Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

2 Mbretërve 17:6-28

Izraeli shpërngulet në robëri në Asiri

6 Në vitin e nëntë të Hoseas, mbreti i Asirisë pushtoi Samarinë, i shpërnguli izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, si dhe në qytetet e Medit.

Shkaqet e robërimit

7 Kjo ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera;

8 kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit.

9 Bijtë e Izraelit kishin kryer gjithashtu në mënyrë të fshehtë kundër Zotit, Perëndisë të tyre, gjëra jo të drejta dhe kishin ndërtuar vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, nga kullat e rojes deri në qytetet e fortifikuara.

10 Kishin ndërtuar për veten e tyre shtylla të shenjta dhe Asherime mbi çdo kodër të lartë dhe poshtë çdo druri gjelbërues;

11 dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit;

12 u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: “Mos bëni një gjë të tillë!”.

13 Megjithatë Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën me anë të të gjithë profetëve dhe të shikuesve, duke thënë: “Kthehuni prapa nga rrugët tuaja të këqija dhe respektoni urdhërimet dhe statutet e mia, sipas tërë ligjit që u caktova etërve tuaj dhe që ju dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve”.

14 Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre.

15 Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t’i imitonin.

16 Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit;

17 kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.

18 Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.

19 As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli.

20 Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, deri sa i përzuri nga prania e tij.

21 Kur ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, ata shpallën mbret Jeroboamin, birin e Nebatit; pastaj Jeroboami e shmangu Izraelin nga rruga e Zotit dhe e bëri të kryente një mëkat të madh.

22 Kështu bijtë e Izraelit ndoqën tërë mëkatet e kryera prej Jeroboamit dhe nuk u larguan prej tyre,

23 deri sa Zoti e largoi Izraelin nga prania e tij, ashtu si kishte thënë me anë të tërë profetëve të tij, shërbëtorëve të tij; dhe Izraeli u shpërngul kështu me dhunë në vendin e Asirisë, ku ndodhet sot e kësaj dite.

24 Pastaj mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, nga Kuthahu, nga Ava, nga Hamathi dhe nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë në vend të bijve të Izraelit; kështu ata futën në dorë Samarinë dhe banuan në qytetet e saj.

25 Por në fillim të ngulimit të tyre atje, ata nuk kishin frikë nga Zoti; prandaj Zoti dërgoi në mes të tyre, disa luanë, të cilët vranë disa banorë.

26 Atëherë i thanë mbretit të Asirisë: “Njerëzit që ti i ke kaluar dhe vendosur në Samari nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit; prandaj ai ka dërguar në mes tyre luanë që i vrasin ata, sepse nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit”.

27 Atëherë mbreti i Asirisë dha këtë urdhër, duke thënë: “Bëni që të kthehet një nga priftërinjtë që keni internuar që andej; ai të shkojë të vendoset pranë tyre dhe t’u mësoj ligjin e Perëndisë të vendit”.

28 Kështu një nga priftërinjtë, që ishin internuar nga Samaria, shkoi dhe u vendos në Bethel dhe u mësoi atyre si duhet t’i druheshin Zotit.

Tjetra

Edhe pse Perëndia e shfaqi Veten përmes zjarrit në malin Karmel, njerëzit e Perëndisë vazhduan të adhuronin idhujt. Secili prej mbretërve në veri bëri atë që është e keqe në sytë e Perëndisë. Si përfundim Perëndia i lejoi armiqtë të pushtonin mbretërinë veriore. Mbreti i Asirisë dëboi të gjithë popullsinë, por më vonë ai e ripopulloi zonën me njerëz nga shumë kombe. Perëndia po përparonte në qëllimin e Tij për të bekuar të gjithë njerëzit.

Për shumë njerëz në kulturën e sotme, “mëkati” është bërë një fjalë që përshkruan kënaqësi paksa të tepruara, por që janë krejtësisht të pranueshme; pak a shumë si të hash shumë çokollatë. 

Imagjino një bashkëshort dhe baba 35-vjeçar në shtëpi të djelën në mëngjes. Le ta quajmë atë Bob. Ai sapo ka mbaruar së lexuari gazetën e të djelës dhe vendos se ka ardhur koha që më në fund të pastrojë bodrumin. Teksa u hedh një sy kutive me gjëra të vjetra që janë mbledhur, ai sheh një Bibël të vjetër që i përkiste gjyshes së tij. Diçka përbrenda i thotë se nuk duhet ta hedhë atë; ajo është e vjetër dhe përmban të gjitha shënimet që gjyshja e tij ka lënë nëpër faqet e saj. Ai e hap dhe lexon se “Jezus Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteu 1:15).

