Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Eksodi 19:16-25

Shenja të pranisë së Perëndisë në Sinai

16 Ditën e tretë, sa u bë mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima; mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh.

17 Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi për ta çuar përballë Perëndisë; dhe ata qëndruan në këmbët e malit.

18 Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre, dhe tërë mali dridhej fort.

19 Ndërsa zëri i borisë po bëhej gjithnjë më i fortë, Moisiu fliste, dhe Perëndia i përgjigjej me një zë gjëmues.

20 Zoti zbriti pra mbi malin e Sinait, në majë të tij; pastaj Zoti thirri Moisiun në majë të malit dhe Moisiu u ngjit atje.

21 Dhe Zoti i tha Moisiut: “Zbrit dhe paralajmëro popullin solemnisht, që të mos sulet drejt Zotit për ta parë, dhe kështu shumë prej tyre të gjejnë vdekjen.

22 Edhe priftërinjtë që do t’i afrohen Zotit të shenjtërohen, që Zoti të mos sulet kundër tyre”.

23 Moisiu i tha Zotit: “Populli nuk mund të ngjitej mbi malin e Sinait, sepse ti na ke urdhëruar solemnisht, duke thënë: “Vër kufi rreth malit dhe shenjtëroje”.

24 Por Zoti i tha: “Shko, zbrit poshtë; pastaj ngjitu, ti edhe Aaroni bashkë me ty; por priftërinjtë dhe populli të mos sulen për t’u ngjitur te Zoti, që ai të mos u sulet atyre”.

25 Kështu Moisiu zbriti te populli dhe i foli atij.

Eksodi 20:1-21 – Dhjetë Urdhërimet 

Urdhërime që kanë të bëjnë me Perëndinë 

1 Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë:

2 “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.

3 Mos ki perëndi të tjerë para meje.

4 Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë.

5 Mos u përkul para tyre dhe as mos u shërbe, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,

6 dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.

7 Mos e përdor emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë, që përdor kot emrin e tij.

8 Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar.

9 Puno gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde;

10 por dita e shtatë është shabat, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; mos bëj në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji, që ndodhet brenda portave të tua;

11 sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtatë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.

Urdhërimet që kanë të bëjnë me njeriun

12 Ndero atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

13 Mos vrit.

14 Mos shkel besnikërinë bashkëshortore.

15 Mos vidh.

16 Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

17 Mos dëshiro shtëpinë e të afërmit tënd; mos dëshiro gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd”.

18 Tani tërë populli dëgjonte bubullimat, tingullin e borisë dhe shihte shkreptimat dhe malin që nxirrte tym. Para kësaj pamjeje, populli dridhej dhe qëndronte larg.

19 Prandaj ata i thanë Moisiut: “Fol ti me ne dhe ne do të të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim”.

20 Moisiu i tha popullit: “Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t’ju provojë, dhe me qëllim që frika e tij të jetë gjithmonë para jush, dhe kështu të mos mëkatoni”.

21 Populli, pra, qëndronte larg, por Moisiu iu afrua errësirës së dendur ku ndodhej Perëndia.

Tjetra

Duhej të ketë qenë një ndjenjë e çuditshme për Moisiun të kthehej në vendin ku Perëndia i kishte folur nga ferrishtja që digjej. Gjatë vizitës së tij të parë, ai ishte i rrethuar nga një tufë delesh. Tani ai ishte i rrethuar nga dy milion njerëz. Perëndia kishte qenë besnik, dhe gjëja që dukej e pamundur kishte ndodhur. Në një nga mrekullitë më të mëdha në Dhjatën e Vjetër, Perëndia ndau ujërat e Detit të Kuq. Ai e çliroi popullin e tij nga Egjipti dhe i çoi në malin Sinai, ku ata ngritën kampin.

Barrierat ose “kufijtë” (Eksodi 19:12, 23) u vendosën si një lloj zone përjashtimi në bazën e malit që ishte “tërë tym, sepse ZOTI kishte zbritur mbi të në zjarr” (Eksodi 19:18). I gjithë mali u drodh me forcë, dhe tingulli i borisë u bë gjithnjë e më i fortë. Perëndia po zbriste për t’i dhënë popullit ligjet e Tij.

