Njerëzit të cilëve u është dhënë një pozicion pushteti shpesh fillojnë të ndihen sikur ata janë në një fare mënyre përtej rregullave që duhet t’u binden të tjerët. Kështu ndodhi edhe me Davidin. Një ditë mbreti pa një grua të martuar me emrin Bath-Sheba. Davidi kishte pushtetin të merrte atë çfarë ai dëshironte, ndaj ai injoroi ligjin e Perëndisë dhe e mori gruan për vete.
Davidi e donte Perëndinë, por edhe një zemër që e do Perëndinë mund të kultivojë ndenja të gabuara. Ndjenjat e Davidit për Bath-Shebën ishin shumë ofenduese ndaj Perëndisë, por ato ishin gjithashtu edhe shumë të forta, ndaj ai i’u dorëzua atyre. Kur Davidi zbuloi se Bath-Sheba ishte shtatëzënë, ai u përpoq t’i mbulonte gjurmët e tij. Davidi urdhëroi që burri i saj, Uriahu, të dërgohej në shtëpi nga fusha e betejës, me pretekstin që të sillte lajme nga ushtria. Nëse Uriahu do shpenzonte disa netë në shtëpi me gruan e tij, ai do të konsiderohej si babai i fëmijës.
Por kjo nuk funksionoi. Uriahu ishte ushtar i ndërgjegjshëm, dhe nuk i dukej e mirë që ai të rrinte në shtëpi me gruan, në një kohë që ushtarët e tjerë po rrezikonin jetët e tyre në betejë. Kështu që Davidi u detyrua të merrte masa më të dëshpëruara. Ai urdhëroi që Uriahu të vendosej në linjat e para të betejës, duke bërë kështu të pashmangshme vdekjen e tij. (2 Samuelit 11:5-17).
Pak kohë më vonë, Davidi e mori tashmë vejushën Bath-Sheba si gruan e tij. Gjithçka ndodhi pa e marrë vesh njeri. Me përjashtim të një fakti të vetëm: “Por ajo që Davidi kishte bërë nuk i pëlqeu Zotit” (11:27). Perëndia pa se çfarë u bë, dhe Ai nuk qëndroi i heshtur.
Të Shpallësh Fjalën e Zotit
Davidi mendoi se fshehja e skandalit të tij kishte qenë e suksesshme, derisa profeti Nathan mbërriti në pallat. Duke përdorur një shëmbëlltyrë të zgjuar, Nathani i tregon Davidit për një njeri të pasur, i cili vodhi qengjin e një të varfëri. Ndërsa Davidi dëgjonte historinë, ai u mbush me zemërim për atë që kishte bërë ky njeri. Ai donte të dinte se kush ishte ai njeri, që të mund ta sillte atë përpara drejtësisë.
Kushtoji vëmendje faktit se ajo që zemëroi Davidin ishte pasqyrimi i vetë mëkatit të tij. Njeriu i pasur mori atë që i përkiste dhe ishte shumë e dashur për një person tjetër. Kjo ishte ajo që kishte bërë Davidi. Dhe kur e pa mëkatin e tij te dikush tjetër, ai e urreu dhe e dënoi atë.
Kur mëkati i dikujt tjetër të zemëron, ja çfarë mund të bësh: të analizosh me vëmendje dhe të shkruash se çfarë është. Kjo është lakmi. Kjo është krenari. Ky është epsh. Ky është mashtrim. Kjo është idhujtari. Pastaj kërkoji Perëndisë të të tregojë se ku mund të jesh fajtor për të njëjtën gjë në jetën tënde. Ajo që të nevrikos më shumë tek të tjerët, mund të fshihet në zemrën tënde.
Perëndia i’a hapi sytë Davidit ndaj mëkatit që fshihej në zemrën e tij kur Nathani tha: “Ti je ai njeri!” (12:7) Muret mbrojtëse të Davidit ranë plotësisht. Por ky ishte hiri i Perëndisë në veprim. Davidi kishte përfunduar në errësirë, dhe Perëndia dërgoi një profet që ta rikthente sërisht.
