Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Luka 24:13-35

13 Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.

15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.

16 Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.

17 Dhe ai u tha atyre: “Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?.”

18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: “Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?.”

19 Dhe ai u tha atyre: “Cilat?.” Ata i thanë: “Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.

20 Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.

21 Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.

22 Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,

23 dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.

24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë.”

25 Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

26 Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?.”

27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.

28 Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

29 Por ata e detyruan duke thënë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron.” Edhe ai hyri që të rrijë me ta.

30 Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.

31 Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.

32 Dhe ata i thanë njeri tjetrit: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?.”

33 Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.

34 Ata thoshnin: “Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit.”

35 Ata atëherë treguan ç’u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.

Tjetra
Audio
1 x

5 Personazhe nga Dhiata e Vjetër

Mirëserdhe në serinë Hape Biblën. Do të bëjmë një udhëtim përmes gjithë historisë së Biblës në vetëm 3 mësime.

Do të fillojmë me Dhiatën e Vjetër ku do të njihemi me 5 personazhe. Më pas do të vërejmë 5 ndodhi nga Ungjijtë. Pastaj në letrat e Dhiatës së Re do të shohim 5 dhurata të mrekullueshme. 

Meqë kemi kaq shumë për të parë, do të lëvizim shpejt. Gjithsesi shpresoj se ky prezantim i shkurtër i Biblës do të të ndihmojë të kuptosh sadopak se kush është Perëndia, kush je ti, kush është Jezusi dhe çfarë të ofron Ai. 

Të bësh një udhëtim përmes Biblës, është si të bësh një turne brenda një kështjelle ku kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme në të shkuarën. Disa gjëra mund të duken të çuditshme, dhe kjo nuk është për t’u habitur, sepse ato kanë ndodhur në një kohë tjetër. 

Por unë të ftoj të vish në botën e Biblës dhe të shohësh rreth e qark. Zbuloje këtë botë me Perëndinë e saj të mrekullueshëm, me njerëzit e Tij shpesh të pështjelluar dhe që jetonin në rrëmujë, si dhe premtimin e Tij madhështor për të sjellë bekim për të gjithë. 

Tani, nëse po mendon: “Nuk jam i sigurt nëse e besoj Biblën,” dua të të them se jam i lumtur që e ke nisur këtë udhëtim. Të lutem dëgjo se çfarë ka thënë Perëndia, shiko se çfarë Ai ka bërë, dhe mund të zbulosh se Bibla nuk është aspak një relike e së shkuarës; Bibla është mjeti përmes të cilit Perëndia të flet sot. 

Tani, imagjinoje veten në një teatër për shfaqjen e parë të një drame të re. Autori del në skenë dhe prezanton veten para auditorit. Ai të tregon se kush është, pse e shkroi shfaqjen, dhe për çfarë flet ajo. Autori nuk të paraqet një argument për vetë ekzistencën e tij. Ai thjesht del në skenë dhe fillon të flasë rreth vetes dhe veprës së tij. 

Perëndia është Krijuesi

Bibla fillon me Perëndinë që del në skenë dhe prezanton Veten. 

Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën… (Zanafilla 1:1).

Gjëja e parë që Perëndia na tregon për Veten është që Ai është Krijuesi. Tani, një krijues është gjithmonë një zotërues. Çfarë ti krijon, atë dhe e zotëron, dhe duke qenë se Perëndia është Krijuesi i gjithçkaje, Ai është pronari i gjithçkaje. Bota është e Tij. Ajo i përket Atij. Dhe po kështu edhe ti i përket Atij!

Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne…

Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë e krijoi; Ai krijoi mashkull e femër. (Zanafilla 1:26-27)

Ti u krijove nga Perëndia, ti je bërë si Perëndia, dhe ti je bërë për Perëndinë. Prandaj do të fillosh të njohësh veten ndërsa fillon të njohësh Atë. 

Dhe kjo na sjell te personazhi i parë nga pesë që duhet të takojmë në Dhiatën e Vjetër.  

  • Adami
  • Abrahami (2000)
  • Moisiu (1500)
  • Davidi (1000)
  • Nehemia (500)

1. Adami

Atëherë ZOTI Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë. (Zanafilla 2:7)

Perëndia formoi një trup nga pluhuri i tokës. Pastaj Perëndia hukati frymën e Tij brenda këtij trupi të pajetë. Ai i dha Adamit puthjen e jetës dhe trupi i pajetë u bë një qenie e gjallë.

Mendo pak se çfarë kuptimi kishte kjo për Adamin. Në momentin e parë që u bë i vetëdijshëm, ai po shikonte fytyrën e Perëndisë! Ai e kuptoi se Perëndia e kishte sjellë në ekzistencë. Perëndia i dha jetë. Ai i përkiste Perëndisë. 

Perëndia i dha Adamit katër dhurata të mrekullueshme 

Dhurata e një shtëpie 

Pastaj ZOTI Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. (Zanafilla 2:8)

Perëndia po thoshte: “Ky është vendi që kam përgatitur për ty. Këtu dua që të njohësh dhe të gëzosh bekimin tim.” Adami ishte në shtëpi në kopshtin e Edenit. 

