Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Vajtimet 3:1-24

1 Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.

2 Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.

3 Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.

4 Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.

5 Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.

6 Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.

7 Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.

8 Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.

9 Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.

10 Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.

11 Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.

12 Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.

13 Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.

14 Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.

15 Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.

16 Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.

17 Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.

18 Kam thënë: “Është zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti”.

Shpresa tek Mëshirat e Zotit 

19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.

20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.

21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.

22 Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.

23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote.

24 “Zoti është pjesa ime”, thotë shpirti im, “prandaj do të kem shpresë tek ai.

Tjetra

Një vajtim është një britmë e gjatë dhe me zë të lartë që ngjitet te Perëndia nga një person që është duke përjetuar dhimbje ose humbje të paimagjinueshme. Mund të gjesh vajtime në librin e Jobit dhe në Psalmet, dhe Perëndia na ka dhënë një libër të tërë të Biblës i quajtur Vajtimet që përshkruan me hollësi të padurueshme pikëllimin dhe dhimbjen që ishin rezultat i shkatërrimit të Jeruzalemit. Vajtimet janë britma e një zemre të thyer. Është dhurata e Perëndisë për të gjithë ata që pikëllohen.

Tymi ishte akoma duke u ngritur nga hiri teksa Jeremia ecte nëpër rrënojat e qytetit dikur të madh, dhe ajo që pa i theu zemrën. Qyteti që dikur kishte lulëzuar nën bekimin e Perëndisë, tani dukej si një qytet fantazmë: Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull?” (Vajtimet 1:1).

Jeremia kishte detyrën e pakëndshme të ishte zëri i Perëndisë në këtë kohë të dëshpëruar. Shërbesa e tij filloi gjatë mbretërimit të Josias, mbreti i ri në moshë që drejtoi një fushatë të reformës fetare dhe morale. Por djali i Josias, Jehojakimi, zgjodhi një rrugë krejt tjetër. Ai kërkoi që t’i lexohej Fjala e Perëndisë, pastaj e preu dorëshkrimin e mbledhur me thikë dhe i hodhi Shkrimet në zjarr. Ishte gjatë mbretërimit të këtij mbreti, i cili dogji Biblën, që gjykimi i Perëndisë mbi popullin e Tij filloi. 

Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, rrethoi Jeruzalemin, dhe kur populli ishte shumë i dobët për të mbrojtur qytetin e tyre, forcat Babilonase mblodhën njerëzit më të talentuar, duke përfshirë këtu edhe një të ri me emrin Daniel (historinë e të cilit do ta shohim më mbrapa), dhe i internoi ata në Babiloni. Populli i Perëndisë duroi pesë katastrofa—njëra mbi tjetrën: armiqtë e rrethuan qytetin (Jeremia 52: 5), njerëzit vdiqën nga uria (Vajtimet 1:11), qyteti ra (1:7), pastaj u pushtua (1:5) dhe tempulli u shkatërrua (4:1). 

Ata që mbijetuan humbën shtëpitë e tyre, dhe shumë prej tyre humbën edhe fëmijët. Më i riu duhet të ketë qenë i pari që ka humbur jetën nga uria. Dhe kur qyteti ra, ata që kishin fëmijë më të mëdhenj duruan dhimbjen e madhe duke parë bijtë dhe bijat e tyre të dërgoheshin në robëri, duke ditur se nuk do t’i shihnin më kurrë: “Fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut” (1:5). Pikëllimi i tyre duhet të ketë qenë mbytës. 

Hidhërimi është procesi i dhimbshëm i përballimit të humbjes së diçkaje apo dikujt që do. Mund të jetë humbja e një roli apo pozicioni që të sillte një përmbushje të madhe. Mund të jetë humbja e aftësisë fizike ose mendore, për të ndjekur diçka që të ka pëlqyer shumë. Ose mund të jetë humbja e një personi shumë të dashur, pa të cilin jeta nuk do të jetë më e njëjtë. 

I Mbytur në Lot

Vajtimet është një libër i mbytur nga lotët:  “Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj” (1:2); “Sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje” (1:16); “Sytë e mi konsumohen nga të qarat…për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit” (2:11). Përmëndja e lotëve vazhdon gjatë gjithë librit.

