Fryma e Shenjtë
Gjoni 16:4-15
Jezusi përsërit premtimin e Ngushëlluesit
4 Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë ora, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por këto nuk jua pata thënë nga fillimi, sepse isha me ju.
5 Por tani unë po shkoj tek ai që më dërgoi, dhe askush nga ju s’po më pyet: “Ku po shkon?”.
6 Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.
7 Megjithatë unë ju them të vërtetën: Është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj.
8 Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjyq.
9 Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;
10 për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati im dhe nuk do të më shihni më;
11 për gjyq, sepse sundimtari i kësaj bote është gjykuar.
12 Kam edhe shumë për t’ju thënë, por tani ju nuk mund t’i mbani.
13 Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, do t’ju prijë në gjithë të vërtetën, sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë atë që do të dëgjojë dhe do t’ju kumtojë ato që do të vijnë.
14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë.
15 Gjithë sa ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë, se ai do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë.
TjetraDisa njerëz që janë të qartë në mënyrë të arsyeshme, për Perëndinë Atë dhe Perëndinë Bir, janë mjaft konfuzë kur bëhet fjalë për Perëndinë Frymë e Shenjtë. Ne e kuptojmë se pa Atin, Biri nuk do të ishte dërguar kurrë në botë. Ne mund të shohim se pa Birin nuk do të kishte asnjë flijim në kryq, asnjë varr të zbrazët dhe ne nuk mund të shpëtoheshim. Po sikur të mos ekzistonte Fryma e Shenjtë? Çfarë ndryshimi do të bënte kjo? Sa i rëndësishëm është ky person i tretë i Trinisë?
Imagjino një njeri që është shumë i pasur. Ai quhet Stavros, dhe përgjatë viteve ka mbledhur biliona dollarë. Kur Stavros vdes, avokati i tij hap testamentin që ai ka lënë. Është një dokument i gjatë, me qindra faqe dhe me përfitues në të gjithë botën. Secili prej tyre duhet gjetur dhe u duhet thënë për trashëgiminë, dhe sipas kushteve të testamentit, të gjithë duhet të shkojnë tek shtëpia e Stavros që të marrin atë që u është premtuar. Avokati ka goxha punë për të bërë për vite me rradhë.
Bibla na tregon se Krishti ka blerë një trashëgimi të mrekullueshme për ne. Nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes së Tij, Ai ka hapur një rrugë për ne që të pajtohemi me Perëndinë dhe të hyjmë në jetën e përjetshme. Vullneti i Perëndisë është nënshkruar nga Ati dhe vulosur nga Biri. Por ajo që është nënshkruar dhe vulosur duhet ende të dërgohet. Është një gjë të ofrosh një dhuratë; dhe është diçka tjetër që ajo dhuratë të merret. Dhe gjithçka që Krishti ka bërë do të jetë e padobishme dhe pa vlerë për ne, derisa ta marrim atë që Ai ofron.
Por si mund të dorëzohet vullneti i Perëndisë tek ne? Përgjigja është: Nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë sjell atë që Jezusi arriti në kryq dhe e aplikon atë personalisht tek ne. Pa Frymën e Shenjtë të Perëndisë shpëtimi do të mbetej një mundësi teorike, por nuk do të bëhej kurrë realitet për asnjë njeri. Nëse nuk do të kishte një Frymë të Shenjtë, askush nuk do arrinte në parajsë. Pa Frymën, gjithçka që Jezusi bëri do të ishte si një testament që nuk u lexua kurrë, një dhuratë që nuk u hap kurrë, një trashëgimi që nuk u shijua kurrë.
Shqetësuesi i Perëndisë për Paqen
Krishti ofron faljen e mëkateve, drejtësi nga lart, dhe çlirim nga gjykimi që do të vijë. Por shumica e njerëzve nuk e ndjejnë nevojën e asaj që Krishti ofron. Për këtë arsye, puna e parë e Frymës së Shenjtë është të prishë paqen tonë. “Dhe kur të ketë ardhur, ai (Fryma e Shenjtë) do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjyq.” (Gjoni 16:8).
Mendo se si e hap një kuti boje. Ti ndoshta do përdorësh një kaçavidë apo ndonjë lloj tjetër leve për të hapur kapakun. Rreth skajit të kanaçes është një buzë që vepron si vendi ku leva mund të futet. Nëse nuk do të kishte një rreth, nuk do të kishte asgjë për të tërhequr për levën. Një levë gjithmonë ka nevojë të kapet në një pikë prej nga ku mund të tërheqë.
Në të njëjtën mënyrë, ungjilli funksionon si një levë dhe mbështetet në vetëdijen e mëkatit, si pika nga ku mund të na tërheqë në dritë. Nëse një person nuk e kupton mëkatin, ungjilli nuk do të ketë asnjë efekt “tërheqjeje” në jetën e këtij personi. Dhe do të jetë si një levë që nuk ka një pikë ku mund të kapet për të tërhequr. Ungjilli funksionon kur Fryma e Shenjtë krijon një ndjenjë mëkati brenda nesh, dhe kjo është arsyeja pse detyra e Tij e parë është të na shqetësojë duke na bindur për mëkatin. Zbulimi i mëkatit tënd është hapi i parë për të gjetur paqen me Perëndinë.