Shtëpia është vendi ku Perëndia të vendos. Asnjë shtëpi nuk është e përsosur, por vendi më i mirë për të lulëzuar është vendi që Perëndia ka përgatitur për ty. 

Dhurata e punës

ZOTI Perëndi e mori, pra, njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante. (Zanafilla 2:15)

Puna është një dhuratë e mirë nga Perëndia, dhe Perëndia ishte i përfshirë në punën e Adamit. Ai i solli kafshët që Adami t’u vendoste emra (2:19).

Puna që Perëndia jep, pasqyron punën që Ai bën. Perëndia sjell rend nga rrëmuja. Ai krijon atë që është e bukur. Ai mbron dhe siguron. Kur i bën këto gjëra në punën tënde, ti pasqyron punën e Perëndisë

Dhurata e martesës

Pastaj ZOTI Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi tek njeriu. (Zanafilla 2:22)

Perëndia krijoi Evën dhe më pas e çoi atë tek Adami. Ceremonia e parë martesore u drejtua nga Perëndia i Plotfuqishëm. Perëndia mori dorën e saj dhe e vendosi në dorën e tij duke u thënë: “Duajeni njëri-tjetrin. Ndihmoni njëri-tjetrin. Ndani së bashku jetën që unë po ju jap.” 

Martesa e parë pati telashet e saj. Pavarësisht problemeve të tyre në të ardhmen, Adami dhe Eva nuk mund të dyshonin kurrë se ata ishin bashkuar nga Perëndia. Dhe nëse jeni të martuar, të diturit që jeni bashkuar nga Perëndia, do t’ju ndihmojë të përballoni çdo stuhi. 

Dhurata e bashkësisë me Të

Pastaj dëgjuan zërin e ZOTIT Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës… (Zanafilla 3:8)

Perëndia u shfaq në një formë të dukshme në kopsht, sepse Ai donte që Adami dhe Eva ta njihnin Atë. Këto shfaqje të dukshme ne i quajmë teofani, dhe ato tregojnë dëshirën e fortë në zemrën e Perëndisë që ne ta njohim Atë. 

Në thelbin e historisë së Biblës, Perëndia u bë njeri në Jezu Krishtin. Prandaj nuk duhet të duket e çuditshme, që në Dhiatën e Vjetër gjejmë Perëndinë duke u shfaqur në forma të dukshme. Duket sikur Biri i Perëndisë mezi po priste të vinte.

Perëndia i dha Adamit katër dhurata të mrekullueshme, por… 

Adami dhe Eva mëkatuan kundër Perëndisë

Dhe këtu kemi ardhur në thelbin e problemit njerëzor, i cili përbëhet nga dy pjesë. 

Ne kemi njohjen e së keqes

Perëndia i kishte dhënë Adamit dhe Evës një urdhër të vetëm: 

Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri. (Zanafilla 2:17)

Ky urdhërim ishte një shprehje e mrekullueshme e dashurisë së Perëndisë. Adami dhe Eva kishin tashmë njohuri për të mirën. Por Perëndia u thotë atyre: “Duhet të kuptoni se me gjithë të mirat që po gëzoni, ekziston një realitet tjetër i tmerrshëm dhe unë dua t’ju mbroj prej tij. Ky realitet quhet e keqja. Dhe unë nuk dua që ju ta përjetoni, ndaj mos e prekni!” 

Por Adami dhe Eva donin ta kishin këtë njohje të së keqes. Prandaj ata bënë atë që Perëndia u kishte thënë të mos bënin. Ata nuk iu bindën urdhrit të Perëndisë dhe në atë akt mosbindjeje, ata morën njohjen e së keqes dhe ne të gjithë kemi jetuar me atë njohuri qysh atëherë. 

Jemi të përjashtuar nga parajsa 

Prandaj ZOTI Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë. Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës. (Zanafilla 3:23-24)

Kerubinët ishin engjëj që përfaqësonin shenjtërinë e Perëndisë. Atje ishte një shpatë flakëruese që vërtitej në çdo drejtim – lart, poshtë, djathtas dhe majtas. Ajo priste nga çdo kënd, prandaj ishte e pamundur ta kaloje atë. Shpata flakëruese përfaqëson gjykimin e Perëndisë.

Kjo pamje duhet të ketë qenë e tmerrshme për Adamin dhe Evën. Ata u përjashtuan nga vendi ku kishin njohur bekimin e Perëndisë dhe nuk kishte rrugë kthimi. 

Ja cila është diagnoza e Biblës për problemin njerëzor: Ne kemi njohjen e së keqes dhe jemi përjashtuar nga prania e Perëndisë, por…

Perëndia solli shpresën përmes një mallkimi dhe një premtimi 

Perëndia e mallkoi gjarprin që e kishte tunduar Evën:

Qofsh i mallkuar… (Zanafilla 3:14)

Një mallkim është një thënie e hyjnisë që e dërgon në shkatërrim një person ose send, prandaj kur Perëndia e shqiptoi këtë mallkim, ai po thoshte: “Ligësia nuk do të vazhdojë përjetë. Ajo do të shkatërrohet.” Ky është vërtet një lajm i mirë!!!

