Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Gjoni 14:1-7

1 Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndinë dhe besoni në mua! 

2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.

3 Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis një vend, do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.

4 Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën”.

5 Thomai i tha: ”Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?”

6 Jezusi i tha: ”Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.

7 Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë”.

Tjetra

Kur Jezusi u ngrit në qiell, dy engjëj u thanë dishepujve: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell” (Veprat 1:11). Të krishterët presin ditën e madhe kur Krishti do të vijë përsëri. Çdo besimtar do të marrë pjesë në atë ditë. Ata që kanë vdekur tashmë do të vijnë me Të, dhe ne që jemi ende gjallë do ta takojmë Zotin në ajër (1 Thesalonikasve 4:14, 17).

Jezusi foli shpesh për kthimin e tij, por asnjëherë më qartë sesa natën para se të vdiste. Ishte një darkë në të cilën gjithçka dukej se shkoi keq. Ndërsa shikojmë prapa te nata e Darkës së Fundit, do të zbulojmë rëndësinë e kthimit të Jezusit për betejat tona sot.

Herët në mbrëmje, Jezusi tronditi miqtë e Tij duke i thënë se dikush që ishte i ulur në tryezë do ta tradhtonte Atë. Njëri pas tjetrit ata filluan të thonë: “Mos jam unë, Zot?” (Mateu 26:22). Askush nuk tha, “Zot, është Juda?” Padyshim, ai ishte i besuar dhe i respektuar. Mbi të gjitha, ata e kishin vënë Judën në krye të parave, dhe ti nuk i jep një njeriu paratë e tua nëse nuk i beson. Gjoni, i cili ishte ulur pranë Jezusit, e pyeti për kë po fliste, dhe Jezusi tha: “Është ai të cilit unë do t’i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer.” (Gjoni 13:26). Pastaj Ai ia ofroi bukën Judës.

Juda prej kohe kishte planifikuar për ta tradhtuar Jezusin, por tani vendimi përfundimtar u mor në mendjen e tij. Gjoni na tregon se “pas kafshatës, Satani hyri në të” (13:27). Vini re rendin e ngjarjeve. Satani hyri në një mendje që ishte e hapur plotësisht ndaj veprimtarisë së tij. Pastaj Juda doli, dhe Gjoni tha, “Ishte natë” (13:30).

Kishte ende më shumë lajme të këqija. Jezusi tha: “Djema, edhe pakëz jam me ju” (13:33). Dishepujt kishin lënë gjithçka për të ndjekur Krishtin. Ata kishin vendosur gjithçka mbi Të, dhe tani, vetëm pas tre vitësh Ai po u thonte atyre se do të ishte me ta edhe për pak kohë. Të të thuhet se personi që ka më shumë rëndësi për ty në botë do të jetë me ty vetëm për pak kohë, është një nga përvojat më të vështira që një qënie njerëzore mund të durojë, dhe kjo ishte ajo me të cilën dishepujt u përballën në Darkën e Fundit.

Pjetri nuk mund të duronte të mendonte se do të ndahej nga Jezusi, dhe ai deklaroi se ishte gati të jepte jetën për Të. Por Jezusi u përgjigj: “Ti do ta lësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, derisa të më kesh mohuar tri herë!” (13:38). Dishepujt kurrë nuk kishin pasur një ditë ku u duhej të merreshin me kaq shumë lajme të këqija. Në një mbrëmje ata zbuluan se një udhëheqës i besuar do të tradhtonte Shpëtimtarin; vetë Jezusin do ta merrnin prej tyre, dhe dishepulli i Tij kryesor do ta mohonte besimin e tij.

Kur Dëgjon Lajme Tronditëse

Ajo që Jezusi tha më pas duhet të jetë dukur absolutisht shokuese: “Zemra juaj mos u trondittë” (Gjoni 14:1). Si mund ta thoshte Jezusi këtë në dritën e gjithë asaj që sapo kishte ndodhur?

Imagjino një mbledhje kishe, ku bashkësia mblidhet për të diskutuar për disa tema te rëndomta. Kryetari hap mbledhjen me lutje, dhe thotë se ka tre njoftime të rëndësishme.

“Së pari, unë duhet të njoftoj me keqardhje se pastori ynë i vjetër do të largohet brenda pak ditësh. Së dyti, duhet të dini se arkëtari i kishës ka dhënë dorëheqjen, dhe në këtë pikë nuk jemi të sigurt se çfarë ka bërë ai me paratë. Së treti, plaku ynë më i moshuar ka mohuar besimin dhe nuk dëshiron më të shoqërohet me kishën.”

