Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

2 Mbretërve 22:1-20

Josia, mbret i Judës

1 Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin e tij tridhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jedidah, ishte e bija e Adajahut nga Botskathi.

2 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe vazhdoi tërësisht rrugën e Davidit, atit të tij, duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë.

3 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia, mbreti dërgoi në shtëpinë e Zotit Shafanin, sekretarin, birin e Atsaliahut, që ishte bir i Meshulamit, duke thënë:

4 “Shko te kryeprifti Hilkiah dhe i thuaj që të mbledhë paratë që kanë sjellë në shtëpinë e Zotit dhe ato që derëtarët kanë mbedhur nga populli.

5 T’u jepet në dorë atyre që kryejnë punën, që u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit; dhe këta t’ua japin punëtorëve që ndodhen në shtëpinë e Zotit për të meremetuar dëmtimet e tempullit;

6 marangozave, ndërtuesve dhe muratorëve, për të blerë lëndën e drurit dhe gurë të latuar, të cilat nevojiten për të ndrequr tempullin.

7 Por mos kërkoni fare llogari për paratë e dorëzuara në duart e tyre, sepse ata veprojnë me ndershmëri”.

Rigjetja e librit të ligjit

8 Atëherë kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, sekretarit: “Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit”. Hilkiahu ia dha pastaj librin Shafanit që e lexoi.

9 Kështu Shafani, sekretari, shkoi te mbreti për t’i njoftuar ngjarjen, duke i thënë: “Shërbëtorët e tu kanë mbledhur paratë e gjetura në tempull dhe i kanë dorëzuar në duart e atyre që bëjnë punën, të cilëve u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit”.

10 Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: “Prifti Hilkiah më ka dhënë një libër”. Dhe Shafani e lexoi në prani të mbretit.

11 Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij.

12 Pastaj mbreti urdhëroi priftin Hilkiah, Ahikamin, birin e Shafanit, Agborin, birin e Mikajahut, Shafanin, sekretarin, dhe Asajahun, shërbëtorin e mbretit:

13 “Shkoni dhe konsultohuni me Zotin për mua për popullin dhe për tërë Judën, lidhur me fjalët e këtij libri që u gjet; sepse i madh është zemërimi i Zotit kundër nesh, sepse etërit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri dhe nuk kanë vepruar në përshtatje me të gjitha ato që janë shkruar për ne”.

14 Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shalumit të Tikvahut, që ishte i biri i Harahsit, ruajtësit të rrobave, (ajo banonte në Jeruzalem, në lagjen e dytë) dhe folën me të.

15 Ajo u përgjigj: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njoftojani atij që ju dërgoi tek unë:

16 “Kështu thotë Zoti: Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, tërë fjalët e librit që mbreti i Judës ka lexuar,

17 sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera për të më zemëruar me të gjitha veprat e duarve të tyre. Prandaj zemërimi im u ndez kundër këtij vendi dhe nuk do të shuhet”.

18 Por mbretit të Judës, që ju ka dërguar për t’u konsultuar me Zotin, do t’i thoni kështu: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ti ke dëgjuar,

19 sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit kur dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vendi dhe banorëve të tij, që do të bëheshin një dëshpërim dhe një mallkim, dhe grise rrobat dhe qave përpara meje, edhe unë të dëgjova”, tha Zoti.

20 “Prandaj, ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu dhe ty do të të vendosin në paqe në varrin tënd; dhe sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi”. Dhe ata ia njoftuan mbretit këtë mesazh.

Tjetra

Pas rënies së mbretërisë veriore, të dy fiset në jug luftuan. Shumë nga mbretërit e tyre bënë të këqija të mëdha, por njëri prej tyre kishte dëshirë të kërkonte Perëndinë. Josia udhëhoqi një reformim të madh moral, gjatë të cilit idhujt u larguan nga toka. Por zemrat e njerëzve nuk ndryshuan, dhe pas vdekjes së Josias, njerëzit e Zotit u kthyen sërisht tek idhujt e tyre.

Si do të ndiheshe nëse do të dëgjoje në lajme një mëngjes se 42 nga 50 shtetet e SHBA’së, janë larguar nga bashkësia dhe secila ka ngritur qeveritë dhe ushtritë e tyre të pavaruara? Më pas, disa vite më vonë, të gjitha këto shtete të pavarura të ishin pushtuar nga armiqtë e tyre dhe të ishin rrënuar? 

