Mjafton vetëm një brez për të ndryshuar një kulturë dhe çuditërisht, edhe pas gjithë asaj që Perëndia kishte bërë, u desh vetëm një brez që populli i Tij ta harronte plotësisht Perëndinë. Pasi Jozueu dhe brezi i tij kishin vdekur: “doli një brez i ri që nuk e njihte ZOTIN, as veprat që kishte bërë për Izraelin” (Gjyqtarët 2:10). Ky ishte fillimi i një kohe të errët për popullin e Perëndisë, që do të zgjaste gati treqind vjet (rreth viteve 1300–1000 para Krishtit).
Perëndia i kishte dhënë popullit të Tij gjithçka që i duhej për lulëzimin e kombit të ri. Secili nga dymbëdhjetë fiset kishte udhëheqjen e vet dhe çdonjëri ishte i përkushtuar në mbrojtjen e të tjerëve. Ata jetuan nën të njëjtat ligje, të cilat kishin për qëllim të kultivonin një jetesë me Perëndinë në qendër, dhe uniteti i tyre u forcua, teksa ndanin festat e rregullta të falënderimeve.
Por e gjithë kjo u zhduk vetëm gjatë një brezi. Pjesëmarrja në festa u pakësua, u organizuan vende takimi alternative, dhe shumë shpejt ndjenja e unitetit kombëtar humbi. Përkushtimi i fiseve për mbrojtjen e përbashkët u zvogëlua, dhe në vend që të jetonin të bashkuar nën Ligjin e Perëndisë: “secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij” (Gjyqtarët 17:6; 21:25). Sigurisht që rezultati ishte një kaos i vërtetë.
CIKLE QË PËRSËRITEN
Libri i Gjyqtarëve dokumenton një cikël ngjarjesh, që përsëriten shumë herë gjatë një periudhe prej rreth treqind vitesh. Cikli fillonte kur populli i Perëndisë shkonte pas idhujve (Gjyqtarët 2:11-12). Perëndia e kishte thirrur popullin e Tij të jetonte në një mënyrë që reflektonte karakterin e Tij. Prandaj, kur donin të bënin atë që ishte e drejtë në sytë e tyre, ata krijonin perënditë e tyre, të cilët do t’ua miratonin veprat.
Kjo ishte një shkelje e drejtpërdrejtë e urdhërimit të parë, prandaj Perëndia i dorëzoi në duart e armiqve të tyre, të cilët pushtuan vendin dhe i plaçkitën (Gjyqtarët 2:14).
Atëherë populli i thërriste Perëndisë për ndihmë, dhe Perëndia ngrinte një udhëheqës (të quajtur gjyqtar) për t’i çliruar (Gjyqtarët 2:16). Fryma e Perëndisë erdhi mbi këta udhëheqës ushtarakë duke u dhënë sukses në betejë. Ata rikthenin sigurinë dhe në përgjithësi kishte paqe gjatë gjithë jetës së gjyqtarit. Por shumë shpejt pas vdekjes së gjyqtarit, njerëzit ktheheshin tek idhujt dhe i gjithë cikli përsëritej (Gjyqtarët 2:18-19).
DHUNTI PA KARAKTER
Personazhi më i njohur dhe sigurisht më interesanti nga të gjithë gjyqtarët ishte Sansoni. Perëndia i kishte dhënë një dhunti të pazakontë të fuqisë fizike, e cila e aftësoi të arrinte fitore të jashtëzakonshme për popullin e Perëndisë.
Sansoni ishte një hero i jashtëzakonshëm, i cili ngjalli një shpresë të re kur gjithçka dukej se kishte humbur. Në një vend të pushtuar nga armiqtë, ai ishte një njeri që mund të luftonte për çlirimin e popullit të tij duke korrur fitore të mahnitshme. Sansoni arriti të mposhtte një mijë filistenj duke luftuar trup më trup i armatosur vetëm me nofullën e një gomari të ngordhur (Gjyqtarët 15:15).
Problemi ishte se forca e tij fizike nuk përputhej me karakterin e tij moral. Martesa dhe jeta e tij personale ishin rrëmujë dhe ndonjëherë ai sillej si një rrugaç. Dhuntia e Sansonit ia tejkalonte karakterit të tij dhe historia e tij e bën lexuesin të mendojë: Me siguri që Perëndia duhet të ketë një çlirimtar më të mirë për njerëzit e Tij se Sansonin!
