Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Zanafilla 1:1-31

Krijimi i qiellit, i tokës dhe i dritës 

1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. 

2 Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave. 

3 Pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita!”. Dhe drita u bë. 

4 Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. 

5 Dhe Perëndia e quajti dritën “ditë” dhe errësirën “natë”. Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e parë. 

Krijimi i atmosferës dhe i hidrosferës mbi e nën kupën qiellore

6 Pastaj Perëndia tha: “Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t’i ndajë ujërat nga ujërat”. 

7 Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat, që ishin poshtë kupës qiellore, që ishin sipër kupës qiellore. Dhe kështu u bë. 

8 Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore “qiell”. Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e dytë. 

Formimi i litosferës dhe i hidrosferës nën kupën qiellore

9 Pastaj Perëndia tha: “Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera”. Dhe kështu u bë. 

10 Dhe Perëndia e quajti terën “tokë” dhe grumbullimin e ujërave “dete”. Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë. 

Krijimi i jetës bimore për litosferën 

11 Pastaj Perëndia tha: “Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe pemët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij”. Dhe kështu u bë. 

12 Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën sipas llojit të tyre dhe drurë, që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili sipas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. 

13 Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes; dita e tretë. 

Krijimi i yjeve në atmosferë

14 Pastaj Perëndia tha: “Të ketë ndriçues në kupën qiellore të qiellit për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet; 

15 dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën”. Dhe kështu u bë. 

16 DhePerëndia bëri dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madhë për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai bëri gjithashtu yjet. 

17 Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore të qiellit për të ndriçuar tokën, 

18 për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. 

19 Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e katërt. 

Krijimi i jetës shtazore në atmosferë dhe në hidrosferë

20 Pastaj Perëndia tha: “Të gjallërohen ujërat nga një numër i madh gjallesash dhe të fluturojnë zogjtë përmbi tokë nëpër hapësirën e kupës qiellore të qiellit”. 

21 Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe çdo shpirt të gjallë që lëviz dhe që gjallërojnë ujërat, secili sipas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë. 

22 Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: “Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë”. 

23 Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e pestë. 

Krijimi i jetës shtazore për litosferën

24 Pastaj Perëndia tha: “Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, sipas llojit të tyre”. Dhe kështu u bë. 

25 Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët sipas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës sipas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. 

Krijimi i njeriut

26 Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”. 

27 Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë e krijoi; Ai krijoi mashkullin e femrën. 

28 Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”. 

29 Dhe Perëndia tha: “Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë që ka fruta që përmbajnë farë; kjo do t’ju shërbejë si ushqim. 

30 Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim”. Dhe kështu u bë. 

31 Atëherë Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e gjashtë.

Tjetra

Imagjinoje veten në një teatër, duke parë deputin e parë të një shfaqje teatrale. Perdet e skenës hapen, por ajo është e zbrazët. Më pas autori del në skenë dhe prezantohet para audiences, tregon se kush është ai, pse e ka shkruar këtë shfaqje, dhe për çfarë flet ajo. Autori nuk paraqet një arsye dhe nuk krijon hapësirë për argumentim rreth ekzistencës së tij. Ai thjesht prezanton veten e tij dhe fillon të flas për veprën e tij.

Bibla fillon me Perëndinë, i Cili del në skenë dhe prezanton Veten e tij: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zanafilla 1:1). Autori dëshiron të të tregojë se ajo që do shohësh në vazhdim është tërësisht vepra e Tij. 

Krijuesi ka të drejtat e një pronari. Ne jetojmë në një botë me biznese të njohura dhe shpikje të ndryshme. Nëse them, “Just do it,” (Thjesht Bëje) ti menjëherë do të mendosh për firmën Nike. Slogani i një biznesi është pronë e atyre që e kanë krijuar. Një krijues gjithmonë ka të drejtat e pronësisë, dhe Perëndia ka në zotërim çdo gjë që Ai ka krijuar. 

