Bibla fillon me Perëndinë i cili krijon qiejt dhe tokën. Mbaron me Perëndinë i cili krijon një qiell dhe tokë të re, ku gjithçka që Adami humbi do restaurohet, dhe shumë më tepër se kaq.
“Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk është më.”(Zbulesa 21:1)
Gjoni pa një “tokë të re”. “E Re” do të thotë se do të jetë ndryshe në mënyrë të mrekullueshme; “Tokë” do të thotë se ajo do të jetë çuditërisht e njohur. Fati i besimtarit të Krishterë nuk është një ekzistencë ëndërr në një botë imagjinare. Perëndia do ta rikrijojë, rimbushë, dhe ripërtërijë këtë planet. “Me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Romakëve 8:21).
Gëzimet e qiellit dhe tokës së re janë përtej imagjinatës sonë, por Perëndia përdor dy imazhe të mrekullueshme për të na dhënë një ide të asaj që na pret. Ato janë qyteti dhe kopshti.
Qyteti
Në këtë pikë të vizionit të Gjonit, historia siç ne e njohim ka arritur në fundin e saj. New York’u, Londra, Jeruzalemi, Pekini dhe Moska janë zhdukur të gjitha! Toka është rrafshuar nga gjykimi i Perëndisë (2 Pjetri 3:10). Toka është zhveshur nën nxehtësinë e zjarrtë të gjykimit të Perëndisë (2 Pjetri 3:10).
Por tani Gjoni sheh një qytet të ri që po zbret nga qielli, dhe ai menjëherë e njeh formën e tij: “Pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga Perëndia, prej qiellit” (Zbulesa 21:2). Jeruzalemi ka një domethënie të madhe në historinë e Biblës. Ky ishte vendi ku Perëndia zbriti të takohej me popullin e Tij kur reja e pranisë së Tij mbushi tempullin.
Jeruzalemi i ri ishte tejet i madh! Një engjëll “e mati qytetin me kallamin deri në dymbëdhjetë mijë stade” (21:16; 12,000 stade është e barabartë me rreth 1,400 milje). Mos harro se libri i Zbulesës po përdor përshkrimin e pamjeve për të na ndihmuar të kemi një vizion të shpejtë të lavdisë që na pret përpara. Njerëzit e shpenguar të Perëndisë janë më shumë se çdokush mund të numërojë (Zbulesa 7:9), dhe Perëndia po na tregon se Ai ka një vend për secilin prej nesh.
Matjet e qytetit janë dhënë në tre dimensione. “Gjatësia, gjërësia dhe lartësia e tij janë të barabartë” (21:16). Me pak fjalë, është një kub i përsosur. Gjoni menjëherë duhet ta ketë kuptuar domethënien e kësaj. Vendi më i shenjtë në tempull, ku Perëndia takohej me popullin e Tij, ishte gjithashtu një kub i përsosur—njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë, dhe njëzet kubitë i lartë (1 Mbretërve 6:20).
Qyteti i vjetër i Jeruzalemit kishte një vend të shenjtë. Jeruzalemi i ri, është një vend i shenjtë. Në Jeruzalemin e vjetër, vetëm një dhomë e vogël mbushej me lavdinë e Perëndisë. Në Jeruzalemin e ri, i gjithë qyteti do të mbushet me lavdinë e Tij. Në Jeruzalemin e vjetër vetëm një person mund të hynte në praninë e Perëndisë. Në Jeruzalemin e Ri, të gjithë njerëzit e Perëndisë do ta shijojnë Atë përgjithmonë.
Perëndia e dinte se çfarë po bënte kur krijoi një botë në të cilën ne do të rebeloheshim dhe do ta gjenim veten të humbur pa shpresë. Ai e dinte që një krijim i shpenguar do të tregonte lavdinë e Tij pafundësisht më shumë sesa një krijim i pafajshëm mund të bënte ndonjëherë.