Tre Alarmet e Perëndisë
Puna e parë e Frymës së Shenjtë është të na tregojë ku qëndron problemi, në mënyrë që ne të identifikojmë nevojat tona dhe të jemi gati për të dëgjuar ungjillin. Kjo asnjëherë nuk është diçka e këndshme. Askujt nuk i pëlqen ta zgjojnë kur është duke fjetur, por nëse shtëpia jote është duke u djegur, ti do i jesh mirënjohës personit që të zgjoi.
Fryma e Shenjtë na shqetëson, jo sepse Ai është kundër nesh, por sepse Ai e sheh pozicionin në të cilin jemi—dhe Ai na do shumë për të na lënë atje. Ti duhet të dalësh nga vendi ku ndodhesh tani! A nuk e sheh rrezikun në të cilin je? Mëkati, drejtësia dhe gjykimi! Ti nuk mund të qëndrosh atje!
Gruaja ime dhe unë kemi tre orë me zile në dhomën tonë të gjumit. E para na zgjon ëmbëlsisht me muzikë. E dyta bie disa minuta më pas, në rast se na ka zënë gjumi prapë, dhe është pak më e bezdisshme. E treta bie akoma më vonë dhe është opsioni i fundit, nëse gjithçka tjetër dështon. Kjo bën një tingull shumë të shëmtuar, dhe dita jonë fillon më mirë nëse ne zgjohemi përpara shpërthimit të ziles së saj shurdhuese.
Perëndia ka tre mënyra për të na zgjuar në lidhje me mëkatin në jetën tonë. Ti mund të mendosh për to pak a shumë si këto tre orë me zile. E para është puna e butë e Frymës së Perëndisë që hap ndërgjegjen tënde dhe të zbulon atë që nuk shkon, në mënyrë që ti ta ndryshosh atë.
Nëse nuk zgjohesh nga kjo dhe vazhdon të flesh, Fryma e Shenjtë mund të flasë më fort dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë. Kjo është ajo që i ndodhi Davidit. Perëndia e nxorri në dritë mëkatin e tij nëpërmjet profetit Natan. Gjithçka u zbulua publikisht, dhe në atë pikë Davidi u kthye tek Perëndia i penduar.
Nëse një person e injoron edhe alarmin e dytë të Perëndisë, situata e tij/saj bëhet më e rrezikshme. Kjo është ajo që i ndodhi Faraonit. Perëndia dërgoi Moisiun tek ai, por Faraoni refuzoi të dëgjonte urdhërin e Perëndisë, edhe kur ai u përball drejtpërdrejt me të. Ai vazhdoi ta forconte zemrën e tij, dhe si përfundim Faraoni e gjeti veten nën gjykimin e Perëndisë.
Merri në konsideratë këto tre alarme: punën e qetë të Frymës së Perëndisë për të zgjuar ndërgjegjen, ekspozimin nga Perëndia të një mëkati të fshehur, dhe gjykimin e drejtpërdrejtë të Perëndisë së Plotfuqishëm. Cilin nga këto të treja do të doje që Perëndia të përdorte në mënyrë që ti të zgjohesh dhe të mos mëkatosh më?
Të na tregojë mëkatin tonë, është puna e parë e Frymës së Shenjtë. Faleminderit Perëndisë që nuk është detyra e Tij e fundit. Ai na zgjon për mëkatet tona, por Ai kurrë nuk na lë atje vetëm.
Ndezja e Prozhektorit
Kur një ndërtesë është e ndriçuar mirë, mund të shohësh qartë bukurinë e saj. Por pa ndriçim, bukuria e saj do të ishte e fshehur në errësirë. Në mënyrë të ngjashme, Fryma e Shenjtë është si një prozhektor që ndriçon mbi Jezus Krishtin. Ai ndriçon të vërtetën, që pa Të nuk do të mund ta shihnim. Ai na hap sytë dhe botëkuptimin tonë për të parë se kush është Jezusi dhe çfarë Ai ka përmbushur.
Jezusi tha, “Kur të vijë Ngushëlluesi … ai do të dëshmojë për mua” (Gjoni 15:26). “Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë” (16:14). Ashtu si prozhektorët, Fryma e Shenjtë nuk fokusohet tek Vetja; Ai e drejton vëmendjen tonë tek Jezusi. Fryma e Shenjtë ka një shërbesë shumë të bukur. Ai na tregon nevojën tonë për një Shpëtimtar, dhe Ai na tregon se Krishti është Shpëtimtari që na nevojitet. Pastaj Ai na bashkon me Të. Fryma e Shenjtë bën të mundur mblesërinë e parajsës. Ai na shpie tek Krishti dhe e bashkon Krishtin me ne, në mënyrë që gjithçka që Krishti arriti mbi kryq të bëhet edhe e jona.