Nëse jeta jote do ishte një aksident, e krijuar si rrjedhojë e mijëra viteve të historisë njerëzore, atëherë ti do të ishe si një agjent i lirë që nuk i jep llogari askujt përveç vetes. Por nëse je krijuar nga dikush, atëherë Krijuesi yt gëzon të drejtën e zotërimit mbi jetën tënde.

Njëra nga dy këto gjëra duhet të jetë e vërtetë: ose je një aksident i historisë dhe si rrjedhojë plotësisht i lirë të bësh çfarë të duash me jetën tënde, ose je një qënie e krijuar, dhe Krijuesi yt ka të drejta absolute të zotërimit mbi jetën tënde.

Perëndia e prezanton Veten e Tij si Krijuesi yt, prandaj Ai e zotëron jetën tënde. Ti nuk i përket vetes. Jeta jote të është besuar nga Perëndia. Kjo do të thotë që ti nuk je pa vlerë dhe pa qëllim. Perëndia zgjodhi të të sillte në jetë, dhe e bëri këtë me një qëllim. Ti do ta zbulosh këtë qëllim teksa fillon të njohësh Perëndinë që të ka krijuar ty. 

Imazhi i Perëndisë

Pastaj Perëndia tha, “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë” (Zanafilla 1:26). Bibla thotë se “Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet…Ai krijoi mashkullin e femrën” (Zanafilla 1:27). Shiko me vëmendje rasën shumës të fjalës “sonë”, e përdorur tek vargu 1:26. Është një aluzion shumë tërheqës rreth natyrës së Perëndisë, e cila na shfaqet më vonë në plotësi. 

Pas pesë ditëve të krijimit, momenti kurorëzues ka mbërritur. Duket pothuajse sikur Perëndia është duke biseduar me Veten e Tij dhe po thotë: “Le ta bëjmë! Le ta krijojmë njeriun sipas imazhit tonë.” Një imazh është një reflektim, dhe në këtë mënyrë Perëndia po na tregon se Ai na ka bërë në një mënyrë të tillë që ne të jemi në gjëndje të reflektojmë diçka nga natyra dhe lavdia e Tij.

Imazhi i Perëndisë është ajo që i dallon njerëzit nga kafshët. Edhe kafshët u krijuan nga Perëndia, por asnjë prej tyre nuk kishte ngjashmëri me Perëndinë. Për këtë arsye asnjë burrë apo grua nuk duhet asnjëherë të trajtohet si kafshë, apo të sillet si një kafshë. Burrat dhe gratë të cilët besojnë se janë thjesht kafshë të evoluara, kanë humbur deklaratën më thelbësore që Perëndia ka thënë për ta. Ne jemi krijuar sipas imazhit të Perëndisë!

Puthja e Jetës 

Burrat dhe gratë janë krijuar sipas imazhit të Perëndisë, por duhet të kujtojmë gjithmonë që ne nuk jemi Perëndia. Ai e krijoi njeriun e parë nga pluhuri i tokës, për këtë arsye nuk duhet të befasohemi që në nivelin biologjik ne kemi ngjashmëri me kafshët. Por jeta e njeriut është më shumë se kaq, dhe shkon përtej njohurive të kimisë apo biologjisë. 

“Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë” (Zanafilla 2:7). 

Perëndia formoi fillimisht trupin e njeriut, i cili qëndronte i pajetë mbi tokë. Më pas, Perëndia fryu frymën e Tij të jetës brenda trupit të njeriut. Ai i dha njeriut puthjen e jetës, dhe trupi që qëndronte pa jetë u bë një qënie njerëzore e ndërgjegjshme që jeton. 

