Takimi i Palit me Jezusin në rrugën për në Damask ishte pika e kthesës në jetën e tij. Jezusi u përball me të duke i bërë një pyetje të vetme që i ndryshoi jetën: “Saul, Saul, pse më përndjek?” (Veprat 9:4).
Sauli i kishte përndjekur të krishterët, sepse ai po shkonte drejt një ballafaqimi me Perëndinë. Por përmes takimit të tij me Jezusin, ai zbuloi dhuratën e paçmuar të paqes me Perëndinë. Si mund ta kesh këtë paqe, është një temë qendrore në Dhiatën e Re.
Pali shpjegoi atë që i ndodhi atij dhe gjithë ndjekësve të Krishtit me këto fjalë: “Të drejtësuar, pra, prej besimit, kemi paqe me Perëndinë, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). Dhurata e paqes me Zotin vjen nga Krishti. Ajo u përket atyre që janë të shfajësuar, dhe merret me anë të besimit. Këto tema madhështore na çojnë në majën e malit tonë të dytë.
TOPA DHE GOLA
Në një lojë futbolli është arbitri ai që vendos nëse lojtari ka bërë gol ose jo. Mendimi i turmës ose i komentuesve televizivë nuk ka rëndësi. Vetëm arbitri vendos. Në të njëjtën mënyrë, në një gjykatë, gjyqtari vendos nëse një i pandehur është fajtor apo i pafajshëm. Avokatët paraqesin çështjen e tyre, por gjykatësi vendos. Deklarata e tij është përfundimtare.
Fjala i shfajësuar përshkruan vendimin ose deklaratën se një person është në të drejtë. E kundërta e saj është fjala i dënuar, e cila përshkruan vendimin apo deklaratën se një person është në faj.
Një ditë, çdo person që ka jetuar ndonjëherë, do të qëndrojë përpara Perëndisë. Atë ditë, Perëndia do të shpallë se kush është në të drejtë dhe kush është në faj. Perëndia do ta bëjë deklaratën. Çdo mendim tjetër do të jetë i parëndësishëm.
Meqenëse Bibla deklaron qartë dhe vazhdimisht se të gjithë njerëzit kanë mëkatuar dhe nuk i përmbahen standardit të Perëndisë, kjo nuk është një perspektivë tërheqëse. Pra, kur lexojmë se si mund të shfajësohemi apo të deklarohemi të drejtë nga Perëndia, ne kemi të gjitha arsyet për të shqyrtuar se si është e mundur kjo.
SI MUNDET DIÇKA QË ËSHTË E GABUAR TË BËHET E DREJTË?
Lajmi i mirë është se Perëndia i shfajëson mëkatarët (Romakëve 4:5). Por kjo deklaratë s’ka dyshim që ngre një problem. Shpallja e mëkatarëve si “të drejtë” duket si një dështim i drejtësisë. Si mund ta bëjë Perëndia këtë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është “nëpërmjet Jezus Krishtit“.
Kur Jezusi vdiq në kryq, Perëndia Atë vuri mbi Të gjithë fajin dhe ndëshkimin për mëkatet tona (Romakëve 3:25; 1 e Pjetrit 2:24). Drejtësia kërkon që mëkati të ndëshkohet, dhe Perëndia e tregoi drejtësinë e Tij duke e vënë dënimin tonë mbi Jezusin. Jezusi vuajti dënimin për sjelljen tonë të gabuar. Drejtësia u vu në vend.
Ligji e bën të qartë se një person nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtin krim. Pra, nëse mëkatet tona janë paguar nga Jezusi, nuk ka asnjë mënyrë që ato të mund të përdoren si akuzë kundër nesh, as tani e as në të ardhmen. Prandaj “nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1).
Nëse Perëndia i shfajëson njerëzit nëpërmjet vdekjes së Jezu Krishtit, atëherë duhet të mësojmë se si ne të mund të përfitojmë nga vdekja e Jezusit. Përgjigjja e kësaj pyetje është: “nëpërmjet besimit.”