Lotët janë drithërima të trupit nga dhimbja e shpirtit. Ato janë një dhuratë nga Perëndia, sepse ato veprojnë si një valvul çlirimi për dhimbjen tënde. Perëndia të ka dhënë një Shpëtimtar që e di se çfarë do të thotë të qash, kështu që lëri lotët e tu të rrjedhin dhe mos i përmbaj ato. 

Libri i Vajtimeve i jep fjalë hidhërimit, dhe është një shembull se si njerëzit e pikëlluar vënë në dukje çdo detaj të humbjes së tyre. Ndihma vjen duke u përballur me cepat e errët të pikëllimit tënd, dhe duke e nxjerrë atë në dritën e pranisë shëruese të Perëndisë dhe në shoqërinë e personave që të duan. 

Dora e Perëndisë

Njerëzit që vuajtën tek libri i Vajtimeve besonin se Perëndia është sovran. Kur ishin duke vuajtur, ata nuk thanë: “Kjo nuk ka asnjë lidhje me Perëndinë”. Ata thanë, “Sepse Perëndia nuk hedh poshtë përgjithnjë; por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij” (Vajtimet 3:31-32).

Të besosh se Perëndia i kontrollon të gjitha gjërat, ngre pyetje të vështira, të cilave nuk mund t’u përgjigjemi. Kur Zoti ynë Jezus vuajti në kryq, Ai bërtiti, “Pse… ?” (shih Mateu 27:46). Madje edhe para Tij, parajsa ishte e heshtur. Kështu që, kur pyetja dërrmuese “Pse?” del nga shpirti yt, mos harro se Jezusi ka qenë atje, dhe se edhe Ai duhej t’i besonte Atit, pa marrë një përgjigje. Atëherë, çfarë do të bësh me ankesën që mund të ndjesh ndaj Perëndisë?

Në Vajtimet 3, ka nëntëmbëdhjetë ankesa ose pakënaqësi kundër Perëndisë. Kushtoi vëmendje përdorimit të përsëritur të fjalës Ai, që i referohet Perëndisë: (Ai) më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal” (Vajtimet 3:7); Ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time” (3:8); “(Ai) më ka ngopur me hidhërim” (3:15). Nuk është thjesht që “Perëndia i ka lejuar këto gjëra”; është se “Perëndia i ka bërë! Ai i ka sjellë! ” 

Ankesa dhe mërzitja ndaj Perëndisë nuk është shprehje e mosbesimit. Në një mënyrë të thellë mund të jetë një shprehje e besimit. Njerëzit që ngritën kaq shumë ankesa kundër Perëndisë tek libri i Vajtimeve, nuk besuan se ajo që pësuan u ndodhi rastësisht. Ata e dinin që Perëndia është sovran në të gjitha gjërat, përfshirë edhe katastrofën që u kishte ndodhur. Ishte pikërisht fakti që ata e besonin këtë, që i bëri ata të luftonin me ankesa ndaj Perëndisë. 

Diku në një pikë të jetës tënde mund të përballesh me të njëjtën luftë. Ti mund ta gjesh veten në një errësirë të madhe. Mund të ndihesh sikur ke ngecur në një vend, i rënduar, i frikësuar, dhe i rraskapitur. Dhe mund të ndihesh sikur Perëndia është kthyer kundër teje. 

Libri i Vajtimeve jep një shembull se çfarë duhet të bësh. Perëndia dëshiron që ti sjellësh ankesat e tua Atij. Një mik ose një pastor mund të jetë në gjendje të të ndihmojë për këtë, por ajo që ka më shumë rëndësi është që t’i tregosh Perëndisë të vërtetën për atë që po ndien. Mos u anko për Perëndinë mbrapa shpinës së Tij! Tregoji Atij ankesën tënde ballë për ballë. Nuk ka vend më të mirë për të shprehur ankesën tënde sesa në praninë e Perëndisë. 

Shpresë për Ditën e Sotme

Në një libër rreth hidhërimit ti mund të presësh të gjesh shumë në lidhje me shpresën e parajsës. Por e vërteta është se flitet shumë pak për parajsën tek libri i Vajtimeve. Pse? Përmbushja e qëllimit përfundimtar të Perëndisë është shumë e mrekullueshme, por parajsa mund të duket shumë larg realitetit të dhimbshëm me të cilin përballet një person i hidhëruar. Kur je në mes të vajtimit, pyetja jote e parë është, “Si mund ta përballoj ditën e sotme?” Parajsa nuk është përgjigjja e kësaj pyetjeje; është Mëshira e Perëndisë. 

