Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Numrat 13:1-33

Dymbëdhjetë zbuluesit e tokës së premtuar

1 Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

2 “Dërgo njerëz të këqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre”.

3 Kështu Moisiu i nisi nga shkretëtira e Paranit, sipas urdhrit të Zotit; të gjithë këta ishin krerë të bijve të Izraelit.

4 Këta ishin emrat e tyre: Shamua, bir i Zakurit, për fisin e Rubenit;

5 Shafati, bir i Horit, për fisin e Simeonit;

6 Kalebi, bir i Jefunehut, për fisin e Judës;

7 Igali, bir i Jozefit, për fisin e Isakarit;

8 Hoshea, bir i Nunit, për fisin e Efraimit;

9 Palti, bir i Rafut, për fisin e Beniaminit;

10 Gadieli, bir i Sodit, për fisin e Zabulonit;

11 Gadi, bir i Susit, për fisin e Jozefit, domethënë për fisin e Manasit;

12 Amieli, bir i Gemalit, për fisin e Danit;

13 Seturi, bir i Mikaelit, për fisin e Asherit;

14 Nahbi, bir i Vofsit, për fisin e Neftalit;

15 Geueli, bir i Makit, për fisin e Gadit.

16 Këto janë emrat e personave që Moisiu dërgoi për të vëzhguar vendin. Moisiu i vuri Hosheas, birit të Nunit, emrin Jozue.

17 Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: “Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore,

18 për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i paktë në numër apo i shumtë;

19 si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara;

20 dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend”. Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi.

21 Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit.

22 U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt).

23 Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin dy vetë me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq.

24 Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty.

Raportimi i vëzhguesve

25 Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit,

26 dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit.

27 Kështu para tij raportuan duke thënë: “Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij.

28 Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut.

29 Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; Hitejtë, Gebusejtë dhe Amorejtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa Kananejtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit”.

30 Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: “Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri”.

31 Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: “Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne”.

32 Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: “Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë.

33 Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t’u dukeshim atyre”.

Tjetra

Perëndia e udhëhoqi popullin e tij nëpër shkretëtirë, duke ecur para tyre në formë reje dhe zjarri. Ai siguroi për ta, duke u dërguar ushqim që e mblidhnin çdo mëngjes. Por kur iu afruan tokës që Perëndia u kishte premtuar t’u jepte, ata i zuri frika. A do të ushtronin besimin? Apo do t’i linin vend frikës?

Herët a vonë, do të gjendesh në një vend ku bindja ndaj Perëndis do të duket e kushtueshme. Për Izraelitet kjo ndodhi “herët”. Perëndia i tha Moisiut që të bënte një regjistrim të të gjithë meshkujve njëzet vjeç e lart në Izrael, të cilët ishin në gjendje të shërbenin në ushtri (Numrat 1: 2-3). Kjo na tregon se për çfarë flet ky libër—Perëndia po i drejtonte këta njerëz në luftë. Ai po i përgatiste ata për një fushatë ushtarake, me anë të së cilës do të merrnin në zotërim Tokën e Premtuar. Beteja të kushtueshme dhe fitorja përfundimtare ishin para tyre.

“Perëndia i foli Moisiut, duke i thënë: ‘Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre” (Numrat 13: 1-2). Moisiu dërgoi spiunët, dhe ata ecën nëpër tokë për dyzet ditë duke mbledhur informacion. Por kur u kthyen, gjërat shkuan jashtëzakonisht keq. Shumica menduan se toka nuk mund të pushtohej, dhe ndërsa përhapej pesimizmi i tyre, njerëzit u dekurajuan.

Libri i “Numrave” tregon historinë e një kthese të panevojshme. Populli i Perëndisë u përball me një derë të hapur mundësie, por ata frenuan aty ku duhet të kishin avancuar përpara. Historia na paralajmëron për pasojat afatgjatë të zgjedhjeve frikacake, dhe nëse ne mund të kuptojmë se ku ata gabuan, kjo do të na ndihmojë ne të shmangim përsëritjen e gabimeve të tyre.

