Ekzistojnë tre role të dallueshme udhëheqëse në Dhjatën e Vjetër: profeti, prifti, dhe mbreti. Profetët qëndronin në praninë e Perëndisë dhe dëgjonin Fjalën e Perëndisë, në mënyrë që ata të mund ta flisnin atë Fjalë me njerëzit. Profetët udhëhiqnin në sferën e së vërtetës. Shërbesa e priftërinjve ishte e lidhur me adhurimin. Ata ofronin lutje dhe sakrifica në tempull, dhe i sillnin njerëzit në praninë e Perëndisë nëpërmjet një shërbese përkujdesje dhe këshilluese.
Mbretërit i çonin njerëzit në betejë dhe i mbronin ata nga armiqtë e tyre. Ata ishin gjithashtu përgjegjës për udhëheqjen e njerëzve në rrugë të drejtë, në mënyrë që ata të vazhdonin të gëzonin bekimin e Perëndisë.
Këto tre shërbesa të marra së bashku, na tregojnë planin e Perëndisë për udhëheqje. Profeti do t’i çonte njerëzit drejt së vërtetës, prifti do t’i sillte njerëzit te Perëndia, dhe mbreti do t’i udhëhiqte njerëzit në drejtësi. Shërbesa e profetit kishte të bënte me zbulimin, shërbesa e priftit ishte rreth ripajtimit, dhe shërbesa e mbretit ishte rreth sundimit.
Bariu Udhëheqës
Imazhi i një bariu bashkon rolet e profetit, priftit, dhe mbretit në një tablo të bukur që përfshin të tre dimensionet e udhëheqjes biblike. Bariu ushqen delet—duke e mbajtur popullin e Perëndisë me një dietë të shëndetshme të Fjalës së Perëndisë. Bariu kërkon delet —gjen delet që janë të humbura, dhe i sjell ato përsëri në tufë.
Bariu i drejton delet—duke i dhënë drejtim dhe mbrojtje tufës. Pra, kur Perëndia flet për barinjtë, Ai po flet për gjithçka që përfshihet në udhëheqjen e popullit të Tij. Shumica e profesioneve kanë një sistem me anë të të cilit bëjnë një rishqyrtim ose vlerësim vjetor të mënyrës se si punonjësit kanë kryer detyrat e tyre. Perëndia u kishte besuar barinjve të Izraelit një përgjegjësi të madhe, dhe te Ezekieli 34, Ai jep një vlerësim të performancës së tyre.
Ky nuk ishte një rishqyrtim pozitiv: “Bir njeriu, profetizo kundër barinjve të Izraelit; profetizo dhe u thuaj atyre barijve: Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten e tyre! A nuk duhet përkundrazi të kullosin kopenë?” (Ezekieli 34:2). Perëndia ngriti tre akuza kundër udhëheqësve të popullit të tij: ata kishin abuzuar me fuqinë e tyre, kishin përmbysur të vërtetën, dhe kishin lënë pas dore Perëndinë.
Udhëheqësit që Abuzojnë me Pushtetin e Tyre
Populli i Perëndisë vuajti nën një model të vazhdueshëm abuzimi. Shumë mbretër ishin të këqinj, madje edhe mbretërit më të mirë përfunduan duke vendosur barra të mëdha mbi njerëzit. Perëndia i akuzoi ata për dështimin e tyre të plotë për t’u kujdesur për kopenë e Tij: “Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni rikthyer në shtëpi të hutuarën, dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë dhe ashpërsi” (34:4).
Udhëheqësit që Përmbytën të Vërtetën e Perëndisë
Perëndia gjithashtu paditi ata që pretenduan të ishin profetë por e zëvendësuan Fjalën e Perëndisë me mendimet e tyre: “Bir njeriu, profetizo kundër profetëve të Izraelit që profetizojnë dhe u thuaj atyre që profetizojnë sipas zemrës së tyre: Dëgjoni fjalën e Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë profetët e pamend që ndjekin frymën e tyre duke mos parë asgjë!” (Ezekieli 13:2-3).