“Këtë dua ta sjell në mëndje, dhe prandaj dua të shpresoj. Është një hir i ZOTIT që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote. “ZOTI është pjesa ime”, thotë shpirti im, “prandaj do të kem shpresë tek ai.” (Vajtimet 3:21-24).

Mëshira e Perëndisë do të jetë e mjaftueshme për të kaluar ditën e sotme. Dhe kur të zgjohesh nesër, dashuria dhe mëshira e Tij do të jenë duke të pritur. Krishti do të të japë forcën që të nevojitet që të mund të përballosh ngarkesën që mban në çdo kohë të caktuar. 

A Është Perëndia Vërtet për Mua?

Një pyetje që shpesh lind në mendjen e një personi të pikëlluar është, “Si mund të besoj se Perëndia është për mua, kur Ai ka sjellë një dhimbje të tillë në jetën time?” Përgjigjja e kësaj pyetjeje qëndron te “njeriu” i cili na paraqitet te Vajtimet 3:1, “Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij”. Kush është ky njeri?

Personi tek Vajtimet e parashikon qartë Zotin tonë Jezus Krisht. Ai tha, “Ke larguar shpirtin tim nga paqja” (3:17). Dhe në kopshtin e Gjetsemanisë, Jezusi tha, “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje” (Marku 14:34). Sërisht njeriu tek Vajtimet 3:14 tha, Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës”.

Dhe për Jezusin lexojmë: “Duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ”Përshëndetje, o mbret i Judenjve!” (Mateu 27:29). Njeriu tek Vajtimet 3:2 tha, “Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë”. Dhe kur Jezusi u var në kryq, errësira mbuloi tërë vendin (Mateu 27:45). Njeriu tha, “Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time” (Vajtimet 3:8). Dhe në kryq Jezusi thirri me zë të lartë, ‘Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46).

Sa i jashtëzakonshëm është fakti, që kur Ponc Pilati e vuri Jezusin në shfaqje para turmave, me atë kurorë me gjemba në kokën e Tij, ai tha, “Ja njeriu!” (Gjoni 19:5). Ai nuk e kishte idenë se, duke thënë këtë, ai po përmbushte atë që shkruhet tek Vajtimet 3:1. Jezusi është njeriu i parashikuar në Vajtimet. Biri i Perëndisë u bë Njeriu i Dhimbjeve, dhe Ai është “njohës i vuajtjes” (Isaia 53:3). Meqenëse Jezusi ka vuajtur, Ai është në gjendje të na ndihmojë kur vuajmë. 

Një botë që vuan ka nevojë për një Shpëtimtar të vuajtur, por ne gjithashtu kemi nevojë për një Shpëtimtar që ka triumfuar mbi vuajtjet. Vuajtja nuk ishte fundi për Jezusin. Ai erdhi përmes saj dhe triumfoi mbi të në ringjalljen e Tij. Dhe ky Shpëtimtar të ofron Veten ty: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi” (Psalmi 30:5), dhe një ditë Perëndia do të fshijë të gjitha lotët nga sytë e tu. 

Një Shteg i Hapur

Kur kalon nëpër luginën e hidhërimit dhe humbjes, ti je në një vend ku Krishti mund të gjendet. Shpëtimtari e di se çfarë do të thotë të ecësh në shtegun e trishtimit, sepse edhe Ai e njeh mirë pikëllimin. Çdo shteg në të cilin ti i afrohesh Jezusit do të jetë i bekuar, edhe nëse është një shteg nëpër të cilin nuk do të kishe zgjedhur kurrë që të kaloje.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë Me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Përshkruaj diçka ose dikë që ke humbur, dhe si ka qenë kjo eksperiencë për ty.
  2. Si mendon se duhet të jetë të pikëllohesh në mënyrën e duhur?
  3. Çfarë të duket më e dobishme në mënyrën se si Vajtimet japin një shembull rreth përpunimit të pikëllimit?
  4. A ke ndjerë ndonjëherë një ankesë ndaj Perëndisë? Dhe nëse po, si e ke trajtuar atë?
  5. Si mund të dish nëse Perëndia është për ty apo kundër teje?
Save Progress
Shko në fillim