Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Gjoni 5:19-29

Jezusi e shpall veten Bir të Perëndisë, një me Atin

19 Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: ”Në të vërtetë, në të vërtetë ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t’i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.

21 Sepse ashtu si Ati ringjall të vdekurit dhe u jep jetë, po kështu edhe Biri i jep jetë kujtdo që do.

22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,

23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin, që e ka dërguar.

24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.

25 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e dëgjojnë do të jetojnë.

26 Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;

27 dhe i ka dhënë gjithashtu pushtet të bëjë gjyq, sepse është Bir i njeriut.

28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e gjyqit.

Tjetra

Kur u bë Perëndia Atë? Përgjigja është se Ai ka qenë gjithmonë Ati. Ai është Ati i përjetshëm dhe natyra e Tij nuk ndryshon kurrë. Kur u bë Krishti Biri? Përgjigja është se Ai ka qenë gjithmonë Biri. Ai është Biri i përjetshëm dhe natyra e Tij nuk ndryshon kurrë. Ati nuk ka qenë kurrë pa Birin, dhe Biri nuk ka qenë kurrë pa Atin.

Unë u bëra baba në vitin 1986, kur djali im Andrea lindi. Përpara se të kisha një djalë, unë nuk mund të përshkruhesha si baba. Është lindja e një djali apo vajze që e bën një burrë baba, apo një grua nënë. Perëndia nuk u bë me Bir kur Jezusi erdhi dhe lindi në këtë botë. Perëndia e dërgoi Birin, i cili është “në gjirin e Atit” (Gjoni 1:18). 

Bibla e bën të qartë se Biri është i barabartë me Atin (5:18). Përpara se të merrte trajtën njerëzore, Perëndia Bir ndante lavdinë e Atit (17:5), jetën e Atit (5:26), aktivitetet e Atit (1:3), dhe dashurinë e Atit (17:24). Ai është nga natyra Perëndi, por Ai nuk e konsideroi këtë barazi si diçka për t’u mbajtur fort (Filipianëve 2:6). Ai e vuri Veten në dispozicion të Atit dhe mori trajtën e shërbëtorit. 

Në një rast, Jezusi tha, “Ati është më i madh se unë” (Gjoni 14:28). Kjo do të ishte sikur unë të thosha, “Presidenti i SHBA-së është më i madh se unë.” Unë jam njeri njësoj si presidenti, por pozicioni i tij është më i madh se i imi. 

Kështu që, kur Jezusi tha, “Ati është më i madh se unë,” Ai nuk po thoshte se Ati është më hyjnor se Ai, por se Ati ka një pozicion më të lartë. Ati ishte në qiell dhe Jezusi në rrugën e Tij drejt kryqit. Kjo është arsyeja pse Ai u tha dishepujve të Tij, “Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: “Po shkoj tek Ati”; sepse Ati im është më i madh se unë” (14:28). Vajtja tek Ati nënkuptonte që Ai do kthehej të ndante pozitën e Tij të lartësuar.  

Siç Është Ati, Ashtu Është Edhe Biri

Bibla e përdor fjalën bir në dy kuptime: pasardhës sipas gjakut, ose natyrë e reflektuar. Në botën e lashtë, djali ndiqte hapat e të atit në jetë. Nëse babai yt do ishte zdrukthtar, edhe ti do bëheshe zdrukthtar, dhe nëse babai yt ishte zdrukthtar i mirë, cilësia e punës së tij do reflektohej tek puna jote. Ashtu siç thotë edhe ajo shprehja e vjetër, “Bëmë baba të të ngjaj”. Në Dhjatën e Re ne lexojmë për një njeri që apostujt e quanin “Barnabas”. Barnabas do të thotë “bir i inkurajimit” (Veprat 4:36). Nuk është e vështirë të imagjinosh pse apostujt i dhanë atij këtë emër. Ata panë që Barnabas ishte një inkurajues i madh. Ai ishte inkurajim i personifikuar, inkurajim në trajtë njerëzore.

Jezusi e përdori fjalën bir në të njëjtën mënyrë tek Predikimi në Mal. “Lum ata që bëjnë paqen,” tha Ai, “sepse ata do të quhen bij të Perëndisë” (Mateu 5:9). Perëndia është një paqebërës i madh, dhe kur ne bëjmë paqe, ne reflektojmë karakterin e Tij. Kështu që, kur Bibla e përkshkruan Jezusin si “Biri i Perëndisë,” (Gjon 5:25), fjala Bir nuk do të thotë se Ai është një “pasardhës sipas gjakut”, por se Ai reflekton saktësisht natyrën e Atit (Hebrenjve 1:3). Biri i Perëndisë është gjithçka që Perëndia është, në trajtën njerëzore.

