Pushtet
Veprat e Apostujve 2:1-41
Zbritja e Frymës së Shenjtë
1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend.
2 Dhe befas nga qielli u bë një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin.
3 Dhe atyre iu dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre.
4 Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin.
5 Por në Jeruzalem banonin disa judenj, njerëz të devotshëm, nga të gjitha kombet nën qiell.
6 Kur u bë ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet.
7 Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thoshin njëri-tjetrit: ”Ja, a nuk janë të gjithë galileas këta që flasin?
8 Dhe si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare?
9 Ne partët, medët, elamitët dhe banorët e Mesopotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë,
10 të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të pjesëve të Libisë pranë Kirenës, dhe të ardhurit nga Roma, judenj dhe prozelitë,
11 Kretas dhe arabë, i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!”.
12 Dhe të gjithë habiteshin dhe ishin hutuar dhe i thoshin njëri-tjetrit: ”Ç’do të thotë kjo?”.
13 Kurse të tjerë i përqeshnin dhe thoshin: ”Janë plot me verë të ëmbël!”.
Fjala e Pjetrit ditën e Rrëshajave
14 Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët e ngriti zërin e tij dhe u foli atyre: ”O burra judenj dhe të gjithë sa banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe u vini veshin fjalëve të mia.
15 Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës.
16 Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel:
17 “Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra.
18 Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë.
19 Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi.
20 Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e shquar e Zotit.
21 Dhe do të ndodhë që kushdo që të thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet”.
22 Burra izraelitë, dëgjoni këto fjalë: Jezusi nazarenas, njeriu i dëftyer nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, dhe mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të tij, siç e dini edhe vet,
23 ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.
24 Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që ai të mbahej nga vdekja.
25 Në fakt Davidi thotë për të: “E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos lëkundem.
26 Prandaj u gëzua zemra ime dhe ngazëlleu gjuha ime, dhe edhe mishi do të prehet në shpresë.
27 Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
28 Më dëfteve udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim me praninë tënde”.
29 Burra vëllezër, lejohem t’ju them haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.
30 Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t’u ulur mbi fronin e tij;
31 dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në hades edhe mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.
32 Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!
33 Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.
34 Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: “Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
35 derisa unë t’i vë armiqtë e tu stol të këmbëve të tua!”.
36 Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht”.
Të kthyerit e parë
37 Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u tejshpua zemra e tyre dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: ”Burra vëllezër, ç’duhet të bëjmë?”.
38 Atëherë Pjetri u tha atyre: ”Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve; dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.
39 Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë”.
40 Dhe me shumë fjalë të tjera po dëshmonte dhe i nxiste, duke u thënë: ”Shpëtohuni nga ky brez i çoroditur!”.
41 Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tri mijë shpirtra.
42 Por ata ishin ngulmues në mësimin e apostujve dhe në bashkësi dhe në thyerjen e bukës dhe në lutjet.
43 Edhe çdo shpirti i hyri frika; dhe shumë mrekullira e shenja bëheshin nëpërmjet apostujve.
44 Por gjithë ata që besonin ishin bashkë dhe kishin çdo gjë të përbashkët.
45 Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së secilit.
46 Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me ngazëllim dhe me thjeshtësi zemre.