Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Veprat e Apostujve 2:1-41

Zbritja e Frymës së Shenjtë

1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend.
2 Dhe befas nga qielli u bë një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin.
3 Dhe atyre iu dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre.
4 Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin.
5 Por në Jeruzalem banonin disa judenj, njerëz të devotshëm, nga të gjitha kombet nën qiell.
6 Kur u bë ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet.
7 Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thoshin njëri-tjetrit: ”Ja, a nuk janë të gjithë galileas këta që flasin?
8 Dhe si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare?
9 Ne partët, medët, elamitët dhe banorët e Mesopotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë,
10 të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të pjesëve të Libisë pranë Kirenës, dhe të ardhurit nga Roma, judenj dhe prozelitë,
11 Kretas dhe arabë, i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!”.
12 Dhe të gjithë habiteshin dhe ishin hutuar dhe i thoshin njëri-tjetrit: ”Ç’do të thotë kjo?”.
13 Kurse të tjerë i përqeshnin dhe thoshin: ”Janë plot me verë të ëmbël!”.

Fjala e Pjetrit ditën e Rrëshajave

14 Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët e ngriti zërin e tij dhe u foli atyre: ”O burra judenj dhe të gjithë sa banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe u vini veshin fjalëve të mia.
15 Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës.
16 Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel:
17 “Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra.
18 Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë.
19 Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi.
20 Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e shquar e Zotit.
21 Dhe do të ndodhë që kushdo që të thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet”.
22 Burra izraelitë, dëgjoni këto fjalë: Jezusi nazarenas, njeriu i dëftyer nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, dhe mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të tij, siç e dini edhe vet,
23 ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.
24 Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që ai të mbahej nga vdekja.
25 Në fakt Davidi thotë për të: “E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos lëkundem.
26 Prandaj u gëzua zemra ime dhe ngazëlleu gjuha ime, dhe edhe mishi do të prehet në shpresë.
27 Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
28 Më dëfteve udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim me praninë tënde”.
29 Burra vëllezër, lejohem t’ju them haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.
30 Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t’u ulur mbi fronin e tij;
31 dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në hades edhe mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.
32 Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!
33 Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.
34 Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: “Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
35 derisa unë t’i vë armiqtë e tu stol të këmbëve të tua!”.
36 Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht”.

Të kthyerit e parë

37 Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u tejshpua zemra e tyre dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: ”Burra vëllezër, ç’duhet të bëjmë?”.
38 Atëherë Pjetri u tha atyre: ”Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve; dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.
39 Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë”.
40 Dhe me shumë fjalë të tjera po dëshmonte dhe i nxiste, duke u thënë: ”Shpëtohuni nga ky brez i çoroditur!”.
41 Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tri mijë shpirtra.
42 Por ata ishin ngulmues në mësimin e apostujve dhe në bashkësi dhe në thyerjen e bukës dhe në lutjet.
43 Edhe çdo shpirti i hyri frika; dhe shumë mrekullira e shenja bëheshin nëpërmjet apostujve.
44 Por gjithë ata që besonin ishin bashkë dhe kishin çdo gjë të përbashkët.
45 Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së secilit.
46 Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me ngazëllim dhe me thjeshtësi zemre.

Tjetra

Para se të ngrihej në qiell, Jezusi u tha dishepujve të Tij se pas disa ditësh, ata do të ishin “të pagëzuar me Frymën e Shenjtë” (Veprat 1:5). Pastaj Ai tha, “Do të merrni fuqi… dhe do të më bëheni dëshmitarë në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë dhe Samarinë, dhe deri në skajin e dheut” (1:8). Atyre nuk i duhej të prisnin gjatë për këtë. Vetëm dhjetë ditë më vonë, kur Jeruzalemi ishte mbushur me vizitorë nga shumë vende të botës, premtimi i Jezusit u përmbush.

Kryetari raportoi se numri i besimtarëve në kishë tani ishte 120 anëtarë. Ata nuk kishin qenë në gjendje të siguronin një ndërtesë të tyren, kështu që ende takoheshin në një dhomë të katit të dytë që e merrnin me qira në qytet. Kishte pasur një frymë të mirë në takimin e lutjes, dhe shumë diskutime rreth asaj se si ata duhet të plotësonin një pozicion udhëheqës që ishte bërë i lirë. Por përveç kësaj, nuk kishte ndodhur ndonjë gjë tjetër e rëndësishme.