Pastaj Perëndia u kthye nga Adami dhe i tha: “Mallkuar…” (3:17). Adami duhet të ketë mbajtur frymën. Perëndia e kishte mallkuar gjarprin dhe tani dukej se do të mallkonte edhe Adamin.

Por në vend që t’i thoshte Adamit: “I mallkuar je ti”, Perëndia tha: “Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd” (3:17). Çfarë bëri toka? 

Kjo na tregon një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të dimë për Perëndinë e Biblës. Perëndia gjithmonë do të merret me mëkatin dhe do ta shkatërrojë atë. Por Ai e shmangu gjykimin e Tij nga burri dhe gruaja, duke krijuar hapësirë që ata të pajtoheshin me Perëndinë.  

Mallkimi për mëkatin e Adamit duhet të shkonte diku tjetër. Në thelb të historisë së Biblës, Perëndia do të dërgojë Birin e Tij dhe do ta drejtojë mallkimin mbi Të. Ai e mbajti mallkimin që ai të mos binte mbi ne. 

Pastaj Perëndia premtoi se do të vinte një çlirimtar: 

Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj. (Zanafilla 3:15)

Pjesa tjetër e historisë së Biblës ka të bëjë e gjitha me këtë Çlirimtar. Kush është ai? Kur do të vijë? Çfarë do të bëjë? Dhe si mund të marrim pjesë në bekimin që Ai do të sjellë? 

  • Adami
  • Abrahami (2000)
  • Moisiu (1500)
  • Davidi (1000)
  • Nehemia (500)

Pasi Adami dhe Eva u dëbuan nga Kopshti, familja njerëzore u rrit. Dhe me rritjen e familjes u shtuan edhe e keqja edhe dhuna. 

Perëndia e frenoi ligësinë njerëzore duke dërguar një përmbytje dhe duke ngatërruar gjuhën e njerëzve. Por më pas Perëndia ndërhyri në historinë njerëzore dhe ia zbuloi Veten një burri të quajtur Abraham.

2. Abrahami

Pse duhet të na interesojë Abrahami?

Perëndia i bëri një premtim Abrahamit 

Perëndia i bëri një premtim të mrekullueshëm Abrahamit. Ai tha:

Do të të bekoj… te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës. (Zanafilla 12:2, 3)

Vër re se premtimi ndaj Abrahamit është një premtim për ne. Në Abrahamin do të bekohen të gjitha familjet e tokës. 

Arsyeja pse Dhiata e Vjetër përqendrohet në pasardhjen e Abrahamit, nuk është sepse pjesa tjetër e botës nuk ka rëndësi. Përkundrazi, sepse pjesa tjetër e botës ka rëndësi, dhe plani i Perëndisë është që t’i bekojë të gjitha familjet e tokës nëpërmjet Abrahamit. 

Bibla na tregon se në pjesën e parë të jetës së vet Abrahami “u shërbeu perëndive të tjera” (Jozueu 24:2). Abrahami nuk e njihte Perëndinë, ai nuk e kërkonte Perëndinë dhe nuk i bindej Atij. Sidoqoftë, Perëndia iu shfaq dhe i tha: “Do të të bekoj… dhe te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës” (Zanafilla 12:2, 3).

Perëndia mori iniciativën. Është sikur Perëndia po thoshte: “Nëse pres që këta njerëz të më kërkojnë dhe të më gjejnë, ata nuk do të vijnë kurrë. Unë do t’i kërkoj, unë do t’i gjej dhe unë do t’i bekoj.” 

Këtë Bibla e quan hir. Perëndia po e kërkonte Abrahamin shumë kohë përpara se Abrahami ta kërkonte Perëndinë. Perëndia gjithashtu po të kërkonte ty shumë kohë përpara se ti ta kërkoje Atë. 

Abrahami besoi premtimin e Perëndisë. 

Dhe ai i besoi ZOTIT dhe kjo iu llogarit për drejtësi. (Zanafilla 15:6)

Çfarë besoi Abrahami? Ec përpara në historinë e Biblës dhe do të zbulosh se Jezusi tha: “Abrahami, ati juaj, ngazëllehej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua” (Gjoni 8:56).

Abrahami jetoi 2000 vjet para se Jezusi të lindte, por ai e kuptoi se mes gjithë pasardhësve të tij, Perëndia do t’i jepte Një pasardhës, nëpërmjet të cilit do të përmbushej premtimi i Perëndisë për të bekuar botën. Ai pasardhës është Jezusi, i cili lindi si pasardhës i Abrahamit. 

Abrahami u shpëtua, ashtu si ne, duke besuar në Zotin Jezu Krisht. Ai nuk e dinte emrin e Jezusit apo hollësitë e kryqit, por besimi i Abrahamit priste me padurim atë që do të realizonte Jezusi, ashtu si besimi ynë shikon pas në atë që Jezusi ka realizuar. 

Është vetëm përmes besimit në Zotin Jezu Krisht, që ne shpallemi të drejtë para Perëndisë. Ka qenë gjithmonë kështu, edhe para se Jezusi të vinte në botë. 