Njerëz që Ankohen

Në vend që të përparonin në bindje ndaj urdhrit të Perëndisë, populli u ankua për vështirësitë që hasnin, ushqimin e tyre, dhe udhëheqësit e tyre (shih Numrat 11:1, 11: 4-6; 12:1). Perëndia vendosi që grindësit dhe ankuesit nuk do të hynin në tokën e premtuar (Numrat 14:22-23). Kështu që ata i kaluan tridhjetë e tetë vitet në vazhdim në shkretëtirë, derisa vdiq i tërë brezi, dhe fëmijët e tyre zunë vendin e tyre.

Të ankohesh është gjithmonë e rrezikshme. Tragjedia e kësaj historie është se kur gjërat e mëdha qëndronin para tyre, populli të cilin Perëndia e kishte bekuar ishte i pakënaqur me atë që Ai i kishte dhënë. Është e vështirë të marrësh vendime të drejta kur ke një qëndrim të keq. Nëse nuk je i kënaqur me atë që Perëndia të ka dhënë, bëj kujdes! Ishte pikërisht në këtë pikë ku ndodhej edhe Populli i Perëndisë, kur bënë gabimin më të madh që ndikoi për gjithë kohëzgjatjen e jetës së tyre.

Një frymë kritike bëri që bindjet e tyre shpirtërore të dobësoheshin. Ajo e thau pasionin e angazhimit të tyre ndaj Perëndisë dhe i la shpirtërisht të çalë, kështu që kur erdhi momenti i vendimit, ata lëvizën në drejtimin e gabuar. Njerëzit kritikë që ankohen, zakonisht përfundojnë duke zgjedhur rrugën e gabuar. Pas një vendimi të keq, në përgjithësi do të gjesh një qëndrim të keq.

Udhëheqës që Kënaqen me Veten

Moisiu dërgoi dymbëdhjetë udhëheqës për të mbledhur informacione që do ta ndihmonin të krijonte një plan për të përmbushur vullnetin e Perëndisë (Numrat 13:3). Por pas udhëtimit të tyre dyzet ditor për të vëzhguar territorin e armikut, ata u kthyen t’i thonin Moisiut se vullneti i Perëndisë nuk ishte praktik! “Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne” (Numrat 13:31). Spiunët po thonin: “Ne nuk mund ta bëjmë. Toka është e pushtuar tashmë. Kjo nismë është përtej forcave tona.”

Kushtoi vëmendje faktit që ata nuk e përmendën fare Perëndinë në raportin e tyre. Këta udhëheqës kishin ndaluar së pyeturi: “Çfarë dëshiron Perëndia që ne të bëjmë?” dhe ishin fokusuar në atë që dukej më e arsyeshme për të bërë. Kurdoherë që udhëheqja bën këtë ndryshim të drejtimit, do të jetë e kushtueshme për popullin e Perëndisë. Nëse e humbasim përqëndrimin në atë që Perëndia po na thërret të bëjmë, së shpejti do ta gjejmë veten duke u endur nëpër shkretëtirë pa asnjë qëllim.

Dy nga spiunët, Jozueu dhe Kalebi, paraqitën një raport tjetër që përqëndrohej në faktin se Perëndia ishte me ta. Por, kur iu dha mundësia që ata të flisnin, njerëzit tashmë e kishin mbushur mendjen se çfarë duhet të bënin. Moisiu lejoi që situata të dilte jashtë kontrollit. Së pari, ekipi gjurmues raportoi para audiencës së gabuar. Spiunët ishin dërguar nga Moisiu, por ata e bënë raportin e tyre në mënyrë publike. Së dyti, ata e tejkaluan autoritetin e tyre. Moisiu kërkoi informacione, por spiunët dhanë mendimin e tyre për situatën. 

Rezultati ishte që njerëzit përfunduan duke marrë një vendim të keq për një çështje që në radhë të parë nuk duhej të ishte sjellë para tyre. Çështja për të cilën duhet të merrnin një vendim, nuk ishte nëse ata duhet të hynin në Kanaan, por si duhet të hynin në Kanaan. Vetëkënaqësia dhe keqmenaxhimi e sollën tërë komunitetin në prag të katastrofës.