NË KËRKIM TË NJË UDHËHEQËSI
Në mungesë të një udhëheqjeje të qartë dhe një themeli moral të miratuar, jeta në Kanaan u bë gjithnjë e më kaotike. Mes popullit të Perëndisë po shtohej pakënaqësia, ndaj ata filluan të kërkojnë përreth për një lloj të ri udhëheqjeje.
Dobësia e dukshme ishte se gjyqtarëve u mungonte vazhdimësia. Kombet e tjera kishin mbretër me ushtri aktive, dhe kur një mbret vdiste, pasardhësi i tij kurorëzohej menjëherë.
Perëndia nuk kishte caktuar një mbret mes popullit të Tij për arsyen e thjeshtë se Vetë Ai ishte Mbreti i tyre. Por të mbështeteshe te Perëndia, do të thoshte të jetoje me anë të besimit, dhe njerëzit menduan se do të ishte më mirë që t’i udhëhiqte dikush që mund ta shihnin.
Perëndia e paralajmëroi popullin për të drejtat e mbretërve të ardhshëm, por ata e kishin ndarë tashmë mendjen. Ata donin një mbret (1 i Samuelit 8:8-20). Kështu që Perëndia u dha atyre atë që kërkuan, dhe Samueli vajosi Saulin si mbretin e parë të Izraelit.
NJË ZHGËNJIM I MADH
Sauli kishte stilin dhe shtatin e një monarku, por rezultoi të ishte një zhgënjim i madh. Fitoret e tij të para e bënë mendjemadh, dhe ai mendoi se mund të zgjidhte se cilave prej urdhërimeve të Perëndisë t’u bindej. Ai ishte i bindur se, për sa kohë i ofronte flijime Perëndisë, gjithçka do të shkonte mirë. Sauli nuk e kishte kuptuar që rituali fetar nuk ka vlerë nëse nuk shoqërohet me bindjen ndaj Perëndisë (1 i Samuelit 15:22).
Profeti Samuel kishte detyrën e pakëndshme të ballafaqimit me Saulin: “Ke hedhur poshtë fjalën e Zotit”, i tha ai, “dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin” (1 i Samuelit 15:26).
Sauli kishte mundësinë të pranonte disiplinën e Perëndisë dhe të niste një kapitull të ri bindjeje. Por nuk e bëri. Ai u fiksua pas ndjekjes së pamëshirshme të Davidit, të cilin Perëndia e kishte zgjedhur si mbretin e ardhshëm të Izraelit, dhe vitet e fundit të jetës i kaloi duke u përpjekur të shkatërronte të ardhmen.
Si përfundim, Sauli vrau veten në fushën e betejës (1 i Samuelit 31:4). Ky ishte një fund i trishtueshëm i një jete tragjike, duke dalë kështu nga lugina e gjatë dhe e errët e kaosit që populli i Perëndisë kishte përjetuar.
Pamja e luginës së tretë
Lugina e tretë na mëson se zgjedhjet kanë rëndësi. Kur një komb largohet nga Ligji i Perëndisë, pëlhura e shoqërisë do të griset shumë shpejt. Udhëheqësit e shquar, të cilëve u mungon integriteti, gjithmonë do të sjellin zhgënjim në fund. Zgjedhjet e dobëta çojnë gjithmonë në pasoja të dhimbshme.
Por në këtë luginë kaotike ka edhe shpresë. Perëndia nuk e braktisi kurrë popullin e Tij. Edhe kur ata bënë zgjedhje të pakthyeshme, si caktimi i një mbreti, Perëndia qëndroi besnik ndaj premtimit të Tij dhe vazhdoi të përmbushte qëllimin e Tij.
Perëndia i shpengon vendimet e këqija dhe e çon përpara qëllimin e Tij për jetën tonë, edhe përmes rrethanave që nuk duhet të kishin ndodhur kurrë. Nuk ka zgjedhje, sado e dobët, që mund të të çojë përtej hirit të Perëndisë. Shumë shpejt ky hir do të ndërhynte përsëri për popullin e Perëndisë nëpërmjet një mbreti të ri, emri i të cilit ishte David.