Në krijimin e ri, reflektimet e lavdisë së Perëndisë do të shpërthejnë kudo—në ne dhe rreth nesh. Njerëzit që janë falur më shumë do të duan më shumë, dhe fëmijët e shpenguar të Perëndisë do të këndojnë, “I denjë është Qengji i therur” (Zbulesa 5:12). “I denjë je…sepse ti u there, dhe nëpërmjet gjakut tënd na bleve për Perëndinë prej çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombi,” (Zbulesa 5:9).
Kopshti
Deri në këtë pikë të vizionit, Gjoni ka parë Jeruzalemin e Ri nga jashtë. Por tani, ai është i ftuar të hyjë brenda. Ndërsa hyn, pamja ndryshon, dhe pa dyshim, për habinë e tij Gjoni sheh një kopsht të bukur: “Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës,…në mes të rrugës së qytetit, këtej e andej lumit, pema e jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe jep çdo muaj një frut” (Zbulesa 22:1-2).
Historia e Biblës filloi në një kopsht ku Perëndia e bekoi Adamin dhe Evën me katër dhurata të mrekullueshme: një shtëpi, punë, marrëdhënie, dhe praninë e dukshme të Perëndisë. Secila prej këtyre dhuratave u dëmtua dhe u shtrëmbërua kur mëkati hyri në botë. Adami dhe Eva u dëbuan nga kopshti, dhe u desh të vendoseshin në një botë të plagosur nga mëkati, dhimbja, dhe vdekja. Puna që ishte bekim, tani ishte kthyer në një irritim. Familja e parë në botë u nda, dhe Adamit dhe Evës ju desh të ecnin me Perëndinë me anë të besimit, dhe jo me anë të asaj që shihnin.
Parajsa ishte e humbur në momentin që mëkati erdhi në botë. Por në fund të historisë së Biblës, dhuratat që humbën jo vetëm që restaurohen, por ato tejkalohen në qytetin e ri kopsht të Perëndisë.
Shtëpi më e Mirë
“Në mes të rrugës së qytetit, këtej e andej lumit, ishte pema e jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe jep çdo muaj një frut; dhe gjethet e pemës janë për shërim të kombeve.” (Zbulesa 22:2)
Një ndryshim domethënës midis Edenit të vjetër dhe kopshtit të ri, është se nuk ka më pemë të njohurisë të së mirës dhe të keqes në qytetin e ri kopsht të Perëndisë. Ligësia nuk do të njihet më aty. Kopshti i ri është i lirë jo vetëm nga prania e ligësisë, por edhe nga mundësia e ekzistencës së saj.
Në Edenin e vjetër, burri dhe gruaja nuk lejoheshin të hanin nga pema e jetës. Por tani ata kanë akses të lirë, dhe pema jep dymbëdhjetë lloje të ndryshme frutash. Shumëllojshmëria e frutave flet për pasuritë e jetës që rimbushen vazhdimisht në praninë e Perëndisë. Përjetësia nuk do të jetë kurrë e mërzitshme apo e lodhshme.
Gëzimet më të mëdha të jetës në këtë botë janë si tregues të kënaqësive më të mëdha të krijimit të ri të Perëndisë. Kënaqësitë e qytetit të ri kopsht të Perëndisë do të tejkalojnë çdo gjë që Adami njohu në Kopshtin e Edenit. Ti do të shijosh fruta që Adami kurrë nuk i shijoi, dhe do të gëzosh kënaqësi që Eva kurrë nuk i njohu.
Punë më e Mirë
“Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë.” (Zbulesa 22:3)
“Zoti Perëndi i ndriçon; dhe do të mbretërojnë në jetë të jetëve.” (Zbulesa 22:5)
Thirrja e tij ishte të ushtronte sundim mbi gjithçka që Perëndia kishte bërë (Zanafilla 1:26). Ai duhej të mbushte tokën dhe ta nënshtronte atë (Zanafilla 1:28). Por kur gjarpri erdhi, Adami nuk e ruajti autoritetin e tij. Por tani, populli i Perëndisë është restauruar në një pozitë shërbese dhe mbretërimi.