Detyra për të arritur komunitetin e tyre dukej shumë e madhe për ta. Kishte shumë pak para, shumë pak njerëz, dhe jashtë vendit të tyre të takimit një kulturë që ishte shumë mendje ngushtë për mesazhin e tyre. Kështu ishte kisha në fillimet e saj në librin e Veprave të Apostujve. Por në ditën e Rrëshajëve, Fryma e Shenjtë zbriti mbi besimtarët e parë të Krishterë. Dhe pas kësaj ngjarje, kisha ishte krejtësisht ndryshe. 

Një Zhurmë si e Erës

“Befas nga qielli u bë një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin” (Veprat 2:2). Mendo për një vrapues Olimpik. Sasi të mëdha ajri futen në gjoksin e tij, ndërsa frymëmarrja i mbush mushkëritë dhe i jep energji trupit të tij. Kjo është ajo që ndodhi dhe në Ditën e Rrëshajëve. 

Në antikitet, shumë gjuhë përdorin të njëjtën fjalë për “erë”, “frymë”, ose “shpirt”. Zhurma e erës është e ngjashme me tingullin e frymëmarrjes, vetëm se është shumë më e fortë dhe zgjat më shumë. Kur gjen diçka të pazakontë në Bibël, do të të ndihmojë të bësh këto pyetje, “Ku e kemi hasur diçka të tillë më përpara?” Dhe nëse bëjmë pyetjen, “Ku e kemi hasur më parë tingullin e erës apo të frymëmarrjes?” ka dy përgjigje të qarta për këtë. Në fillim të historisë së Biblës, ne lexojmë se si Perëndia fryu frymë jete në Adamin. Perëndia formoi një trup pa jetë nga pluhuri i dheut. Pastaj Perëndia fryu brënda trupit të tij pa jetë. Ai i dha Adamit puthjen e jetës, dhe njeriu i parë u bë një qënie e gjallë.

Në mënyrë të ngjashme, përpara se Jezusi të ngrihej në qiell, Ai fryu mbi dishepujt e Tij, dhe tha, “Merrni Frymën e Shenjtë!” (Gjoni 20:22). Duke bërë këtë, Jezusi po paraprinte atë që do ndodhte në Ditën e Rrëshajave. Kështu që, kur dishepujt dëgjuan një zhurmë si një erë që frynte vetëm disa ditë më pas, ata menjëherë e lidhën këtë me atë që Jezusi bëri, dhe ata e kuptuan se kjo ishte përmbushja e asaj që Jezusi kishte premtuar. 

Topa të Mëdhenj Zjarri

Pasi dëgjuan zhurmën si të erës së fortë, “atyre iu dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre” (Veprat 2:3). Një top i madh ose kolonë zjarri u shfaq mbi besimtarët e mbledhur. Ndërsa zjarri erdhi afër tyre, u nda në flakë individuale ose “gjuhë zjarri,” dhe kështu flaka ra mbi çdo person që ishte në atë dhomë. Gjëja e mrekullueshme ishte se asnjëri prej tyre nuk u dogj. 

Përsëri, mënyra më e mirë për ta kuptuar këtë, është të pyesim se ku e kemi hasur diçka të tillë më parë në Bibël. Në Dhjatën e Vjetër, Perëndia i’u paraqit Mosiut në një flakë zjarri që qëndronte mbi një shkurre që nuk po digjej, dhe i dha atij detyrën për të udhëhequr popullin e Perëndisë jashtë nga skllavëria e Egjiptit. Tani Perëndia po vinte nëpërmjet zjarrit për t’i dhënë një detyrë të re kishës së Tij.

Përpiqu të imagjinosh veten në mes të atyre 120 besimtarëve kur flaka ra. Ti ngre kokën lart dhe shikon zjarrin sipër teje që zbret ngadalë në mes të dhomës. Ti e kupton se çfarë po ndodh: prania e Perëndisë po vjen në mes të njerëzve të Tij. Ti mbushesh me një ndjenjë mrekullie. Perëndia që i’u paraqit Moisiut po e bën praninë e Tij të njohur përsëri, dhe ti je pjesë e kësaj.

Ty të kujtohet se kur zjarri i’u shfaq Moisiut, ai mori urdhërin të realizonte qëllimin e Perëndisë. Ndaj ti mendon, Mbi cilin person do qëndrojë flaka tani? A do jetë Pjetri, Jakobi, Gjoni, apo ndoshta të tre? Apo të 12 apostujt?

