Në gjithë qytetin e Jerusalemit kishte vetëm rreth 120 veta, që besonin në Jezusin (Veprat 1:15). Detyra për të arritur komunitetin e tyre dukej e paarritshme për ta. Kishte shumë pak para, shumë pak njerëz, shumë frikë, dhe një kulturë që kishte shumë pak hapësirë për mesazhin e tyre. Sfida që Jezusi u kishte dhënë atyre për të bërë dishepuj nga të gjitha kombet, me siguri u dukej e pamundur.
Por Krishti kishte folur për një ngjarje që do të ndryshonte gjithçka. Pas disa ditësh ata besimtarë do të pagëzoheshin “me Frymën e Shenjtë” (Veprat 1:5). Pastaj Ai shtoi: “Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të më bëheni dëshmitarë në Jerusalem, dhe në gjithë Judenë dhe Samarinë dhe deri në skajin e dheut” (Veprat 1:8).
Nuk iu desh të prisnin gjatë. Vetëm dhjetë ditë pasi Jezusi u ngrit në qiell, Fryma e Shenjtë u derdh mbi besimtarët e parë të krishterë. Pas kësaj, gjërat nuk qenë kurrë si më parë.
ERA QË FRYN
Ndërsa besimtarët ishin mbledhur bashkë: “befas nga qielli u bë një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë, ku ata po rrinin” (Veprat 2:2).
Kur Jezusi iu shfaq dishepujve të Tij pas ringjalljes, Gjoni na tregon se Ai “hukati mbi ta dhe tha: ‘Merrni Frymën e Shenjtë!’” (Gjoni 20:22). Jezusi po shpjegonte se çfarë do të ndodhte në Ditën e Rrëshajave. Ai po u thoshte dishepujve të Tij: “Ja si do të ndodhë. Unë do të ngjitem në qiell, dhe kur ta bëj këtë, do të hukat në ju jetën time nga lart.” Pastaj Ai mori frymë thellë dhe hukati drejt tyre.
Prandaj, kur dishepujt dëgjuan një erë të furishme vetëm disa ditë më vonë, ata do të kenë bërë lidhjen me tingullin e hukatjes së Jezusit mbi ta, dhe e kuptuan se kjo ishte përmbushja e asaj që Jezusi u kishte premtuar.
Sigurisht, Fryma e Perëndisë kishte vepruar edhe më parë në jetën e besimtarëve. Fryma e Shenjtë erdhi mbi shumë individë në Dhiatën e Vjetër, duke i vajosur ata për detyra të veçanta, dhe përvoja e dishepujve para Rrëshajave do të kishte qenë e ngjashme. Por kjo ishte diçka krejtësisht e re. Fryma e Perëndisë nuk ishte vetëm me ta, por në ta.
ZJARRI QË NUK DOGJI
Besimtarëve të mbledhur në dhomën e sipërme: “iu dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre” (Veprat 2:3). Kjo duhet të ketë qenë absolutisht e tmerrshme.
Një zjarr i madh ose kolonë zjarri erdhi drejt tyre. Ndërsa afrohej, u nda në flakë të veçuara, që qëndruan mbi çdo person në dhomë. Gjëja e mahnitshme ishte se asnjëri prej tyre nuk u dogj.
Diçka e tillë kishte ndodhur edhe më parë, kur Zoti i foli Moisiut nga një zjarr, që qëndronte mbi një shkurre, por pa e djegur atë (Eksodi 3:2). Perëndia premtoi se prania e Tij do të ishte me Moisiun, dhe në Ditën e Rrëshajave Ai u dha të njëjtën shenjë të pranisë së Tij besimtarëve të parë. Me siguri atyre iu kujtua se si Perëndia foli nga zjarri dhe e dërgoi Moisiun. Por ata duhet ta kenë pyetur veten se te cili prej tyre do të qëndronte zjarri. Mbi Pjetrin, apo ndoshta mbi Jakobin dhe Gjonin? Ndoshta tek të tre ata.
Por zjarri u nda në shumë flakë, që qëndruan mbi secilin nga besimtarët. Perëndia po dërgonte çdo besimtar që të çonte përpara qëllimin e Tij në botë. Secili prej tyre u pajis dhe iu dha dhunti për shërbesë.
KOMUNIKIM NDËR-KULTUROR
Një ngjarje e tretë e mrekullueshme e pasoi erën dhe zjarrin. Papritmas dhe spontanisht, besimtarët zbuluan se ishin në gjendje të flisnin në gjuhë, të cilat nuk i kishin mësuar kurrë më parë (Veprat 2:4).
Kjo ishte një përmbysje e plotë e asaj që ndodhi në Kullën e Babelit (Zanafilla 11). Më herët, në historinë e Biblës, Perëndia theu vrullin e rebelimit të njeriut, duke sjellë shumë gjuhë në racën njerëzore. Në pështjellimin dhe ndarjen që vijoi më pas, njerëzit u shpërndanë në veri, jug, lindje dhe perëndim.
Në ditën e Rrëshajave, njerëz “nga të gjitha kombet nën qiell” ishin mbledhur në Jerusalem (Veprat 2:5). Kur Perëndia i aftësoi besimtarët të flisnin spontanisht në gjuhë, të cilat nuk i kishin mësuar kurrë më parë, njerëz nga e gjithë bota–nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi–dëgjuan dhe kuptuan lajmin e mirë të Jezu Krishtit.
Një turmë e madhe ishte mbledhur dhe Pjetri u foli atyre për vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit. Perëndia e kishte lartësuar Jezusin dhe tani Ai kishte derdhur Frymën e Shenjtë, të premtuar, mbi popullin e Tij. Ky ishte shpjegimi i asaj, që turma po shihte dhe dëgjonte.
Tre mijë njerëz reaguan ndaj mesazhit të Pjetrit, duke rrëfyer besimin e tyre në Jezusin përmes pagëzimit. Kur u kthyen në shtëpitë e tyre, ata e çuan lajmin e mirë të Jezusit në qytetet dhe kombet nga kishin ardhur.
Perëndia kishte premtuar se bekimi i Tij do të vinte te njerëzit nga të gjitha kombet. Rrjedha e bekimit të Perëndisë filloi me një njeri, Abrahamin. Tani, lumi i mëshirës së Perëndisë doli nga shtrati i tij dhe i përmbyti të gjitha kombet e botës.
Pamja nga mali i parë
Historia e Rrëshajave na mëson se Fryma e Shenjtë e Perëndisë i është dhënë çdo besimtari. Nëse ti i përket Krishtit, jeta e Perëndisë është në ty, prania e Tij është me ty dhe bekimi i Tij është mbi ty.
Fryma e Shenjtë i pajis dhe i fuqizon të gjithë besimtarët për të shërbyer. Në të kaluarën, Perëndia kishte punuar përmes disa njerëzve, që ishin vajosur për shërbesa të veçanta, por tani Fryma e Shenjtë jeton dhe punon përmes të gjithë besimtarëve.
Perëndia na thërret të komunikojmë lajmin e mirë të Jezusit përtej pengesave kulturore dhe atyre gjuhësore, që bekimi i Tij të rrjedhë te njerëzit nga çdo fis, gjuhë dhe komb mbi faqen e dheut. Çdo i krishterë ka rolin e tij në këtë qëllim. Kur reagon me bindje ndaj asaj thirrjeje, do të fillosh të përjetosh dobësinë e tënde.