Kur Perëndia flet për mbretërimin tonë, Ai po na tregon se jetët tona do kenë rregull dhe do jenë nën kontroll. Puna jote do të jetë e lirë nga irritimi. Ti nuk do t’i nënshtrohesh më tiranisë së kohës, detyrave të lodhshme, kolegëve grindavecë, apo menaxherëve stresues që ndërhyjnë gjithmonë në punët e të tjerëve. Ti nuk do të rrëmbehesh më nga baticat e paparashikueshme të emocioneve, apo nga impulset e vullnetit. Dhe nuk do të jesh më subjekt i rrezikut ose i vdekjes.
Shoqëri më e Mirë
“Ai kishte një mur të madh dhe të lartë dhe kishte dymbëdhjetë porta, dhe mbi portat dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar mbi to, të cilat janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit—Nga lindja tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi, tri porta.” (Zbulesa 21:12-13)
Edeni i vjetër u shijua vetëm nga një burrë dhe një grua, por tani një turmë e madhe është duke hyrë përmes portave të parajsës. Perëndia i ka shpenguar këta njerëz nga dhimbja e historisë njerëzore, dhe Ai i ka sjellë ata në një gëzim më të madh se sa kishin njohur ndonjëherë më parë. Gjoni pa dymbëdhjetë hyrje në qytetin kopsht të ri. Njerëzit hynin në qytet nga çdo drejtim— nga Kina në Lindje, Rusia në Veri, Afrika në Jug, dhe Amerika në Perëndim. Çdo komb përfaqësohet në bashkësinë e re të shpenguar dhe të pajtuar të Perëndisë.
Një engjëll qëndron në secilën portë në vegimin e Gjonit, dhe të gjitha portat janë të hapura (Zbulesa 21:12, 25). Në fillim të historisë së Biblës kerubinët ruanin hyrjen për tek pema e jetës me një shpatë flakëruese. Por tani, Krishti e ka thyer shpatën e gjykimit, dhe engjëjt janë tek portat për të mirëpritur të gjithë ata që i përkasin Atij.
Njohje më e Mirë e Perëndisë
“Dhe dëgjova një zë të madh prej qiellit që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre.” (Zbulesa 21:3)
Prania e Perëndisë në këtë qytet është bekimi i tij më i madh. Në Kopshtin e Edenit, Perëndia zbriti dhe e bëri Veten të njohur në kohë të caktuara. Ai shëtiste me burrin dhe gruan në orët e freskëta të ditës. Perëndia shkonte në kopsht si një vizitor. Ai nuk e imponoi Veten e Tij mbi burrin dhe gruan, por u dha atyre mundësinë për të zgjedhur një marrëdhënie besimi dhe bindjeje me Të. Për këtë arsye Ai shkoi dhe eci bashkë me ta, duke e kultivuar atë marrëdhënie.
Por tani Perëndia ka mbledhur një komunitet të gjerë njerëzish, mendjet e të cilëve janë ndriçuar nga e vërteta e Tij, dhe zemrat e të cilëve janë shkrirë në kryqin e Jezusit.
Vullnetet e tyre janë të drejtuara nga fuqia e Frymës së Shenjtë, dhe e kanë dashur Perëndinë lirisht. Kështu që, Perëndia nuk është më një vizitor. Froni i Perëndisë zbret në qytetin e kopshtit, në mënyrë që njerëzit e Tij të jetojnë në praninë e tij, dhe ta shijojnë Atë përgjithmonë. Perëndia e deklaron këtë me një shënim triumfi: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit!” (Zbulesa 21:3).
Një Shteg i Hapur
Kur nuk ndihesh si në shtëpi, mos harro se po vjen një ditë kur do të ndihesh më shumë në shtëpi, sesa je ndjerë ndonjëherë në çdo kohë apo vend në këtë botë.
Kur puna jote të duket irrituese, mos harro se po vjen një ditë kur do të gjesh gëzim dhe përmbushje në gjithçka që Perëndia të jep të bësh.
Kur përjeton gëzimin e dashurisë, mos harro se kjo është një shije e vogël e asaj që do të përjetosh në praninë e Perëndisë.
Kur ke pyetje ose lufton me besimin tënd, mos harro se një ditë do të shohësh fytyrën e Perëndisë. Dhe kur ta shohësh, do të jesh si Ai.