Davidi e filloi jetën e tij si një bari i panjohur në Betlehem, më i vogli mes tetë vëllezërve. Por Perëndia ishte me Davidin, dhe pasi ai mposhti Goliathin, kampionin e armiqve të Izraelit, të gjithë e mësuan kush ishte Davidi. Populli i Perëndisë kishte një hero.
Sigurisht që Mbreti Saul nuk mendonte kështu! Kur tifozët e asaj kohe filluan të këndonin: “Sauli vrau mijëshen e tij dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij” (1 i Samuelit 18:7), kjo sa nuk e çmendi fare Saulin. Davidit iu desh të arratisej për të shpëtuar jetën e vet, por dora e Perëndisë ishte mbi të. Kur Sauli vdiq, Davidi u kurorëzua mbret.
Gjëja e parë që Davidi bëri, ishte marshimi drejt Jerusalemit. Edhe pse populli i Perëndisë kishte jetuar në atë tokë për më shumë se treqind vjet, ata nuk e kishin pushtuar atë qytet të madh. Davidi e pushtoi Jerusalemin dhe vendosi atje pallatin e tij mbretëror dhe qendrën e qeverisjes së tij (2 i Samuelit 5).
RIKTHIMI I ARKËS SË HUMBUR
Pastaj Davidi solli arkën e besëlidhjes në Jerusalem (2 i Samuelit 6). Atë ditë u bë një festë e madhe. Kur populli i Perëndisë ishte në shkretëtirë, prania e dukshme e Perëndisë kishte zbritur poshtë tek arka. Por gjatë mbretërimit të mbretit Saul arka ishte lënë në shtëpinë e Abinadabit dhe ishte harruar krejtësisht. Ky gjest tregon mjaftueshëm për jetën frymërore të kombit në atë kohë.
Davidi dëshironte të vendoste simbolin e pranisë së Perëndisë në qendër të jetës së kombit, prandaj ai e mori arkën në Jerusalem. Davidi jetonte në një pallat mbretëror e madhështor, dhe nuk iu duk e përshtatshme që arka, vendi ku Perëndia banonte, të qëndronte e mbuluar nga një çadër.
Mbreti donte të ndërtonte një tempull, që mund të konsiderohej si shtëpia e arkës, por Perëndia kishte plane të tjera, të cilat ia njoftoi Davidit nëpërmjet profetit Natan. Davidi dëshironte të bënte diçka madhështore për Perëndinë, por Perëndia po përgatiste diçka të jashtëzakonshme për Davidin–dhe për të gjithë njerëzimin.
NJË PREMTIM MADHËSHTOR
“Unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu… dhe do të vendos mbretërinë tënde”, thotë Perëndia. “Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij. Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua” (2 i Samuelit 7:12–14).
Davidi u mahnit nga pesha dhe lavdia e këtyre premtimeve. Është e lehtë ta kuptojmë se biri i tij do të ndërtonte një tempull, por si mundej që një bir i Davidit të përshkruhej si bir i Perëndisë? Dhe si mundej që mbretëria e një mbreti të zgjaste përgjithmonë? Perëndia po premtonte të bënte diçka që ia kalonte çdo përfytyrimi të Davidit.
E gjithë historia ka të bëjë me mënyrën se si bekimi i Perëndisë do të vinte mbi të gjithë njerëzimin. Perëndia kishte premtuar tashmë se bekimi i Tij do të vinte nëpërmjet një pasardhësi të Abrahamit. Tani, pas një mijë vitesh, Perëndia po e bënte të qartë se premtimi do të vinte nëpërmjet një mbreti, që ishte pasardhës i Davidit. Ky premtim e kufizon kërkimin për personin kryesor në përmbushjen e premtimeve të Perëndisë.
BEKIM I PAKRAHASUESHËM
Davidi u bë mbret rreth një mijë vjet para lindjes së Krishtit dhe mbretëroi për dyzet vjet (2 i Samuelit 5:4). Gjatë asaj kohe populli i Perëndisë gëzoi bekime të pakrahasueshme. Nën udhëheqjen e fortë të Davidit, armiqtë e Izraelit u mposhtën, dhe kufijtë e kombit ishin të sigurt. Me një mbrojtje të fortë, ekonomi të lulëzuar dhe udhëheqje të qëndrueshme, populli i Perëndisë nuk kishte qenë kurrë në një pozitë më të mirë se kjo.