Një Pasqyrim i Ri i Hirit të Zotit 

Ligji i Perëndisë nuk ishte asnjëherë një shkallë që njerëzit jo të shpëtuar të ngjiteshin në parajsë. Ishte gjithmonë një model jete për popullin e Perëndisë, të cilët ishin shpëtuar nga gjykimi nëpërmjet gjakut të Qengjit. Kjo është arsyeja pse Dhjetë Urdhërimet fillojnë me Perëndinë duke kujtuar popullin e Tij, “Unë jam ZOTI, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë” (Eksodi 20:2).

Perëndia nuk ishte duke thënë, “Unë po ju jap këto urdhërime, me qëllim që duke i respektuar ato, të bëheni populli im.” Ai ishte duke thënë: “Unë po ju jap këto urdhërime, sepse ju tashmë jeni populli im.” Mesazhi i ligjit për ty sot nuk po të tregon se çfarë duhet të bësh që të jesh i shpëtuar. Ligji na tregon se si populli i Perëndisë duhet të jetojë, dhe për këtë arsye na flet sot. Ato janë udhëzimet e jetës që duhet të ndjekësh, në të cilën Perëndia të thërret kur Ai të shpëton me hir, nëpërmjet besimit në Zotin Jezus Krisht. 

Një Vështrim i Shpejtë i Lavdisë së Perëndisë

Dhjetë Urdhërimet nuk janë një grup rregullash arbitrare. Ato janë një pasqyrim i drejtpërdrejtë i karakterit të Perëndisë. Në Dhjatën e Re, mëkati përcaktohet si humbje e lavdisë së Perëndisë dhe si shkelje e ligjit (Romakëve 3:23; 1 Gjonit 3: 4). Duke i vendosur këto dy aspekte së bashku, mund të nxjerrim një përfundimin të arsyeshëm se ligji është një shfaqje e lavdisë së Perëndisë. 

Pse nuk duhet të shkelësh kurorën? Sepse Perëndia është besnik. Pse nuk duhet të vjedhësh? Sepse Perëndia është i besueshëm. Pse nuk duhet të gënjesh? Sepse Perëndia është e vërteta. Pse nuk duhet të lakmosh? Sepse Perëndia është në paqe dhe i kënaqur me Veten. Kur Perëndia tha: “Mos ki perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3), ai e tha këtë sepse Ai është i vetmi Perëndi. Askush tjetër nuk është si Ai. Kur Perëndia urdhëroi që të pushojmë në një ditë të javës, Ai e tha këtë sepse Ai pushoi nga puna e Tij në ditën e shtatë.

Urdhërimet e Perëndisë iu dhanë njerëzve të Tij të shpenguar. Nëse i përket Atij, ato janë për ty. Perëndia po të thotë, “Ti je i imi /e imja, prandaj jetoje jetën tënde mbi atë që Unë jam, dhe kështu duhet të duket një jetë e perëndishme.” 

Një Pasqyrë që Reflekton Dashurinë e Perëndisë

Perëndia është dashuri dhe Dhjetë Urdhërimet tregojnë se çfarë pamje ka një jetë me dashuri. Zotin tonë Jezus e pyetën në një rast, “Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?” (Mateu 22:36). Në vend që të zgjidhte një prej tyre, Jezusi i përmblodhi të gjithë së bashku dhe tha, “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:37-39).

Si duket në praktikë një jetë dashurie? Dhjetë Urdhërimet i përgjigjen kësaj pyetje. Katër urdhërimet e para na tregojnë se si është natyra e Perëndisë të dashur: 

1. Ti nuk ke perëndi të tjerë përpara ZOTIT.

2. Ti nuk krijon një imazh. Ti e do Perëndinë ashtu siç Ai është, jo si do doje ti që të ishte, ose si ti e imagjinon që të jetë.

3. Ti e nderon emrin e Perëndisë dhe kurrë nuk e përdor kot.

4. Ti i jep Perëndisë kohë—kohë për të adhuruar, kohë për të shërbyer, dhe kohë për të kujtuar se përpara teje është një përjetësi e madhe për të cilën duhet të përgatitesh.