Si qytetar i një prej 8 shteteve të mbetura të SHBA’së, nuk do të ishe më pjesë e një prej shteteve më të fuqishme të botës. Në vend të kësaj, ti do të ishe banor i një vendi të vogël dhe të pafuqishëm. Ajo që dikur dukej e fortë dhe e sigurt, tani do të dukej e dobët dhe e cënueshme. 

Kështu ishte për popullin e Perëndisë në dy fiset që shpikën mbretërinë jugore. Në kohën e Davidit, Izraeli ishte një fuqi dominuese me të 12 fiset e bashkuara. Por pasi 10 nga 12 fiset deklaruan pavarësinë e tyre, gjërat ndryshuan krejt për jugun. Kombi u zvogëlua në aspektin ushtarak dhe ekonomik, dhe brenda 200 viteve, mbretëria veriore u pushtua nga armiqtë dhe 10 fiset u shpërndanë. 

Premtimi i Perëndisë për të bekuar pasardhësit e Abrahamit dhe më pas për të sjellë bekim kombeve të botës nëpërmjet tyre, duhet të jetë dukur tashmë si i parealizueshëm. Por premtimi i Perëndisë për të bekuar popullin e Tij nuk është anuluar kurrë.

Një Kthesë Për Më Keq

Për shumë vjet, populli i Judës pati fatin të udhëhiqej nga mbretër më të mirë se vëllezërit dhe motrat e tyre në veri. Por gjërat morën një drejtim më të keq, kur Manasi u ul në fron. Ai mbretëroi për 55 vjet (2 Mbretërve 21:1), dhe i solli më tepër telashe popullit të Perëndisë se çdo njeri tjetër. “Manasi i shtyu të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit” (21:9).

Perëndia i kishte përzënë Kananitët nga vendi për shkak të mëkateve të tyre të shumta, por tani vetë populli i Perëndisë po bënte gjëra që ishin shumë herë më keq! Manasi nxiti adhurimin e Molekut, që përfshinte një ritual në të cilin fëmijët sakrifikoheshin në zjarr (21:6). Nëse Perëndia i gjykoi Kananitët për mëkatin e tyre, si do të mund ta përmbante Ai gjykimin për popullin e Tij (21:11)? Populli i Perëndisë ishte thirrur për të qënë dritë në një vend të errët, por realiteti ishte se ata po jetonin në të njëjtën errësirë si njerëzit e tjerë rreth tyre. 

Në fund të mbretërimit të Manasit, djali i tij Amon u ul në fron, por ai zgjati vetëm dy vjet para se të vritej, duke lënë mbret birin e tij 8-vjeçar, Josian. 

Ndikimi i një Udhëheqësi të Perëndishëm

Në kontrast me të atin dhe gjyshin e tij, Josia “bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe vazhdoi tërësisht rrugën e Davidit, atit të tij, duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë” (2 Mbretërve 22:2). Josia filloi të kërkonte Perëndinë në vitin e tetë të mbretërimit të tij (2 Kronikave 34:3), që duhet të ketë qenë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Kur ishte adoleshent, ai zhvilloi një zemër për Perëndinë që i dha formë gjithë jetës së tij. Nuk është kurrë shumë herët të kërkosh Zotin.

Josia donte t’i kthente njerëzit e Zotit në rrugën e duhur, por ai nuk kishte njohuri rreth Biblës ku të mbështetej, dhe asnjë shembull të perëndishëm për të ndjekur. Ai u rrit në një kulturë shpirtërisht të hutuar dhe biblikisht injorante, dhe megjithatë thellë në zemrën e tij ekzistonte një dëshirë e fortë për të njohur Perëndinë. 

Këtu qëndron pyetja e qartë: Nëse je duke kërkuar Perëndinë, si do ta gjesh Atë? Ndoshta mund të thuash: “Unë dua të jem ndryshe. Nuk dua të vazhdoj të bëj të njëjtat gjëra që kanë bërë të gjithë paraardhësit e tjerë në familjen time. Unë dua të ndryshoj dhe e di që kam nevojë për ndihmën e Perëndisë, por si mund ta gjej Atë?” 

Rizbulimi i Biblës

Josia e dinte që Perëndia duhej të adhurohej në tempull, kështu që vendosi të riparonte shtëpinë e Perëndisë (2 Mbretërve 22:3-5). Ndërsa puna ishte në vazhdim, kryeprifti Hilkiah gjeti një libër të vjetër që do ndryshonte drejtimin e gjithë kombit. Ai tha, “Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit” (22:8). Ky libër ka shumë gjasa të ishte një kopje e Ligjit të Përtërirë, dhe është për tu çuditur se si mund të kishte humbur, sidomos në vetë tempullin e Perëndisë!

