Perëndia mund t’i kthejë armiqtë e Tij më të betuar në miqtë e Tij më të ngushtë. Ai është në gjendje të ndryshojë edhe zemrat më të ngurtësuara, dhe ne e shohim këtë në historinë se si armiku më i madh i kishës, u bë apostulli udhëheqës i saj. Sauli nga Tarsi i kishte dhënë si mision vetes të shkatërronte të Krishterët, dhe ai besonte se po i shërbente Perëndisë me këtë (Veprat 9:1-2). “Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli. Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ”Saul, Saul, përse më përndjek?” (Veprat 9:3-4).
Sauli pa një dritë verbuese, dhe dëgjoi një zë t’i fliste. Kjo nuk ishte një përvojë psikologjike. Edhe ata që po udhëtonin bashkë me të e dëgjuan zërin. Edhe drita e fotrë nuk ishte një haluçinacion. Ajo i dogji retinën e syve dhe e la atë të verbër. Ti ndoshta po mendon, “Asgjë e tillë nuk mund të më ndodhë mua.” Dhe megjithatë Pali thotë, “Por prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të tregojë së pari në mua gjithë zemërgjerësinë, për të qenë shembull për ata që do të besojnë në të për jetë të përjetshme” (1 Timoteut 1:16).
Në çfarë kuptimi është përvoja e Palit në rrugën për në Damask një shembull apo një model për ne? Është e qartë që Pali nuk po thotë se që të bëhesh i Krishterë, ti duhet të dëgjosh një zë që të flet, dhe të verbohesh nga një dritë hyjnore. Por konvertimi i Saulit të Tarsit është një model i asaj se çfarë duhet të ndodhë në jetët tona, nëse do bëhemi të Krishterë të vërtetë.
Një Njohuri e Vërtetë e Jezus Krishtit
Sauli dinte shumë për Krishtin. Ai ishte një studiues i shkëlqyer, dhe fokusi i tij ishte mbi ndjekësit e Jezusit. Ai e njihte pretendimin e të Krishterëve se Jezusi ishte Mesia i premtuar, dhe se Ai ishte ringjallur nga të vdekurit.
Por duke reflektuar në konvertimin e tij, ai thotë, “m’u dha mëshirë, sepse i bëra nga padija, në mosbesim” (1 Timoteut 1:13). Sauli e dinte se çfarë besonin të Krishterët dhe si jetonin ata. Por ai nuk e njihte Shpëtimtarin që ata adhuronin. Por gjithçka ndryshoi kur Sauli u rrethua nga një dritë verbuese dhe dëgjoi Birin e Perëndisë që e thërriste në emër: “Saul, Saul…” (Veprat 9:4).
Ti mund të thuash: “E gjitha kjo më duket shumë e largët. Unë kurrë nuk kam pasur një përvojë të ngjashme si ajo që ndodhi në Rrugën e Damaskut.” Por një ditë do ta shohësh Jezus Krishtin me siguri siç e pa Sauli. Ajo që i ndodhi atij, do të ndodhë edhe me ty. Do të dëgjosh zërin e Tij dhe Ai do të të thërrasë në emër.
Ti mund të mendosh për krishterimin si një përmbledhje besimesh për ty që të debatosh, ose një mënyrë jetese që duhet të marrësh në konsideratë. Por Pali thotë: “Ja çfarë unë kam humbur!” Kemi të bëjmë këtu me një person—jo me një person cilido—por me një person unik dhe të lavdishëm, Zotin Sovran, Jezus Krishtin, i cili ka të drejtën e zotërimit për çdo jetë. Të shohësh kush është Ai ndryshon gjithçka.
Një Njohuri e Vërtetë për Veten
Pastaj Sauli tha, “Zot, kush je ti?” Përgjigja ishte: “Unë jam Jezusi” (Veprat 9:5). Sauli kishte menduar se po luftonte një sistem, një besim, një lëvizje fetare, por ai zbuloi i tmerruar se e kishte vendosur veten kundër Birit të Perëndisë. “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek” (9:5). Sauli po përndiqte të Krishterët, por Jezusi i tha, “Përse po më përndjek?” (9:4). Çdo mëkat që ne kemi kryer është një ofendim personal ndaj Jezus Krishtit. Kur ne lëndojmë të tjerët, ne po lëndojmë Jezusin. Kur ne mërzisim të tjerët, ne po mërzisim Jezusin. Kur ne abuzojmë me të tjerët, ne po abuzojmë me Jezusin.
