Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Zbulesa 22:1-21

Ardhja e Krishtit: Paralajmërime dhe premtime të fundit

1 Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, te shkëlqyer si kristali, që dilte prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit. 

2 Në mes të rrugës së qytetit, këtej e andej lumit, pema e jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe jep çdo muaj një frut; dhe gjethet e pemës janë për shërim të kombeve. 

3 Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë; 

4 edhe do të shohin fytyrën e tij; dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre. 

5 Dhe natë nuk do të ketë atje; edhe nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon; dhe do të mbretërojnë në jetë të jetëve.

6 Dhe më tha: “Këto fjalë janë të besuara dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti. 

7 Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri.” 

8 Dhe unë, Gjoni, jam ai që pashë dhe dëgjova këto gjëra; dhe kur dëgjova dhe pashë, rashë përmbys për ta adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m’i tregonte këto gjëra. 

9 Dhe ai më tha: “Shiko se mos e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu, profetë, dhe të atyre që i ruajnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!.” 

10 Pastaj më tha: “Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër. 

11 Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të jetë i drejtë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet. 

12 Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit, sikundër do të jetë vepra e tij. 

13 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit.” 

14 Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për pemën e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit. 

15 Por jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe bën gënjeshtrën. 

16 “Unë, Jezusi, dërgova engjëllin tim që t’ju dëshmojë këto gjëra për kishat. Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit.” 

17 Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!.” Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!.” Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.

18 Po u dëshmoj të gjithë atyre, që dëgjojnë fjalët e profecisë së këtij libri, nëse ndokush do t’u shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të shtojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. 

19 Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës dhe nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër. 

20 Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, unë vij shpejt. Amen.” Po, eja, Zoti Jezus. 

21 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.

Tjetra
Audio
1 x

Ndërkohë që apostulli Gjon ishte i burgosur në Ishullin e Patmosit, Perëndia i dha atij një vizion për të ardhmen, të cilin Gjoni e shkruajti në librin e Zbulesës.

Vizioni i Gjonit na jep mundësinë të kemi një ide se si do të përfundojë historia e botës dhe si do të fillojë përjetësia. Ky libër është plot me simbole të mrekullueshme, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë gjëra që përndryshe do të ishin krejt të pakuptueshme. 

Gjoni pa të keqen që do të lëshohej gjatë historisë, dhe sidomos në ditët e fundit. Ai pa gëzimin e njerëzve të Krishtit, kur ata do të nxirren nga vuajtjet e kësaj bote dhe do të mirëpriten në praninë e Krishtit. Ai pa gjithashtu fitoren përfundimtare të Krishtit, kur ligësia do të shkatërrohet përgjithmonë. 

NJË QIELL DHE TOKË E RE 

Gjoni shkroi: “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë shkuan, dhe deti nuk është më.” (Zbulesa 21:1).

Ne mund ta kuptojmë me lehtësi pse Perëndia do të bëjë një tokë të re, por pse Perëndia do të bëjë edhe një qiell të ri? 

Para se të ndodhte një rebelim mbi tokë, kishte ndodhur një rebelim në qiell. Satani donte të zinte fronin e Perëndisë, dhe kështu ai u hodh poshtë. Mundësia e së ligës ekzistonte si në tokë ashtu edhe në qiell.

Por tani Gjoni e sheh që armiku do t’i dorëzohet shkatërrimit përgjithmonë, dhe se Perëndia do të formojë një qiell të ri, i cili është çliruar jo vetëm nga prania e së ligës, por edhe nga mundësia e ekzistencës së saj.

Pastaj Gjoni thotë se pa një “tokë të re”. Fati i besimtarit të krishterë nuk është një ekzistencë ëndërrimtare në një botë imagjinare. Perëndia do ta riformojë, do ta rikrijojë, do ta rimbushë dhe do ta ripërtërijë këtë planet: “Vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes” (Romakëve 8:21). 

Në këtë pikë të historisë, historia njerëzore siç e njohim ne, ka mbërritur në një fund. Londra, Çikago, Jerusalemi, Kajro, Pekini dhe Moska janë zhdukur të gjitha! Toka është zhveshur nga nxehtësia e zjarrtë e gjykimit të Perëndisë (2 e Pjetrit 3:10; Hebrenjve 1:10-12).

Gjoni pa një qytet të ri duke zbritur nga qielli. Ai menjëherë e njohu horizontin e tij: Jerusalemi! Kjo ishte pa dyshim një pamje e njohur për të (Zbulesa 21:2). 

MATJA E QYTETIT 

Jerusalemi është plot domethënie në historinë e Biblës. Ky ishte vendi ku Perëndia zbriti për t’u takuar me popullin e Tij, kur reja e pranisë së Tij mbushi tempullin.

Qyteti i ri është jashtëzakonisht i madh. Ai ka formën e një kubi, të treja dimensionet e të cilit janë 12,000 stade–2,240 kilometra (Zbulesa 21:16)! Sipërfaqja e qytetit do të jetë sa tre të katërtat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose pesë herë më e madhe se Britania e Madhe. 

