Cila është gjëja e parë që të vjen në mëndje kur dëgjon fjalën “kishë”? Dritaret me ngjyra? Muzikë me organo? Veshjet e priftit? Qirinjtë? Kërkesat për para? Unë flas shpesh me njerëz që duan të dinë më tepër për Jezusin por nuk i kushtojnë rëndësi kishës. Ne jetojmë në një shoqëri shumë individuale, dhe nuk është gjithmonë e lehtë të kuptosh se cili është roli i kishës. Për çfarë vlen ajo?
Disa njerëz thonë se kisha ekziston për adhurim, por ti mund të adhurosh edhe vetëm apo me disa miq. Të tjerë thonë se kisha ekziston për ungjillizim, por ungjillizimi rrjedh nga marrëdhëniet, ndaj nëse ti jep fryt aty ku Krishti të ka vendosur, përse të duhet kisha? Të tjerë mendojnë se kemi nevojë për kishën për shoqëri. Por nëse ke marrëdhënie të thella me një grup të vogël miqsh, do të gjesh një nivel bashkësie të tillë që nuk mund ta gjesh në një komunitet më të gjerë. Kështu që, përse na duhet kisha?
Problemi është më i thellë se sa thjesht çështja e vlerës së kishës. Shumë njerëz thonë se besimi i tyre është lënduar nga kisha. Një pastor apo një prift dështoi në lidhje me ta, një komunitet u përça, apo dikush i ofendoi ata, dhe kjo ka qënë një pengesë që prej asaj dite.
Është e rëndësishme të përballesh me këto pyetje ndershmërisht. Dhjata e Re e bën këtë. Apostujt kurrë nuk sugjeruan se kishat e hershme ishin koloni të vogla të parajsës në tokë. Dhjata e Re flet për probleme seksuale, ligjore, gabime doktrinale, përçarje në lidhje me personalitete të ndryshëm, deklarata të ekzagjeruara mbi përvoja shpirtërore, egoizëm, mungesë dhembshurie, ligjshmëri e tepruar, autoritarianizëm, krenari, udhëheqës mashtrues, abuzues të pushtetit, dhe vjedhës të fondeve. Lista është dëshpëruese, por ndershmëria është freskuese.
Kishat janë komunitete mëkatarësh në procesin e restaurimit. Por jo kushdo që shpall se Jezusi është Zot do të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ditën e Fundit, disa predikues, drejtues shërbesash, dhe anëtarë të kishës, do ta gjejnë veten jashtë mbretërisë së Perëndisë. Krishti do t’u thotë atyre, “S’ju kam njohur kurrë” (Mateu 7:23).
Qëllimi i Përjetshëm i Perëndisë
Krahas ndershmërisë të rreptë që rrëfen dhe përballjes së mëkateve të kishës, Bibla na jep një vizion të kishës që neve na duhet shumë për t’u përmirësuar. Qëllimi i Perëndisë është “që, nëpërmjet kishës t’u bëhet e njohur tani principatave dhe pushteteve në vendet qiellore, urtësia e shumëllojshme e Perëndisë” (Efesianëve 3:10).
Qëllimi i Perëndisë gjithnjë ka qënë ti tregojë urtësinë e Tij një audience shumë të madhe në parajsë, dhe Ai e bën këtë nëpërmjet kishës. Perëndia po sillte njerëz nga të gjitha kombet e botës tek Jezusi, dhe po i mblidhte ata në një komunitet të ri—në kishë—një komunitet i cili i tejkalonte pengesat e racës, gjuhës, dhe kulturës. Në komunitetin e ri të Perëndisë “nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse ju të gjithë jeni një në Jezu Krishtin” (Galatasve 3:28).
Mendo pak për këtë! Judenj dhe Arabë, njerëz me lëkurë të zezë dhe të bardhë, të rinj dhe të moshuar, të pasur dhe të varfër, të gjithë të bashkuar në një komunitet të ri. Bota e ëndërron këtë. Në Krishtin, ne kemi një unitet të thellë me njëri-tjetrin që tejkalon gjithçka që na bën të ndryshëm.
