Ati
Mateu 11:25-30
Zgjedha e Krishtit
25 Në atë kohë Jezusi nisi të thotë: ”Të lavdëroj ty o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël.
26 Po, o Atë, sepse kështu qe e pranueshme para teje.
27 Çdo gjë m’u dha në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë.
28 Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
29 Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj.
30 Sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë!”.
TjetraNë Bibël, Perëndia na zbulon se Ai është një. Por Dhjata e Vjetër ngre disa pyetje që zgjidhen vetëm më vonë. Për shembull, gjatë krijimit Perëndia thotë, “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës tonë” (Zanafilla 1:26). Pse “tonë”, kur Perëndia na tregon kaq qartë se Ai është një? Në Dhjatën e Re, Perëndia na zbulon se Ai është Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë. Perëndia është dashuri (1 Gjoni 4:8), dhe kur asgjë tjetër nuk ekzistonte, dashuria rridhte midis Atit, Birit, dhe Frymës së Shenjtë (Gjoni 17:24).
Pastori i vjetër ngrysi vetullat, teksa hodhi vështrimin e tij mbi bashkësinë e mbledhur atë mëngjez, dhe filloi me mesazhin me të cilin kishte punuar gjithë javën. “Si fillim,” tha ai ngadalë, “do kërkoj atë që nuk gjendet. Pastaj,” vazhdoi ai me vetëbesim që rritej, “do të shpjegoj të pashpjegueshmen. Dhe së fundi…” ndaloi teksa kërkonte fjalët e duhura, “do të zbërthej të pazbërthyeshmen!”
Unë nuk jam aq ambicioz, dhe është me një sens mrekullie që shkruaj në lidhje me doktrinën më të veçantë, dhe në të njëjtën kohë, më të vështirë në të gjithë besimin e Krishterë: Ekziston një Perëndi, dhe Ai është Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë. Mos prit ta kuptosh natyrën e Perëndisë. Peshku mund të ketë vetëm një kuptim të kufizuar të natyrës njerëzore, dhe po në të njëjtën mënyrë, është përtej kapacitetit tonë të kuptojmë natyrën e Perëndisë.
I Zhytur në Jetën e Perëndisë
Nëse vërtet duam ta njohim Perëndinë, ne duhet ta përjetojmë Atë si Atin, Birin, dhe Frymën e Shenjtë. Në fund të Ungjillit të Mateut, Jezusi u thotë dishepujve të Tij që të shkojnë dhe të bëjnë “dishepuj nga të gjithë kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19).
Fjala “pagëzo”, fjalë për fjalë do të thotë “të zhytesh në ujë”, ose “të lagesh i tëri me ujë”. Jeta e Krishterë ka të bëjë e gjitha me të qenit i zhytur tërësisht në Atin, Birin, dhe Frymën. Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë përshkojnë çdo pjesë të jetës së një besimtari. Ti nuk mund ta njohësh Atin, pa njohur Birin, apo Birin pa njohur Frymën e Shenjtë.
Ndaj edhe pse ndoshta nuk mund ta kuptojmë plotësisht natyrën e Perëndisë, ne duhet të kuptojmë atë që na është zbuluar në lidhje me Atin, Birin, dhe Frymën e Shenjtë, nëse duam ta njohim Perëndinë ashtu si Ai është.
Rregullimi i Çështjeve Thelbësore
Ne mund të përmbledhim atë që Perëndia na ka zbuluar në lidhje me natyrën e Tij në tre fjali.
E para, ka vetëm një Perëndi. Kjo është e qartë si në Dhjatën e Vjetër, ashtu edhe në Dhjatën e Re. Perëndia thotë, “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm” (Ligji i Përtërirë 6:4). “Është një Zot i vetëm… një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve” (Efesianëve 4:5-6). Të Krishterët nuk besojnë në tre perëndi. Ekziston vetëm një Perëndi.
E dyta, Perëndia ekziston në tre persona. Identitetet e veçanta të Atit, Birit, dhe Frymës së Shenjtë janë bërë të qarta përgjatë gjithë Dhjatës së Re. Ati dërgon Birin (Galatasve 4:4). Biri i lutet Atit (Gjoni 17:1). Fryma lavdëron Birin (Gjoni 16:14), dhe Biri dërgon Frymën (Veprat 2:33). Tre personat e Trinisë nuk duhen ngatërruar me njëri-tjetrin. Ati nuk vdiq mbi kryq. Biri nuk e dërgoi Veten në botë. Fryma nuk u ringjall nga vdekja. Është një Perëndi, dhe Ai ekziston në tre persona.