Kjo i duket Bobit paksa demode. Jezusi erdhi të shpëtojë ata që e teprojnë me kënaqësinë! Bobit i pëlqejnë tortat dhe e di që nuk duhet ta teprojë, por ai stërvitet rregullisht dhe është në formë të mirë, ndaj nga se ka nevojë ai të shpëtohet? Ai hedh një sy në disa faqe dhe lexon se Perëndia ishte i zemëruar me njerëzit që mëkatuan (Hebrenjve 3:10). Kjo nuk ka ndonjë kuptim për Bob-in. Përse duhet që mëkati, ashtu si ai e kupton atë, ta zemërojë Perëndinë? Çfarë lloj Perëndie zemërohet me njerëzit që e teprojnë pak me kënaqësinë?

Kështu, Bobi e mbyll Biblën, i qetë që kishte bërë zgjidhjen e duhur ta shpenzonte mëngjesin e së djelës në shtëpi. Ai e do bashkëshorten dhe fëmijët e tij, dhe nuk e kupton pse gjyshja e tij mendonte se Bibla është një libër kaq i mrekullueshëm.

Mëkati është duke marrë gjithnjë e më shumë një përkufizim të ri, në mënyra që të duket sikur nuk është ndonjë gjë e madhe. Por mëkati nuk është një kënaqësi që nuk bën dëm. Mëkati është të rebelohesh kundrejt Perëndisë, dhe kur e kupton se mëkati është problemi yt më i madh, do të zbulosh nevojën tënde për Jezusin.

Prioriteti i Perëndishmërisë 

Mëkati është një fuqi shkatërruese. Mund të shkatërrojë një jetë, një familje, ose një kishë. 2 Mbretërve 17 na tregon se si mëkati shkatërroi një komb të tërë. Pas vdekjes së Salomonit, 10 fiset në veri të Izraelit deklaruan pavarësinë e tyre nga dy fiset në jug, duke e ndarë veten nga bekimi që Perëndia i kishte premtuar linjës mbretërore të pasardhësve të Davidit. Ishin 19 mbretër në veri, dhe secili prej tyre bëri atë që ishte e keqe në sytë e Perëndisë. Pas rreth 200 vitesh, Perëndia i lejoi armiqtë e tyre ta pushtonin mbretërinë veriore. Njerëzit u dëbuan prej aty, dhe e gjithë zona u kthye në një lloj shkretëtire të braktisur.

Mbreti i parë i 10 fiseve veriore ishte i vendosur që populli i tij të mos shkonte në Jeruzalem për të adhuruar Perëndinë. Kështu që ai krijoi fenë e tij në Dan dhe Bethel, ku vendosi dy viçat prej ari. 

Kjo fe e krijuar nga njeriu solli si rrjedhojë një kulturë ku të pasurit jetonin në kamje dhe nuk donin t’ia dinin për të varfrit. Rrugët ishin të mbushura me dhunë, dhe njerëzit e Perëndisë i’u dhanë praktikave të tmerrshme, duke hedhur në zjarr fëmijët që nuk i donin. E megjithatë, akuza e parë që Perëndia solli kundër tyre, nuk ishte dhuna, vrasja, lakmia, dhe as mizoria ndaj fëmijëve. Ankesa e parë e Perëndisë, ishte që populli i Tij kishte adhuruar perëndi të tjerë (2 Mbretërve 17:7). 

Katër urdhërimet e para janë të gjitha për Vetë Perëndinë: “Mos ki perëndi të tjerë para meje. Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje…Mos e përdor emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot… Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar.” (Eksodi 20:3-4, 7-8). Thirrja jonë e parë është drejt një jete të përqendruar tek Perëndia.

Bibla e quan këtë “perëndishmëri” (shih 1 Timoteu 4:7), dhe kjo përparësi konfirmohet edhe nga mësimet e Jezusit. Kur e pyetën për urdhërin më të madh, Jezusi u përgjigj: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37).