Përgjatë shekujve, Perëndia e foli fjalën e Tij nëpërmjet profetëve. Por kur koha u mbush, Perëndia dërgoi Birin e Tij (Hebrenjve 1:1-2). “Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne” (Gjoni 1:14).
Profetët e kishin dëgjuar Fjalën e Perëndisë, por Krishti është Fjala e Perëndisë. Fjalët që Ai u foli, i’u dhanë Atij nga Ati: “Sepse unë nuk fola prej vetes sime, por Ati që më dërgoi, ai më ka urdhëruar ç’duhet të them e të shpall…Gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m’i ka thënë Ati” (Gjoni 12:49-50).
Por Jezusi është shumë më tepër se një profet. Ai deklaroi atë që asnjë profet tjetër nuk do të mund ta thoshte kurrë: “Unë dhe Ati jemi një.” “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 10:30, 14:9). Gjithçka që Perëndia ka për të thënë ty është shprehur në Jezus Krishtin. Kjo është arsyeja pse ne nuk kemi më nevojë për profetë të tjerë sot. Perëndia foli në të kaluarën nëpërmjet profetëve, por ata të gjithë na drejtonin te Krishti, i cili është Fjala e Perëndisë.
Të Qëndrosh në Pozitën e Profetit
Si ishte përvoja për një profet të dëgjonte Fjalën e Perëndisë? Apostulli Pjetër na flet për këtë në Dhjatën e Re: “Asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i shtjellimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur ndonjëherë nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pjetri 1:20-21).
Mënyra më e mirë për të kuptuar çfarë Pjetri po thotë këtu, është nëpërmjet një historie në librin e Veprave. Pali ishte nën arrest dhe po çohej me anije si i burgosur në Romë. Luka tregon; “Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore, që quhet Eurakilon. Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim ç’të bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej” (Veprat 27:14-15).
E njëjta fjalë që Luka përdor për anijen, se si era e “shtyn” nga të dojë, përdoret edhe nga Pjetri për të ilustruar se si profetët “shtyheshin” nga Fryma e Shenjtë. Sa kontroll ke kur je në një anije që ndodhet në mes të stuhisë? Jo shumë. Drejtimi i anijes kontrollohet nga era. Mesazhi i profetëve, në të njëjtën mënyrë, kontrollohej nga Fryma. Fjalët e profetëve vinin nga Perëndia. Këta njerëz “flisnin nga Perëndia” (2 Pjetri 1:21). Ata nuk e kontrollonin mesazhin, ishte mesazhi që i kontrollonte ata. Vinte tek ta nga Perëndia si një erë e fuqishme, dhe ata “shtyheshin” të shkruanin pikërisht atë që Perëndia donte që ata të thonin.
Si e dimë kush është Perëndia? Përgjigja është se Perëndia flet. Profetëve i’u dha privilegji unik për të qëndruar në prani të Perëndisë, dhe për të dëgjuar zërin e Tij në mënyrë që ata të mund t’u flisnin njerëzve fjalët e Perëndisë. Nëse Perëndia nuk do e kishte zbuluar Veten, e gjithë ajo që ne do kishim do ishte shuma e përvojave tona njerëzore, pjesa më e madhe e të cilave është goxha e dhimbshme. Në një botë të mbushur me opinione, Perëndia na ka dhënë një zbulesë.
Kjo është arsyeja pse profetët mund të flisnin për gjëra, të cilat përndryshe nuk do të ishte e mundur të ishin bërë të njohura. Isaia foli për një virgjëreshë, e cila do të ngjizej dhe do të lindte një bir (Isaia 7:14). Zakaria foli për një mbret, i cili do të vinte në Jeruzalem, i ulur mbi një gomar (Zakaria 9:9). E vetmja mënyrë se si profetët mund ti dinin këto gjëra, ishte se Perëndia ua kishte thënë atyre.
Si e dinte Nathani për tradhëtinë e Davidit? Perëndia i’a tha atij! Perëndia i foli profetit Nathan dhe mëkati i Davidit u zbulua.