Premtimi i Perëndisë do të përmbushej me një çmim të paimagjinueshëm 

Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha:
“Abraham!”. Ai u përgjigj: “Ja ku jam”.

Dhe Perëndia tha: “Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm,
atë që ti do, Isakun, shko në vendin e moriahëve dhe ofroje si
holokaust në një nga malet që do të të tregoj”. (Zanafilla 22:1-2)

Kështu Abrahami mori drutë e holokaustit dhe
i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij… Dhe Isaku i foli atit të tij
Abraham…: “Ja zjarri dhe drutë, po ku është qengji për holokaustin?”.
Abrahami u përgjigj: “Djali im, Perëndia do ta sigurojë
vetë qengjin për holokaustin”. (Zanafilla 22:6-8)

Isaku duhet të ketë qenë një djalosh i ri në atë kohë. Prandaj harroje çdo paraqitje artistike që mund të kesh parë për një fëmijë të pafuqishëm të shtrirë në altar. Isaku i mbajti drutë mbi supet e tij (22:6). Ai ishte një djalosh i ri në kulmin e jetës së tij, dhe po të kishte dashur mund ta kishte mposhtur lehtësisht Abrahamin, i cili ishte një burrë plak.  

Por Isaku nuk e bëri këtë. Ai ishte i gatshëm ta jepte jetën e tij. Prandaj, ajo që shohim këtu, është një baba i gatshëm që të heqë dorë nga biri i tij, dhe një bir i cili është i gatshëm ta japë veten. Dhe ata janë në një mendje në atë që po bëjnë, në mënyrë që bekimi të vijë në botë. 

Por në çastin vendimtar, Perëndia i thirri nga qielli: “Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe” (22:12). Më pas Perëndia siguroi kafshën e flijimit: 

Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi;
dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube.
Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe
e ofroi si holokaust në vend të të birit. (Zanafilla 22:13)

Dashi ishte një zëvendësues për Isakun. Isakut iu fal jeta, sepse dashi zuri vendin e tij në altar. 

Është e qartë se jeta e një dashi kishte shumë më pak vlerë se jeta e Isakut, prandaj Perëndia po e pranonte një flijim më të vogël për momentin, por një ditë do të duhej të bëhej një flijim më i madh. 

Abrahami duhet të ketë pyetur veten: Sa do të kushtojë që bekimi i Perëndisë të vijë në botë? Çfarë flijimi mund të jetë më i madh se flijimi i birit tim? 

Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj historie në dy mënyra: Së pari, shpresoj se do të përjetosh një ndjesi tmerri duke e imagjinuar këtë skenë, sepse ky është reagimi më i llogjikshëm që duhet të kesh. Çfarë lloj çmimi i paimagjinueshëm është ky?

Së dyti, shpresoj se do ta soditësh i mahnitur realitetin që tregon kjo histori. Historia e një babai që është gati të heqë dorë nga biri i tij, dhe e një biri që është gati të japë jetën e tij, na tregon se sa kushtoi që bekimi i Perëndisë t’u vijë të gjithë njerëzve.

  • Adami
  • Abrahami (2000)
  • Moisiu (1500)
  • Davidi (1000)
  • Nehemia (500) 

Abrahamit i lindi Isaku, Isakut i lindi Jakobi, Jakobit i lindën 12 djem dhe e gjithë familja u shpërngul në Egjipt ku gjetën ushqim në kohë zie.

Familja qëndroi në Egjipt për 400 vjet. Gjatë asaj kohë numri i tyre u rrit. Dhe ndërsa numri i tyre rritej, ata shtypeshin. Kjo na sjell te personazhi i tretë që duhet të takojmë në historinë e Dhiatës së Vjetër: Moisiu.

3. Moisiu

Gjëja e parë që duhet të dish për Moisiun është se

Perëndia e çliroi popullin e Tij nëpërmjet Moisiut. 

Perëndia tha:

“E kam parë pikëllimin e popullit tim.. Kështu zbrita për ta çliruar… për ta çuar …në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.”  (Eksodi 3:7-8)

Zoti e urdhëroi Moisiun që ta nxirrte popullin e Tij nga Egjipti (3:10). Moisiu e ballafaqoi Faraonin me urdhrin e Perëndisë: “Lëre popullin tim të shkojë” (5:1). Faraoni nuk pranoi. Por pas një sërë plagësh, ai më në fund pranoi kërkesën e Perëndisë. 

Kur populli i Perëndisë mbërriti në Detin e Kuq, dukej sikur ishin bllokuar. 

Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe ZOTI bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja, që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë. Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre. (Eksodi 14:21-22)

Perëndia i dha Moisiut Dhjetë Urdhërimet 

Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë: 

“Unë jam ZOTI, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, 

nga shtëpia e skllavërisë. 

Mos ki perëndi të tjerë para meje.” (Eksodi 20:1-3)

Ka dy gjëra që duhen vënë re në lidhje me Dhjetë Urdhërimet: 

Urdhërimet e Zotit pasqyrojnë karakterin e Tij 

Dhjetë Urdhërimet janë një pasqyrim i drejtpërdrejtë i karakterit të Perëndisë. 

