Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Isaia 55:1-13

Ftesa e Mesias gjithë të eturve

1 “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!

2 Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop? Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.

3 Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit.

4 Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve.

5 Ja, ti do të thërrasësh një komb që nuk e njeh, dhe një komb që nuk të njeh do të vrapojë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, sepse ai të ka përlëvduar”.

6 Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.

7 I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, te Perëndia ynë që fal bujarisht.

8 “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”, thotë Zoti.

9 “Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.

10 Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa ujitur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbijë në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë.

11 Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.

12 Sepse ju do të niseni me gëzim dhe do t’ju kthejnë në paqe. Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.

13 Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mërsina; kjo do të jetë për Zotin një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet”.

Tjetra

Shpëtimi është një dhuratë falas, por Jezusi na fton “Ejani, blini” (Isaia 55:1). Ai përdor fjalën blej, sepse ekziston një transaksion i caktuar, me anë të cilit merr atë që Krishti ofron. Edhe pse nuk paguan për të, duhet ta marrësh. Dhe nëse ky transaksion nuk ndodh, ajo që Krishti të ofron mbetet, si të thuash, në tezgë.

Në qytetin ku unë dhe gruaja ime Karen jetonim, në veri të Londrës, ditët e markatës dhe të tregut ishin çdo të enjte dhe të shtunë. Tregtarët mbërrinin rreth orës gjashtë të mëngjesit dhe përgatisnin vendin ku do të vendosnin produktet që do shisnin. Kishte tezga frutash dhe perimesh, një mbajtëse bagazhesh, stenda rrobash, dhe një burrë që çuditërisht dukej se shiste pjesë të fshesave me korrent. Vendi ishte gjithmonë plot me njerëz që kërkonin të binin në ujdi për një shitblerje. 

Zoti përdor skenën e një tregu për të na shpjeguar ofertën e Tij të pabesueshme për ne. “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!” (Isaia 55:1). 

Shekuj më vonë, Jezusi i mori këto fjalë dhe i zbatoi tek Vetja. “Nëse dikush ka etje,” tha Ai, “le të vijë tek unë dhe të pijë” (Gjoni 7:37). Tregtari në rrugë është Biri i Perëndisë. Ai ofron të kënaqë etjet e thella brenda shpirtit tënd. Ftesa e Jezusit është dhënë, por jo të gjithë ata që e dëgjojnë i përgjigjen asaj. Një arsye për këtë është se disa njerëz në treg janë të merakosur për tezgat e tjera. Ata janë afër, por gjithsesi nuk e dëgjojnë ftesën, sepse zërat e tjerë dhe interesa të tjera e mbysin atë. 

Në tregun e sotëm, shumë shqetësohen për tezgën e sportit. Të tjerë po kërkojnë përmbushje te tezga e martesës. Të tjerë në tezgat e karrierës, udhëtimeve, apo zbavitjeve. Këto tezga ofrojnë gjëra të mira, por Krishti na thotë, “Eja këtu; unë kam diçka për të të ofruar që nuk do e gjesh në asnjë vend tjetër.” Ai pyet, “Përse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk ju ngop?” (Isaia 55:2).

Biri i Perëndisë ofron diçka me vlerë të madhe. Ai thërret “Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë” (55:3). A nuk është kjo një ofertë e mrekullueshme? Le të shkojmë pra dhe të shohim sa kushton.

Çmimi Është i Drejtë!

Shitja zakonisht ka të bëjë me tregtarin që argumenton me blerësin për të arritur një ujdi në çmimin e lartë që ai dëshiron të shesë, por këtu kemi Krishtin që argumenton për të ulur çmimin: “Ejani, blini…pa para dhe pa paguar” (Isaia 55:1). Është si një shitje në ankand ku gjithçka funksionon mbrapsht, sepse Krishti ka zgjedhur t’i shesë atij që ofron më pak. 

Eja, pra, me mua në imagjinatën tënde në këtë shitje ankandi! Krishti është duke qëndruar në vendin e shitjes dhe Ai po thotë, “Unë jam i lumtur që mund të të jap falje dhe pajtim të plotë me Perëndinë. Oferta përfshin vlerën përfundimtare të jetës së përjetshme, dhe është në dispozicion sot për atë që ofron më pak. ” 

Një burrë me një kostum me viza del përpara dhe bën ofertën e parë. “Unë kam bërë një jetë të mirë dhe kam drejtuar një biznes të ndershëm”, thotë ai. “Kam qenë besnik ndaj gruas time dhe kam qenë një baba i mirë për fëmijët e mi. Kam shërbyer në bordet e tre organizatave bamirësie. Do të doja të bëja ofrertën time me këto punë të mira.” 

Një murmuritje ngrihet nga pjestarët e tjerë të ankandit. Kjo është një ofertë mjaft mbresëlënëse. “Shitja i shkon burrit me kostum për tani”, thotë drejtuesi i ankandit. “A mund të më bëjë dikush një ofertë më të ulët?” 

Më pas një zonjë me një pallto blu ngre dorën. “Unë nuk kam bërë aq shumë sa burri me kostumin me viza”, thotë ajo, “por kam marrë pjesë në kishë me besnikëri dhe mendoj se jam bërë një person shpirtëror”. 