Gjoni e kishte parë tashmë që turmën gjigante të popullit të Perëndisë nuk mund ta numëronte dot askush. Tani Perëndia po i komunikonte që Ai ka një vend për secilin prej tyre.

Përmasat e qytetit jepen në tre dimensione. “Gjatësia dhe gjerësia dhe lartësia e tij janë të barabarta” (Zbulesa 21:16). E thënë ndryshe, ky është një kub i përsosur.

Gjoni duhet ta ketë kuptuar menjëherë domethënien e kësaj. Vendi Shumë i Shenjtë në tempull, ku Perëndia takohej me njerëzit e Tij, ishte gjithashtu një kub i përsosur: njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë, dhe njëzet kubitë i lartë (1 i Mbretërve 6:20).

Qyteti i vjetër kishte një vend të shenjtë, ku zbriste prania e Perëndisë. Qyteti i ri është një vend i shenjtë, ku prania e Perëndisë do të qëndrojë përjetësisht. Në Jerusalemin e vjetër, një dhomë ishte e mbushur me lavdinë e Tij. Në Jerusalemin e Ri, i gjithë qyteti do të mbushet me lavdinë e Tij, dhe një turmë e panumërt burrash dhe grash do të jetojnë përgjithmonë në praninë e Perëndisë. 

PARAJSA E RIPËRTËRIRË

Në këtë pikë të vizionit, Gjonit i bëhet ftesë të hyjë brenda në qytet. Ndërsa hyn–pa dyshim për habinë e tij më të madhe–Gjoni sheh një kopsht (Zbulesa 22:1-2)!

Historia e Biblës filloi në një kopsht dhe tani, në fund të historisë së Biblës, kjo parajsë është e ripërtërirë. Në kopshtin e ri, populli i Perëndisë mund t’i afrohet Pemës së Jetës, e cila jep dymbëdhjetë lloje të ndryshme frutash, të cilat mund të vilen çdo muaj. Shumëllojshmëria e frutave tregon pasuritë e jetës, të cilat rimbushen vazhdimisht në praninë e Perëndisë.

Kënaqësitë e qytetit të ri të kopshtit të Perëndisë do t’ia kalojnë gjithçkaje që Adami njihte në Kopshtin e Edenit. Ti do të shijosh fruta që Adami nuk i shijoi kurrë, dhe do të përjetosh kënaqësi që Adami nuk i njohu kurrë. 

Kur të jesh në praninë e Perëndisë nuk do të kesh më asnjë keqardhje. Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tu (Zbulesa 21:4). Imagjino Vetë Perëndinë ta bëjë këtë për ty! Ndonjëherë mund të pyesim veten se si do të jetë e mundur të jemi në qiell dhe të mos kemi lot për veten apo për të tjerët. Një gjë është e qartë: Perëndia do të heqë jo vetëm keqardhjet tona, por edhe vetë burimin e tyre. 

Pamja nga mali i fundit

Populli i Perëndisë do të shijojë praninë e Tij në qytet-kopshtin e Tij të madh. Ne do t’i shërbejmë Atij dhe Perëndia thotë se ne do të “mbretërojmë në jetë të jetëve” (Zbulesa 22:5). Fatmirësisht, kjo nuk do të thotë që të gjithë do të punojmë në qeveri.

Kur Perëndia flet që ne do të mbretërojmë, Ai po na tregon se jeta nuk do të jetë më e rrëmujshme dhe do të vihet nën kontrollin tuaj. Ti nuk do t’i nënshtrohesh më tiranisë së kohës, grumbujve të dokumenteve, dhe gjithçkaje tjetër që e shoqëron këtë. Ti nuk do të përleshesh më me dallgët e paparashikueshme të emocioneve, me mashtrimet e mendjes, apo me impulset e vullnetit. Ti nuk do të vuash më nga marrëdhënie që nuk funksionojnë, dhe nuk do t’i nënshtrohesh më rrezikut ose vdekjes.

Jeta jote do të jetë e harmonizuar, puna jote do të jetë e përmbushur, dhe marrëdhëniet e tua do të jenë të shëndetshme. Vetë jeta do të vihet nën kontrollin tënd, dhe ti do të jesh i lirë të përmbushësh të gjitha qëllimet e Perëndisë. 

Në kulmin e vizionit të tij, Gjoni dëgjoi një zë nga froni i Perëndisë që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre” (Zbulesa 21:3). Ndarjes do t’i ketë ardhur fundi. Mallkimi do të jetë zhdukur. Qëllimi i madh i Perëndisë do të përmbushet. Dhe kështu do të fillojë jeta për të cilën Ai të krijoi.

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.
  1. Cila është gjëja më e rëndësishme që ke mësuar në udhëtimin tënd tridhjetëditor përmes Biblës? Si do të doje që kjo ta ndikonte jetën tënde?
Save Progress
Shko në fillim