Perëndia thotë: “Ju jeni populli im, ndaj po ju thërras në një jetë që pasqyron se si jam unë.”

Pse nuk duhet të kryesh tradhti bashkëshortore? Sepse Perëndia është besnik. Pse nuk duhet të vjedhësh? Sepse Perëndisë mund t’i zihet besë. Pse nuk duhet të gënjesh? Sepse Fjala e Perëndisë është e vërteta. 

Në këto urdhërime, Perëndia po thotë: “Ju jeni populli Im. Thirrja juaj është që të jetoni një jetë që pasqyron atë që jam dhe kështu duket një jetë e perëndishme.” 

Perëndia jep atë që Ai urdhëron me anë të fuqisë së Frymës së Tij 

Do të vë brenda jush Shpirtin tim 

dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia… (Ezekieli 36:27)

Vite më parë dëgjova historinë e një njeriu që kaloi disa vite në burg, sepse ishte hajdut. Ky kishte qenë stili i tij i jetesës, derisa krahu i gjatë i ligjit e zuri. Gjatë kohës në burg, ai dëgjoi lajmin e mirë të Jezu Krishtit dhe u ndryshua në mënyrë të mrekullueshme. 

Kur erdhi koha e lirimit, ai e dinte se do të përballej me një luftë të madhe. Shumica e miqve të tij të vjetër ishin kriminelë dhe ai e dinte se nuk do të ishte e lehtë t’i thyente zakonet e jetës së tij të vjetër. 

Gjëja e parë që donte të bënte kur doli nga burgu, ishte që të shkonte në kishë, dhe kështu mëngjesin e të dielës së parë të lirisë së tij të re, ai hyri në një kishë dhe u ul në fund.

Teksa shikonte përpara, pa fjalët e Dhjetë Urdhërimeve të gdhendura në mur. Sytë i shkuan menjëherë te fjalët e urdhërimit, të cilat dukeshin sikur e dënonin:  “Mos vidh.” Kjo është gjëja e fundit që më duhet, mendoi ai me vete. E di dështimin tim dhe e di betejën që më pret.

Ndërsa lexonte dhe rilexonte fjalët, dukej se ato po merrnin një kuptim të ri, që ai nuk e kishte vënë re kurrë ndonjëherë. Më parë, ai i kishte lexuar këto fjalë me tonin e një urdhri dënues: “Mos vidh!”

Por tani dukej se Perëndia po i thoshte të njëjtat fjalë si një premtim i mrekullueshëm: “Mos vidh!” Ai ishte bërë një person i ri dhe Fryma e Shenjtë do t’i jepte fuqinë për të mposhtur zakonin e tij të vjetër të vjedhjes. 

Nuk do të vjedhësh, dhe arsyeja pse nuk do të vjedhësh më është se unë “Do të vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia…” (Ezekieli 36:27). Një jetë e re është e mundur nëpërmjet Jezu Krishtit me anë të fuqisë së Frymës së Tij. 

Perëndia i dha Moisiut flijimet 

Ndërsa Moisiu po merrte Dhjetë Urdhërimet në majë të malit, populli i Perëndisë po i thyente ato në rrëzë të tij. 

Atëherë ZOTI i tha Moisiut:
“Tani shko, zbrit, sepse populli yt,
që ti nxore nga vendi i Egjiptit,
është korruptuar.” (Eksodi 32:7)

Pastaj Perëndia tha:

Unë do të dërgoj një Engjëll para teje…
Ngjitu drejt vendit ku rrjedh qumësht dhe mjaltë,
Sepse unë nuk do të ngjitem bashkë me ty… (Eksodi 33:2, 3)

Kjo ishte një ofertë shumë e mirë! “Ju mund të shijoni një jetë të begatë në një tokë ku rrjedh qumësht dhe mjaltë. Madje do të dërgoj një engjëll për të të udhëhequr. Ka vetëm një problem. Unë nuk do të vij me ju” (Eksodi 33:3).

Dhe këtu, arrijmë në një moment të mrekullueshëm në historinë e Biblës: “Kur populli dëgjoi këto fjalë të kobshme, ndjeu një hidhërim të thellë…” (Eksodi 33:4). Ata ishin populli i Perëndisë dhe e dinin se, nëse Perëndia nuk ishte me ta, asnjë begati nuk do të mund ta zhbënte atë humbje. 

Por si mund të rikthehej prania e Perëndisë mes popullit të Tij, kur ata kishin thyer urdhërimet e Tij?

Perëndia i dha Moisiut udhëzime të hollësishme për një qendër të lëvizshme adhurimi të quajtur tabernakull. Në qendër të kësaj strukture, të ngjashme me një tendë, ishte Vendi Shumë i Shenjtë. 

Aty ishte e vendosur Arka e Besëlidhjes, një arkë prej druri, e mbuluar me kapak dhe në mes të kapakut ishte ajo që Perëndia e quante froni i mëshirës

Perëndia tha që aty do të takohej me popullin e Tij. 