Fryma e Shenjtë është një Person
Kur foli për Frymën e Shenjtë, Jezusi tha, “Unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju” (14:16). Kushtoi vëmendje faktit, që Jezusi nuk tha, “Do ju dërgojë ndihmë.” Ai tha, “Do ju dërgoj një Ngushëllues [Ndihmës].” Për tre vjet, Jezusi kishte qënë Ngushëlluesi (apo Këshilluesi) i dishepujve, dhe Fryma e Shenjtë do vazhdonte të ishte gjithçka që Jezusi kishte qënë për ta.
Fryma e Shenjtë është një person po ashtu si Ati dhe Biri, ndaj ne nuk duhet të mendojmë për Të thjesht si një fuqi apo forcë. Bibla na tregon se njerëzit mund ti thonë gënjeshtra Frymës së Shenjtë, apo ta trishtojnë Atë (Veprat 5:3, Efesianëve 44:30). Ti nuk mund t’i thuash gënjeshtra një force, apo të trishtosh një fuqi. Një masë energjie nuk mund të jetë kurrë për dishepujt gjithçka që Jezusi ishte.
Jezusi u tha dishepujve të Tij, “Unë po shkoj tek Ati im,” (Gjoni 14:12), por “Unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Fryma e së vërtetës…” (14:16-17). Por pastaj Jezusi tha, “Unë do kthehem te ju” (14:18). Prania e Frymës së Shenjtë me dishepujt nënkuptonte se Krishti Vetë ishte me të vërtetë me ta.
Pastaj Jezusi tha diçka akoma më të mahnitshme: “Nëse ndokush më do, do ta mbajë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai” (14:23). Kështu që, kudo që Fryma është, aty Ati dhe Biri ngrenë shtëpinë e tyre. Nuk bëhet të njohësh Atin pa njohur Birin, apo Birin pa njohur Frymën. Është nëpërmjet Birit që Ati e ka bërë të njohur Vetveten, dhe është Fryma e Shenjtë që na shpie ne tek Jezusi.
“Në” dhe “Me”
Jezusi përdori dy fjalë për të përshkruar marrëdhënien tonë me Frymën e Shenjtë: Ai “qëndron me ju dhe do të jetë në ju” (14:17). Fryma e Shenjtë është me ne. Ekziston një dallim këtu. Për këtë arsye, nuk duhet kurrë të ngatërrosh atë që ti mendon dhe thua me mëndjen e Frymës. Nëse jemi të Krishterë të mençur, do i lejojmë të tjerët të testojnë ato që themi. Fryma është me ne, dhe ne shpesh kemi nevojë që Ai të na korrigjojë.
Jezusi gjithashtu tha se Fryma do të jetë në dishepujt. Fryma është shumë më tepër se thjesht një mësues i cili na tregon se ç’duhet të bëjmë dhe pastaj na lë ta bëjmë vetë. Ai banon në ne, dhe prania e Tij e bën të mundur jetën e krishterë.
Jezusi tha, “Është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi,” (Gjoni 16:7). Kjo do të thoshte qartë që dishepujve, të cilët kishin qenë me Jezusin për tre vjet, do t’u jepej më shumë. Jezusi kishte qenë me ta, por tani me anë të Frymës së Shenjtë, Ai do të ishte në ta. Është e natyrshme për ne të mendojmë se kemi më pak se dishepujt e parë që ndoqën Jezusin. Por besimtarët e Krishterë kanë më shumë. Ti ke Frymën e Shenjtë—Fryma e Vetë Jezusit—jeton “në” ty. Kjo është më shumë, jo më pak!
Një Shteg i Hapur
Perëndia Frymë e Shenjtë është personi i tretë i Trinisë, dhe shërbesa e Tij është thelbësore për shpëtimin tonë. Ne nuk do të mund të shpëtoheshim pa veprën e Birit të Perëndisë mbi kryq, dhe ne nuk do të ishim të shpëtuar pa punën e Frymës së Perëndisë në zemrat tona.
Fryma e Shenjtë e shqetëson paqen tonë, në mënyrë që ne të shohim mëkatin tonë dhe të kuptojmë nevojën për një Shpëtimtar. Në të njëjtën kohë që na shqetëson, Ai gjithashtu edhe na hap sytë që ne të shohim lavdinë e Jezusit. Nëse ke ardhur me besim tek Jezus Krishti, Fryma e Perëndisë jeton në ty (1 Korintasve 6:19; 12:13). Ndaj kurrë mos thuaj se nuk mund të ndryshosh.
- Çfarë roli luan Fryma e Shenjtë në shpëtimin tonë?
- Cila është puna e parë e Frymës së Shenjtë në jetën e një personi? Si ka qënë përvoja jote në lidhje me këtë?
- Cilat janë tre mënyrat që Perëndia përdor për të zgjuar njerëzit? A je personalisht i vetëdijshëm që Perëndia është duke përdorur ndonjë nga këto në jetën tënde?
- Fryma e Shenjtë është si drita e një prozhektori që shkëlqen mbi Jezusin. Cila është një gjë për Jezusin që ti ke arritur të shohësh qartë përmes studimit tënd të Biblës?
- Përgjigju kësaj fjalie: “Ai (Fryma e Shenjtë) qëndron në ju dhe do jetë me ju.”