Gjashtë urdhërimet e fundit na tregojnë se çfarë do të thotë të duash të afërmin tënd porsi vetveten:

5. Fillon në shtëpi me njerëzit e parë që Perëndia vendos në jetën tënde: ndero babain dhe nënën tënde.

6. Do të thotë që ti e respekton jetën si një dhuratë e shenjtë e dhënë nga Perëndia.

7. Do të thotë që ti je besnik ndaj bashkëshortes/ bashkëshortit tënd.

8. Do të thotë që ti je një njeri i besueshëm, dhe se nuk përfiton nga dobësia dhe cënueshmëria e të tjerëve.

9. Do të thotë që ti e mban fjalën tënde dhe se fjalët e tua janë të vërteta.

10. Do të thotë që ti gëzohesh me atë që Perëndia u jep të tjerëve, në vend që të dëshirosh për veten tënde pikërisht atë që Ai u jep të tjerëve.

Dhjetë Urdhërimet janë një pasqyrë që reflektojnë lavdinë e Perëndisë. Perëndia është dashuri, dhe Ai na bën thirrje që ne të reflektojmë natyrën e Tij, se kush Ai është. Dhe kjo është pikërisht ajo çfarë tregojnë Dhjetë Urdhërimet. 

Një Radiografi e Shpirtit

Isha tek dentisti kohët e fundit. E kisha shtyrë vizitën për një kohë të gjatë, më së shumti sepse nuk ndjeja ndonjë dhimbje. Eksperienca nuk ishte inkurajuese. Dentisti im më bëri disa radiografi dhe i ngriti ato në dritë për t’i parë. 

“Obobo, ç’gjëndje e mjerueshme! Ka shumë prishje nën këto mbushje,” tha ai. 

“Por unë nuk ndjej asnjë dhimbje,” insistova unë. Por atij nuk i bëri përshtypje kjo. “Do kesh nevojë për një punë goxha të madhe” tha ai. “Dhe sa më shpejt, aq më mirë.”

Shumë njerëz ecin në jetë, pa ndjerë ndonjë dhimbje për gjëndjen e tyre shpirtërore. Ata bëjnë supozimin e rremë se gjërat janë mirë me ta, dhe se duke jetuar një jetë të respektueshme në përgjithësi ata janë në një gjendje të mirë shpirtërore. Por ligji i Perëndisë është si një radiografi për shpirtin. Ai na tregon se jemi njerëz që e kemi të vështirë ta lëmë Perëndinë të jetë Perëndia, dhe që është e natyrshme për ne të duam veten më shumë se të tjerët. 

Arsyeja e parë pse ke nevojë për Jezus Krishtin, nuk është që ti të kesh një jetë më të pasur, më të plotë, dhe më të kënaqshme. Është sepse ti je një mëkatar, nga natyra dhe nga praktika. Radiografia e Ligjit të Perëndisë e nxjerr në pah këtë gjë. Ligji është diçka e mirë, po ashtu siç është e mirë një radiografi, edhe nëse ato na sjellin lajme të këqija. Mua nuk më pëlqyen lajmet e këqija tek dentisti, por isha mirënjohës të dija rreth problemit, përpara se gjëndja të përkeqësohej. Nëse nuk je në dijeni që ka një problem, nuk do të përpiqesh të ndjekësh zgjidhjen.

Jezusi e bëri të qartë se urdhërimet shkojnë më thellë se veprimet tona. Ata kërkojnë mendimet dhe synimet e zemrave tona. “Keni dëgjuar se të moçmëve u qe thënë: “Mos shkel kurorën”. Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mateu 5:27-28).

Një kuptim i duhur i Dhjetë Urdhërimeve do të të drejtojë te besimi në Jezus Krishtin (Galatasve 3:24). Nëse ligji nuk të ka sjellë ende tek Krishti, ti ke humbur qëllimin e tij më të madh. Ky ishte edhe thelbi i deklaratës së Jezusit ndaj farisenjëve: “Ju hetoni Shkrimet … por ju nuk doni të vini tek unë” (Gjoni 5:39-40). Ata ishin të zënë me studimin e ligjit, por ata humbën të gjithë thelbin e kuptimit të ligjit që ishte për t’u treguar atyre nevojën e tyre për Krishtin.

Vendosja e Binarëve për Trenin 

Historia e Dhjatës së Vjetër e ilustron qartë se populli i Perëndisë nuk ishte në gjëndje të zbatonte ligjin e Tij. Ligji na thotë se çfarë duhet të bëjmë, por nuk na jep fuqinë për ta bërë këtë. Më vonë në historinë e Biblës, Perëndia premton një besëlidhje të re në të cilën Ai jo vetëm na thotë se çfarë duhet të bëjmë, por edhe na fuqizon për të lëvizur në atë drejtim. “Do të vë brënda jush Frymën tim, dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia” (Ezekieli 36:27).