Duke Bërë Punën e Atit 

Lavdia e plotë se çfarë do të thotë për Jezusin të jetë Bir i Perëndisë, na zbulohet tek Gjoni 5, ku Jezusi thotë, “Në të vërtetë, në të vërtetë ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetes, përveç asaj që sheh se bën Ati” (Gjoni 5:19). Aktiviteti i Jezusit është i kufizuar në atë që Ai sheh se Ati bën. Krishti po thotë se Ai kurrë nuk bën asgjë jashtë asaj që Ati do të bënte. Do të doja të thoja se gjithçka që bëj, është një reflektim i veprimtarisë së Perëndisë, por sigurisht, nuk mund ta them këtë. Por kjo është pikërisht ajo që Jezusi tha: “Ju nuk do të gjeni asnjë gjë të vetme në jetën Time që qëndron jashtë asaj që Ati bën.”

Pastaj Jezusi bën një deklaratë të dytë edhe më mahnitëse: “Gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri” (5:19). Në fjalë të tjera, Jezusi po thotë, “Gjithçka që unë bëj reflekton atë që Ati bën, dhe gjithçka që Ati bën, reflektohet në atë që Unë bëj.”

Ne ndoshta bëjmë disa gjëra të cilat reflektojnë atë që Perëndia bën. Kur ne duam, falim, apo bëjmë paqe, ne reflektojmë natyrën e Atit. Por ka disa gjëra që i përkasin vetëm Perëndisë. Vetëm Perëndia mund të japë jetë. Vetëm Perëndia mund të ringjallë të vdekurit. Vetëm Perëndia gjykon. Këto janë gjëra që i përkasin Perëndisë, dhe Jezusi po na thotë se Ai i bën ato: Sepse ashtu si Ati ringjall të vdekurit dhe u jep jetë, po kështu edhe Biri i jep jetë kujtdo që do. Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit (5:21-22).

Biri ka Jetë në Vetvete

Jeta jote është një dhuratë nga Perëndia nëpërmjet bashkimit të babait dhe nënës tënde. Pa ata ti nuk do ekzistoje. Vetëm Perëndia ka jetë në Vetvete. Ai është qënia e vetme, ekzistenca e të cilit, nuk varet nga askush tjetër.

Por Jezusi thotë, “Sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete” (5:26). Këto fjalë na ndihmojnë të vërejmë të mrekulluar misterin e Trinisë. Kushtoi vëmendje faktit se Jezusi nuk tha, “Ati ka jetë në Veten e Tij, dhe Biri ka jetë në Veten e Tij.” Kjo do të nënkuptonte se ka dy perëndi, të dy me jetë në veten e tyre. Jezusi as nuk tha, “Ati ka jetë në Veten e Tij dhe i ka dhënë Birit të ketë jetë.” Kjo do të nënkuptonte se Biri ishte një krijesë, dhe si i tillë, i varur prej Atit ashtu siç jemi unë dhe ti.

Jezusi tha, “Sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete”. Ati dhe Biri ndajnë së bashku jetën e përjetshme të Perëndisë. Vëri bashkë të gjitha këto, dhe do fillosh të shohësh lavdinë e Zotit tonë Jezus Krisht. Një ditë Ai do të ringjallë të vdekurit dhe do të shpallë gjykimin final mbi gjithë njerëzimin, dhe Ai është në gjëndje t’u japë jetë të gjithë atyre që vijnë tek Ai.

Njohja e Perëndisë: Një Hamendësim apo Një Zbulim? 

Dhjata e Re vendos një theks të madh mbi identitetin e Jezusit. Ai është Perëndia me ne. Dhe kjo e vërtetë është e një rëndësie qëndrore, sepse nëse Biri nuk do të ishte Perëndi, ne nuk do ta njihnim Atin. Në një rast, Filipi i tha Jezusit, “Zot, na trego Atin, dhe na mjafton.” Jezusi i tha, “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; si vallë po thua: ‘Na e trego Atin?” (Gjoni 14:8-9).

Unë kam një vëlla në Angli. Ai më ngjan në disa gjëra, por është ndryshe nga unë në shumë aspekte të tjera. Unë nuk mund të them, “Nëse më keni parë mua, keni parë vëllain tim,” sepse edhe pse ne kemi të njëjtët prindër, ne jemi shumë ndryshe nga njëri-tjetri. Të më njohësh mua, nuk do të thotë të kesh njohur edhe vëllain tim. Nëse Biri nuk do të ishte Perëndi, ne nuk do të mund ta njihnim Atin. Më e shumta që do mund të thoshim do të ishte se dikush që ishte me Atin erdhi të na fliste ne për Të. Kjo do ta bënte Jezusin një engjëll apo profet, por Jezusi thotë, “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (14:9).

Kryqi: Një Akt Mizor apo një Dhuratë Dashurie? 

