Kishte rezistencë të menjëhershme ndaj mbretit të ri. Disa nga besnikët e Saulit luftuan për të mbrojtur terrenin e tyre, por gjatë dy viteve në vazhdim, shtëpia e Davidit u forcua ndërsa shtëpia e Saulit u dobësua (2 Samuelit 3:1), derisa përfundimisht të gjithë e pranuan Davidin si mbret (5:1-5).
Nën udhëheqjen e Davidit, populli i Perëndisë pushtoi Jeruzalemin, dhe kur qyteti u mor, Davidi ndërtoi pallatin e tij dhe themeloi qendrën e tij të qeverisjes atje. Pastaj Davidi solli Arkën e Besëlidhjes, vendin ku Perëndia u takua me popullin e tij, në Jeruzalem. Prania e Zotit ishte në qendër të jetës së gjithë kombit.
Kombi ishte i bashkuar, populli i Perëndisë përparoi, dhe kishte paqe. Davidi kishte qenë më i suksesshëm sesa kishte ëndërruar ndonjëherë, dhe ndjente se kishte ardhur koha të kthente diçka mbrapsht. Davidi ishte një njeri i perëndishëm me zemër të mirë dhe me një ide të shkëlqyeshme.
Plani i një Mbreti për të Nderuar Zotin
Davidit nuk i dukej gjë e mirë që ai të jetonte në një pallat luksoz, ndërsa arka e Perëndisë të banonte në një tendë. Atij i lindi një ide që të ndërtonte një tempull për Perëndinë, ndaj thirri mikun e tij Nathan, i cili i tha, “Shko, bëj gjithçka ke në zemër, sepse Zoti është me ty” (2 Samuelit 7:3). Por atë natë Perëndia i zbuloi Nathanit se në vend që Davidi t’i ndërtonte një shtëpi Perëndisë, ishte Perëndia që do i ndërtonte një shtëpi Davidit.
A ke qënë ndonjëherë në një situatë ku doje të bëje diçka të mirë, por Perëndia e mbylli atë derë? Ti ndoqe disa iniciativa, por nuk funksionoi. Ose ndoshta ti kishe një ide shumë të mirë, por Perëndia i’a dha dikujt tjetër mundësinë ta realizonte atë gjë. Kur Perëndia mbyll një derë, ti do të përballesh me testin e pashmangshëm të përuljes.
C.S. Lewis e përshkruan përuljen si “një gjëndje e mëndjes në të cilën një person mund të projektojë katedralen më të mirë në botë, dhe ai e di me siguri që është më e mira, dhe t’i gëzohet këtij fakti, pa i kushtuar rëndësi se kush e ka krijuar atë, ai apo dikush tjetër.”
Përulje e vërtetë do të thotë që ti jesh më i shqetësuar për lavdinë e Perëndisë, dhe më pak i shqetësuar në lidhje me faktin se kush e merr meritën për veprën e krijuar.
Por e vërteta është se Davidi e mësoi se ç’ishte përulja. Nuk do të kishte qenë për t’u habitur nëse ai do e kishte humbur interesin për tempullin e Perëndisë, pasi Perëndia i tha se nuk do të ishte ai personi që do e ndërtonte atë. Por përulësia e Davidit tregohet në faktin që ai vazhdoi të hartonte planet, mblodhi materialet, dhe më pas i’a besoi detyrën e ndërtimit të tempullit djalit të tij (1 Kronikave 28:11-20).
Zhgënjimet dhe Dera e Premtimit
Kur Davidi u përball me zhgënjimin e një dere të mbyllur, Perëndia i dha atij një premtim të mrekullueshëm: “Zoti të shpall se ka për të të ndërtuar një shtëpi” (2 Samuelit 7:11). Më pas Perëndia i shpjegoi se Ai nuk po fliste për një shtëpi me tulla e llaç. Ai po bënte një premtim në lidhje me një nga pasardhësit e Davidit: “Kur t’i kesh mbushur ditët e tua dhe të jesh duke pushuar bashkë me etërit e tu, unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu që do të dalin nga barku yt, dhe do të vendos mbretërinë tënde” (2 Samuelit 7:12).
Perëndia premtoi se Ai do të ngrinte një pasardhës të Davidit, dhe për këtë trashëgimtar Perëndia tha, “Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij. Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua” (2 Samuelit 7:13-14).
Cili nga bijtë e Davidit do i përmbushte këto premtime? Si mund të zgjaste përgjithmonë mbretëria e një mbreti? Si mund të ndodhte që një nga bijtë e Davidit, të ishte Biri i Perëndisë?
Një Premtim i Shtyrë
Perëndia lejoi Salomonin që të përmbushte ëndrrën e Davidit për ndërtimin e tempullit. Dhe, kur kjo u realizua, reja e lavdisë së Perëndisë zbriti poshtë dhe mbushi gjithë tempullin me praninë e Tij. Por disa vite më vonë Salomoni vdiq, dhe brenda disa qindra vitesh, tempulli që ai ndërtoi u shkatërrua.