Papritur, Sauli pati një imazh krejt ndryshe të vetes së tij. Ai kishte menduar se ishte në rrugën drejt parajsës, por zbuloi se në fakt kishte qënë në rrugën drejt ferrit. Ai kishte mëkatuar kundër Zotit sovran të universit dhe, ishte shumë larg nga të qënit një njeri i drejtë që do të shpërblehej me bujari nga Perëndia, ai zbuloi se ai ishte një mëkatar, që mund të mbështetej vetëm në mëshirën e Perëndisë.
Sauli kishte menduar për veten se ai ishte një person i mirë për vite me rradhë. Ai e kishte konsideruar veten si “të paqortueshëm” (Filipianëve 3:6), por kur e pa veten ashtu siç ishte në të vërtetë—një person i hidhur, i zemëruar, i mbushur me inat ndaj të tjerëve dhe ndaj Perëndisë—ai filloi të ndryshonte. Kur e njeh me të vërtetë Jezus Krishtin, ti do kesh një kuptim të ri për veten tënde. Arroganca do zhduket, dhe ti do kesh një përultësi të re për jetën tënde.
Kur Ti Nuk Di Se Si të Ndalosh
Nënshtrimi ndaj Zotit Jezus Krisht do të të sjellë një lehtësim të madh. Krishti i tha Saulit, “Është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave” (Veprat 26:14). Fjala e përkthyer në Shqip “gjemba”, në anglisht përshkruan një lloj shkopi me majë që përdorej nga barinjtë për të bërë kafshët kokëforta të lëviznin.
Imagjino një rresht shufrash metalikë, si shtiza, të ngulura në tokë. Dikush vjen pranë teje i nxehur, dhe ashtu në inat e sipër u bie atyre me shkelm me gjithë forcën që ka. Maja e një shufre i hyn në këmbë dhe ai bërtet nga dhimbja. Por dhimbja e bën atë edhe më të inatosur, ndaj ai bën të njëjtën gjë, me rezultat edhe më të dhimbshëm. Këtë herë maja e shufrës metalike i futet edhe më thellë në këpucën e tij, dhe gjaku rrjedh lirshëm nga këmba e tij. Ty të rrënqethet mishi teksa e sheh, por ai nuk ndalon dhe shkelmon përsëri e përsëri, derisa këmba e tij përfundon në një gjëndje shumë të rëndë.
“Saul, Saul, është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave.” Ti nuk lëndon shufrën kur shkelmon, por vetëm veten tënde. Dhe sa më shumë ta bësh, aq më keq bëhet. A është ky një imazh i asaj që edhe ti po bën? A je duke bërë vazhdimisht atë që të ka lënduar më parë?
I shtyrë nga ndonjë impuls i brendshëm, ti vazhdon të bësh atë që të lëndon dhe nuk di si të ndalosh. Ka vetëm një mënyrë për të ndaluar dhe kjo është duke e nënshtruar totalisht veten ndaj Zotit Jezus Krisht. “O Zot, çfarë të bëj?” (Veprat 22:10). Kur ti i nënshtrohesh Jezusit, ti do të përjetosh një lehtësim të madh. Sauli tha, “M’u dha mëshirë…” (1 Timoteut 1:13). Gozhdat e hekurta u ngulën në duart dhe këmbët e Jezusit, në mënyrë që ti të merrje mëshirë dhe që shkelmimi ndaj gjembave të mos ishte fundi për ty.
Perëndia Punon Nëpërmjet Njerëzve
Sauli ishte i verbër dhe shtrirë në tokë, por Jezusi i tha, ”Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet çfarë duhet të bësh” (Veprat 9:6). Kur Jezusi të tregon se je një mëkatar, dhe se shpresa jote e vetme është të hidhesh përpara mëshirës së Tij, qëllimi i Tij nuk është të të lërë aty ku je të mbuluar në pluhur. Ai do të të ngrejë lart dhe do të dërgojë për të përmbushur qëllimin e Tij në botë. Sauli shkoi në Damask, dhe për tre ditë i’u dha lutjes dhe agjërimit (Veprat 9:9, 11). Zot, ki mëshirë për mua. Zot, më trego se çfarë duhet të bëj. Përgjigja e lutjes i erdhi Saulit nëpërmjet një personi të quajtur Ananias.