Këta udhëheqës studiuan kulturën për të zbuluar atë që njerëzit donin të dëgjonin. Pastaj ata i dhanë një formë të re mesazhit të tyre për ta përshtatur me nevojat që ishin për momentin. Në kohën e Ezekielit këta profetë e mashtruan popullin e Perëndisë duke thënë “paqe”, kur Perëndia në të vërtetë kishte thënë se nuk do të kishte paqe (Ezekieli 13:10). Ajo që Perëndia kishte thënë nuk i shqetësonte ata. Shërbesa e tyre nuk drejtohej nga e vërteta, por nga kërkesat e njerëzve.
Udhëheqësit që e Mospërfillën Perëndinë
Priftërinjve u ishte dhënë një shërbesë për ta afruar popullin tek Perëndia, por ata u përqëndruan të ndihmonin njerëzit të kishin paqe me veten, në vend që t’i ndihmonin ata të gjenin paqe me Perëndinë.
Ata nuk po ushtronin një shërbesë lutje, apo t’u tregonin njerëzve si të kishin paqe me Perëndinë: “Priftërinjtë e tij shkelin ligjin tim dhe përdhosin gjërat e mia të shenjta, nuk bëjnë dallim midis asaj që është e shenjtë dhe jo e shenjtë, nuk e bëjnë të njohur ndryshimin ndërmjet të papastrës dhe të pastrës, dhe i largojnë sytë nga shabatet e mi, prandaj jam përdhosur në mes tyre” (Ezekieli 22:26).
Kur Perëndia hidhte vështrimin tek barinjtë e Izraelit Ai shihte abuzime të tmerrshme të pushtetit, një fshehje të qëllimshme të së vërtetës, dhe një mospërfillje të vetë Perëndisë. Dhe rezultati i gjithë kësaj ishte që tufa e Perëndisë ishte e kequshqyer, ata nuk u kujdesën për delet, dhe ato nuk ishin të mbrojtura.
Koha për një Bari të Ri
Për Perëndinë, situata e popullit të Tij ishte e patolerueshme, ndaj Ai vendosi të ndërhyjë: “Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë’ thotë Zoti, Zoti” (Ezekieli 34:15). Perëndia po thoshte, “Unë do të jem profeti, prifti, dhe mbreti i popullit Tim. Unë vetë do ta sjell të vërtetën tek ata. Unë do vij dhe do kujdesem vetë për ta. Unë vetë do t’i mbroj dhe drejtoj në rrugën e duhur.”
Si do ta bëjë Perëndia këtë? Le të shohim 600 vjet më pas në histori, atëherë kur Jezus Krishti lindi në këtë botë. Ai tha se populli i Perëndisë ishte “i shpërndarë si delet që nuk kanë bari” (Mateu 9:36) dhe Ai kishte dhembshuri për ta. Ai tha, “Unë jam bariu i mirë” (Gjoni 10:11). “Të gjithë ata që erdhën para meje, janë vjedhës e kusarë” (Gjoni 10:8). Ata abuzuan me delet, por Jezusi dha jetën e Tij për to (Gjoni 10:11). Ata i therën delet, por Jezusi erdhi që delet të kenë jetë (Gjoni 10:10).
Jezusi është bariu i mirë, i cili i ushqen, i kërkon, dhe i udhëheq delet. Ai do të të ushqejë ty me të vërtetën. Ai do të të sjellë përsëri tek tufa kur të humbasësh (Luka 15:5-6). Ai do të të mbrojë nga armiku dhe, kur vdekja të vijë, Ai do të të japë jetën e përjetshme: “Delet e mia … nuk do të humbasin kurrë, dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime” (Gjoni 10:27-28).
Udhëheqja Abuzive
Jezusi ka një butësi të veçantë ndaj njerëzve që kanë vuajtur nën udhëheqës abuzivë, sepse edhe Ai e di se çfarë do të thotë të vuash kur je nën barinj abuzivë. Kur turma të mëdha mblidheshin rreth Jezusit, udhëheqësit fetarë të kohës e panë rrezikun e humbjes së tufave të tyre. Kështu që ata e arrestuan Jezusin, dhe Bariu i Mirë doli para gjyqit për shkak të barinjve e Izraelit. Kur Jezusi doli para Kajafës, Kryeprifti i lejoi barinjtë ta pështynin dhe ta godisnin Atë me shuplaka dhe me grushta (Mateu 26:67).