“Shitjen e merr zonja me pallton blu për momentin”, thotë shitësi. “A mund të më bëjë dikush një ofertë më të ulët?” 

Një vajzë me xhinse blu ngre dorën. “Unë nuk kam marrë pjesë në kishë si zonja me pallton blu, por unë jam përpjekur të bëj një jetë që është e drejtë.” 

“Në të vërtetë”, thotë drejtuesi i ankandit, “kjo nuk është shumë, por meqë shitjen e fiton ai që ofron më pak, është e jotja për tani. A ka ndonjë ofertë tjetër? ” 

Një burrë me një triko të kuqe, i skuqur pak në fytyrë, ngrihet ngadalë. “Unë nuk kam jetuar sipas pritshmërive të mija”, thotë ai. “I kam zhgënjyer njerëzit dhe kam bërë disa gjëra të tmerrshme, por të paktën jam penduar. Nuk kisha ndërmend të bëja atë që kam bërë, prandaj më lejo të ofroj faktin që jam penduar vërtet.” 

“Në të vërtetë”, thotë shitësi, “kjo nuk është edhe aq shumë. Por meqë e merr ai që ofron më pak, oferta jote e dobët e ka fituar shitjen për momentin. A do të më bëjë dikush një ofertë më të ulët?” 

Kjo nuk është një betejë krenarie; është një betejë turpërimi. Shumë njerëz kanë hequr dorë nga ofertat, jo sepse kostoja është shumë e lartë, por sepse ofertat janë shumë të ulëta. Shumica e njerëzve thjesht shikojnë nëse dikush guxon të ofrojë më pak sesa burri me triko të kuqe. Si mundet dikush t’i ofrojë kaq pak Perëndisë? 

Më në fund dikush del përpara dhe thotë: “Unë nuk kam asgjë për të ofruar. Pendimi im nuk është ai që duhet të jetë; besimi im nuk është ai që duhet të jetë; punët e mia nuk janë ato që duhet të jenë. Asgjë nuk është ashtu siç duhet të jetë! Nuk kam asgjë për të ofruar. ” Dhe shitësi i ankandit deklaron fituesin me çekiçin e Tij. “Shitja është e jotja”, thotë Ai. “Është e jotja.” 

Çfarë Japim Ne?

Ndoshta po mendon, në rregull, por a nuk duhet t’i japim diçka Perëndisë? A nuk duhet të na vijë keq? A nuk duhet të besojmë? 

Po. Por ne nuk e marrim shpëtimin sepse ofrojmë këto gjëra. Shpëtimi është një dhuratë. Shumë njerëz hutohen në këtë pikë. Ata mendojnë për shpëtimin si një marrëveshje nëpërmjet të cilës Perëndia ofron falje dhe jetë, dhe ne në këmbim sjellim pendim dhe besim. Por ky nuk është ungjilli. 

Nëse Perëndia do të të pyeste ditën e fundit të jetës tënde se pse duhet të të linte të hyje në parajsë, përgjigja nuk është “për shkak të punëve të mia të mira”, ose për pendimin tim, apo edhe besimin tim. Shpëtimi ynë nuk mbështetet në asgjë që kemi bërë. Ai qëndron vetëm në Jezus Krishtin. 

Nëse ke besim në pendimin dhe besimin tënd, nuk do të kesh kurrë siguri, sepse besimi yt gjithmonë mund të jetë më i fortë, dhe pendimi yt nuk është kurrë i plotë. Shpëtimi yt varet tërësisht nga Krishti dhe në atë që Ai ka bërë për ty. Besimi është dora e hapur që merr atë që Ai ofron, dhe pendimi është përgjigjja e një zemre që tashmë ka marrë. 

Të Japësh Ofertën më të Ulët

Nëse e ke të vështirë ta duash Perëndinë, a mund të jetë sepse nuk ke marrë ende atë që Krishti ofron? Ndoshta ti po ndjek një kod moral dhe je duke i’a ofruar atë Zotit. Duart e tua janë plot, dhe ti nuk ke ardhur kurrë tek Krishti për të marrë. 

Perëndia e ka bërë kështu në mënyrë që secili prej nesh të ketë mundësinë të bëjë ofertën më të ulët. Vetëm krenaria qëndron në anën tënde. Burri me kostumin me viza dhe zonja me pallton blu mund ta marrin këtë bekim gjithashtu, por ata duhet të ndalojnë së provuari ta blejnë atë. Ata duhet të lënë mënjanë veprat e tyre dhe të vijnë te Krishti me duar bosh. 

Një arsye pse na duket kaq e vështirë, është sepse ne nuk na pëlqen borxhi. Kjo më erdhi në mendje kur një mik ofroi të rregullonte një problem në shtëpinë tonë. Ai kaloi disa orë duke punuar, dhe unë isha mirënjohës ndaj tij. U përpoqa t’i fusja disa para në xhep, por ai nuk i pranoi. 