Do ta vësh pastaj pajtuesin lart, mbi arkën…

Aty unë do të të takoj…  (Eksodi 25:21, 22)

Kryeprifti shkoi në Vendin Shumë të Shenjtë dhe kur spërkati gjakun e një kafshe të flijuar mbi pajtuesin, reja e pranisë së Perëndisë zbriti dhe e mbushi tabernakullin. 

Perëndia po tregonte se si prania e Tij do të kthehej te populli i Tij. Ne e humbasim praninë e Perëndisë për shkak të mëkatit tonë. Prania e Perëndisë kthehet për shkak të një flijimi. 

  • Adami
  • Abrahami (2000)
  • Moisiu (1500)
  • Davidi (1000)
  • Nehemia (500) 

Pas vdekjes së Moisiut, Perëndia e solli popullin e Tij në Tokën e Premtuar nën udhëheqjen e Jozueut, pasuesit të Moisiut. Ajo që ndodhi më pas, ishte një periudhë e gjatë kaosi, e cila zgjati për katërqind vjet.

Populli i Perëndisë vazhdoi t’i largohej bindjes ndaj urdhrave të Tij. Kur ata u larguan nga Perëndia, Ai lejoi që armiqtë e tyre të mbizotërojnë mbi ta. Dhe kur u kthyen te Perëndia dhe i klithën për ndihmë, Perëndia dërgoi udhëheqës të quajtur gjyqtarë për t’i çliruar. Por kur gjyqtari vdiste, populli i Perëndisë largohej përsëri nga Ai.

Populli i Perëndisë pa se kombet e tjera kishin një udhëheqje më të qëndrueshme dhe donin që të kishin një mbret. Mbreti i parë, me emrin Saul, ishte një zhgënjim i madh. Por pasuesi i tij ishte një njeri i quajtur David.

4. Davidi

Davidi u bë mbret rreth një mijë vjet përpara lindjes së Jezusit dhe mbretëroi për dyzet vjet (2 i Samuelit 5:4). Gjatë asaj kohe, populli i Perëndisë gëzonte bekim të pashoq. Me një mbrojtje të fortë, një ekonomi në zhvillim dhe udhëheqje të qëndrueshme, populli i Perëndisë nuk kishte jetuar kurrë kaq mirë. 

Ka dy gjëra që duhet t’i vëmë re nga jeta e Davidit dhe djalit të tij Salomonit: 

Perëndia i dha Davidit një premtim 

Kur populli i Perëndisë ishte në shkretëtirë, prania e Tij e dukshme kishte zbritur në Arkën e Besëlidhjes. Por gjatë mbretërimit të mbretit Saul, arka ishte lënë diku dhe ishte harruar plotësisht.

Davidi donte që ky simbol i pranisë së Perëndisë të ishte në qendër të jetës së kombit, prandaj e solli arkën në Jerusalem. “Kështu, sollën Arkën e ZOTIT dhe e vendosën në vendin e saj, në mes të çadrës që Davidi kishte ngritur për të…” (2 i Samuelit 6:17).

Davidi donte të ndërtonte një tempull ku ta vendoste arkën, por Perëndia kishte plane të tjera. Davidi donte të bënte diçka mbresëlënëse për Perëndinë, por Perëndia po përgatitej të bënte diçka mahnitëse për Davidin dhe për ne.  

“Unë do të ngre mbas teje pasardhjen tënde. . .

dhe do të vendos mbretërinë tënde… 

Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim, 

dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij. 

Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua.” (2 i Samuelit 7:12–14)

Davidi u prek thellë nga pesha dhe lavdia e këtyre premtimeve. Ishte e lehtë të kuptonte se djali i tij do të ndërtonte një tempull, por si mund të zgjaste përgjithmonë mbretërimi i një mbreti? Dhe si mund të përshkruhet një bir i Davidit si bir i Perëndisë? 

Mbani mend se historia e Biblës ka të bëjë me mënyrën se si bekimi i Perëndisë do t’u vijë të gjithë popujve. Perëndia kishte premtuar tashmë se bekimi i Tij do të vinte nëpërmjet një pasardhësi të Abrahamit. Tani, një mijë vjet më vonë, Perëndia zbuloi se do të vinte nëpërmjet një mbreti nga pasardhja e Davidit.   

Kur vijmë te Dhiata e Re, pikërisht vargu i parë thotë: 

Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit. (Mateu 1:1)

Jezusi është Ai në të cilin përmbushen premtimet e Perëndisë ndaj Abrahamit dhe Davidit. Jezusi është Ai në të cilin do të bekohen të gjitha familjet e dheut. Ai është Mbreti që do të mbretërojë përgjithmonë. Ai lindi nga pasardhja e Davidit, por Perëndia është Ati i Tij dhe Ai është Biri i Perëndisë.

Jezusi është Ai që do të ndërtojë një shtëpi për emrin e Perëndisë. Jo duke ngritur një ndërtesë, por duke sjellë bashkë një popull nga çdo fis dhe komb, të cilët e duan Atë nga zemra. 

Prania e Perëndisë erdhi në tempull 

Kur Davidi vdiq, Salomoni, biri i tij, iu fut punës për të realizuar planet e të atit për të ndërtuar një tempull në Jerusalem.