Bibla na tregon se Ati e hodhi fajin dhe ndëshkimin për mëkatet tona mbi Birin e Tij, dhe se ky ishte një demonstrim i dashurisë së Perëndisë për ne (Isaia 53:5-6; Romakëve 5:8). Por nëse Biri nuk do të ishte Perëndi, kryqi do të ishte një akt mizor, jo një dhuratë dashurie. Perëndia atëherë do të kishte zgjedhur një person në krijimin e Tij, dhe do të kishte derdhur mbi atë njeri dënimin që të gjithë meritonin. Çfarë lloj drejtësie do të ishte ajo? 

Nëse Biri nuk do të ishte Perëndi, do të na duhej ta rishkruanim Romakëve 5:8, “Zoti tregon padrejtësinë e tij, në atë që ndërsa ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Por Biri është Perëndi, dhe në kryq, ishte Perëndia që mbajti mëkatet tona dhe dha Veten për ne. Përpara se Perëndia të krijonte botën, Ai planifikoi të shpengonte njerëzimin, në mënyrë që ata të merrnin pjesë në lavdinë e Tij përjetë. Plani përfshinte një kosto të lartë. Nënkuptonte që Perëndia do të jepte Veten e Tij, dhe se kjo do të ishte shfaqja përfundimtare e natyrës dhe lavdisë së Tij.

Dhënia e Vetes për Perëndinë do përfshinte të tre personat e Trinisë. Ati do dërgonte Birin. Biri do jepte jetën e Tij. Fryma do jepte Veten tek çdo besimtar. Mendo pak rreth rolit të Atit dhe të Birit. Cili prej tyre kishte pjesën më të lehtë? Ai që do jepte Birin e Tij, apo Ai që do jepte jetën e Vet? Kjo pyetje nuk ka përgjigje. Ati dhe Biri e pranuan këtë kosto të përjetshme të dhënies së jetës dhe sakrificës për ty dhe mua.

Shpëtimi: Të Jesh i Sigurt apo të Shpresosh për më të Mirën? 

Nëse Biri nuk do të ishte Perëndi, ti nuk do të ishe kurrë i sigurt për shpëtimin tënd.

I telefonova kompanisë të kartës së kreditit kohët e fundit, sepse doja të ndryshoja llojin e kartës. “A mund ta bëj këtë nëpërmjet telefonit?” pyeta. Përfaqësuesja e kompanisë më siguroi se po. Disa ditë më vonë mora një letër.

I dashur Colin Smith,

Faleminderit për kërkesën e fundit, në lidhje me llogarinë e kartës së kreditit. Fatkeqësisht, ne nuk mund ta ndryshojmë llogarinë tuaj siç kërkuat. Nëse dëshironi të keni një lloj tjetër llogarie, ju lutemi na kontaktoni në numrin e telefonit të shkruar lart.

Ishte e qartë që kërkesa e përfaqësueses me të cilën kisha folur ishte refuzuar nga dikush tjetër. Ajo sinqerisht besonte se llogaria ime mund të ndryshonte nëpërmjet telefonit, por ajo nuk e kishte autoritetin ta bënte këtë.

Po sikur të ishte kështu edhe me Krishtin? Nëse Jezusi nuk do të ishte Perëndi, do të ekzistonte gjithmonë mundësia që Ai të përmbysej nga një autoritet më i madh. Dhe ne do ndesheshim me mundësinë e të arriturit përpara portave të parajsës, vetëm për të zbuluar se nuk na lejohet të hyjmë brenda. Por Ati ia ka besuar gjithë gjykimin Birit (Gjoni 5:22), dhe Biri është nga vetë natyra e Tij, Perëndi. Krishti qëndron mbi gjithë gjykatën supreme të universit. Nuk ka autoritet më të lartë. Kështu që, kur Biri thotë, “Ti je i falur,” ti je i falur me të vërtet!

Një Shteg i Hapur

Jezusi është Perëndia me ne, dhe për këtë arsye, ne mund ta njohim me të vërtetë Atin nëpërmjet Tij. Vdekja e tij në kryq është manifestimi përfundimtar i dashurisë së Perëndisë për ne. Hyjnia e Zotit Jezus Krisht është siguria jonë e shpëtimit. Jezusi tha, “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë” (Gjoni 5:24).

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Kur u bë Jezusi Biri i Perëndisë?
  2. Me fjalët e tua, cila është domethënia kur Bibla thotë se Jezusi është “Biri i Perëndisë”?
  3. Si do t’i përgjigjeshe dikujt që thotë, “Kryqi ishte një akt mizorie”?
  4. Përgjigju fjalisë: “Nëse Biri nuk do të ishte Perëndi, ne nuk do të mund ta njihnim Atin.”
  5. Në një shkallë nga 1 (aspak i sigurt) deri në 10 (plotësisht i sigurt), sa siguri ke ti në shpëtimin tënd? Cila është arsyeja ose arsyet, për sigurinë tënde apo mungesën e saj?
Save Progress
Shko në fillim