Që nga koha e Davidit e në vazhdim, historia e Biblës zhvillohet rreth kërkimit për një bir të Davidit i cili do të ndërtonte një tempull, froni i të cilit do të qëndronte përgjithmonë, dhe i cili do të ishte Biri i Perëndisë. Vargu i parë i Dhjatës së Re na prezanton me Jezusin si birin e premtuar: “Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit” (Mateu 1:1).
Luka shkruan për lajmërimin që engjëlli i dha Marisë, se premtimi i Perëndisë do të përmbushej: “Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij” (Luka 1:31-32).
Kur Jezusi filloi shërbesën e Tij dhe njerëzit panë mrekullitë e Tij, ata ishin kaq të habitur sa thanë, “A mos është ky Biri i Davidit?” (Mateu 12:23). Dhe kur, tre vite më pas, Ai hyri në Jeruzalem, ata po tundnin degë palmash dhe thërrisnin, “Hosana Birit të Davidit!” (Mateu 21:9).
Froni që do të Zgjasë Përgjithmonë
Kur engjëlli Gabriel shpalli lindjen e Jezusit, ai tha, “Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur” (Luka 1:32-33). Por si mund të zgjasë përgjithmonë një mbretëri?
Jezusi u ringjall nga të vdekurit dhe Ai u ngjit në qiell. Vdekja nuk ka më fuqi mbi Të. Si Mbret i mbretërve, Jezusi është ulur në të djathtë të Atit, ku “Ai duhet të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta” (1 Korintasve 15:25).
Jezus Krishti do të mbretërojë në shekuj të shekujve (Zbulesa 11:15). Dhe Ai ka premtuar që dishepujt e Tij do të marrin pjesë në mbretërinë e Tij. “Atij që fiton do t’i jap të ulet me mua në fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim në fronin e tij” (Zbulesa 3:21).
Perëndia kishte premtuar që një bir i Davidit do të ndërtonte një tempull dhe do të mbretëronte përgjithmonë, dhe ne kemi parë se si Jezusi e identifikoi veten me këto premtime të mëdha. Por pjesa më e paharruar e premtimit të Perëndisë, ishte që Vetë Perëndia do të ishte një baba për djalin e Davidit. Si mund të përshkruhet ndonjë bir i Davidit si Biri i Perëndisë? Premtimi i Perëndisë se djali i Davidit do të ishte djali i Tij, na tregon për mrekullinë më të madhe në Bibël.
Jezus Krishti, Biri i Perëndisë
Jezusi i lindi Marisë, e cila ishte fejuar me Jozefin, një pasardhës i Davidit (Mateu 1:16). Por Jezusi nuk lindi si rezultat i marrëdhënies intime midis Marisë dhe Jozefit (1:25). Ai u ngjiz në barkun e virgjëreshës me anë të mrekullisë krijuese të Perëndisë: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë” (Luka 1:35). Jezusi, biri i Davidit, është Biri i Perëndisë!
Kur ne mendojmë për një bir, ne zakonisht mendojmë për dikë që lind 20 apo 30 vjet pas të atit. Por kur Bibla na thotë se Jezusi është Biri i Perëndisë, po na thotë se Ai ka të njëjtën natyrë si Ati i Tij, dhe është vetë natyra e Perëndisë që nuk ka një fillim. Nuk ka pasur kurrë një kohë kur Biri i Perëndisë nuk ishte me Atin. “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1).
Mënyra se si Perëndia u mishërua në Jezusin është një mister, e megjithatë, pasi kuptohet kjo e vërtetë, fillon të ketë kuptim gjithçka tjetër. Perëndia u bë njeri. Biri i përjetshëm mori trajtën njerëzore. Ai i cili ka qënë gjithnjë pranë Atit, u bë një bir i Davidit, duke sjellë kështu Perëndinë dhe njeriun së bashku.
Bij të Perëndisë
Kur ti besove tek Jezusi, Biri i Perëndisë, Ati të adoptoi ty në familjen e Tij. “Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë” (Gjoni 1:12). Nëse je duke luftuar me vetëvlerësimin dhe domethënien e jetës tënde, lejo të vërtetën e faktit se kush Krishti është dhe çfarë Ai bën për popullin e Tij, të depërtojë thellë në brendësinë e qënies tënde. Jezusi është Biri i Perëndisë. Besimi të bashkon me Jezusin, dhe përmes Tij, ti je i adoptuar në familjen e Perëndisë. Trupi yt tashmë është tempulli i Frymës së Shenjtë që banon në ty.
Ti je bir/bijë e Perëndisë dhe fati yt është të gëzohesh në Të përjetësisht. Kujtoje këtë fakt në ditën më të zakonshme e normale, si edhe në orën më të errët të jetës tënde. Shih nderin që Perëndia të ka dhënë, dhe lejo që kjo të të lartësojë.
Një Shteg i Hapur
Populli i Perëndisë mund të ketë siguri tek e ardhmja, sepse Jezus Krishti është në fron. Nëpërmjet Tij, ne jemi pajtuar me Atin dhe jemi bërë pjesë e familjes së Tij. Krishti ka shumë armiq, por ata të gjithë do të bien poshtë këmbëve të Tij (Psalmi 110:1), dhe fati i popullit të Perëndisë është të gëzojë bekimin e Mbretërimit të Tij përjetë.