Perëndia është duke bërë edhe tani atë që bëri atë ditë. “Ai Perëndia … u jep të gjithëve jetë, frymëmarrje dhe gjithçka” (Veprat 17:25). Perëndia të mban ty për çdo frymëmarrje tënden, dhe ti je absolutisht i varur nga Ai. Nëse mund të kuptosh këto dy të vërteta të mëdha dhe me rëndësi të barabartë—që je bërë në shëmbëlltyrën e Perëndisë, dhe se ti varesh prej Tij—do të zbulosh një dinjitet të madh, dhe në të njëjtën kohë, një përulësi të thellë. 

Perëndia i dha Adamit katër dhurata të veçanta që e pasuruan në mënyrë të jashtëzakonshme jetën e tij—një vend, një qëllim, një partnere, dhe mbi të gjitha, dhuratën e pranisë së Perëndisë. 

Të Bësh një Shëtitje me Perëndinë

Perëndia është frymë. Kjo do të thotë që Ai është i padukshëm për syrin e njeriut. Megjithatë, në fillim të Biblës ne lexojmë për Perëndinë që kishte një marrëdhënie me Adamin dhe Evën, në mënyrë të tillë që ata të mund ta shihnin Atë, ta dëgjonin, dhe të shijonin shoqërinë e Tij. Ne lexojmë që ata dëgjuan “…zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopësht në flladin e ditës…” (Zanafilla 3:8).

Dhjata e Vjetër ka shumë shembuj të Perëndisë që shfaqet në mënyrë të dukshme. Këto në Bibël quhen “teofani”, që do të thotë pikërisht shfaqje e dukshme e Perëndisë. Më vonë në Bibël do të shohim se Perëndia u bë njeri, kështu që, nuk duhet të befasohemi nga fakti që në Dhjatën e Vjetër, Perëndia shfaqet në mënyrë të dukshme. 

Këto shfaqje të Perëndisë shpalosin dëshirën e madhe të Tij për të pasur një marrëdhënie të ngushtë me ne. Duket sikur Biri i Perëndisë mezi po priste për të ardhur. Ai erdhi nga parajsa, hyri në kohën dhe hapësirën e njeriut, dhe eci me njeriun dhe gruan e parë në kopsht. 

Imagjino sa mahnitëse do ketë qenë kjo! Perëndia ishte i interesuar si i kishte shkuar dita Adamit, dhe Ai dëgjonte gjithçka që kishte në mendje Eva. Këtë lloj marrëdhënie, Perëndia dëshiron edhe për ty që të shijosh me Të. 

Siç do të shohim në mësimin e ardhshëm, kjo marrëdhënie mes Perëndisë dhe njeriut u shkatërrua, dhe ka mbetur e tillë gjatë gjithë brezave të historisë njerëzore. Krishti erdhi në botë për ta restauruar dhe rikthyer atë marrëdhënie të prishur në gjëndjen e saj fillestare, në mënyrë që ne të kemi mundësinë të ecim përsëri në bashkësi me Perëndinë. 

Ne nuk mund ta shohim Perëndinë, por kur vijmë tek Ai me besim dhe në emër të Jezu Krishtit, prania e Tij është po aq e vërtetë sa ishte kur Ai iu shfaq Adamit në formë të dukshme. Mendo për këtë herën tjetër që do lutesh. 

Një Vend që e Quajmë Shtëpi 

Është e vështirë të dimë saktësisht vendndodhjen e kopshtit të Edenit, por ajo që është më e rëndësishme që të kuptojmë, është fakti që ai ishte një vend i vërtetë, dhe se Perëndia vendosi burrin dhe gruan e parë atje: “Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar” (Zanafilla 2:8).

Perëndia krijoi një vend ku Adami do të njihte dhe të shijonte bekimin e Tij, dhe Perëndia vazhdon të bëjë të njëjtën gjë edhe për ne. Ai ka përcaktuar një vend ku do të jetojë secili prej nesh (shih Veprat 17:26). Provo të imagjinosh Perëndinë duke ecur me ty në shtëpinë tënde, në vendin tënd të punës, apo në kishën tënde duke thënë, “Ky është vendi që Unë kam përgatitur për ty.” Asnjë nga ne nuk është aty ku është për shkak të një aksidenti. Kur ti e di, ashtu si ndodhi për Adamin, që Perëndia të ka vendosur aty ku je, ti do të kesh qëndrueshmëri edhe në kohët më të vështira. 

