Asnjëherë nuk është e lehtë të thuash lamtumirë. Më kujtohet kur u thamë lamtumirë prindërve të mi, në Aeroportin e Glasgow. Ne ishim të përgatitur mirë dhe të gjithë ranë dakord se shpërngulja jonë nga Britania për në Shtetet e Bashkuara ishte gjëja e duhur. Por ne po largoheshim nga vendi ynë, dhe sado i përgatitur të jesh për të thënë lamtumirë, nuk është kurrë e lehtë kur të vijë momenti.
Nëse familja dhe miqtë tanë do kishin organizuar një festë kur avioni ynë të largohej, kjo do na ishte dukur mjaft e çuditshme. Atëherë, si duhet ta kuptojmë gëzimin e dishepujve kur Jezusi u largua nga ata?
Gëzimi i dishepujve është edhe më i çuditshëm kur kujtojmë se sa të tmerruar ishin kur Jezusi kishte folur për largimin gjatë Darkës së Fundit. Duhet të ketë ndodhur diçka që ajo që dikur e kishin frikë, tani të bëhej shkak për të festuar. Qëllimi ynë në këtë mësim është të zbulojmë se çfarë ishte ajo që i bëri të gëzoheshin.
I Ngritur në Mes të Reve
Luka shkruan se Jezusi “u ngrit lart; dhe një re e mori prej syve të tyre” (Veprat 1:9). Kur Luka na tregon për një re, ai nuk po flet rreth kushteve të motit në Jeruzalem! Kur populli i Perendisë ishin në shkretëtirë, Ai e manifestoi Veten e tij në një shtyllë reje. Në mënyrë të ngjashme, në kohën e Salomonit, reja e pranisë së Perëndisë zbriti dhe mbushi tempullin (1 Mbretërve 8:10-13). Kur dishepujt panë lavdinë e Jezusit të shndërrohej, ata dëgjuan zërin e Perëndisë që fliste nga një re: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni” (Marku 9:7).
Tani Luka na thotë: “ndërsa ata po e shikonin, u ngrit lart; dhe një re e mori prej syve të tyre” (Veprat 1:9).
A mund të ketë diçka më të qartë se kjo? Jezusi kishte ardhur nga Ati, dhe tani, pasi kishte mbaruar punën e Tij, ai po kthehej tek Ati i Tij në parajsë. Adami u dëbua nga kopshti, dhe të gjithë fëmijët e tij u ndanë nga Perëndia. Por Krishti u mirëprit në qiell, dhe të gjithë fëmijët e Tij do të pajtohen me Perëndinë. Adami i parë na drejtoi të gjithë jashtë. Adami i fundit na drejton të gjithë brenda. Kjo është arsyeja pse dishepujt u kthyen me gëzim në Jeruzalem.
Një Avokat në Parajsë
Kur Krishti u ngrit në qiell, dishepujt e dinin se Ai ishte pikërisht në vendin ku ata kishin nevojë që Ai të ishte. Supozo se je në burg nën një akuzë që mban dënimin me vdekje nëse shpallesh fajtor. Ty të duhet një avokat i mirë, më i miri që mund të gjesh.
Ti gjen një avokat të mirë, dhe ndërsa fillon ta njohësh, zbulon se ai nuk është vetëm një avokat i aftë, por edhe një njeri me dhembshuri të madhe. Vizitat e tij në qelinë tënde të sjellin ngushëllim të madh, dhe ndërsa ndërton një marrëdhënie me të, zbulon se mund të flasësh për vështirësitë e jetës tënde. Kjo ka vlerë të madhe, por ajo që të duhet më shumë nga avokati yt, nuk është ngushëllimi i tij në qeli. Ti ke nevojë që ai të të mbrojë në sallën e gjyqit. Nevoja jonë më e madhe si mëkatarë, nuk është ngushëllimi dhe rehatia në tokë, por mbrojtja në qiell. Ne kemi nevojë për një avokat që do të mbrojë çështjen tonë, dhe “kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin” (1 Gjonit 2:1).
Akuzuesi
Imagjino që je duke qëndruar në sallën e gjyqit të parajsës. Satani, akuzuesi yt, ka një çështje për të paraqitur kundër teje. Salla e gjyqit është e mbushur me engjëj, të cilët ngrihen ndërsa Perëndia zë vendin e Tij si Gjykatës. Akuzuesi yt merr letrat e tij dhe fillon të ecë nëpër gjykatë ndërsa paraqet çështjen e tij. Perfundimi i tij është që je fajtor për shkak të mëkatit, dhe se duhet të dënohesh.
Ai fillon duke deklaruar se ke lindur në mëkat dhe se natyra jote është e korruptuar. Ai pastaj vazhdon të të akuzojë ty për mëkate të veçanta që ke kryer kur ke qenë i ri. Ai ndjek historinë e jetës tënde, duke treguar momentet kur ke qenë frikacak, je kënaqur me veten, ke qenë krenar, i keq dhe lakmues. Ti dridhesh ndërsa dëgjon, i mbytur nga ndjesia e vetë turpit tënd.
