Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Zanafilla 37:1-36

Parapëlqimi i Jakobit për Jozefin

1 Por Jakobi banoi në vendin ku i ati kishte qëndruar, në vendin e Kanaanëve.

2 Këta janë pasardhësit e Jakobit. Jozefi, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kulloste kopenë bashkë me vëllezërit e tij; i riu rrinte me bijën e Bilhahës dhe me bijtë e Zilpahës, që ishin gratë e babait të tij. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre.

3 Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobe të gjatë deri te këmbët.

4 Por vëllezërit e tij, duke parë që i ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t’i flisnin në mënyrë miqësore.

5 Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër.

Ëndrrat e Jozefit

6 Ai u tha atyre: “Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë.

7 Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi”.

8 Atëherë vëllezërit e tij i thanë: “A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?”. Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij.

9 Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: “Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para meje”.

10 Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: “Ç’kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?”.

11 Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë.

Vëllezërit e hedhin në pus dhe e shesin Jozefin

12 Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem.

13 Dhe Izraeli i tha Jozefit: “Vëllezërit e tu a nuk janë ndofta duke kullotur kopenë në Sikem? Eja, do të dërgoj tek ata”. Ai u përgjegj: “Ja ku jam”.

14 Izraeli i tha: “Shko të shikosh në se vëllezërit e tu janë mirë dhe në se kopeja shkon mirë, dhe kthehu të më japësh përgjigje”. Kështu e nisi në luginën e Hebronit dhe ai arriti në Sikem.

15 Ndërsa ai endej në fushë, një burrë e gjeti dhe e pyeti: “Çfarë kërkon?”.

16 Ai u përgjegj: “Jam duke kërkuar vëllezërit e mi; të lutem më trego se ku ndodhen duke kullotur bagëtinë”.

17 Ai burrë i tha: “Ata kanë ikur së këtejmi, sepse i dëgjova që thonin: “Të shkojmë në Dothan”. Atëherë Jozefi shkoi të kërkojë vëllezërit e tij dhe i gjeti në Dothan.

18 Ata e panë së largu, dhe para se t’u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë.

19 Dhe i thanë njëri tjetrit: “Ja ku po vjen ëndërruesi!

20 Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç’përfundim do të kenë ëndërrat e tij”.

21 Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: “Nuk do ta vrasim”.

22 Pastaj Rubeni shtoi: “Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj”. Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t’ia shpënë të atit.

23 Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rrobja e gjatë që i arrinte deri te këmbët;

24 pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda.

25 Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t’i çuar në Egjipt.

26 Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: “Ç’dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij?

27 Ejani, t’ia shesim ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë”. Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan.

28 Ndërsa po kalonin ata tregtarë madianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt.

29 Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i çorri rrobat e tij.

30 Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: “Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?”.

Jakobi e qan Jozefin si të vdekur

31 Kështu ata morën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak.

32 Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: “Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rroba e birit tënd”.

33 Dhe ai e njohu dhe tha: “Është rroba e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë”.

34 Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë.

35 Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: “Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi”. Kështu e qau i ati.

36 Ndërkaq madianitët e shitën Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve.

Tjetra
Audio
1 x

Perëndia e bekoi Jakobin, nipin e Abrahamit, me një familje të madhe. Me kalimin e kohës, dymbëdhjetë bijtë e tij u bënë etërit e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Perëndia e mbajti premtimin e Tij ndaj Abrahamit dhe bekimi i Tij ishte mbi këtë familje të madhe, e cila një ditë do të bëhej një komb i madh. 

Edhe kjo familje kishte probleme. Tensionet midis vëllezërve u përqendruan te Jozefi. Perëndia i kishte dhënë Jozefit një ëndërr, që dukej sikur tregonte se atij do t’i jepej një pozitë me rëndësi mbi vëllezërit e tij. Vëllezërit nuk e pritën mirë këtë gjë, ndaj dhe vendosën se ishte koha që t’i jepnin Jozefit një mësim për përulësinë.

Një ditë, teksa ishin në fusha, Jozefi u sulmua nga vëllezërit e tij. Ata e hodhën në një pus dhe e lanë atje, derisa kaluan disa tregtarë sh​ëtitës. Ata e shitën Jozefin tek udhëtarët, që e çuan në Egjipt. Vëllezërit u kthyen në shtëpi për t’i treguar Jakobit, atit të tyre, që Jozefi ishte vrarë nga një kafshë e egër. Asgjë nuk e ngushëllonte Jakobin në hidhërimin e tij (Zanafilla 37).

Kjo histori na çon në luginën e dytë, ku zbulojmë vuajtjen e familjes që Perëndia kishte zgjedhur të bekonte. Meqenëse Perëndia kishte premtuar se përmes pasardhësve të Abrahamit do të bekonte të gjitha kombet, shpresa e botës ishte e lidhur ngushtë me të ardhmen e kësaj familjeje të trazuar. 

SHPËRBLIM MIZOR PËR INTEGRITETIN

Kur udhëtarët mbërritën në Egjipt, ata ia shitën Jozefin Potifarit, një zyrtari të shquar në qeverinë e Faraonit (Zanafilla 39:1). Perëndia i dha Jozefit sukses në gjithçka, dhe kjo bëri që Potifari ta vendoste Jozefin në krye të shtëpisë së tij (Zanafilla 39:3-4). Por gjërat u ndërlikuan kur gruaja e Potifarit u përpoq ta joshte Jozefin dhe ai u largua me vrap nga shtëpia. Për t’u hakmarrë ndaj tij, gruaja e Potifarit pretendoi se ai ishte përpjekur ta përdhunonte. Në fund të ditës, Jozefi e gjeti veten në burg, së bashku me të burgosurit e faraonit. Ky ishte një trajtim i vrazhdë për një njeri, që kishte vepruar me integritet.