Ka Punë Për Të Bërë

Perëndia, i cili “e quajti dritën Ditë” dhe “errësirën… Natë” (Zanafilla 1:5), e ftoi Adamin të merrte pjesë në punën e Tij për emërtimin e qënieve të gjalla: “Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit, dhe i çoi te njeriu për të parë si do t’i quante; dhe sido që njeriu t’i quante qëniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre” (Zanafilla 2:19).

Që nga fillimi, Adami ishte i zënë me punë: “Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante” (Zanafilla 2:15). Puna ekzistonte para se mekati të hynte në botë, dhe do të vazhdojë edhe pasi mëkati të jetë zhdukur. Mëkati ka ndikuar në punën tonë dhe ka sjellë irritim dhe zhgënjim në të, por gjëja e parë që mund të themi në lidhje me punën, është që ajo është një dhuratë e mirë nga Perëndia. 

Perëndia ka një punë për ty që të bësh, dhe do të jetë e dobishme për ty të mendosh se si puna jote pasqyron punën e Zotit. Perëndia sjell rregull nga kaosi. Kur ti pastron një dollap, vendos rregull në një shtëpi, apo sistemon detyrat e një biznesi, ti po reflekton punën e Zotit. Perëndia krijon çdo gjë që është e bukur. 

Nëse pikturon, vizaton, apo projekton, ti po reflekton punën e Perëndisë. Perëndia mbron, dhe kushdo që kujdeset për sigurinë e të tjerëve, pasqyron punën e Tij. Perëndia siguron, dhe të gjithë ata që luajnë ndonjë rol në ndërtimin e shtëpive, transportimin, shitjen, ose gatimin e ushqimit, pasqyrojnë punën e Tij. Mendo se si puna jote pasqyron punën e Perëndisë, dhe do të gjesh gëzim të madh duke ditur se kjo është puna që Ai të ka dhënë të bësh. 

Perëndia interesohej personalisht për punën e përditshme të Adamit, duke i sjellë kafshët tek ai. Adami ishte bashkëpunëtor i Tij. Perëndia punoi me të dhe përmes tij, dhe ishte pikërisht në këtë mënyrë, që përparoi qëllimi i Perëndisë për botën. Perëndia kujdeset për punën tënde të përditshme, dhe Ai dëshiron të jetë pjesë e saj. Ja vlen të mendosh për këtë kur ndodhesh në tavolinën tënde të punës, në dyqan, në shkollë, apo edhe në kuzhinën tënde duke larë enët. 

Një Martesë e Përgatitur në Qiell

“Pastaj Zoti Perëndi tha: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i përshtatet”…Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu” (Zanafilla 2:18, 22).

Perëndia i shfaqet sërisht Adamit, dhe i tha, “Adam, kam dëshirë të të prezantoj me dikë.” Nuk e vë në dyshim, që Adami do ketë mbetur tej mase i befasuar. Ai dukej padyshim shumë i kënaqur nga kjo njohje! Adami tha, “Kjo tashmë është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim” (Zanafilla 2:23).

Kushtoi vëmendje faktit që ishte vetë Perëndia që i bashkoi jetët e tyre. Ceremonia e martesës së parë u drejtua nga Perëndia i plotfuqishëm. Mundohu të imagjinosh këtë skenë në mendjen tënde: Zoti Perëndi e merr dorën e saj dhe e vë në dorën e tij, dhe thotë, “Ky është partneri që kam krijuar për ty. Ndihmojeni njëri-tjetrin dhe dashurojeni njëri-tjetrin në mënyrën më të mirë të mundshme. ” 

Do të shohim në studimin e rradhës që kjo martesë kishte shumë telashe. Por çfarëdo problemesh të kishin, Adami dhe Eva e dinin se mund t’i përballonin së bashku, sepse vetë Perëndia i kishte bashkuar ata. 