Sauli e njohu Jezusin nëpërmjet një takimi të drejtpërdrejtë me Zotin e ringjallur. Perëndia depërtoi nëpërmjet krenarisë dhe paragjykimeve të zemrës së këtij njeriu, nëpërmjet një ndërhyrje të drejtpërdrejtë. Asnjë njeri nuk e ndau ungjillin me të. Asnjë njeri tjetër nuk ishte i përfshirë në konvertimin e tij. Por kur Sauli pyeti, ”Zot, çfarë do ti të bëj unë?” Zoti tha, “Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet çfarë duhet të bësh”. Është sikur Zoti po i thoshte, “Ti u zgjove nëpërmjet një ndërhyrje direkte nga ana ime, por nuk do jetë gjithnjë kështu.” Perëndia përdor mjete. Mënyra normale e Tij është të punojë nëpërmjet njerëzve të Tij.
“Në Damask ishte një dishepull me emër Anania” (Veprat 9:10). Zoti i foli atij në një vegim dhe i tha të shkonte në një shtëpi ku Sauli po lutej. Anania nuk donte të shkonte fillimisht, dhe nuk mund ta fajësojmë për këtë. Perëndia po e thërriste të lutej për një njeri, i cili tre ditë më parë do ta kishte vrarë atë me gjithë qejf. “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem” (9:13). Por Zoti i tha Ananias, “Shko…” (Veprat 9:15). Dhe lavdi Zotit që ai shkoi.
Duke Ndihmuar një Besimtar të Ri
Sauli ishte i verbër, dhe për tre ditë kishte qëndruar në errësirë të plotë. E gjithë lëvizja e tij kundër të Krishterëve ishte bazuar mbi bindjen se Perëndia ishte një Perëndi hakmarrës, dhe tani Sauli zbuloi se ai ishte një nga ata që meritonin hakmarrjen e Perëndisë. Sauli kishte qënë duke vrarë dishepujt e Jezusit, dhe tani një dishepull i Jezusit vjen dhe vendos duart e tij mbi kokën e të verbërit. Duhet të ketë qënë një moment i frikshëm–Ç’do më bëjë ai mua? Por fjalët e para që Sauli dëgjoi ishin: “Vëlla Saul…” (Veprat 9:17). Saul, vëllai im! Ananias e rrethoi Saulin me dashuri, falje dhe hir.
Kur një person vjen në besim te Jezusi, përgjegjësia jonë e parë është t’i rrethojmë ata me dashuri. Pastaj duhet t’i ndihmojmë të thellojnë besimin e tyre me anë të ungjillit. Këtë bëri Anania për Saulin. Verbëria e Saulit ishte një shenjë e gjykimit të Perëndisë, dhe kur Anania u lut që shikimi i tij të rikthehej, ishte një shenjë për Saulin që gjykimi i Perëndisë ishte hequr nga ai. Ishte një siguri që Krishti i kishte treguar mëshirë, dhe se ai tani ishte në një marrëdhënie krejt të re me Perëndinë.
Anania i dha detyrën për shërbesë Saulit, të cilin ne e njohim më mirë si apostulli Pal. Ti do të “mbash emrin tim përpara kombeve dhe mbretërve dhe bijve të Izraelit” (9:15). Kur njerëzit kthehen në besim, ne duhet t’i përqafojmë ata si vëllezër ose motra në Krishtin. Ne duhet t’i ndihmojmë ata të krijojnë themele të forta në ungjillin dhe duhet t’i ndihmojmë ata të zbulojnë punën që Perëndia ka për ta për të bërë. Krishti e përdor këtë shërbesë për t’i kthyer të huajt në besimtarë, dhe për t’i kthyer armiqtë në miq.
Kur Sauli u zgjua ndaj nevojës së tij për Krishtin, i Krishteri i parë që e takoi atë e deshi, e fali, u lut për të, e pagëzoi, e ushqeu, e drejtoi, dhe e përgatiti atë. Perëndia punon nëpërmjet njerëzve: Pali u lut dhe përgjigja erdhi nëpërmjet Ananias. Puna që Perëndia bën nëpërmjet njerëzve është thelbësore për shërbesën dhe misionin e kishës. Perëndia mund të transformojë një jetë njerëzore, pa qënë nevoja për dikë tjetër të përfshihet, por Ai zgjedh të punojë nëpërmjet njerëzve të Tij. “Ne pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë” (1 Korintasve 3:9).
Një Shteg i Hapur
Jezus Krishti ka aftësinë të transformojë jetën e çdo njeriu, edhe dikujt që është armik i hapur i Tij. Ky transformim është një punë e Perëndisë që fillon që në konvertim, kur ne zbulojmë nevojën për mëshirë dhe i nështrohemi Krishtit. Kur ti konvertohesh, Perëndia ka punë për ty për të bërë, dhe ndërsa bëhesh pjesë e një kishe në qytetin tënd, besimtarë të tjerë do të të ndihmojnë ta zbulosh këtë punë.