Më në fund, akuzuesi e përforcon argumentimin e tij duke theksuar se edhe pse pretendoje të ishe një besimtar në Krishtin, besimi yt ishte shpesh i dobët dhe ke pasur shumë dyshime. Akuza e tij është bindëse, dhe ti ke frikë se do të dënohesh. Pastaj Jezusi del përpara. Ai e merr dosjen e Tij në dorë dhe fillon të argumentojë mbrojtjen tënde. “Klienti im pranon që çdo fjalë e thënë nga akuzuesi është e vërtetë. Ne nuk kundërshtojmë asnjë nga akuzat, dhe as nuk pretendojmë t’i zvogëlojmë apo justifikojmë ato. Klienti im është fajtor ashtu siç akuzohet.”
Por, ndërsa Ai ngre duart e tij të gozhduara, Ai thotë, “Unë kam këtu një falje të plotë të blerë me gjakun tim.” Akuzuesi nuk ka asnjë përgjigje për këtë. E gjithë çështja e tij kundër teje rrëzohet dhe nxirret jashtë gjykatës. Mbrojtja jonë është se Jezus Krishti ka vdekur për mëkatet tona. Ato tashmë janë gjykuar në kryq, dhe pasi akuza është trajtuar, ajo nuk mund të sillet përsëri kundër teje. “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai edhe u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë, dhe ai ndërmjetëson për ne.” (Romakëve 8:34).
Vepra e Vazhdueshme e Jezusit
Çdokush që ka humbur një të dashur e di se përshtypjet e fundit kanë një ndikim të fuqishëm. Ne i kujtojmë njerëzit, ashtu siç i pamë për herë të fundit. Shikimi i fundit që dishepujt kishin për Jezusin, ishte me duart e ngritura për t’i bekuar: “Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit lart në qiell” (Luka 24:51).
Ngritja na flet si për punën e përfunduar, ashtu edhe për punën e vazhdueshme të Jezusit. Ai e ka përfunduar punën e ofrimit të Vetes si flijim për mëkatin. Nuk ka më sakrifica për t’u ofruar, nuk ka më shlyerje për t’u bërë, asgjë më shumë që duhet të bëhet për të qetësuar zemërimin e Perëndisë dhe për t’i dhënë falje popullit të Tij. Ajo vepër është e plotësuar. Ajo është e përfunduar! Por Jezusi ka gjithashtu një vepër të vazhdueshme. Ndërsa Ai qëndron i ulur në të djathtën e Atit, Ai vazhdon atë që po bënte kur u ngrit, të derdhë bekimin e Tij mbi popullin e Tij. “Gjithmonë rron që të ndërmjetësojë” për ne (Hebrenjve 7:25), dhe kjo vepër do të vazhdojë derisa Ai të rikthehet.
Premtimi i Prezencës së Tij
Jezusi u ngrit në qiell, por Ai ishte ende me dishepujt e Tij përmes Frymës së Shenjtë. Kjo është ajo për të cilën po fliste Krishti kur tha, “Është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj” (Gjoni 16: 7; shih gjithashtu Veprat 1: 4-5).
Zoti ynë Jezus Krisht është në të djathtën e Atit, dhe në të njëjtën kohë Ai është i pranishëm në zemrat e besimtarëve nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Biri i Perëndisë na përfaqëson tek Ati, dhe Fryma e Perëndisë përfaqëson Atin dhe Birin për ne.
Megjithëse nuk e kemi parë kurrë Jezusin, prania e Tij me ne nëpërmjet Frymës së Shenjtë është po aq e vërtetë sa ishte kur Ai ecte me dishepujt. Krishti na thërret të “shkojmë. . . dhe të bëjmë dishepuj” (Mateu 28:19). Ne duhet të jemi “dëshmitarët e tij. . . deri në skajin e dheut” (Veprat 1: 8). Dhe ndërsa shkojmë në emrin e Tij, Jezusi thotë, “Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20).
Premtimi i Kthimit të Tij
Kur Jezusi u ngrit në qiell, dy figura engjëllore u shfaqën dhe u thanë dishepujve: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell.” (Veprat 1:11).
Perëndia ka premtuar se ashtu si Jezusi u rrëmbye në re, kur Ai të rikthehet, ne do të rrëmbehemi për ta takuar Atë në ajër (1 Thesalonikasve 4:17). Ajo që i ndodhi Jezusit në ngritjen e Tij, do të na ndodhë kur Ai të vijë në lavdi. Të Krishterët janë akoma duke pritur ditën e madhe kur Krishti do të vijë përsëri. Çdo i Krishterë do të jetë pjesë e asaj dite, duke përfshirë edhe ata që tashmë kanë vdekur. Ata që janë tashmë me Perëndinë dhe ata që janë gjallë, kur Ai të vijë, do të jenë me Zotin përgjithmonë.
Një Shteg i Hapur
Si besimtar, ti mund të kesh një gëzim të madh sot, duke ditur që Zoti yt i ngritur në qiell është në të djathtën e Atit, dhe se duart e Tij janë të ngritura duke të të bekuar ty. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë prania e Tij është gjithmonë me ty, duke të fuqizuar të bësh gjithçka që Ai të thërret të bësh. Dhe kur Ai të vijë përsëri, Ai do të të marrë në praninë e Tij përgjithmonë.