T’i Përgjigjesh Fjalës së Zotit
Kur Perëndia u përball me Davidin nëpërmjet Nathanit, mbreti tha, “Kam mëkatuar kundër Zotit” (2 Samuelit 12:13). Davidi mund të kishte thënë, “Nathan, ti nuk e kupton. Martesa ime ka vite që nuk funksionon më, është si e vdekur. ” Dhe ndoshta mund të kishte një farë të vërtete te kjo. Ose Davidi mund të kishte thënë edhe këtë, “Nathan, unë e di që kam bërë gabim, por udhëheqësit e tjerë kanë bërë të njëjtën gjë ose edhe më keq.” Edhe kjo do të kishte qënë e vërtetë. Por Davidi nuk përdori asnjë nga këto justifikime. Ai tha, “Unë kam mëkatuar kundër Perëndisë.” A do të kishe thënë ti të njëjtën gjë? Mënyra se si i përgjigjesh Fjalës së Perëndisë, kur mëkati yt zbulohet, tregon shumë për ty.
Davidi zbuloi se rrëfimi i sinqertë e drejtoi atë të merrte faljen e Perëndisë. Dhimbja e ndërgjegjes së tij të shtypur u çlirua dhe gëzimi i shpëtimit të tij u rivendos. Një mijë vjet më vonë, Perëndia u përball me një mbret tjetër me emrin Herod përmes një profeti, emri i të cilit ishte Gjon Pagëzori. Herodi ishte shumë i interesuar në gjërat shpirtërore, dhe atij i pëlqente të dëgjonte predikimet e Gjonit.
Një ditë Perëndia i dha Gjonit fjalë nëpërmjet Frymës, për t’i folur Herodit për marrëdhënien e tij të paligjshme me gruan e vëllait të tij. Mbreti nuk deshi të dëgjonte rreth kësaj çështje, dhe si përfundim, ai urdhëroi që koka e Gjon Pagëzorit ti sillej në një pjatë.
Pavarësisht kësaj vepre makabër, Herodi ishte i interesuar të takonte Jezusin, dhe kur i’u dha mundësia, ai e mbyti atë me pyetje, por Jezusi refuzoi ti përgjigjej (Luka 23:9). Herodi e kishte refuzuar fjalën e Perëndisë nëpërmjet Gjon Pagëzorit. Ai e kishte ngurtësuar zemrën e tij, dhe tani Shpëtimtari nuk kishte asgjë më tepër për ti thënë.
Për aq sa mund të dimë ne, herën e ardhshme kur Perëndia i foli Herodit ishte pa një profet dhe pa një Shpëtimtar. Herën e ardhshme që Herodi dëgjoi zërin e Perëndisë, ai ishte në praninë e Tij. Davidi bëri një zgjedhje më të mirë se Herodi. Ai e dëgjoi Fjalën e Perëndisë edhe atëherë kur kjo e ekspozoi atë, dhe ai veproi me besim dhe pendim. Perëndia e restauroi marrëdhënien me Davidin, dhe Ai e bëri këtë nëpërmjet Fjalës së Tij.
Një Shteg i Hapur
Nëse ke dëshiruar ndonjëherë që Perëndia të të flasë, ti duhet të dish se Ai e bën këtë. Perëndia flet nëpërmjet Fjalës së Tij dhe nëpërmjet Frymës së Tij. Kur hapim Fjalën e Tij, ne dëgjojmë zërin e Tij.
Ndërsa studion Biblën dhe e dëgjon Fjalën teksa shpallet, do të zbulosh se Perëndia thotë disa gjëra që janë të vështira për t’u pranuar. Të dëgjosh të vërtetën për mëkatet e tua, do të të bëjë të mos ndihesh rehat. Por kurdoherë që Perëndia flet, kjo është shenjë e hirit të Tij. Qëllimi i Tij është gjithnjë për të restauruar marrëdhënien me Të dhe për të të bekuar. Kur hap Biblën, ti je duke lexuar Fjalën e Perëndisë, dhe ti mund t’i besosh gjithçkaje që Perëndia thotë.