Le të jemi më specifikë: Një professor i Krishterë i astrofizikës ka më shumë gjëra të përbashkëta me një besimtar të pashkolluar, sesa me një koleg pedagog universiteti i cili nuk e njeh Perëndinë. Një miliarder që e njeh Krishtin ka më shumë gjëra të përbashkëta me besimtarin më të varfër, sesa me miqtë e tij pasanikë në klubin e jahteve, të cilët nuk dinë asgjë për Krishtin. Një grua e Krishterë me shije të rafinuara e që preferon të dëgjojë muzikë klasike, ka më shumë gjëra të përbashkëta me një gjimnazist që adhuron muzikën Rap dhe që e do Jezusin, sesa me miqtë e saj në opera, të cilët nuk e kanë ndjerë kurrë nevojën për një Shpëtimtar!
Ndryshimet midis edukimit, të ardhurave, dhe kulturës ekzistojnë vetëm për një kohë të shkurtër. Uniteti i popullit të Perëndisë do të qëndrojë në përjetësi, dhe engjëjt mahniten kur e shohin urtësinë e Perëndisë të shfaqet nëpërmjet kishës (Efesianëve 3:10).
Çfarë Është Kisha?
Por çfarë është tamam kisha? Nëse tre të Krishterë takohen çdo mëngjes në një stacion autobuzi, a janë ata një kishë? Po nëse ata flasin për Biblën duke pirë kafe në ndonjë lokal? A mund të konsiderohet grupi yt i vogël një kishë? A është një familje e Krishterë, një kishë? Dhe nëse nuk është, pse jo?
Një numër i Krishterësh në rritje kanë idenë se “kisha” është thjesht fjala në shumës për “i Krishterë,” dhe se çdo grup besimtarësh të Krishterë, të cilët takohen në çfarëdo vëndi, është një kishë. A kanë ata të drejtë?
Çfarë nënkuptonte Jezusi kur foli për kishën? Jezusi e përdori fjalën “kishë” dy herë, dhe ajo që Ai tha e përkufizon kishën për ne. Hera e parë ishte kur Pjetri rrëfeu se Jezusi është Krishti. Jezusi i tha atij: “Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time, dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë” (Mateu 16:18).
Krishti nuk po flet këtu për një kishë lokale, apo një lloj kishe të Krishterë në veçanti, por për të gjithë besimtarët e çdo kohe dhe vendi. Ekziston vetëm një kishë e përbërë nga të gjithë besimtarët, dhe Krishti e ndërton atë.
“Dyert e ferrit nuk do ta mundin” këtë kishë (16:18). Këtë nuk mund ta themi për asnjë lloj kishe në veçanti. Në gjithë botën dëgjon histori të trishtueshme për kisha lokale apo lloje të ndryshme kishash që kanë humbur rrugën dhe janë mbyllur. Por kisha që Krishti ndërtoi është e gjallë dhe e shëndetshme. Ajo përfshin të gjithë besimtarët në të gjitha kohërat dhe nga çdo vend.
Herën e dytë që Jezusi foli për kishën, Ai tha, “’Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm… por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë… Nëse pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës” (Mateu 18:15-17). Fjala “kishë” këtu ka një kuptim komplet ndryshe. Nuk do të thotë: “Thuaja të gjithë besimtarëve nga çdo kohë e vend.” Askush nuk mund ta bëjë këtë. Është e qartë që në këtë rast Jezusi po flet për një bashkësi lolake besimtarësh.
Pra, Zoti ynë e përdori fjalën “kishë” në dy mënyra: e para, për të përshkruar gjithë besimtarët në çdo kohë dhe vend. E dyta, për të përshkruar një bashkësi lokale besimtarësh. Kisha nuk është një grup i vetë-zgjedhur njerëzish. Nuk është kurrë, ti, unë dhe disa miq që ne do të zgjedhim. Krishti e ndërton kishën e Tij teksa i sjell njerëzit në besim tek Vetja dhe i mbledh së bashku në bashkësi lokale.
Hirushja do të Shkojë në Ballo
Ka një ndryshim të madh midis faktit se si kisha është sot dhe si do të jetë një ditë:
“Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të, që ta shenjtërojë pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:25-27).