Ky ishte një projekt masiv ndërtimi dhe Salomoni i kushtoi vëmendje të veçantë Vendit Shumë të Shenjtë – dhomës së vogël në qendër të tempullit ku Perëndia tha se do të zbriste prania e Tij. 

Kur ndërtesa përfundoi, populli i Perëndisë u mblodh për një shërbesë përkushtimi. Priftërinjtë e sollën Arkën e Besëlidhjes në tempull dhe e vendosën në Vendin Shumë të Shenjtë (1 i Mbretërve 8:6). Dhe kur ata u larguan, reja e pranisë së lavdishme të Perëndisë e mbushi tempullin (8:10-11). Shenja e dukshme e pranisë së Perëndisë, kishte ardhur përsëri mes popullit të Perëndisë. 

  • Adami
  • Abrahami (2000)
  • Moisiu (1500)
  • Davidi (1000)
  • Nehemia (500)  

Pas periudhës së Davidit dhe Salomonit, populli i Perëndisë iu drejtua vazhdimisht perëndive të tjera dhe kjo vazhdoi për një periudhë prej katërqind vjetësh.

Pas Salomonit, mbretëria u nda më dysh. Dhjetë fiset në veri shpallën pavarësinë nga dinastia e Davidit. Në veri pati 19 mbretër dhe të gjithë bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit. Pastaj mbretëria veriore u rrëzua dhe njerëzit e saj u shpërndanë.  

Dy fise në jug vazhduan nën sundimin e mbretërve nga pasardhja e Davidit. Shumica e këtyre mbretërve e udhëhoqën popullin në adhurimin e perëndive të tjerë. Kjo idhujtari ishte aq fyese për Perëndinë, saqë Ai e dorëzoi popullin e Tij në duart e armiqve të tyre.

Mbreti i Babilonisë e rrethoi qytetin e Jerusalemit, i cili më pas u kthye në një grumbull gërmadhash. Tempulli u shkatërrua dhe ata që mbijetuan, u dërguan në mërgim në Babiloni.

Por Perëndia i mban gjithmonë premtimet e Tij, dhe madje edhe në këtë orë kaq të errët, kishte ende shpresë për popullin e Perëndisë. Pas shtatëdhjetë vjetësh, populli i Perëndisë u kthye nga mërgimi për të rindërtuar qytetin e Jerusalemit.

Udhëheqësit e tyre ishin një ndërtues i quajtur Zorobabel, një mësues i Biblës me emrin Ezdra dhe një strateg i shkëlqyer, emri i të cilit ishte Nehemia.

5. Nehemia

Shtatëdhjetë vjet pasi populli i Perëndisë u çua në mërgim, Babilonia u rrëzua para perandorisë së Medëve dhe Persëve, e cila ishte në rritje. Mbreti i ri, Kiri, nxori një dekret që thoshte se të gjithë të mërguarit hebrenj që dëshironin të ktheheshin në Jerusalem, ishin të lirë ta bënin këtë. Një grup prej rreth pesëdhjetë mijë njerëzish iu bashkua vizionit për krijimin e një komuniteti të ri në qytetin e Perëndisë. 

Udhëheqësi i tyre i parë, Zorobabeli, krijoi një komunitet të ri në Jerusalem dhe nën udhëheqjen e tij njerëzit ndërtuan shtëpi dhe më pas rindërtuan tempullin. Por kishte një problem.

Vendi Shumë i Shenjtë në qendër të tempullit strehonte Arkën e Besëlidhjes ku Perëndia tha se do të takohej me popullin e Tij. Por kur Jerusalemi u kthye në një grumbull rrënojash, Arka e Besëlidhjes humbi. Pavarësisht përpjekjeve të Indiana Jones, arka nuk është gjetur kurrë!

Pa arkën, tempulli nuk do të ishte më vendi ku prania e Perëndisë do të zbriste mes popullit të tij. Pa arkën, Vendi Shumë i Shenjtë ishte thjesht një dhomë e zbrazët. Njerëzit mblidheshin së bashku për adhurim, por reja e pranisë së Perëndisë nuk zbriti kurrë. Dhe në kohën e Jezusit, tempulli që supozohej të ishte një vend për t’u takuar me Perëndinë, ishte kthyer në një shpellë kusarësh (Mateu 21:13).  

Pas Zorobabelit, Perëndia ngriti një mësues biblik të quajtur Ezdra. Ai “ishte një shkrues i zoti në ligjin e Moisiut të dhënë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit… sepse dora e ZOTIT, Perëndisë së tij, ishte mbi të” (Ezdra 7:6).

Pak më vonë, Perëndia ngriti një planifikues dhe organizator të talentuar me emrin Nehemia. Kur arriti në Jerusalem, ai pa se qyteti nuk kishte asnjë mbrojtje dhe Perëndia i vuri në zemër të rindërtonte muret.

Kur muret u rindërtuan, njerëzit u mblodhën në sheshin publik dhe i kërkuan Ezdrës të nxirrte Librin e Ligjit. 