Do të ketë stinë në çdo martesë ku një çifti do t’i duhet të kthehet tek ky mësim. Martesa është bashkimi i një burri dhe një gruaje nga Perëndia. Për këtë arsye Shkrimi thotë, “burri do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2:24).

Nëse je i/e martuar, mundohu të imagjinosh Perëndinë që është duke marrë dorën tënde dhe dorën e partnerit tënd, dhe duke i bashkuar ato. Ndërsa e Ai bën këtë, Zoti thotë: “Kaloni çdo stinë të jetës së bashku, dashurojeni njëri-tjetrin dhe faleni njëri-tjetrin.” Kjo është ajo që Perëndia bëri për Evën dhe Adamin, dhe nëse je i martuar, kjo është ajo që Perëndia ka bërë edhe për ty. Dhe kur ti e kupton që është Perëndia që të ka bashkuar me partnerin tënd, kjo do të ndihmojë të përballosh sfidat më të vështira. 

Nëse je akoma në stinën e pritjes, dhe je duke kërkuar për një partner martese, mos harro se ishte Perëndia i Cili e bashkoi Evën dhe Adamin. Presioni i përpjekjes për të gjetur personin e duhur mund të jetë i fortë, por ti mund t’i besosh Perëndisë që të të sjellë personin e duhur tek ti, ose të të drejtojë ty tek personi i duhur. Nuk po të sugjeroj që ti duhet të kesh qëndrim pasiv, por nuk ka nevojë as edhe për panik. Ti mund t’i besosh Perëndisë në çdo fushë të jetës tënde. 

Një Shteg i Hapur

Perëndia dëshiron që të dish se Ai është Zotëruesi i të gjitha gjërave, përfshirë edhe ty. Perëndia gjithashtu dëshiron që të dish se Ai të ka bërë sipas shëmbëlltyrës së Tij, dhe për këtë arsye ti ke dinjitet dhe vlerë unike. Në fillim të historisë njerëzore, Perëndia bëri të mundur që prindërit tanë të parë ta njihnin Atë dhe ta shijonin Atë. 

Ai bashkoi burrin dhe bashkëshorten e tij së bashku. Ai i drejtoi në shtëpinë e tyre dhe u dha atyre punën e tyre. Ai siguroi gjithçka që ata kishin nevojë, dhe Ai ishte i pranishëm në jetën e tyre. Atë që Perëndia bëri për ta, Ai vazhdon ta bëjë edhe për ne sot. I vetmi ndryshim është se ne nuk e shohim Atë ta bëjë këtë. Ne ecim me anë të besimit dhe jo me anë të shikimit (2 Korintasve 5:7).

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Cili është reagimi yt ndaj historisë së krijimit; faktit që Perëndia të ka krijuar ty dhe se për këtë arsye ti i përket Atij? Ndjen dyshim, frikë, paqe, apo diçka tjetër?
  2. A mendon se është me të vërtetë e rëndësishme nëse je krijuar qëllimisht nga Perëndia apo nëse je rezultat i një rastësie? Pse ose pse jo?
  3. Çfarë mendon se nënkupton Bibla kur thotë se Perëndia na bëri "sipas imazhit të tij" (Zanafilla 1:27)?
  4. A do të dëshiroje të përjetoje një "shëtitje me Perëndinë pranë" siç bënë Adami dhe Eva në Kopshtin e Edenit? Pse ose pse jo?
  5. Çfarë do të thotë për ty të dije me siguri se shtëpia jote, puna, shkolla, apo bashkëshorti yt, janë një dhuratë nga Vetë Perëndia për ty?
Save Progress
Shko në fillim