Perëndishmëria Sjell Drejtësi

Pasi na thërret për perëndishmëri në katër urdhërimet e para, Perëndia na bën thirrje për drejtësi në marrëdhëniet tona me të tjerët: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde. Mos vrit. Mos shkel besnikërinë bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos lakmo” (Ekodi 20:12-17). Perëndia na thërret të reflektojmë dashurinë e Tij në marëdhëniet tona me njerëzit e tjerë. Krishti e konfirmoi këtë, kur Ai tha se urdhërimi i dytë është, “duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). 

Drejtësia është ndërtuar mbi themelet e perëndishmërisë, ndaj kur njerëzit refuzojnë Perëndinë, drejtësia u rrëshqet nga duart. Kur një komb i kthen kurrizin Perëndisë së gjallë, rezultati do të jetë konfuzion moral dhe përmbytje nga mëkati dhe ligësia. Në mbretërinë veriore mëkati filloi me njerëzit që refuzuan Perëndinë, dhe përfundoi me veprën makabër të hedhjes së fëmijëve të tyre në zjarr. Arsyeja pse ata humbën moralin e Biblës është se ata refuzuan Perëndinë e Biblës. Nuk mund të ketë drejtësi pa perëndishmëri.

Jeta pa Perëndinë

Miku ynë Bob, i cili po pastron bodrumin e tij në mëngjesin e së djelës, do që familja e tij të gëzojë frytet e drejtësisë. Ai do që martesa e tij të jetë e suksesshme, dhe do të donte që njerëzit që bëjnë biznes me të të jenë të ndershëm dhe të mbajnë fjalën e tyre. Ai pret nga zyrtarët shtetërorë të mos gënjejnë, dhe do që fëmijët e tij të jetojnë të sigurtë. 

Bobi do të gjitha frytet e drejtësisë, por ai nuk do Perëndinë. Dhe ky është mëkati i tij i parë dhe më i madh. Bobi është i paperëndishëm. Ai është një familjar i suksesshëm që do më të mirën për veten dhe familjen e tij, por ai nuk ka vend për Perëndinë në jetën e tij.

Instikti ynë i parë është të mos e duam Perëndinë, por ta fajësojmë Atë. Fuqia e Tij duket sikur kërcënon lirinë tonë, dhe Shenjtëria e Tij na fyen krenarinë. Në qoftë se Perëndia nuk i ndryshon zemrat tona, ne gjithmonë do ta urrejmë Atë. Mendja mëkatare është armiqësore ndaj Perëndisë (Romakëve 8:7).

Të Provokosh Zemërimin e Perëndisë 

Por Perëndia është jashtëzakonisht i durueshëm. Për 200 vjet Ai e përmbajti gjykimin e Tij dhe dërgoi profetët për të thirrur popullin në perëndishmëri dhe drejtësi, por ata nuk dëgjuan (2 Mbretërve 17:14). Në vend të kësaj, ata “Kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemërimin e Zotit” (17:11). 

Kushtoi vëmendje fjalës “shkaktuan.” Zemërimi nuk është në natyrën e Perëndisë. Ai është gjithmonë i shenjtë, Ai është gjithmonë dashuri, por Ai nuk është gjithmonë i zemëruar. Perënditë e lashta ishin nga natyra zemërakë, gjithmonë duke kërcënuar, dhe vazhdimisht kishin nevojë për zbutje. Kështu, flijimet e ofertat u bëheshin atyre për t’i zbutur, por zemërimi i tyre nuk shuhej kurrë, vetëm përmbahej. Por Perëndia i Biblës është krejt ndryshe: “Zoti është…i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi” (Psalmi 103:8). 

Nuk është në natyrën e Perëndisë të zemërohet, por Ai mund të provokohet për zemërim, dhe për këtë ne duhet të jemi falenderues. Ne nuk i admirojmë ata që qëndrojnë spektatorë ndërsa dikush po abuzohet. Si do të mund të adhuronim ne një Perëndi i cili po tregohej indifferent ndaj personave që hidhnin fëmijët e tyre në zjarr?

Kushtoi vëmendje gjithashtu faktit se çfarë bën Perëndia kur provokohet për zemërim: “Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij” (2 Mbretërve 17:18), një reference kjo për Tokën e Premtuar. Në fund të historisë së Biblës ne na thuhet se çdo person që ka jetuar do të qëndrojë përpara Perëndisë, dhe të paperëndishmit e të padrejtët do të dëbohen nga prania e Perëndisë. Ky është ferri–të kalosh përjetësinë jashtë bekimit të Perëndisë.

