlqimi i Perëndisë është i papërballueshëm. Kur Moisiu pa Zotin, ai tha, “Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë” (Eksodi 24:10). Moisiu nuk mund të shihte direkt shkëlqimin e lavdisë së Tij, ai mundi vetëm të përshkruante atë që gjendej poshtë këmbëve të Perëndisë.

Isaia pastaj dëgjoi krijesa engjëllore që i thërrisnin njëri-tjetrit: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive” (Isaia 6:3). Nëse do që të theksosh një deklaratë kur shkruan, ti mund ta nënvijëzosh atë, të përdorësh shkronja italike ose të trasha. Gjithashtu mund të theksosh diçka duke e thënë atë dy herë, ashtu si Jezusi bëri kur Ai tha, “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them…” (Gjoni 3:3). 

Ekziston vetëm një e vërtetë në Bibël e cila theksohet 3 herë, dhe kjo është shenjtëria e Perëndisë. Bibla kurrë nuk thotë se Perëndia është “zemërim, zemërim, zemërim,” dhe as që Perëndia është “dashuri, dashuri, dashuri.” Por thotë se Perëndia është “i shenjtë, i shenjtë, i shenjtë.” Shenjtëria e Perëndisë është aq thelbësore në lidhje me atë që Perëndia është, saqë nëse nuk e kuptojmë mirë shenjtërinë e Tij, nuk e njohim Atë ashtu si Ai është në të vërtetë. 

Engjëjt që Nuk Mund të Shikonin

Nëse ne pyesim “Çfarë është shenjtëria?”, është pak a shumë si të pyesim “Çfarë është zjarri?” Mënyra më e mirë për të kuptuar zjarrin është duke vëzhguar efektet e tij, dhe mënyra më e mirë për të kuptuar shenjtërinë e Perëndisë është duke vëzhguar çfarë ndodh kur Perëndia vjen afër. 

Mund të mendosh se engjëjt që banojnë në qiell duhet të ndihen rehat në prani të Perëndisë, por Isaia pa që edhe engjëjt mbulonin fytyrën e tyre kur Perëndia ishte afër.

Përse e bënin ata këtë? Këta engjëj nuk kishin mëkatuar si ne. Ata nuk kishin asgjë për t’u turpëruar. E gjithë jeta e tyre shpenzohet duke i shërbyer Perëndisë. Engjëjt e mbulonin fytyrën e tyre sepse ata janë krijesa gjithnjë të mahnitura në prani të Krijuesit të tyre. Edhe sikur të jetoje një jetë të përsosur, dhe pastaj të hyje në prani të Perëndisë, ti përsëri do të tkurreshe dhe do u përulje përpara madhështisë dhe lavdisë së Krijuesit tënd.

Të Pësosh Shkatërrim Emocional 

Kur Perëndia u afrua, i gjithë tempulli u tund nga vendi dhe u mbush me tym (Isaia 6:4). Isiaia tha, “I mjeri unë! Unë jam i humbur…” (6:5). Fjala që në shqip është përkthyer “i humbur”, ka kuptimin të zhbëhesh komplet, të pësosh shkatërrim total emocional. Nëse dikush është i suksesshëm në jetë, ne zakonisht themi për të se “Ai ka arritur gjithçka.” Isaia përjetoi të kundërtën. Kur ai pa Perëndinë, ai e humbi kontrollin e emocioneve të tij.

Isaia ishte një nga njerëzit më të respektuar të kohës së tij. Ai ishte i njohur dhe padyshim i lavdëruar për shërbesën e tij. Nëse ai do të ishte në jetë sot, mijëra do të mblidheshin nëpër konferenca për ta dëgjuar atë, dhe miliona do ta ndiqnin në Twitter. Por në prani të Perëndisë, ai mundi vetëm të thoshte, “I mjeri unë.” Shenjtëria e Perëndisë bën që edhe njerëzit më të mirë të ndihen të humbur dhe të shkatërruar. 

Si një profet, goja e Isaias ishte vegla e shërbesës së tij. Fjalimi ishte dhuntia e tij shpirtërore, por në prani të Perëndisë, ai pa që edhe dhuntia e tij më e madhe duhej të pastrohej: “Jam një njeri me buzë të papastra,” (6:5) tha ai. Kur të kuptosh shenjtërinë e Perëndisë, do të shohësh se jo vetëm më e keqja jote, por edhe më e mira në ty ka nevojë të pastrohet.

I Prekur nga Mëshira e Perëndisë

Pasi pa vetëm për një moment lavdinë e Perëndisë, Isaia u rrethua nga errësira, ndërsa tymi mbushi tempullin. Ai e ndjente praninë e Perëndisë, por nuk e shikonte Atë. Pastaj themelet e tempullit filluan të dridhen. Duhej të ketë qënë një eksperiencë shumë e frikshme! Dhe ndërsa Isaia filloi të shihte në mes të tymit, ai pa një nga engjëjt që po fluturonte drejt tij me një urë zjarri në dorën e tij, të cilën e kishte marrë nga altari. Engjëlli preku me të buzët e Isaias: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet” (Isaia 6:7). 