Por ndërsa ti sheh lart, ti vë re se një nga flakët po vjen drejt teje. Ti sheh përreth dhomës, dhe një flakë qëndron mbi çdo person! Perëndia është duke i dhënë detyrën çdo besimtari të pranishëm të përmbushë qëllimin e Tij në botë. Në Dhjatën e Vjetër, profetët, priftërinjtë, dhe mbretërit vajoseshin nga Perëndia për shërbesë. Por në Dhjatën e Re, zjarri i Perëndisë bie jo vetëm mbi Pjetrin, Jakobin, dhe Gjonin, por edhe mbi besimtarët e panjohur që kurrë nuk kishin menduar të kenë ndonjë pozitë udhëheqësi. Fryma e Perëndisë qëndron mbi të gjithë ata që e duan dhe e ndjekin Jezusin, dhe çdo njëri prej tyre, ka një rol për të luajtur në përparimin e qëllimit të Perëndisë për botën.

Ata Folën në Gjuhë të Tjera 

Papritur dhe në mënyrë spontane, secili prej besimtarëve zbuloi se ishte në gjëndje të fliste në një gjuhë të huaj që nuk e kishte mësuar kurrë më parë: “Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin” (Veprat 2:4).

Kjo ishte e kundërta e asaj që ndodhi shumë kohë më parë në kullën e Babelit (Zanafilla 11:1-9). Më herët në historinë e Biblës, teksa rebelimi i njeriut kundër Perëndisë po avanconte, njerëzit ndërtuan një qytet me një kullë që do shpallte madhështinë e tyre dhe do u jepte atyre siguri. Perëndia zbriti poshtë dhe theu vrullin e mbretërisë pa zot të njeriut, duke futur konfuzionin e shumë gjuhëve në racën njerëzore. Imagjino që ndërsa mbërrin në vendin e ndërtimit një mëngjes, një koleg të flet por ti nuk mund ta kuptosh atë. Gjatë pushimit të drekës, ti vë re se të gjithë punëtorët janë të hutuar, sepse ata nuk marrin vesh njeri-tjetrin.

Në fund, ti ndihesh i çliruar kur gjen dikë që flet gjuhën tënde. “Oh, jam kaq i gëzuar që gjeta dikë tjetër që arrij ta kuptoj,” i thua ti. “Gjithë të tjerët bëjnë vetëm zhurma të pakuptueshme.” Nëpër kantjer, grupe të vogla njerëzish po mblidhen, të bashkuar nga identiteti i një gjuhe të përbashkët. Ata po arrijnë të gjithë në të njëjtin konkluzion: ka ardhur koha të largohemi nga kjo çmenduri dhe të bëjmë një jetë të re, me njerëz që flasin gjuhën tonë. Kështu që, ata shpërndahen drejt veriut, jugut, lindjes dhe perëndimit—duke mbartur farën e konflikteve të ardhshme me vete.

Në Babel, gjuhët ishin shenjë e gjykimit të Perëndisë mbi rebelimin e njeriut. Gjuhët sollën konfuzion. Njerëzit nuk mund të komunikonin dot më me njëri-tjetrin, ndaj edhe u ndanë. Por Ditën e Rrëshajave, ishte krejt e kundërta. Njerëz nga çdo komb ishin mbledhur në Jeruzalem (Veprat 2:5). Dhe kur Fryma e Perëndisë erdhi, besimtarët e gjetën veten papritur të flisnin gjuhë që ata nuk i kishin mësuar kurrë, në mënyrë që njerëz nga e gjithë bota, të mund të dëgjonin dhe kuptonin lajmin e mirë të Jezus Krishtit.

Në Babel, gjuhët ishin gjykim nga Perëndia që solli konfuzion dhe shpërndarje të njerëzve. Në ditën e Rrëshajave, gjuhët ishin një bekim nga Perëndia, që çoi në kuptim dhe në bashkimin e njerëzve. Në Babel, Perëndia përdori mallkimin e gjyhëve për të ngadalësuar avancimin e kullës së njeriut. Ditën e Rrëshajave, Perëndia përdori bekimin e gjuhëve për të shpejtuar avancimin e mbretërisë së Krishtit. 

Qëllimi i Perëndisë ishte të komunikonte lajmin e mirë të Jezusit, popujve nga të gjitha grupet e gjuhëve në botë. Gjuha nuk do ishte një pengesë për ungjillin. Një kishë që kishte si vizion misionet lindi në Ditën e Rrëshajave. Perëndia fryu jetën e Tij në njerëzit e Tij. Prania e Tij erdhi dhe qëndroi mbi ta, ndërsa Ai i pajisi ata me gjithçka që kishin nevojë për të avancuar qëllimin e Tij në botë.

