Lindja e Jezu Krishtit ishte prova e parë që Ai është ndryshe nga çdo person tjetër që ka jetuar ndonjëherë.
Ja si ndodhi: Maria ishte një vajzë e re, që po përgatitej të martohej me një burrë të quajtur Jozef. Perëndia i foli ashtu siç i kishte folur Abrahamit, Moisiut dhe profetëve në të kaluarën. Vetëm se këtë herë Ai foli përmes engjëllit Gabriel:
Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vësh emrin Jezus.” (Luka 1:30-31)
Duke qenë se Maria ishte e virgjër, ajo nuk mund ta kuptonte se si mund të mbetej shtatzënë. “Si do të ndodhë kjo?”, pyeti ajo (Luka 1:34). Përgjigjja e engjëllit na çon në zemër të misterit më të madh dhe më të mrekullueshëm të Biblës.
Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë. (Luka 1:35)
Fëmija i Marisë lindi si rezultat i iniciativës së drejtpërdrejtë të Perëndisë. Jozefi nuk dha asnjë kontribut. Ai ishte si një i jashtëm, një vëzhgues pasiv i kësaj ngjarjeje të mrekullueshme. Kjo është e rëndësishme, sepse Bibla flet për lindje të tjera të mrekullueshme. Abrahami dhe Sarah kishin dëshiruar një fëmijë dhe lindja e Isakut ishte një mrekulli, sepse të dy e kishin kaluar moshën për të pasur fëmijë. Isaku lindi përmes një ndërhyrjeje të veçantë nga Perëndia, por lindja e tij sërish erdhi nëpërmjet bashkimit të një babai dhe një nëne.
Por Maria ishte e virgjër. Jeta në barkun e saj erdhi përmes një mrekullie krijimi të Perëndisë. Perëndia nuk priti që një shpëtimtar të dilte nga raca njerëzore. Ai vetë erdhi në racën njerëzore. Perëndia u bë njeri, duke marrë trup njerëzor nga Maria.
UDHËTIMI I JASHTËZAKONSHËM I PERËNDISË
Jeta jote filloi në çastin e ngjizjes në barkun e nënës tënde. Para atij çasti ti nuk ekzistoje dhe pa atë nuk do të kishe ekzistuar! Por me Jezusin është ndryshe. Jeta e tij nuk filloi në barkun e Marisë. Para se të lindte në një stallë, Ai gëzonte jetën e Perëndisë në qiell (Gjon 1:1).
Engjëlli i shpalli Marisë se fëmija i saj do të ishte “Biri i Më të Lartit” dhe “Biri i Perëndisë” (Luka 1:32, 35). Engjëlli iu shfaq edhe Jozefit në ëndërr, dhe i shpalli se fëmija do të quhej “Emanuel (që do të thotë ‘Perëndia me ne’)” (Mateu 1:23). Perëndia mori trup njerëzor dhe erdhi te ne, duke hyrë në histori si një foshnjë e lindur në një stallë dhe e vendosur në një grazhd.
Kurrë nuk do të jemi në gjendje të kuptojmë se si Perëndia mund të bëhej njeri, por deklarata kryesore e Dhiatës së Re është se Ai e bëri këtë. Kjo mrekulli është një mister i pazbulueshëm, por i jep kuptim gjithçkaje tjetër që Bibla na tregon për Jezusin. Nëse Perëndia u bë njeri në Jezusin, atëherë deklaratat, mrekullitë dhe ringjallja e Tij nuk duhet të na befasojnë. Çdo gjë tjetër në Dhiatën e Re ka lidhje me këtë mrekulli.
Duke qenë plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri, Jezu Krishti është i kualifikuar në mënyrë unike për të bërë gjithçka që duhet, për t’i pajtuar mëkatarët me Perëndinë. Vetëm Perëndia mund të na pajtonte me Veten e Tij, dhe Ai e bëri këtë duke u bërë njeri, në mënyrë që të mbartte mëkatet tona.
Jezusi është profeti, që na zbuloi gjithçka kemi nevojë të dimë për Perëndinë. Jezusi është prifti, që ofroi Veten si flijim për mëkatet tona. Jezusi është mbreti, që do ta drejtojë popullin e Tij në bekimin e premtuar të Perëndisë.
AI ËSHTË I SHENJTË
Jezu Krishti ishte si ne në çdo aspekt, përveç njërit. Ai është i shenjtë. Kjo do të thotë se Ai në asnjë çast nuk bëri qoftë edhe një mëkat të vetëm. Madje do të thotë më tepër se kaq. Ai ishte i shenjtë në mendimet e tij, në qëllimet dhe në karakterin e tij. Vetë natyra e tij ishte e shenjtë. Ai nuk tërhiqej për të mëkatuar dhe as nuk kishte prirje të brendshme për mëkatin. Nuk ka ekzistuar kurrë dikush tjetër në historinë njerëzore, për të cilin të mund të thuhet e njëjta gjë.
Shenjtëria e Jezusit rrjedh nga fakti se Ai është Perëndi. Engjëlli i tha Marisë: “I shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë” (Luka 1:35). Jezu Krishti është me të vërtetë Perëndi. Prandaj Ai është i shenjtë.
Jezusi ishte gjithashtu njeri. Por është e rëndësishme të kujtojmë se të jesh njeri nuk është njësoj me të qenët mëkatar. Adami dhe Eva ishin qenie të shenjta njerëzore në Kopshtin e Edenit. Pas rënies së tyre në mëkat, natyra njerëzore u lidh aq shumë me mëkatin, saqë është e vështirë të përfytyrojmë një qenie njerëzore, që nuk i nënshtrohet mëkatit dhe vdekjes.
Por Jezusi është nismëtari i një njerëzimi të ri dhe shenjtëria e Tij hap për ne një botë krejt të re shprese: është e mundur që një burrë apo grua të jetojë për lavdinë e Perëndisë dhe të triumfojë mbi mëkatin, vdekjen dhe ferrin.
Pamja nga mali i parë
Lindja e Zotit Jezu Krisht është maja e parë e madhe e jetës dhe e shërbesës së Tij. Kur Ai lindi, engjëjt mbushën qiellin dhe kënduan: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi dhe, pëlqim ndër njerëzit” (Luka 2:14).
Barinjtë hebrenj erdhën ta shihnin Jezusin në grazhd. Dhe më vonë erdhën dijetarë nga lindja me dhurata për mbretin e porsalindur. Judenj dhe johebrenj, të pasur dhe të varfër, erdhën për ta adhuruar Jezusin.
Forcat e errëta dhe të liga u trazuan gjithashtu. Mbreti Herod u shqetësua aq shumë nga bisedat për një mbret të ri, saqë urdhëroi vrasjen e të gjithë djemve të porsalindur në afërsi të Betlehemit, ku Jezusi kishte lindur.
Perëndia e kishte paralajmëruar Jozefin për këtë në ëndërr, ndaj dhe ai e kishte shpërngulur tashmë familjen e tij në Egjipt, ku ajo ishte e sigurt. Por ky ishte fillimi i një konflikti, që do të rifillonte tridhjetë vjet më vonë në shkretëtirë.