Ka disa mësime shumë të rëndësishme për ne këtu. Nëse populli i Perëndisë do të përparojë në qëllimin e Tij, ata duhet të jenë mirënjohës dhe udhëheqësit e tyre duhet të jenë besnikë. Ata duhet të shohin përtej të dhënave dhe të mbështeten tek Perëndia. Këtu janë dy teste kritike për shëndetin e çdo kishe: A ka një shpirt mirënjohës dhe të bashkuar midis njerëzve? A ka besim tek udhëheqësit?

Të Japësh Votën Tënde për Bindje të Kushtueshme 

Është e lehtë për ne të mendojmë se ne do të kishim votuar për hyrjen në tokën e Kanaanit. Por nëse do të dije se ndjekja e urdhrit të Perëndisë do t’i ekspozonte burrat dhe baballarët ndaj rrezikut të vrasjes, dhe fëmijët ndaj rrezikut për t’u zënë robër, a do të kishe qenë me të vërtetë i shpejtë për të votuar për hyrjen në Tokën e Premtuar (shih Ligji i Përtërirë 1:39)?

Ironia e madhe është se, nëse prindërit do të kishin zgjedhur rrugën e bindjes së kushtueshme ndaj Perëndisë, fëmijët e tyre do të ishin rritur në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë” (Levitiku 20:24). Por për shkak se prindërit i dhanë përparësi fëmijëve të tyre, ata kaluan dekada duke u endur në shkretëtirë. Bindja gjithmonë ka një çmim, por duke i vendosur fëmijët e tyre para, këta prindër i shkaktuan vetes dhe fëmijëve të tyre një dëm të madh.

Perëndia ishte besnik ndaj popullit të Tij, edhe në shkretëtirë. Ai siguroi ushqim për ta çdo ditë, dhe Ai kurrë nuk i braktisi. Por ky brez njerëzish që kishte provuar hirin e bollshëm të Perëndisë, nuk dha kontributin e vet për të përparuar në qëllimin e Tij. Pasi ne shohim këtë rrezik, pyetja e madhe është: “Si do të shmangim të qenurit të tillë?”

Kupto Thirrjen Tënde 

Së pari, duhet të kuptojmë se thirrja jonë është për një jetë me bindje të pakushtëzuar. Vullneti i Perëndisë për Izraelin në librin e Numrave ishte që njerëzit të hynin në tokën e Kanaanit. Vullneti i zbuluar qartë i Perëndisë për ne sot përfshin Urdhrin e Madh: “Duaje Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde…duaje të afërmin tend porsi vetveten” (Marku 12: 30-31), dhe Mandatin e Madh: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjitha kombet” (Mateu 28:19).

Duhet guxim të duash njerëzit që mund të mos të duan, dhe duhet guxim të ndash shpresën e ungjillit me njerëz që mund të mos duan të dëgjojnë për të. Por kjo është ajo që Perëndia na thërret të bëjmë. Sa më shumë që Perëndia të bekon, aq më e vështirë është të jetosh një jetë të guximshme. Është e lehtë të krijosh idenë se rehatia jonë është gjëja që ka më shumë rëndësi. Por Perëndia nuk na ka thirrur në një jetë të rehatshme. Krishti vdiq për ne që ne të mos jetonim më për veten tonë, dhe Ai na dërgon si mjeti me të cilin bëhet vullneti i Tij në botë. 

Duke Llogaritur Çmimin 

Së dyti, duhet të llogarisim çmimin e kësaj jete të bindur. Kur Perëndia e shpëtoi popullin e Tij nga Egjipti, Ai i mbrojti ata nga kostoja e plotë e thirrjes së tyre, duke i udhëhequr ata nëpërmjet rrugës së shkretëtirës, ​​dhe jo nga rruga e shkurtër që do t’i çonte përmes territorit të armikut. Sepse Perëndia tha: “Që të mos pendohet populli, kur të shohë luftën, dhe të mos kthehet në Egjipt” (Eksodi 13:17). Por me kalimin e kohës, Perëndia i çoi në një vend ku bindja ishte më e kushtueshme.

Mbaj mend një rast, kur babai im më çoi në një ankand dhe më tha: “Nëse do të bësh një ofertë, sigurohu më parë të vendosësh një limit të buxhetit që je i gatshëm të shpenzosh.” Kjo është këshillë e shkëlqyeshme për këdo që shkon në ankand, por do të ishte një qasje e neveritshme për jetën e krishterë.