Na ishte një herë një vajzë e re e cila kishte një njerkë të keqe dhe dy motra të shëmtuara. Atë e detyronin të punonte në kuzhinë tërë ditën dhe të ulej mbi “hirin” e shuar të zjarrit, ndaj e quanin Hirushe. Një ditë mbreti ftoi të gjitha vajzat e reja të vendit në një ballo të madhe në pallatin e tij mbretëror. Ai donte që djali i tij, princi, të binte në dashuri dhe të martohej. Motrat e shëmtuara vajtën në ballo, por Hirushja nuk kishte fustan për të veshur—dhe kështu që atë e lanë në shtëpi.
Atëherë, zana e mirë e preku atë me shkopin magjik, dhe rreckat e Hirushes u shndërruan në një fustan të bukur—por vetëm deri në mesnatë. Kur Hirushja mbërriti në ballo, ajo e rrëmbeu zemrën e princit, dhe ata vallëzuan deri në mesnatë, kur asaj i duhej të largohej. Por ndërsa Hirushja u largua me vrap nga salla e ballos, një nga këpucët prej kristali që kishte veshur, i ra.
Princi ishte i vendosur të gjente gruan që ai dashuronte, dhe urdhëroi që këpuca të provohej në këmbën e çdo të vajze të re në vend, dhe vajza të cilës do i përkiste këpuca, do të shpihej në pallat. Imagjino Hirushen të ulur në shtëpi. Ajo është veshur me rrecka, e përbuzur nga motrat e shëmtuara dhe e ndrydhur nga njerka e ligë. Por fati i saj është një jetë mbushur me dashuri dhe gëzim në pallatin mbretëror.
Kjo është një pikturë e mrekullueshme e kishës. Ajo shpesh duket pak e mjeruar. Ka disa vëllezër dhe motra goxha të shëmtuar që e urrejnë atë dhe nuk e vlerësojnë siç duhet. Ka vende të botës ku një njerkë e keqe e persekuton dhe e burgos atë. Por Krishti e do kishën, dhe Ai do e sjellë atë në shtëpi. Kur Krishti ta prezantojë kishën me Veten, ne nuk do jemi të veshur me rrecka. Kisha do jetë “pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:27). Kisha do jetë e shkëlqyeshme, e lavdishme. Ajo do ndajë lavdinë dhe gëzimin e Krishtit përjetë.
Kujto gjithmonë se kisha është nusja që Krishti prezanton me Veten. Shkolla të krishtera, seminare, shërbesa në radio, shoqëri misionarësh, dhe organizata ungjillore janë si shoqërueset e nuses të cilat e përgatisin atë për dhëndrin. Nusja ka nevojë për shoqërueset e saj, por është gabim i madh t’u japësh atyre më tepër rëndësi se sa vetë nuses.
Në fund të Biblës, Apostulli Gjon dëgjon zërin e një shumice që thërret nga qielli, “Haleluja, sepse Zoti, Perëndi i Gjithëpushtetshëm nisi të mbretërojë! Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit, dhe nusja e tij bëri gati veten e saj! …Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit’” (Zbulesa 19:6-9).
Një Shteg i Hapur
Kisha është një vepër në zhvillim. Ajo nuk është ende gjithçka që Perëndia e ka thirrur atë të jetë, dhe nuk është ende ajo që një ditë do të jetë. Por kisha është nusja e Krishtit. Ai dha jetën e Tij për të, dhe ajo është thelbësore për qëllimin e Perëndisë.
Katekizmi i Heidelberg i përgjigjet pyetjes: “Çfarë beson ti në lidhje me kishën?” me këto fjalë: “Unë besoj se Biri i Perëndisë, nëpërmjet Frymës dhe Fjalës së Tij, nga e gjithë raca njerëzore, që nga fillimi i botës e deri në fundin e saj, mbledh, mbron, dhe ruan për Veten e Tij, një komunitet të zgjedhur për jetën e përjetshme dhe të bashkuar në besim të vërtetë. Dhe unë jam dhe do jem gjithmonë anëtar i këtij komuniteti.” Unë nuk mund të imagjinoj një privilegj më të madh se ky.