Altari ishte vendi ku sakrificat ofroheshin. Kështu që, kur ura e zjarrit u soll nga altari te Isaia, zgjidhja e Perëndisë për të shlyer mëkatin u përdor personalisht për të. Dhe kushtoi vëmendje faktit, që u përdor pikërisht aty ku Isaia e dinte se kishte më shumë nevojë. Isaia rrëfeu, “Unë jam një njeri me buzë të papastra,” dhe tani engjëlli i Perëndisë thotë, “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe faji yt largohet.”

Pasi zbuloi hirin e Perëndisë në këtë mënyrë kaq të thellë dhe personale, Isaia tani kishte një gatishmëri të re për t’i shërbyer Zotit. Kur Perëndia tha, “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”. Ai u përgjigj, “Ja ku jam, dërgomë mua!” (6:8). Kështu, Perëndia dërgoi Isaian. 

Ishte sikur Perëndia të kishte thënë, “Shko ti, Isaia, sepse ti ke kuptuar tashmë se kush jam, dhe ti e di se çfarë është mëkati, dhe ke përjetuar hirin Tim.” I mbushur me një kuptim të ri të privilegjit që ai kishte për t’i shërbyer Perëndisë, Isaia doli në botë për ta bërë Atë të njohur. 

Takimi i Isaias me Perëndinë na bën të hedhim sytë tek ardhja e Jezus Krishtit. Gjoni na thotë se “Isaia e pa lavdinë e tij (Jezusit) dhe foli për të” (Gjoni 12:41). Ati dhe Biri ndajnë të njëjtën lavdi (Gjoni 17:5). I Shenjti, lavdinë e të cilit Isaia kishte parë, u vendos mbi altarin e kryqit, dhe u bë sakrificë për mëkatet tona. 

Ashtu si Isaia u rrethua nga errësira në tempull, po kështu edhe Jezusi u zhyt në errësirë në kryq (Mateu 27:45). Ashtu si themelet e tempullit u shkundën kur prania e Perëndisë zbriti nga qielli, kështu edhe toka u shkund, dhe shkëmbijtë u ndanë në mes kur Jezusi dha jetën e Tij (Mateu 27:51). Toka u drodh kur Krishti mori mëkatet e botës mbi vete, dhe Ati derdhi mbi Birin e Tij gjykimin që ne meritojmë. 

Jezusi vdiq në mënyrë që njerëz si ne, që jemi të ndarë nga shenjtëria e Perëndisë, të mund të prekemi dhe të shërohemi nga hiri i Tij. Me anë të Jezus Krishtit, Perëndia na afrohet dhe na thotë, “Faji yt është larguar prej teje, dhe mëkati yt është shlyer.”

Një Shteg i Hapur

Perëndia është i shenjtë, i shenjtë, i shenjtë. Shenjtëria e Tij është pjesë thelbësore e karakterit të Tij. Në ditët e Isaias, mijëra njerëz shkonin në tempull rregullisht, por ata nuk kishin ndonjë përvojë me Perëndinë që ata deklaronin të adhuronin. Ky lloj adhurimi shumë shpejt bëhet monoton dhe i mërzitshëm. Por nëse ti mendon se Perëndia është i mërzitshëm, ti nuk e ke takuar kurrë Perëndinë e Biblës.

Mëkati është një ofendim kundër një Perëndie të shenjtë, dhe një shpagim është i nevojshëm, sepse pa të, mëkatarët do të ishin të shkatërruar në praninë e Tij. Lajmi i mirë i ungjillit është se Jezusi, Biri i Perëndisë, e përmbushi gjykimin e Perëndisë së shenjtë, duke u bërë sakrifica që shleu të gjitha mëkatet tona.

Kur të zbulosh shenjtërinë e mrekullueshme të Perëndisë, atëherë, ashtu si Isaia, do të fillosh të vlerësosh mrekullinë e asaj që Perëndia ka bërë për ty në Jezus Krishtin. Dhe do të ndjesh se privilegji yt më i madh në jetë është t’i shërbesh këtij Zoti të mrekullueshëm, të lavdishëm, e të shenjtë.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Çfarë do të thotë “të jesh indiferent” ndaj Perëndisë? E ke parë diçka të tillë në jetën tënde?
  2. Çfarë është shenjtëria? Si do i’a shpjegoje shenjtërinë e Perëndisë dikujt tjetër?
  3. Si mund të dish nëse e ke kuptuar siç duhet shenjtërinë e Perëndisë? Mendon se e ke kuptuar? Pse, ose pse jo?
  4. Çfarë të bën më shumë përshtypje në lidhje me takimin e Isaias me Perëndinë?
  5. A mund të mendosh për një aspekt të jetës tënde që ka më shumë nevojë për pastrim? Fryma e Perëndisë sjell hirin që rrjedh prej sacrificës së Jezusit drejt e tek ty, dhe të prek në mënyrë që mëkati yt të shlyhet dhe faji yt të largohet.
Save Progress
Shko në fillim