Mëshira e Perëndisë në Veprim

Kur Perëndia e largoi popullin e Tij nga prania e Tij, toka që Ai kishte premtuar ta bekonte mbeti e shkretë dhe e pabanuar. Por mbreti i Asirisë e ripopulloi zonën, duke sjellë njerëz nga e gjithë perandoria e tij dhe duke i vendosur aty (2 Mbretërve 17:24).

Kur këta emigrantë mbërritën, ata u përballën me një problem të papritur. Disa prej tyre u sulmuan nga luanët. Kur lajmi vajti në veshët e mbretit të Asirisë, ai mendoi se mënyra më e mirë për të zgjidhur këtë problem do të ishte të gjente një prift nga populli që kishte jetuar aty më parë. Ai mendoi se një prift i zonës do të dinte çfarë të bënte për të qetësuar cilindo “perëndi” që po e shkaktonte këtë problem. Kështu, ai dha urdhër që një prift Judaik të dërgohej në Izrael, dhe “Kështu një nga priftërinjtë, që ishin internuar nga Samaria, shkoi dhe u vendos në Bethel dhe u mësoi atyre si duhet t’i druheshin Zotit” (2 Mbretërve17:28).

Këtu u shfaq mëshira e Perëndisë në veprim. Ai solli njerëz nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi në vendin që Ai kishte premtuar të bekonte, dhe dërgoi një nga priftërinjtë e Tij, në mënyrë që ata njerëz të mund ta njihnin Atë. Njerëz nga shumë kombe patën mundësinë të njihnin të vërtetën, por me kalimin e kohës ata u bënë të hutuar sepse ata vazhdonin të adhuronin edhe perënditë e tyre (17:29). Këta njerëz u bënë të njohur më vonë si Samaritanët. 

Kur Jezusi shkoi nëpër Samari (Gjoni 4:4), Ai takoi një grua aty e cila ishte e paperëndishme dhe mëkatare. Jezusi nuk filloi t’i thonte asaj që Perëndia ishte i zemëruar për mëkatet e saj. Ai filloi duke e udhëhequr atë drejt një marrëdhënie të drejtë me Zotin. Ai i tha asaj se Perëndia po kërkon “adhurues të vërtetë që ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:23).

Perëndishmëria është rrënja e drejtësisë, dhe ka pak kuptim të flasësh për drejtësi me një person që nuk e njeh dhe nuk e do Perëndinë. Jezusi filloi duke i folur gruas Samaritane në lidhje me njohjen e Perëndisë, sepse ajo mund të ndryshonte vetëm kur të zbulonte fuqinë transformuese të një jete të përqendruar tek Perëndia. 

Krishti vdiq në mënyrë që të zgjidhte problemin e paperëndishmërisë dhe padrejtësisë tek ne. Mbi kryq, Ati u soll me Birin sikur Ai të kishte jetuar një jetë të paperëndishme dhe sikur Ai të ishte fajtor për të gjitha llojet e mëkateve. Ati u largua nga Biri i Tij, i cili mbeti jashtë pranisë së Perëndisë. Kjo është dhe arsyeja pse Jezusi thirri, “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46)

Krishti “vuajti një herë e përgjithmonë për mëkatet tona, ai, i drejti për të padrejtët, për t’ju çuar te Perëndia.” (1 Pjetri 3:18). Nëse do të vish tek Jezusi me besim dhe pendesë, Ai do të të drejtojë drejt një jete të perëndishme, që do jetë fillimi i rritjes tënde në drejtësi. 

Një Shteg i Hapur

Perëndia na thërret për perëndishmëri dhe drejtësi. Ne duhet ta duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë, dhe ne duhet të duam të afërmin tonë si vetveten. Moraliteti nuk mund të ruhet kur ne humbasim njohurinë e Perëndisë. Por kur vijmë tek Jezus Krishti, Ai do të na pajtojë me Atin dhe do na drejtojë në rrugën e drejtësisë.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Si e ke kuptuar mëkatin deri më sot?
  2. Cili është ndryshimi midis perëndishmërisë dhe drejtësisë?
  3. Cili është prioriteti më i madh për ty, ndjekja e perëndishmërisë, apo e drejtësisë? Pse?
  4. Çfarë ndryshimi ka për ty nëse Perëndia “provokohet” për zemërim, apo zemërimi është pjesë e natyrës së Tij?
  5. Nëse do që të bëhesh njeri më i drejtë, si mund të të ndihmojë Jezusi për këtë?
Save Progress
Shko në fillim