Kur Jezusi u dërgua te Herodi, mbreti nuk bëri asgjë për ta mbrojtur Atë. Kur Jezusin e shpunë para Pilatit, guvernatori nuk tregoi interes për të vërtetën (Gjoni 18:38). Vendimi i tij për Jezusin nuk u bazua tek drejtësia, por në gjendjen shpirtërore mbizotëruese të njerëzve. Pilati lau duart dhe e dorëzoi Jezusin që të kryqëzohej. Shpëtimtari yt e di se çfarë do të thotë të vuash nën duart e barinjve që abuzojnë me pushtetin, përmbysin të vërtetën, dhe kujdesen më tepër për veten e tyre sesa për Perëndinë. Nëse ke vuajtur nën një udhëheqje abusive, ti ke një Shpëtimtar tek i cili mund të vish.
Bariu i Mirë
Jezusi, Bariu i Mirë, thotë, “Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t’i kullot me drejtësi” (Ezekieli 34:16).
I humbur do të thotë që ti nuk e di se ku je, dhe nuk mund ta gjesh rrugën tënde dhe të shkosh atje ku duhet të jesh. Nëse ndihesh i humbur sot, Jezusi erdhi të të kërkojë dhe të të shpëtojë ty. Dhe nëse do t’i jepesh Atij, Ai do të të sjellë sërisht në shtëpi.
I hutuar do të thotë që je larguar nga delet e tjera. Je i izoluar, dhe sepse je vetëm, je i cënueshëm. Por Jezusi mund të të rikthejë sërisht.
I plagosur, do të thotë se diçka ka ndodhur në jetën tënde që të ka lënduar vërtet. Ndoshta je plagosur nga dikush që ka abuzuar me pushtetin ose shtrembëruar të vërtetën. Jezusi po të thotë sot, “Unë do t’i lidh plagët e tua”. Ndoshta mund të thuash: “Plagët e mia janë shumë të thella!” Por duhet të dish se nuk ka asnjë plagë që Krishti nuk mund të mos shërojë.
I dobët do të thotë që nuk ke forcë për të bërë atë që duhet të bësh. Nëse nuk e di se si do ta përballosh këtë javë, Jezusi ofron të të japë ty forcë.
Sa gjë e mrekullueshme t’i përkasësh dhe të kesh drejtim të plotë nga Biri i Perëndisë. Kur mund të thuash: “Zoti është bariu im”, do të jesh në gjendje të thuash, “Asgjë nuk do të më mungojë” (Psalmi 23:1). Por pastaj Perëndia thotë, “Do të shkatërroj të majmen dhe të fortën.” Të majmët dhe të fortët, janë ata që mendojnë se nuk kanë nevojë për bariun. Perëndia do të sjellë drejtësi për të gjithë ata që abuzojnë me pushtetin, dhe për të gjithë ata që i rezistojnë sundimit të Tij.
Një Shteg i Hapur
Përkujdesja e tufës së Perëndisë përfshin shërbesat e profetit, priftit, dhe mbretit. Ata që kanë marrë nga Perëndia përgjegjësinë e drejtimit në kishë nuk duhet të abuzojnë me pozitën dhe pushtetin e tyre. Është abuzim i privilegjit t’u mësosh opinionet e tua të tjerëve, të mospërfillësh nevojat shpirtërore të popullit të Perëndisë, apo të vendosësh mbi ta barra të panevojshme.
Udhëheqësit e efektshëm do të mësojnë vetëm të vërtetën e Perëndisë, do të përkujdesen për popullin e Perëndisë, dhe do e drejtojnë tufën e Tij në shtigjet që i pëlqejnë Atij. Ata do të përqëndrohen tek këto detyra, sepse ata i japin llogari Bariut të Madh, Jezus Krishtit, i cili dha jetën e Tij për delet (Veprat 20:28).