Ligji i Perëndisë është si binarët e një treni. Binarët bëjnë të mundur drejtimin, por treni nuk do të shkojë gjëkundi nëse nuk ka fuqi në motorrë. Është puna e veçantë e Frymës së Shenjtë t’u japë njerëzve të Perëndisë fuqinë për të lëvizur në drejtimin që është përcaktuar në Ligjin e Perëndisë.

Kthimi i Urdhërimeve në Premtime 

Ekziston një histori e bukur për një burrë, i cili kaloi kohë në burg për shkak se ishte hajdut. Vjedhja ishte kthyer në një mënyrë jetese për të, derisa krahu i gjatë i ligjit e zuri në befasi. Gjatë kohës që ishte në burg, ai dëgjoi lajmin e mirë të Jezus Krishtit, dhe u kthye mrekullisht në besim. Kur erdhi koha që ai të lirohej, burri e dinte që i duhej të përballej me një mundim tjetër. Shumica e rrethit të tij shoqëror ishin hajdutë, dhe nuk do të ishte e lehtë për të që të thyente mënyrën e stilit të vjetër të jetesës. 

Të djelën e parë të lirisë së tij të re, ai u fut në një ndërtesë kishe. Dhjetë Urdhërimet ishin të shkruara në një pllakë në pjesën e përparme, dhe sytë e tij shkuan menjëherë te fjalët e urdhërimit që dukej se po e dënonin atë. “Ti nuk do të vjedhësh”. 

Kjo është gjëja e fundit për të cilën kam nevojë, mendoi me veten. I di dobësitë e mia. I di dështimet e mia, dhe i di betejat me të cilat do përballem. 

Ndërsa shërbesa vazhdonte, ai nuk mund t’i shkiste sytë nga pllaka me urdhërimet. Duke i rilexuar fjalët, ato dukeshin sikur po merrnin një kuptim tjetër. Fillimisht, ai i kishte lexuar këto fjalë me tonin e një urdhërimi: “Ti nuk do të vjedhësh!” Por tani, dukej sikur Perëndia ishte duke i folur këto fjalë atij, në formën e një premtimi. “Ti nuk do të vjedhësh.” Ai ishte një krijesë e re në Krishtin, dhe Perëndia ishte duke i premtuar se Fryma e Shenjtë do të bënte të mundur që ai ta mposhtte stilin e vjetër të të jetuarit. 

Premtimi i Perëndisë është se kur ti beson në Zotin Jezus Krisht, Ai do të të japë Frymën e Shenjtë, në mënyrë që të bësh një jetë që është e kënaqshme për të. Fuqia e Tij do të bëjë ndryshimin midis një beteje në të cilën je i paracaktuar të humbasësh, dhe një beteje në të cilën do të kesh fitore përfundimtare. Ligji na tregon se si Perëndia dëshiron që ne të jetojmë. Krishti, e bën këtë jetë të mundur. 

Një Shteg i Hapur

Ligji është një pasqyrë që ekspozon mëkatet e fshehura të jetës sonë. Kur e kuptojmë siç duhet, ligji do të na bindë për nevojën tonë për një shpëtimtar, dhe do të na shpjerë tek Krishti. Dhe kur Fryma e Shenjtë jeton në ne, ligji nuk është më një listë kërkesash të pamundura, por një përshkrim i mundësive të reja.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Si fillojnë Dhjetë Urdhërimet? Pse u dhanë ato? Cili është mesazhi i ligjit për ne sot?
  2. A janë Dhjetë Urdhërimet për një kohë të caktuar? A kemi nevojë për urdhërime të reja për ne sot? Pse po, ose pse jo?
  3. Nëse gjërat po të shkojnë mirë dhe mendon se po jeton një jetë përgjithësisht të respektueshme, a është mirë të injorosh Dhjetë Urdhërimet? Pse po, ose pse jo?
  4. Si do e kuptonte një person nëse ka humbur qëllimin e ligjit të Perëndisë?
  5. Si është ligji i ngjashëm me binarët e trenave? Çfarë tjetër i duhet ligjit për të përmbushur punën që Perëndia ka ndërmend të bëjë në jetën e një personi?
Save Progress
Shko në fillim