SI MUNDEN DY TË BËHEN NJË?
Imagjino një çift të ri që nuk njihen me njëri-tjetrin dhe dalin në një takim njohjeje të organizuar nga dikush tjetër. Me kalimin e kohës ata krijojnë miqësi dhe më pas bien në dashuri. Si përfundim ata e gjejnë veten duke i bërë betime njëri-tjetrit, ndërsa bashkohen në martesë.
Kjo është një pamje e dobishme e mënyrës se si besimi na bashkon me Jezu Krishtin. Si çdo marrëdhënie tjetër, besimi te Jezusi fillon kur zbulon se kush është Ai. Kjo është ajo që ne kemi bërë në udhëtimin tonë përmes Biblës. Por besimi përfshin më tepër sesa thjesht të mësosh për Jezusin. Të dish gjëra për dikë nuk do të thotë se je i martuar me të, dhe të dish gjëra për Jezusin, nuk e bën Atë tonin.
Në celebrimin e martesës, dhëndri pyetet nëse do ta marrë nusen si gruan e tij. Pastaj pyetet nusja nëse ajo do ta marrë dhëndrin si burrin e saj. Një martesë krijohet kur nusja dhe dhëndri i përkushtohen njëri-tjetrit në dashuri.
Bashkimi ynë me Krishtin funksionon në të njëjtën mënyrë. Dy mijë vjet më parë Jezusi u pyet nëse Ai do të të merrte ty dhe do të bëhej Shpëtimtari yt. A do të duronte Ai mëkatet e tua? Të paguante borxhet e tua? Të duronte ferrin tënd? Dhe në kryq, Jezu Krishti u përgjigj “Po, do ta bëj” për të gjitha këto pyetje.
Tani Perëndia ka një pyetje për ty: “A do ta marrësh Jezu Krishtin si Shpëtimtarin dhe Zotin e jetës tënde? A do t’i përkushtohesh me gjithë zemër dhe plotësisht Atij?” Besimi u përgjigjet këtyre pyetjeve me “Po, do ta bëj”, dhe kur kjo përgjigje jepet, formohet një lidhje bashkimi midis teje dhe Jezusit.
DHURATA E PAQES
Gjithçka që Jezusi arriti në kryq bëhet e jotja me anë të besimit. Perëndia i llogariti mëkatet e tua si të shpenguara në vdekjen e Tij. Çështja jote është e mbyllur. Nuk ka asnjë akuzë për të cilën duhet të përgjigjesh. Ti je shfajësuar nëpërmjet besimit në Zotin Jezu Krisht, dhe në këtë mënyrë ke paqe me Perëndinë (Romakëve 5:1).
Termi hebraik për paqe është fjala e bukur shalom. Është një nga përshëndetjet më të përdorura hebraike dhe do të thotë: “Qofshin gjërat ashtu siç duhet të ishin.” Kur je i shfajësuar me anë të besimit nëpërmjet Zotit Jezu Krisht, gjërat janë ashtu siç duhet të jenë midis teje dhe Perëndisë. “Ne kemi paqe me Perëndinë” (Romakëve 5:1).
Pamja nga mali i dytë
Paqja me Perëndinë nuk do të thotë se s’do të kesh më konflikte. Çdo i krishterë është i përfshirë në një luftë të përjetshme kundër mëkatit në jetën e tij apo të saj, dhe ne kemi parë tashmë që besimtarët e hershëm u përballën me armiqësi dhe përndjekje për shkak të besimit të tyre te Jezusi.
Jezusi foli haptazi për këtë çështje. Ai u tha dishepujve të Tij: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua.” Dhe më pas shtoi: “në botë do të keni shtrëngim” (Gjoni 16:33). Pra, paqja për të cilën Jezusi foli, nuk është mungesa e telasheve ose konflikteve në jetën tonë.
Jezusi e bëri të qartë se dishepujt do të kishin paqe dhe telashe në të njëjtën kohë. Për të zbuluar më shumë rreth kësaj çështjeje, duhet të kalojmë nëpër një luginë tjetër.