Fjala e Perëndisë dënonte gjithçka që Manasi kishte bërë, dhe nuk është e vështirë të imagjinosh pse priftërinjtë i kishin injoruar Shkrimet e Shenjta. Nëse ata do kishin predikuar nga Bibla në kohën e Manasit, ata do të kishin rënë ndesh me kulturën e kohës. Kështu që ata kishin zgjedhur ta varrosnin Biblën, dhe 50 vjet më vonë, një brez i ri u rrit që nuk e njihte Perëndinë apo ligjin e Tij. 

Gjëja më e mahnitshme është se priftërinjtë vazhduan punën e tyre në tempull pa përdorur fare Shkrimet! Ndoshta kjo ka qenë edhe përvoja jote. Mund të kesh qenë duke kërkuar Zotin dhe ke shkuar edhe në kishë, por Bibla hapej rrallë. Edhe nëse lexohej nuk kishte asnjëherë shpjegim, dhe ti ke mbetur me një uri të madhe në shpirtin tënd. 

Rizbulimi i të Drejtës dhe i të Gabuarës

Libri i Ligjit të Përtërirë i’u lexua Josias, dhe “Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij” (2 Mbretërve 22:11). Mos u habit nëse efekti i parë i Fjalës së Zotit në jetën tënde është të të bëjë të ndihesh sikur do të grisësh rrobat e tua. Kur të shohësh jetën për të cilën Perëndia të thërret, do të shohësh se sa larg je nga ajo, dhe se sa larg je nga Ai. Ti do të fillosh të thuah: “Pse nuk e dija këtë? Asgjë në jetën time nuk përputhet me atë që Perëndia kërkon nga unë! ” 

Josia mblodhi pleqtë dhe popullin, dhe u lexoi të gjithë librin e Ligjit të Përtërirë me zë të lartë. Duke qëndruar pranë kollonave të tempullit, ai bëri një betim publik për t’iu bindur Zotit. Dhe të gjithë njerëzit u bashkuan me të, duke bërë të njëjtin zotim (23:2-3). Fjala e Perëndisë ndezi një zjarr në jetën e Josias, dhe ai vendosi që do të vinte në praktikë atë që Zoti kishte thënë. Ky vizion e rrëmbeu mendjen dhe shpirtin e tij: me hirin e Perëndisë unë do të jetoj një jetë që e nderon Atë. 

Josia udhëtoi nëpër të gjithë vendin, dhe kudo që ai gjente altarë apo shenja të tjera idhujtarie, ai i shkatërroi ato totalisht. Kjo ishte masakra më e madhe kundër praktikave të idhujtarisë në historinë e Izraelit. Asgjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Altarët e idhujve që Salomoni kishte ndërtuar për gratë e tij të huaja kishin qëndruar për 300 vjet, ashtu siç ndodhi edhe për viçin e artë të ngritur nga Jeroboami (23:13, 15). Asnjë mbret tjetër nuk pati guximin t’i prekte ato, por Josia i shkatërroi ato plotësisht. 

Perëndia e përmbajti gjykimin mbi kombin gjatë gjithë jetës së Josias: “sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit…sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi” (2 Mbretërve 22:19-20). Josia nuk reshti së kërkuari drejtësinë: “Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t’i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai” (2 Mbretërve 23:25). Nuk mund të kërkosh një epitaf më të bukur se ky!

Drejtësia Fillon në Zemër 

Por pati limite tek arritjet e Josias. Pjesa më e madhe e ndryshimit erdhi si pasojë e aktivitetit të vetë Josias. Nuk ishte një lëvizje e thjeshtë shoqërore, por një ndërhyrje nga shteti! Pati një element të fortë detyrimi në gjithë këtë. Ndaj nuk është për t’u çuditur se për aq kohë që Josia jetoi, “Gjatë gjithë jetës së tij ata nuk hoqën dorë së ndjekuri ZOTIN, Perëdinë e etërve të tyre” (2 Kronikave 34:33). Por, sapo Josia vdiq, e pashmangshmja ndodhi. Gjërat u kthyen prapë siç kishin qënë para tij.