E treta, secili prej tyre është plotësisht Perëndi. Ati është Perëndi, Biri është Perëndi, dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi. Krishti tha, “Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:30). Ai e ndante lavdinë me Atin që përpara fillimit të botës (Gjoni 17:5). Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, prania e Jezusit ishte me dishepujt e Tij edhe pse Ai po rikthehej tek Ati (Gjoni 14:16-18). Nëse Fryma ishte me ta, Krishti ishte me ta, dhe nëse Krishti ishte me ta, Ati ishte gjithashtu me ta (Gjoni 14:23).
Ati është Perëndi, Biri është Perëndi, dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi, por nuk janë tre perëndi. Është një Perëndi i përjetshëm dhe Ai është Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë.
Problemi me Analogjitë
Përgjatë shekujve, njerëzit kanë përdorur analogji në përpjekjet e tyre për të shpjeguar natyrën e Perëndisë. Por nëse do kishte një analogji në botën tonë që do të na ndihmonte të kuptonim natyrën e Perëndisë, me siguri Perëndia do e kishte përdorur atë në Bibël.
Analogjitë për Trininë zakonisht na ndihmojnë të shohim një pjesë të së vërtetës, por në të njëjtën kohë, ato shtrembërojnë apo errësojnë diçka tjetër. Disa njerëz përdorin analogjinë e një personi i cili luan tre role të ndryshëm. Për shembull, unë jam bashkëshort, baba, dhe pastor. Por kjo analogji dështon, sepse është vetëm një person i cili i përmbush këto tre role. Perëndia ekziston në tre persona; Ati nuk është Biri, dhe Biri nuk është Fryma e Shenjtë.
Një herë, kur po ngjisja një mal në Skoci, një mjegull zbriti mbi qytetin në luginë poshtë. Unë nuk e shikoja dot qytetin, por mund të shihja gjithçka rreth tij. Mua më ndihmon ky imazh kur mendoj për natyrën e Perëndisë. E vërteta e Trinisë është e mbuluar me mjegull. Ne nuk mund ta shpjegojmë dot se si një Perëndi mund të ekzistojë në tre persona. Por ne mund ta identifikojmë qartë atë që qëndron përtej kufijve të së vërtetës. Për shembull, nëse dikush thotë se Krishti nuk është plotësisht Perëndi, apo se ka shumë perëndi të tjera, ne mund ta shohim menjëherë nga Shkrimet se kjo nuk është e vërtetë. Mjegulla mbulon të vërtetën e plotë, por ajo që është jashtë të vërtetës mund të shihet qartë.
Si t’i Përgjigjesh një Misteri
Natyra e Perëndisë është një mister, por nuk është një kontradiktë. Nëse të Krishterët do të besonin, se ka një Perëndi dhe se ka edhe tre perëndi, kjo do të ishte një kontradiktë. Ose nëse do besonim se ka tre persona dhe në të njëjtën kohë ka edhe një person, kjo do të ishte një kontradiktë. Por të thuash se ka një Perëndi, i cili ekziston në tre persona, nuk është një kontraditë. Është një mister. Si t’i përgjigjemi këtij misteri?
Së pari, mos i’u shmang atij. Nëse largohesh nga ato që ti nuk kupton në lidhje me Perëndinë, ti do humbasësh lavdinë e pakonceptueshme të Tij.
Së dyti, mos u përpiq ta shpjegosh. Ti kurrë nuk do arrish në një pikë kur të mund të thuash, “Gjithçka ka kuptim tani; nuk e di pse nuk e kuptoja më përpara.” Perëndia kurrë nuk do të të lërë të shkosh aty.
Së treti, lejo që kjo të të drejtojë në adhurim. Ti do kalosh tërë përjetësinë duke u mrekulluar me lavdinë e Perëndisë, prandaj le të fillojë adhurimi yt si përgjigje ndaj mrekullisë së asaj që Ai tashmë të ka zbuluar.
Të Vish tek Ati Perëndi
Atëherë, si mund të afrohemi tek një Perëndi i cili është kaq i madh saqë ne nuk e kuptojmë dot natyrën e Tij? Jezusi tha, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” (Gjoni 14:6).
Nëse do që të takosh Presidentin e Shteteve të Bashkuara, ka disa mënyra që mund të provosh. Nëse njeh gruan e tij, ajo mund të të prezantojë me të. Ose nëse njeh Sekretarin e Shtetit apo Shefin e Shtabit, ai ose ajo mund të të ndihmojë. Ka shumë njerëz pranë Presidentit të Shteteve të Bashkuara, por kush është pranë Atit Perëndi?
“Asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri do t’ia zbulojë” (Mateu 11:27). “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e Atit, ai e bëri të njohur” (Gjoni 1:18). Jezusi pra, është i vetmi që mund të na çojë ne tek Ati (Gjoni 14:6).
Të Njohësh Perëndinë Atë
Nëse duam të dimë se si është të kesh një marrëdhënie me Perëndinë Atë, ne duhet ta fillojmë duke parë se ç’domethënie kishte kjo për Jezusin. Krishti na fton në një marrëdhënie, në të cilën ne i nënshtrohemi autoritetit të Atit. Është e pamundur të mos e shohim këtë në jetën e Jezusit. E gjithë jeta e tij ishte e orientuar sipas qëllimit të Atit, dhe kjo shihet më qartë në kopshtin e Gjetsemanisë, kur Jezusi tha, “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:39).
Nëse duam ta njohim Perëndinë si Atë, pyetja e parë është nëse jemi gati t’i nënshtrohemi autoritetit të Tij, pavarësisht çfarë na kushton. Jeta e Krishterë fillon kur ti arrin në atë pikë ku ti thua, “Jo vullneti im, por i yti le të bëhet.” Nëse do ta njohësh dashurinë e Atit, ti duhet t’i nënshtrohesh autoritetit të Tij.
Marrëdhënia për të cilën Jezusi na fton është gjithashtu një marrëdhënie në të cilën ne gëzojmë të njëjtën dashuri që Ati ka për Birin e Tij: “Sikurse Ati më ka dashur mua, po kështu edhe unë ju kam dashur ju” (Gjoni 15:9, 17:26). Cili është kapaciteti i dashurisë së Perëndisë? Perëndia është i përjetshëm në qënien e Tij, i pakufizuar në fuqinë e Tij, dhe i pafund në njohurinë e Tij. Dashuria e Tij është përtej çdo gjëje që ne mund të imagjinojmë mbi tokë, dhe më shumë se engjëjt mund të imagjinojnë në qiell. Ne do të përpihemi në adhurim, mrekulli, dashuri, dhe lavdërim kur plotësia e dashurisë së Perëndisë të shpaloset për ne në qiell, dhe është puna e veçantë e Frymës së Shenjtë të na informojë se Ai na do në mënyrë të tillë tani (Romakëve 5:5).
Ata që marrin pjesë në dashurinë e Atit, do marrin pjesë edhe në lavdinë e Tij: “Dhe unë u kam dhënë atyre lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një” (Gjoni 17:22). Do ketë raste, kur do na kushtojë t’i nënshtrohemi autoritetit të Atit, por Pali na kujton se kjo nuk “i’a vlen aspak të krahasohet me lavdinë që do të zbulohet në ne” (Romakëve 8:18). Për Jezusin, të njihte Perëndinë si Atin e tij, do të thoshte t’i nënshtrohej autoritetit të Tij, të shijonte dashurinë e Tij, dhe të ndante lavdinë e Tij. Kur Jezusi na fton të vijmë tek Ati nëpërmjet Tij, Ai na fton në të njëjtën lloj marrëdhënieje.
Një Shteg i Hapur
Ka vetëm një Perëndi, dhe Ai është Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë. Se si kjo funksionon është një mister, por ne nuk duhet të habitemi që Perëndia është më i madh se aftësia jonë për të kuptuar. Të njohim Perëndinë si Atë nuk është e natyrshme për ne. Ne kemi nevojë që dikush të na shpjerë në një marrëdhënie me Të, dhe kjo është arsyeja pse Jezus Krishti erdhi në këtë botë. Ai erdhi nga Ati për të na e zbuluar Atë, dhe që të na shpjerë tek Ati.
- Cilat janë tre pikat kyçe për natyrën e Perëndisë që ne gjejmë në Bibël? Me cilën prej këtyre je më i familjarizuar? Ose më pak i familjarizuar?
- Cila është ana pozitive (dhe ajo negative) e përdorimit të analogjive për të përshkruar Trininë?
- Cili është ndryshimi midis diçkaje që është një kontradiktë, dhe një misteri? Cili nga tre shpjegimet e sugjeruara ndaj misterit (“mos i'u shmang”, “mos u përpiq ta shpjegosh”, “lejo të të drejtojë në adhurim”) ke tentuar ta anashkalosh në përgjithësi? Përse?
- Si mund të ketë akses një person tek Perëndia Atë?
- Cili aspekt të duket më tërheqës rreth marrëdhënies të Jezusit me Perëndinë Atë? Po më pak tërheqës? Përse?