Perëndia ishte me Jozefin në burg dhe i dha atij aftësinë për të parashikuar me saktësi të ardhmen duke interpretuar ëndrrat. Faraoni ishte trazuar nga disa ëndrra, në të cilat kishte parë shtatë lopë të majme, që u përlanë nga shtatë lopë thatanike. Prandaj, kur dëgjoi për Jozefin, urdhëroi që ta sillnin para tij. Jozefi i tha faraonit se Perëndia po i tregonte se çfarë do të ndodhte në të ardhmen. Mbas shtatë vitesh të korrash të bollshme do të vinin shtatë vite zi buke (Zanafilla 41:28-30). 

Faraoni dalloi që Perëndia ia kishte zbuluar Jozefit këtë dhe e vuri atë përgjegjës për ndërtimin e rezervave të grurit, për ta ushqyer popullsinë gjatë viteve të ardhshme të zisë së bukës. Jozefi i ngjiti shpejt shkallët e suksesit në historinë politike, dhe u bë njeriu më i fuqishëm në Egjipt pas Faraonit (Zanafilla 41:39-40).  

PERËNDIA KISHTE QËLLIME TË MIRA

Ndërkohë, atje në Kanaan, babai dhe vëllezërit e Jozefit nuk e kishin fare idenë për zinë e bukës, që do të vinte, dhe nuk bënë asgjë për t’u përgatitur. Kur zia e bukës erdhi, ata ishin në hall të madh. Kur dëgjuan se në Egjipt kishte grurë, vëllezërit e Jozefit udhëtuan atje me shpresën për të gjetur ushqim. 

Ata nuk ia kishin idenë se çfarë kishte bërë Perëndia për Jozefin. Fillimisht vëllezërit nuk e njohën atë, dhe kur në fund ai ua zbuloi identitetin e tij, ata u tmerruan (Zanafilla 45:3). Megjithatë Jozefi i fali. Ai e kishte parë se Perëndia kishte qenë duke punuar edhe nëpërmjet përvojave të dhimbshme në jetën e tij. Përmes një sërë ngjarjesh mizore dhe të pazakonta, që përfshinin vëllezërit, tregtarët e skllevërve, dhe gruan e Potifarit, Perëndia e kishte vendosur Jozefin në një post, nga ku mund të shpëtonte familjen që Perëndia kishte zgjedhur për ta bekuar, në mënyrë që ajo të mos shfarosej nga zia e bukës. “Sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj”, tha ai. “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës” (Zanafilla 45:5; 50:20).

HOLOKAUSTI I PARË

Familja që Perëndia kishte zgjedhur të bekonte, u vendos në Egjipt. Ata ishin shtatëdhjetë e pesë veta, kur mbërritën atje (Veprat 7:14) dhe në vitet që pasuan, familja u zmadhua. Por gjërat ndryshuan shpejt kur një sundimtar i ri mori fronin në Egjipt (Eksodi 1:8). Ai u shqetësua nga shumimi i shpejtë i izraelitëve, ndaj dhe nisi një përndjekje të ashpër kundër tyre, duke i detyruar të punonin në fusha dhe në kantiere ndërtimi me orë të zgjatura dhe në kushte të tmerrshme (Eksodi 1:9, 14). 

Populli i Perëndisë vazhdoi të shtohej edhe nën shtypje, dhe kështu faraoni shpalli zgjidhjen e tij përfundimtare: vrasjen e dekretuar të foshnjave. Ai urdhëroi që çdo fëmijë mashkull i porsalindur të mbytej në lumin Nil (Eksodi 1:22). Paragjykimi racist i faraonit e verboi atë ndaj dinjitetit dhe vlerës unike të çdo jete njerëzore. Ky ishte holokausti i parë. 

Faraoni i ri nuk dinte asgjë për Jozefin dhe asgjë për Perëndinë e Biblës, i cili e kishte shpëtuar kombin e Tij nga katastrofa e zisë së bukës. Aty ku Perëndia nuk njihet, jeta njerëzore nuk vlerësohet; dhe atje ku jeta njerëzore nuk vlerësohet, e keqja do të vërshojë së shpejti. 

Perëndia e kishte mbrojtur popullin e tij nga zia e bukës në Egjipt, por qëllimi i Tij nuk ishte që ata të qëndronin atje. Dhe ndodhi që përmes kësaj përndjekjeje të ashpër dhe të zgjatur, hebrenjtë që dikur ishin rehatuar në Egjipt, filluan t’i thërrasin Perëndisë për shpëtim. 

Pas katërqind vitesh, në të cilat nuk kishte pasur një përparim të konsiderueshëm në planin e Perëndisë për të bekuar racën njerëzore, Perëndia ishte gati të hynte sërish në rrjedhën e historisë për ta sjellë popullin e Tij në tokën që u kishte premtuar. 

Pamja e luginës së dytë

Në luginën e dytë, ne përballemi me realitetin e së keqes dhe misterin e vuajtjes. Pse i lejoi Perëndia njerëzit që kishte bekuar, të përjetonin kaq shumë dhimbje? Perëndia ka zgjedhur të mos i përgjigjet plotësisht kësaj pyetjeje. Por lugina e dytë e historisë së Biblës na tregon se edhe vuajtjet tona më të dhimbshme do të zënë vendin e tyre në qëllimin përfundimtar të Perëndisë.

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.
  1. Jozefi u tha vëllezërve të tij: “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës.” Mendo për një kohë kur dikush është përpjekur të ta bëjë jetën të vështirë. Si e përdori për mirë Perëndia atë përvojë?
Save Progress
Shko në fillim