Profeti Jeremia na jep një pasqyrim interesant për kufizimet e reformës së Josias: “Juda nuk u kthye tek unë me gjithë zemrën e saj, por me shtirje, thotë Zoti” (Jeremia 3:10). A je dhe ti kështu? Duke u shtirë të jesh një version me prindërit dhe dikush tjetër me miqtë? Një gjë në punë, një tjetër në shtëpi, dhe një tjetër akoma në kishë? Nëse gjithçka që bën është të përshtatesh me pritjet e të tjerëve, kur të jesh me një turmë tjetër do të jesh sërisht një person tjetër. Si përfundim, nuk do të dish se kush je. 

Një sjellje e mirë shpesh nuk është asgjë më tepër sesa thjesht pasqyrimi i ambjentit që na rrethon. Drejtësia e vërtetë mund të vijë vetëm nga një zemër e cila është ndryshuar nga Perëndia, dhe për këtë arsye Perëndia premtoi një besëlidhje të re: Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre” (Jeremia 31:33). 

Perëndia po premtonte të bënte atë që asnjë prind, kishë, apo shtet nuk mund të bëjë–të vendosë Ligjin e Tij në mendjet dhe zemrat tona, në mënyrë që ne të duam të bëjmë atë që Ai ka urdhëruar. Shekuj më vonë, Jezusi mori një kupë të mbushur me verë dhe tha, “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që derdhet për ju” (Luka 22:20). Ai po fliste për besëlidhjen që Perëndia kishte premtuar nëpërmjet Jeremias, sipas të cilës Perëndia do na ndryshojë nga brenda.

Kur ti vjen tek Jezusi me besim dhe pendesë, Ai do të vendosë një dëshirë për drejtësi në ty. Ky është premtimi i besëlidhjes së re. Perëndia na jep shumë më tepër se Ligjin e Tij, Ai na jep Veten e Tij! Fryma e Perëndisë krijon dëshira dhe aftësi të reja brenda teje. Për këtë arsye do të duash Perëndinë, dhe do kesh dëshirë për drejtësi. Do të kesh dëshirë të lutesh, dhe kur mëkaton, nuk do kalojë shumë kohë përpara se të ndjesh nevojën për t’u kthyer tek Krishti dhe të marrësh faljen. 

Kjo uri dhe etje për drejtësi, është një nga bekimet e jetës së Krishterë. Ata që kanë uri për ato që Perëndia ka ndaluar, në fund do të përjetojnë vetëm boshllëk dhe zhgënjim, por ata që dëshirojnë drejtësi, do të ndihen të përmbushur (shih Mateu 5:6). Mos u kënaq vetëm me një bindje të jashtme të vlerave të Krishtera, kur Krishti mund të të japë një zemër të re.

Një Shteg i Hapur

Drejtësia zbulohet në Fjalën e Perëndisë, dhe pa Fjalën nuk mund të dallojmë të drejtën nga e gabuara. Nëse drejtësia do të rikthehet në familjet tona, kishat tona, dhe kombin tonë, atëherë ata që e duan Perëndinë duhet ta marrin seriozisht vënien në praktikë të Biblës. Drejtësia duhet të burojë nga zemra. Sigurisht, ligjet e mira janë më të mira se ato të këqija, dhe ato kanë vlerë të madhe në frenimin e së keqes. Por ligji nuk mund të sjellë një ndryshim të zemrës, dhe kjo është arsyeja pse përpjekjet për të imponuar fenë gjithmonë dështojnë.  

Qëllimi i Perëndisë nuk është të imponojë një bindje sipërfaqësore të ligjit të Tij, por të kultivojë një dëshirë të brëndshme për drejtësi. Ky është premtimi i besëlidhjes së re dhe punës së Frymës së Shenjtë. Kjo përfshin ndryshimin e zemrës sonë për të na dhënë një uri të re për drejtësi, dhe një aftësi të re për të ndjekur një jetë që i pëlqen Perëndisë.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Fol për një rregull që duhet të ndiqje kur ke qenë duke u rritur. Cili ishte efekti i tij në zemrën tënde?
  2. Josia u rrit në një kulturë që ishte shpirtërisht e pështjelluar e biblikisht anafalbete, por gjithsesi, thellë brenda tij ai kishte një dëshirë të njihte Perëndinë. Në cilin aspekt e gjen veten më shumë në lidhje me përvojën e tij?
  3. Cilat janë vlerat e ligjeve morale? Cilat janë limitet e tyre?
  4. Nga e ka prejardhjen drejtësia e vërtetë?
  5. Çfarë është në gjendje të bëjë Perëndia që asnjë prind, kishë, apo qeveri nuk mund ta bëjë kurrë?
Save Progress
Shko në fillim