TEMPULLI I SALOMONIT
Pas vdekjes së Davidit, bekimi i Perëndisë vazhdoi përmes mbretërimit të djalit të tij, Salomonit, i cili filloi të përmbushte planet e të atit, duke ndërtuar një tempull në Jerusalem. Ishte një projekt gjigant ndërtimi, që përfshinte 30,000 burra, të cilët prisnin pemët në Liban, 80,000 gurgdhendës, 70,000 transportues dhe 3300 përgjegjës, që punonin në gurore (1 i Mbretërve 5:13-16).
Salomoni i kushtoi vëmendje të veçantë pjesës së brendshme të tempullit. Në tabernakullin e vjetër, Vendi Shumë i Shenjtë ishte i ndarë me perde, por në tempullin e ri, ai ishte një dhomë e pandriçuar rreth dhjetë metër e gjerë, dhjetë metër e gjatë dhe dhjetë metër e lartë. Ishte një kub i përsosur (1 i Mbretërve 6:20).
Në Vendin Shumë të Shenjtë, Salomoni vendosi dy skulptura shumë të mëdha të figurave engjëllore të quajtur kerubimë (1 i Mbretërve 6:23–28). Krahët e tyre mbulonin tërë dhomën duke treguar ndarjen e njeriut nga Perëndia.
Kur tempulli mbaroi së ndërtuari, populli i Perëndisë u mblodh për një shërbesë kushtimi. Priftërinjtë sollën Arkën e Besëlidhjes në tempull dhe e vendosën në Vendin Shumë të Shenjtë, poshtë krahëve të kerubimëve (1 i Mbretërve 8:6).
Kur priftërinjtë u larguan, ndodhi diçka e mrekullueshme. Reja e pranisë së lavdishme të Perëndisë mbushi tempullin (1 i Mbretërve 8:10-11). Hera e fundit që Perëndia e kishte treguar kaq dukshëm lavdinë e pranisë së Tij, ishte në shkretëtirë, më shumë se katërqind vjet më parë. Tani, i njëjti Perëndi, lavdia e të cilit zbriti dhe qëndroi mbi arkën, kishte ardhur në tempullin e Salomonit. Reagimi i parë i Salomonit ishte adhurimi. Prania e Perëndisë ishte me popullin e Tij. Më në fund kishte një vend mbi tokë ku mund të njihej prania e Perëndisë (1 i Mbretërve 8:29).
Pamja nga mali i katërt
Salomoni mbretëroi për dyzet vjet. Ai u bë shumë i njohur për urtësinë e tij dhe vizitorë mbretërorë vinin nga e gjithë bota për të admiruar arritjet e tij. Salomoni akumuloi pasuri të mëdha dhe gjatë mbretërimit të tij e kishte zili gjithë bota. Në kohët e Davidit dhe të Salomonit populli i Perëndisë kishte arritur kulmin e zhvillimit.
Fatkeqësisht, në vitet e tij të fundit, Salomoni, i njohur për urtësinë e tij të pazakontë, bëri disa gabime të mëdha. Duke qenë se e gjithë vëmendja e tij u përqendrua në Jerusalem, në jugun e vendit, ai e armiqësoi popullin në veri duke mbjellë kështu farat e ndarjes së mbretërisë.
Rrënja e rënies së Salomonit ishte statusi i tij si person i famshëm në rang ndërkombëtar. Ai nuk iu bind Perëndisë dhe u martua me shumë gra, që adhuronin perëndi të tjera (1 i Mbretërve 11:1). Ato e bindën Salomonin të ndërtonte altare për perënditë e tyre, dhe në fund të mbretërimit të tij, idhujtaria kishte zënë rrënjë mes popullit të Perëndisë. Ky ishte fillimi i një lugine tjetër të gjatë dhe të errët.