Pas vdekjes së Jezusit, dy anëtarë të këshillit qeverisës të judenjve e rrëfyen hapur besimin e tyre tek Jezusi. Jozefi i Arimatesë, kishte qenë një ndjekës i fshehtë i Jezusit dhe nuk kishte qenë dakord me vendimin e sinedrit për ta vrarë Jezusin (Luka 23:50-51). Me Jozefin u bashkua Nikodemi. Edhe atij i kishte bërë shumë përshtypje Jezusi, por e kishte mbajtur të fshehtë besimin e tij nga frika e asaj që të tjerët do të mendonin (Gjoni 19:39).
Këta dy burra shkuan te Pilati dhe Jozefi kërkoi trupin e Jezusit. Ishte e premte mbrëma dhe donin ta varrosnin trupin përpara shabatit.
Pilati ishte i kujdesshëm. Reagimi i tij i parë ishte të konfirmonte se Jezusi kishte vdekur me të vërtetë. Centurioni që e kishte ruajtur kryqin, e konfirmoi pa mëdyshje. Pastaj Pilati ua dha trupin.
Jozefi zotëronte një varr në një kopsht afër vendit ku Jezusi ishte kryqëzuar, prandaj ata e vendosën trupin e Jezusit atje dhe rrokullisën një gur në hyrje të varrit.
SIGURI E LARTË
Të nesërmen në mëngjes, një delegacion me kryepriftërinj dhe farisenj shkuan te Pilati. Ata e dinin se Jezusi kishte thënë se do të ringjallej pas tri ditësh dhe donin të siguroheshin që varri të ruhej, në mënyrë që dishepujt të mos kishin mundësi ta vidhnin trupin.
Pilati u tha farisenjve: “Rojën e keni; shkoni dhe siguroni varrin, si të dini ” (Mateu 27:65).
NJË VARR BOSH
Të nesërmen në mëngjes, disa gra që e kishin ndjekur Jezusin, shkuan te varri. Ato u habitën kur zbuluan se guri ishte hequr nga hyrja. Gratë vështruan brenda dhe panë se varri ishte bosh.
Momentet kyç në historinë e Biblës zakonisht shoqërohen nga ngjarje të mbinatyrshme. Engjëjt mbushën qiellin kur Jezusi lindi, prandaj nuk duhet të na habisë fakti që engjëjt njoftuan lajmin e ringjalljes së Jezusit nga të vdekurit.
I ulur mbi gurin që kishte vulosur varrin, një engjëll i Perëndisë u tha grave: “Mos kini frikë, sepse e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua. Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë” (Mateu 28:5-6).
KRISHTI I RINGJALLUR
Lajmi i mirë që engjëlli shpalli, nuk ishte se “Jezusi është i gjallë” por se “Ai u ringjall”. Ia vlen të mendojmë për ndryshimin këtu. Biri i Perëndisë ishte i gjallë në qiell përpara se të merrte natyrë njerëzore. Pse, pra, nuk e la Ai trupin e Tij të kryqëzuar në varr dhe të kthehej tek Ati? Në fund të fundit, bëhej fjalë vetëm për mish dhe kocka. Pse duhej të shqetësohej për të?
Engjëjt mund të ishin shfaqur mëngjesin e së Dielës së Pashkës dhe të kishin thënë: “Trupi i tij është këtu në varr, por mos u shqetësoni, shpirti i tij është me Atin në qiell.” Në fund të fundit, a nuk është pikërisht kjo ajo që themi në një funeral, kur një i krishterë vdes? Ne e varrosim trupin dhe pastaj themi: “Edhe pse trupi i vëllait tonë të ndjerë është këtu, shpirti i tij është me Atin në qiell.”
Por engjëlli nuk e tha këtë për Jezusin. Mesazhi është që Krishti është ringjallur. Nuk ishte vetëm fryma e Jezusit që u çlirua nga vdekja, por edhe trupi i Tij.
FITORE MBI VDEKJEN
Perëndia ka bashkuar shpirtin dhe trupin së bashku. Vdekja i ndan ato. Kjo është arsyeja pse ajo është një armik kaq i tmerrshëm. Vdekja është zhbërja e natyrës sonë. Vdekja nuk do të mposhtet nga mbijetesa e shpirtit. Fitorja mbi vdekjen do të arrihet vetëm kur trupi dhe shpirti të ribashkohen në fuqinë e një jete të re. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi kur Jezusi u ringjall prej së vdekurish.
Bibla i kushton shumë rëndësi natyrës fizike të ringjalljes. Kur Jezusi iu shfaq dishepujve, ata menduan se po shihnin një fantazmë. Jezusi donte që ata ta dinin se ajo që po shihnin, ishte shumë më tepër sesa fryma e Krishtit në një formë të dukshme, prandaj Ai u tha atyre: “Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam” (Luka 24:39).
Trupi që qëndronte i shtrirë në varr, ishte ringjallur. Lajmi i mirë nuk ishte se fryma e Jezusit i kishte mbijetuar vdekjes dhe kishte jetuar, por që trupi i Jezusit ishte ringjallur prej së vdekurish. Jezusi kishte kaluar përmes vdekjes dhe kishte triumfuar mbi të.
I RINGJALLUR DO TË THOTË I NDRYSHUAR
Kur trupi i Jezusit u ringjall, ai trup u ndryshua gjithashtu. Kjo ishte diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Jezusi e ktheu Llazarin sërish në jetë, por Llazari doli nga varri ashtu siç kishte hyrë në të. Procesi i natyrshëm i plakjes së tij vazhdoi aty ku ishte ndërprerë. Pastaj në një moment të caktuar të gjorit Llazar iu desh të përjetonte sërish mjerimin e vdekjes.
Por kur Krishti u ringjall, trupi i Tij nuk ishte më nën pushtetin e plakjes, sëmundjes, dhimbjes apo vdekjes. Ai nuk kufizohej më nga koha dhe hapësira. Trupi i Tij u transformua dhe u përshtat për përjetësinë.
Kjo është e ardhmja e lavdishme, që e pret çdo besimtar të krishterë. Përderisa Krishti është ringjallur, edhe ne do të ringjallemi. Kur Krishti të rikthehet, Ai do t’i mbledhë të gjithë njerëzit e Tij në praninë e Tij. Çdo besimtar do të jetë atje, jo vetëm me mendje, por edhe me trup. Perëndia ka vendosur të shpengojë jo vetëm një pjesë tënden, por të gjithë qenien tënde.
Kënaqësitë më të mëdha të trupit dhe të shpirtit në këtë jetë janë vetëm një shije e vogël e asaj që Perëndia po përgatit për ata që e duan Atë. Një besim më i qartë në ringjalljen e trupit do t’ju japë një pritshmëri më të fortë për jetën në qiell.
Pamja nga mali i pestë
Të krishterët bëjnë shumë më tepër sesa thjesht ndjekin fjalët e një mësuesi të lashtë. Ata marrin pjesë në jetën e një Shpëtimtari të ringjallur. Jezusi tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe në vdektë, do të jetojë” (Gjoni 11:25). Ringjallja e Jezusit e vërtetoi pretendimin dhe premtimin e Tij.
Nëse e ke të vështirë të besosh në ringjalljen e Jezusit, ndoshta të ndihmon të dish se edhe dishepujt e parë kishin dyshime. Historia e udhëtimit të tyre drejt besimit na çon në luginën tjetër.