Përse doja ta paguaja atë? Sepse nuk doja të isha në borxh me të. Nëse unë do të merrja ndihmën dhe ai do merrte paratë, ne do kishim një marrëveshje të barabartë. Dhe diku thellë në zemrën tonë ne shpesh ndihemi në të njëjtën mënyrë kur vjen puna te Perëndia. “Ai më ofron diçka që unë e kam të nevojshme. Le ti ofroj edhe unë Atij diçka që Ai do në këmbim.” Kjo më bën të ndihem më i besueshëm, më i respektueshëm. “Nëse është kështu,” thotë Krishti, “nuk ka ujdi.” 

E vetmja mënyrë me anë të cilës ne mund të marrim atë që Krishti ofron, është të shkojmë para Tij me duart bosh dhe të marrim prej Tij,  dhe kjo na lë në një borxh të pallogaritshëm ndaj Tij për gjithë jetën dhe përjetësinë tonë.

Të Bësh Blerjen 

Disa personave u pëlqen thjesht “të shikojnë” kur dalin nëpër dyqane, dhe nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe me këtë. Në këtë pikë janë shpirtërisht edhe disa njerëz. Ata kanë ardhur tek ankandi i Krishtit dhe fillojnë dhe bëjnë pyetje rreth Biblës dhe shpëtimit. Thjesht të shohësh është shumë mirë, por të shohësh nuk do të thotë të blesh. Angazhimi më i madh i jetës tënde është i denjë për hetimin më të thellë, prandaj shikoji me kujdes kushtet që ofron Krishti. Por mos e ngatërro të parit me të blerët. Nëse ajo çfarë Krishti ofron është për ty, ti duhet ta pranosh dhe të mbyllësh marrëveshjen. 

Gjithashtu, edhe të provosh nuk do të thotë të blesh.Ti mund të qëndrosh në një dyqan nga ora 9 e mëngjesit deri në 5 të mbasdites, nga e hëna në të premte dhe të mos blesh asnjëherë asnjë gjë. Dhe po kështu ti mund të vish në kishë, të lexosh Biblën, t’i bashkohesh një grupi studimi dhe prapë asnjëherë nuk mbyll një marrëveshje me Krishtin. Ndoshta ndjen që duhet të blesh, por prapë asnjëherë nuk blen. 

Dhe të kesh njohuritë, nuk do të thotë se do blesh. Herën e fundit kur po shikonim për një lavatriçe, gjetëm një asistent shitjesh të dobishëm, i cili ishte si një enciklopedi e vërtetë. 

“Kjo këtu”, tha ai me një të folur me hundë, “rrotullohet për njëzet e tre minuta në proçesin e çentrifugës; dhe kjo ka opsione shtesë si përshpejtim proçesi e kursim kohe, por nuk ka matësin automatik të temperaturës.” Ne filluam të bisedonim me të, dhe ai na tregoi që edhe ai vetë nuk kishte një lavatriçe sepse jetonte vetëm, dhe shkonte në lavanderi një herë në muaj. Ai dinte gjithçka mbi lavatriçet, por nuk kishte blerë një për veten. Dhe si përfundim, as ne nuk e blemë lavatriçen. 

Ndoshta në këtë pozitë gjëndesh edhe ti shpirtërisht. Ti di shumë gjëra rreth Jezusit, por ajo çfarë Ai ofron nuk është bërë akoma e jotja. Të kesh njohuritë, nuk do të thotë të blesh. 

Një Shteg i Hapur

Jezus Krishti ofron të kënaqë etjet më të thella të shpirtit tënd. Ai ofron të të sjellë në një marrëdhënie me Perëndinë në të cilën mëkatet e tua janë falur, dhe ti fillon të përjetosh fuqinë e Tij për të jetuar në një mënyrë që i pëlqen Atij. Kjo jetë do vazhdojë përtej vdekjes deri në përjetësi. 

Ti nuk mund ta blesh këtë dhuratë, por mund ta pranosh. Dhe që ta marrësh, ti duhet të braktisësh idenë se ka diçka që mund t’i ofrosh Perëndisë. Ti duhet ti kërkosh Atij të të japë atë që ti nuk e ke. Besimi është si një dorë që është e hapur për të marrë çfarë Krishti ofron, dhe Ai është gati tu japë të gjithë atyre që janë të vullnetshëm të marrin.

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
  1. Përse nuk i përgjigjen të gjithë ftesës së Jezusit?
  2. A do të ishte më mirë për ty nëse Jezusi do i ofronte falje, pajtim dhe jetë të përjetshme atij që ofron më shumë, apo atij që ofron më pak? Pse?
  3. Si do përgjigjeshe nëse Perëndia do të të pyeste ditën e fundit të jetës tënde, “Përse duhet të të lejoj në Parajsë?”
  4. Çfarë të pengon ty që të lësh mënjanë veprat e tua dhe të vish te Krishti me duar bosh?
  5. Ku je ti në procesin e blerjes me Jezusin? A je thjesht duke parë? Je duke provuar? Je duke mësuar më shumë? Apo e ke mbyllur ujdinë?
Save Progress
Shko në fillim