Turma u mahnit teksa dëgjonin njerëz të deklaronin punët e fuqishme të Perëndisë në gjuhët e tyre (2:11). Ata nuk po e kuptonin dot se çfarë po ndodhte, ndaj Pjetri i thirri turmës të mbanin qetësi dhe ta dëgjonin. Ai u tha atyre se Jezusi, të cilin ata e kishin kryqëzuar, u ringjall nga vdekja, u ngrit lart në të djathtë të Atit, dhe tani u kishte dërguar Frymën e Shenjtë njerëzve të Tij. Ky ishte shpjegimi për atë që turma po shihte e dëgjonte. 

Njerëzit ishte e qartë që e besuan atë që Pjetri u tha në lidhje me Jezusin, ndaj ai u tregoi për hapin tjetër që ata duhet të merrnin: ”Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve; dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë” (2:38-39).

3000 njerëz i’u përgjigjën ftesës së Pjetrit, dhe në ditët që vijuan, ata u kthyen në shtëpitë e tyre dhe e shpunë lajmin e mirë të Jezusit tek popujt e tjerë, gjuhën e të cilëve ata e njihnin. 

Qëllimi i Perëndisë Sot 

Në momente kyçe të historisë së Biblës, Perëndia e bëri praninë e Tij të njohur në një mënyrë të dukshme. Ne i quajmë këto raste teofani, dhe ato kanë një rëndësi të madhe, sepse Perëndia bën për disa njerëz në mënyrë të dukshme, atë që Ai bën për të gjithë njerëzit e Tij në mënyrë të padukshme.

Në Ditën e Rrëshajave, Perëndia po na mësonte nëpërmjet pamjes së zjarrit, zhurmës së erës, dhe gjuhëve atë që Ai gjithmonë kishte dashur të bënte midis njerëzve të Tij. Perëndia na jep pushtetin dhe praninë e Tij, dhe na dërgon të çojmë ungjillin tek të gjithë popujt. Perëndia ua jep Frymën e Tij jo vetëm drejtuesve, por të gjithë njerëzve të Tij. Prania dhe pushteti i Perëndisë së Gjithëfuqishëm qëndron mbi çdo besimtar në Zotin Jezus Krisht.

Një Shteg i Hapur

Çdo i Krishterë dhe çdo kishë ka një rol për të luajtur në qëllimin e madh të Perëndisë, për të bekuar të gjithë njerëzit nga çdo komb i tokës. Për disa njerëz, kjo do të thotë të shkojnë në një kulturë të panjohur dhe të mësojnë një gjuhë të huaj, në mënyrë që lajmi i mirë i Jezusit të bëhet i njohur në mes tyre. Për të tjerë, thirrja e Perëndisë do të jetë të gjejmë zërin tonë në gjuhën që Perëndia na ka dhënë.

Perëndia në mënyrë të mrekullueshme vendos grupe njerëzish përreth çdo besimtari, në mënyrë që ne të komunikojmë lajmin e mirë të Jezusit në gjuhën e tyre. Ndoshta ti mund të flasësh gjuhën e gjimnazistëve apo të fëmijëve. Perëndia të ka thurur në mënyrë të tillë, që e bën të mundur për ty të komunikosh me një grup të caktuar njerëzish. Përpiqu të gjesh kush janë ata, bashkohu me ta, dhe tregoju për Jezusin.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Çfarë solli transfosmimin e kishës së hershme? Cili është shpjegimi i Biblës për faktin që një grusht njerëzish me fare pak të ardhura, patën ndikim mbi gjithë botën rreth tyre?
  2. Pse Fryma e Shenjtë i jepet çdo besimtari?
  3. Përse besimtarëve ju dha mundësia të flisnin në gjuhë të tjera kur Fryma u derdh mbi ta në Ditën e Rrëshajave?
  4. Çfarë ndryshimi ka bërë ose do të bënte tani në jetën tënde prania e Frymës së Shenjtë?
  5. Cilat ishin ato dy gjëra që Pjetri u tha njerëzve të bënin si përgjigje e dëgjimit të mesazhit të ungjillit? Çfarë u premtoi atyre se do t'u ndodhte si rezultat?
Save Progress
Shko në fillim