Atëherë tërë populli u mblodh si një njeri i vetëm në sheshin që ishte  përpara portës së Ujërave; i thanë pastaj shkruesit Ezdra të sillte Librin e Ligjit të Moisiut, që ZOTI i kishte dhënë Izraelit. (Nehemia 8:1)

Kjo ishte një turmë prej rreth 50,000 njerëzish dhe ata i thanë Ezdrës të sillte Librin e ligjit të Moisiut. Si mund të bëjnë pesëdhjetë mijë njerëz një kërkesë? Duke brohoritur! Kjo turmë kishte një uri të madhe për Fjalën e Perëndisë dhe ata filluan të bërtasin: “Ne duam Biblën! Nxirreni Biblën!” 

Prifti Ezdra lexoi Fjalën e Perëndisë dhe ai u ndihmua nga levitët në detyrën e tij: 

Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej. (Nehemia 8:8)

Leximi, shpjegimi dhe zbatimi i Fjalës së Perëndisë – kjo ishte strategjia e Ezdrës për të ndërtuar popullin e Perëndisë.

Teksa hapim Biblën sot, historia e kësaj dite na jep një pamje të asaj që ndodh kur hapet Bibla. 

Kur hapet Bibla, populli i Perëndisë hidhërohet 

Kur Fjala e Perëndisë u lexua dhe u shpjegua, reagimi i parë i njerëzve ishte të qanin. 

Tërë populli në fakt, duke dëgjuar fjalët e Ligjit, qante. (Nehemia 8:9)

Kur drita e Fjalës së Perëndisë vjen në jetën tonë, fillojmë të kuptojmë se sa larg jemi prej Tij dhe ndiejmë nevojën tonë. Prandaj, mos u habit nëse reagimi yt i parë ndaj hapjes së Biblës, është që të ndiesh padenjësinë tënde. Fjala e Perëndisë do të të sjellë në këtë pikë, por nuk do të të lërë kurrë aty. 

Kur hapet Bibla, populli i Perëndisë gëzohet 

     “…Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj”. (Nehemia 8:10)

Hapja e Biblës sjell gëzim të madh, sepse nga fillimi deri në fund Bibla është lajm i mirë. Populli i Perëndisë nuk u kthye në shtëpi i shqetësuar nga mëkatet dhe dështimet e veta. Kur u hap Bibla, ata zbuluan hirin dhe mëshirën e Perëndisë, dhe kjo u dha atyre forcë.

Kushtojini vëmendje faktit që Nehemia flet për “gëzimin e Zotit” (8:9). Perëndia është jashtëzakonisht i lumtur në Vetvete. Dhe ky është një lajm i mirë, sepse nuk mund të ketë gëzim në bashkësi me një perëndi të palumtur. 

Nëse mendon se Perëndia ka vazhdimisht një fytyrë të ngrysur ndaj popullit të tij, ti nuk do të shtyhesh që ta kërkosh Atë. Por kur e di se Perëndia është jashtëzakonisht i lumtur në Vetvete, ti do të afrohesh më shumë drejt Tij. Dhe ndërsa e njeh Atë, gëzimi që është në Perëndinë, do të jetë gjithnjë e më shumë në ty. 

Kur Bibla hapet, populli i Perëndisë ka shpresë 

Gjatë kohës së Nehemias, populli i Perëndisë u mblodh në tempull. Ata kënduan këngë lavdërimi. Ata bënë lutje, dhurata dhe flijime. Por reja e pranisë së Perëndisë nuk zbriti kurrë. 

Njerëzit që e donin Perëndinë, kishin një dëshirë të fortë për praninë e Tij. Prandaj, Perëndia dërgoi profetë që premtuan se një ditë Zoti do të vinte në tempullin e Tij. 

“Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet.” (Malakia 3:1)

Kjo profeci u përmbush kur lindi Jezu Krishti. 

Jezusi foli për vetë trupin e Tij si një tempull (Gjoni 2:19-20). Ai tha se ky tempull (trupi i Tij) do të shkatërrohej dhe do të ngrihej për 3 ditë. Duke iu referuar trupit të Tij si tempull, Jezusi po thoshte se Ai është vendi ku ne mund të takohemi me Perëndinë. 

Në Dhiatën e Vjetër, tempulli ishte vendi për t’u takuar me Perëndinë. Por në Dhiatën e Re, vendi për t’u takuar me Perëndinë është një person, Jezu Krishti.

Dhiata e Vjetër shpjegon pse ne kemi nevojë për Të. Dhiata e Re na tregon se çfarë ndodhi kur Ai erdhi. 

Tjetra
Përdori këto pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskutoji ato me një person tjetër ose përdori si pyetje për reflektim personal.
  1. Nëse do të mund të zgjidhje një fjalë për të përshkruar mënyrën se si vepron Perëndia me popullin e Tij, cilën do të zgjidhje dhe pse?
  2. Cila është një gjë që ke mësuar nga historia e Dhiatës së Vjetër?
  3. A mund të mendosh për një ose dy vende ku Dhiata e Vjetër na drejton te Jezu Krishti?
Save Progress
Shko në fillim