Krishti nuk do t’i lejojë ndjekësit e Tij të vendosin një limit kundrejt çmimit për të qenë i krishterë. Ai tha, “Kushdo që do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Marku 8:34). Krishti nuk na thotë se cili do të jetë kryqi ynë, por vetëm se duhet të jemi të gatshëm ta marrim atë. Si ndjekës të Jezusit, ne duhet të jemi të gatshëm të themi: “Paratë e mia janë të Krishtit, koha ime është e Krishtit, jeta ime është e Krishtit.” Nuk ka asnjë limit të çmimit.

Mbaji Sytë tek Shpërblimi 

Së treti, duhet të shohim përtej çmimit për tek shpërblimi i madh që u është premtuar të gjithë atyre që ndjekin Jezus Krishtin. “Sepse ai që do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë” (Marku 8:35) Ja vlen gjithmonë të ndjekësh Jezusin, pa marrë parasysh se sa kushton. 

Një ditë, një burrë i pasur erdhi tek Jezusi dhe e pyeti se çfarë duhej të bënte për të trashëguar jetën e përjetshme. Krishti e dinte që paratë po e mbytnin jetën shpirtërore të këtij njeriu, dhe se mënyra e vetme që ai të ishte me të vërtetë i lirë, ishte nëse ai do t’i dhuronte paratë e tij. “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; dhe eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq” (Marku 10:21). Ashtu si njerëzit e Perëndisë në prag të hyrjes në Kanaan, ky njeri luftoi me koston që duhet të paguante, dhe ai “u largua ime keqardhje” (10:22).

Jeta e Jezusit pati një përfundim krejt të ndryshëm. Thirrja e tij përfshinte vuajtje dhe humbje ekstreme (Luka 9:22), por Ai ishte gati të paguante çmimin. Dhe libri i Hebrenjve na tregon se si Ai e bëri këtë. Krishti duroi kryqin “për gëzimin që ishte përpara tij” (Hebrenjve 12:2). Me fjalë të tjera, kur Perëndia mbajti kryqin përpara Jezusit, Ai shikoi përmes tij gëzimin që ishte në anën tjetër. Ai u përqëndrua në përfundimin, dhe Isaia na thotë se, “Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur” (Isaia 53:11).

Pra, këtu janë dy histori me zgjedhje dhe rezultate të ndryshme. Një histori mbaron me një njeri që është i hidhëruar; tjetra me një njeri që është i kënaqur. Ndryshimi midis tyre, është në gatishmërinë e tyre për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë, pa marrë parasysh çmimin. I hidhëruar apo i kënaqurcila nga këto dy fjalë do të përshkruajë atë që ndjen kur shikon pas në jetën tënde? 

Një Shteg i Hapur

Disa breza japin një kontribut më të madh në avancimin e qëllimit të Perëndisë sesa të tjerë. Libri i Numrave na bën të presim që pikërisht kështu do të jetë; jo të gjithë brezat shërbejnë me dëshirë. Uniteti i popullit të Perëndisë dhe guximi i udhëheqësve të tyre do të na shpëtojë nga endja pa qëllim, dhe do të na vërë në pozicionin e duhur për të çuar përpara qëllimin e Perëndisë në botë.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. A je i pakënaqur me diçka që Perëndia të ka dhënë (ose që nuk të ka dhënë)? Nëse nuk je i sigurt, mendo se për çfarë je ankuar më shumë kohët e fundit.
  2. Komento ndaj thënies: “ Perëndia të thërret në një jetë bindjeje të pakushtëzuar”.
  3. Ku mendon se tundohesh më shumë të vendosësh një limit të çmimit për Perëndinë? Tek paratë e tua? Tek koha? Tek jeta jote? Apo te ndonjë gjë tjetër?
  4. Cili është shpërblimi i jetës së krishterë? Si mund ta kuptosh nëse ke filluar të humbasësh qëllimin e saj?
  5. I hidhëruar apo i kënaqur—cila nga këto dy fjalë, do të përshkruajë atë që ti ndjen kur vlerëson jetën tënde nga këndvështrimi i përjetësisë?
Save Progress
Shko në fillim