Bashkësia po dridhet nga ky njoftim i trefishtë lajmesh katastrofike, por kryetari vazhdon. “E di që disa prej jush mund të keni pyetje” thotë ai, “por gjëja e parë që dua të them është, mos lejoni që zemrat tuaja të tronditen!” Çfarë do bëje ti nëse dikush tradhton besimin tënd siç bëri Juda? Çfarë do bëje nëse një udhëheqës, shembullin e të cilit ti ke ndjekur, e tregon veten të ketë këmbë balte si Pjetri? Dhe çfarë do bëje, sikur personi për të cilin ke ndërtuar jetën tënde të mos ishte më me ty? Përgjigja qëndron në fjalët e Jezusit.

Jezusi shikoi nëpër dhomë me sytë e Tij të mprehtë që vështronin në shpirtrat e dishepujve të Tij. “Zemra juaj mos u trondittë” tha Ai. “Besoni në Perëndinë, dhe besoni edhe në mua!” (14:1). Jezusi nuk po u kërkonte atyre që të hidhnin një hap të verbër të besimit. Ai po thoshte: “Ja çfarë duhet të bëni tani. Besojini Perëndisë! Besoni dhe në mua!” Dishepujt kishin parë mrekullitë e Tij, kishin dëgjuar fjalët e Tij, dhe kishin ecur me Të për tre vjet. Tani ata duhej të mbaheshin në gjithçka që dinin për Jezusin. Në këtë moment errësire të madhe, Krishti i thirri ata të besonin në atë që Ai u kishte mësuar atyre në dritë.

Një Shtëpi Me Shumë Dhoma 

Pastaj, pasi i nxiti ata të ushtronin besim tek Ai, Jezusi u foli atyre për të ardhmen: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa” (14:2). Imazhi është i një familje të madhe, që jeton së bashku në shtëpinë e Atit.

Ekziston një ironi e veçantë tek fjalët e Jezusit, kur flet rreth shumë dhomave në shtëpinë e Atit të Tij. Kur lindi Jezusi, nuk kishte një dhomë për të në Betlehem. Pronari i hanit kishte një shtëpi të vogël dhe çdo dhomë ishte e zënë. Nuk mund të mos mendoj se Jezusi duhet të ketë buzëqeshur në ato momente, ndërsa po u thoshte miqve të Tij, “Tani mos u shqetësoni; kur të vini në shtëpinë time, nuk do të jetë siç ishte kur erdha në tuajën! Ju nuk do ta gjeni atë të mbipopulluar si Betlehemin. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë dhoma!”

Jezusi foli përsëri për shtëpinë më vonë atë mbrëmje, kur Ai tha: “Nëse ndokush më do, do ta mbajë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë, dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai” (14:23). Fjalë për fjalë Jezusi tha, “Ne do të ndajmë të njëjtën dhomë me të.” Jezusi po na thotë se Perëndia do të “banojë” midis nesh me anë të Frymës së Shenjtë derisa Ai të kthehet përsëri, dhe pastaj ne do të “banojmë” me Të. Perëndia do të banojë me ty, derisa një ditë ti të shkosh të banosh me Të!

Shtëpia e ardhshme e dishepujve të Jezusit është e sigurt. Dëgjo çiltërsinë e Jezusit: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend” (Gjoni 14: 2). Nëse e ardhmja e dishepujve ishte në dyshim, Jezusi do t’ua kishte thënë këtë. Por e ardhmja e tyre në parajsë ishte e sigurt dhe për këtë arsye ata nuk duhej të shqetësoheshin.

Rruga Për Në Shtëpinë e Atit

Pasi përshkroi shtëpinë e Atit, Jezusi vazhdoi të shpjegonte se si dishepujt e Tij do të arrinin atje: “Unë po shkoj t’ju përgatis një vend” (14:2). Ne nuk duhet ta imagjinojmë Jezusin duke punuar 24 orë për të bërë gati parajsën për mbërritjen tonë. Krishti e krijoi gjithësinë nga asgjëja me një fjalë; Ai mund ta bëjë gati parajsën për besimtarët me një urdhër të vetëm.

Kur Jezusi tha se Ai po shkonte “për të përgatitur një vend”, Ai nënkuptonte që nëpërmjet vajtjes së Tij vendi do të përgatitej. Nëpërmjet vdekjes, ringjalljes, dhe ngritjes së Tij në qiell, Krishti hapi rrugën që të gjithë ata që besojnë, të hyjnë në lavdinë e shtëpisë së Atit. Vdekja dhe ringjallja e Tij e kanë bërë vendin gati, dhe kanë rezervuar një vend të përbashkët për të gjithë ata që do të besojnë. Dhe për këtë arsye, Jezusi thotë, “Zemra juaj mos u trondittë”.

