Mesazhi kryesor i Jezusit ishte i qartë dhe i thjeshtë: “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni në ungjillin!” (Marku 1:15). Një mbretëri është një vend nën sundimin e një mbreti dhe kur Jezusi foli për “mbretërinë e Perëndisë”, Ai po fliste për bekimet e jetës nën sundimin e Perëndisë.
Ata që jetojnë nën sundimin e Perëndisë, i përkasin mbretërisë së Tij dhe Jezusi e bëri të qartë se ky privilegj është i hapur për të gjithë. Kushti për të hyrë është që të pendohesh dhe të besosh lajmin e mirë. Nuk mund të shijosh përfitimet e mbretërisë nëse nuk përkulesh para Mbretit.
BESIMI I APOSTUJVE
Jezusi ftoi shumë njerëz që ta ndiqnin, por Ai caktoi vetëm dymbëdhjetë prej tyre që të ishin apostujt e Tij. Roli i tyre i veçantë ishte të qëndronin me Jezusin, të predikonin dhe të dëbonin demonë (Marku 3:14-15). Ata kishin privilegjin të shihnin mrekullitë e Jezusit dhe të shkruanin ato që Ai tha dhe bëri.
Ndërsa udhëtuan me Jezusin, Ai i mësoi t’i bindeshin Perëndisë, ta donin njëri-tjetrin dhe të bënin një jetë me besim nën sundimin e Perëndisë.
Kur Jezusi ishte vetëm me këta dishepuj, Ai i pyeti: “Po ju, kush thoni se jam unë?” (Mateu 16:15). Pjetri doli përpara dhe foli për të tjerët: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mateu 16:16). Pas tre vitesh me Jezusin, dishepujt ishin të bindur se Ai ishte i Premtuari për të cilin kishte folur e gjithë Dhiata e Vjetër.
Jezusi zgjodhi këtë moment për t’u treguar dishepujve të Tij se çfarë po vinte: “Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, të hidhet poshtë prej pleqve, kryepriftërinjve dhe skribëve, dhe të vritet dhe të tretën ditë të ringjallet” (Luka 9:22).
Jezusi e dinte se çfarë e priste. Vuajtja që Ai duroi në kryq, nuk ishte një befasi për Të. Ai ishte gati. Ai erdhi “për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave” (Marku 10:45), dhe Ai shkoi në Jerusalem për të përmbushur atë qëllim.
NJË COPËZ E SË ARDHMES
Rreth një javë më vonë, Jezusi mori tre nga dishepujt e Tij në një natë lutjeje. Ata u ngjitën së bashku në mal dhe kur mbërritën në majë, Jezusi u tregoi Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit një copëz të së ardhmes. Ndërsa Jezusi po lutej: “pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme” (Luka 9:29).
Një shkëlqim i jashtëzakonshëm rrezatoi nga Jezusi dhe është e qartë se të tre dishepujt nuk kishin fjalë për ta përshkruar pamjen e Tij. Marku shkruan kujtimet e Pjetrit, i cili tha se rrobat e Jezusit dukeshin “të shndritshme dhe shumë të bardha, si bora, të tilla që asnjë rrobalarës mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë” (Marku 9:3).
Këtë ngjarje e quajmë “Shpërfytyrimi”. Jezusi po u tregonte dishepujve të tij lavdinë në të cilën Ai do të hynte pas vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Dishepujt kishin nevojë ta shihnin këtë. Në ditët në vijim ata do ta shihnin fytyrën e Jezusit të goditur, të mavijosur, të fshikulluar dhe të rrahur. Ai do të shpërfytyrohej aq shumë, sa nuk do ta njihnin dot (Isaia 52:14).
Një kurorë me gjemba do të vendosej me forcë mbi kokën e Tij. Dhe pas gjashtë orësh që do të qëndronte i varur në kryq, drita në fytyrën e Tij do të shuhej, dhe sytë e Tij do të mbylleshin për vdekje. Dishepujt kishin nevojë të dinin se ky nuk do të ishte fundi, prandaj Jezusi u dha atyre një mundësi që t’i hidhnin një shikim lavdisë, që vinte pas kryqit.
Dy burra, Moisiu dhe Elia, u shfaqën bashkë me Jezusin. Ata përjetuan lavdinë, që rrezatonte prej Tij. Kjo duhet të ketë qenë krejtësisht mahnitëse për dishepujt. Kishin kaluar një mijë e pesëqind vjet nga vdekja e Moisiut, dhe rreth shtatëqind vjet nga vdekja e Elias, e megjithatë ja ku ishin duke përjetuar shkëlqimin e lavdishëm të Jezusit.
Kjo ishte më shumë sesa mund të përballonin dishepujt në atë kohë, por ishte treguesi më i qartë se vdekja nuk do të ishte fundi për Jezusin ose për njerëzit e Tij. Një lavdi e madhe i priste.
REJA E MAHNITSHME
Por momenti më dramatik në këtë përjetim nuk kishte ardhur ende. Ndërsa dishepujt po flisnin me Jezusin, një re i mbuloi ata. Dishepujt menjëherë e kuptuan se çfarë po ndodhte. Prania e të Gjithëpushtetshmit zbriti mbi malin Sinai në një re, kur Ai i dha Moisiut Dhjetë Urdhërimet. E njëjta re e pranisë së Perëndisë kishte mbushur tempullin në ditët e Salomonit. Tani reja e pranisë së Perëndisë po vinte tek ata. Dishepujt u tmerruan dhe ranë përtokë derisa Jezusi i ngriti (Mateu 17:6-7).
Kur Perëndia zbriti për t’u takuar me Moisiun në malin Sinai, Ai foli me një zë të dëgjueshëm. Tani zëri i dëgjueshëm i Perëndisë u dëgjua përsëri: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni” (Luka 9:35).
Pamja nga mali i tretë
Dishepujt nuk mund të kishin kërkuar për një përligjje më të qartë të besimit të tyre në Zotin Jezu Krisht. Ata kishin qenë dëshmitarë të kundërshtimit që Jezusi kishte hasur nga ata që pretendonin se ishin ekspertë të Ligjit të Moisiut. Por tani ata kishin parë vetë Moisiun të shfaqej si një dëshmitar i drejtpërdrejtë i pretendimeve të Jezusit.
Për më tepër, Perëndia Atë kishte folur me zë të dëgjueshëm duke pohuar se Jezusi është me të vërtetë Biri i Tij dhe duke i udhëzuar dishepujt që ta dëgjojnë Atë. Disa e konsideronin Jezusin si një mësues të shkëlqyer, një mrekullibërës, ose profet. Të tjerë e shpërfillën si të pushtuar nga demonët. Por Perëndia Atë e pohoi atë si Birin e Tij.
Më vonë, apostulli Gjon shkroi këto fjalë për Jezusin: “Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14).
Lavdia e Shpërfytyrimit e përgatiti Jezusin dhe dishepujt për atë që i priste në Jerusalem. Kjo histori na çon në një luginë tjetër të errët.