Unë Do Të Kthehem Përsëri”

“Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (14:3). Jezusi po thoshte, “Nëse kaloj nëpër agoninë e vdekjes dhe pastaj ringjallem ditën e tretë, dhe ngjitem në qiell për të përgatitur një vend për ty, do të të marr atje me siguri të plotë.”

Nëse do t’i shpenzoje kursimet e të gjithë jetës tënde për një unazë me një vlerë tepër të lartë, është e pakonceptueshme që, pasi të kesh shkruar çekun dhe të kesh bërë blerjen, më pas ta lije unazën në banak. Duke paguar çmimin, unaza do të bëhej prona jote e çmuar, dhe ti do ta shpije atë në shtëpi. 

Kjo është arsyeja pse Jezusi u tha dishepujve që ata të mos shqetësoheshin, por përkundrazi të kishin besim tek Ai. Ata kishin parë Judën të largohej, kishin dëgjuar që Pjetri do të dështonte, dhe u ishte thënë se Jezusi do të merrej prej tyre. Dukej se bota e tyre po prishej, por nuk ishte kështu. Jezusi do të përgatiste një vend për ta, dhe ata mund të ishin të sigurt se Ai do t’i shpinte ata në shtëpi.

Një Projekt i Papërfunduar

Perspektiva e lavdishme e parajsës mund të duket shumë larg, por premtimi është dhënë për të na mbështetur në rrëmujën e jetës tonë të përditshme. Kur rimodeluam banjën tonë, tubaturat dhe instalimet elektrike u ekspozuan, dhe kishte një vrimë në tavan për një dritë të re. Vendi ishte funksional, por asgjë nuk ishte siç do të bëhej më pas. Kur gruaja ime shikoi gjendjen e vendit, unë i kujtova se ajo po shikonte një projekt të papërfunduar, dhe se nuk do të ishte gjithmonë kështu. Unë i thashë asaj: “Mos lejo që zemra jote të trazohet”.

Plani i Perëndisë për të shpenguar botën është në proces, por ai nuk është ende i plotë, dhe jetët tona në këtë botë shpesh duken si një rrëmujë e vërtetë. Por Jezusi thotë, “Zemra juaj mos u tronditë”. Mos harro se je duke parë një projekt të papërfunduar. Ajo që po sheh tani, nuk është ashtu siç do të jetë.

Kur shikon në pasqyrë, po shikon një projekt të papërfunduar. Jeta e re tashmë ka filluar në ty, por ti ende lufton me tërheqjen e mishit, dhe nuk je akoma ai/ajo që do të jesh. Ashtu si Pjetri, ti ke dështimet e tua, si dhe sukseset e tua, por nuk do të jetë gjithmonë kështu. Krishti po vjen, dhe kur Ai të shfaqet, ti do të jesh gjithçka që Perëndia të ka bërë të jesh. Mos lejo që zemra jote të shqetësohet.

Një Shteg i Hapur

Kthimi i Jezusit është një e vërtetë jetike dhe praktike që duhet ta kuptojmë për të jetuar jetën e krishterë sot. Mund të ketë raste kur do përballesh me lajme tronditëse. Ti mund të pyesësh veten se çfarë po bën Perëndia dhe çfarë mban e ardhmja. Por Jezusi po të thotë, mos lejo që zemra jote të tronditet. Ai të fton t’i besosh Atij dhe të mbështetesh në atë që Ai ka zbuluar për Veten e Tij. Puna e Perëndisë në ty dhe në botë është një projekt i papërfunduar, por do të përfundojë kur Jezus Krishti të rikthehet në lavdi.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Mundohu ta vendosësh veten në vendin e dishepujve në Darkën e Fundit. Cili nga lajmet e këqija do të kishte qenë më shqetësues për ty? Pse?
  2. A mund të mendosh për një kohë kur je ndjerë sikur ishe në errësirë ​​dhe duhej të mbështeteshe në gjithçka që dije tashmë për Jezusin?
  3. Cili është reagimi yt ndaj fjalëve të Jezusit, “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thoja. Unë po shkoj t'ju përgatis një vend”?
  4. Në një shkallë nga 1 (mosbesim) në 10 (plotësisht i sigurt), sa je i sigurt se Jezusi do të rikthehet për të marrë besimtarët në parajsë? Pse?
  5. Ku e sheh punën e papërfunduar të Perëndisë, dhe ku ke më shumë nevojë të zbatosh fjalët e Jezusit, “Zemra juaj mos u trondittë”?
Save Progress
Shko në fillim