Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Marku 15:33-39

Vdekja e Jezusit

33 Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.
34 Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: “Eloi, Eloi; lama sabakthani?,” që e përkthyer do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”
35 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: “Ja, ai po thërret Elian!.”
36 Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: “Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë.”
37 Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.
38 Atëherë veli i tempullit u shqye në dysh nga maja deri në fund.
39 Dhe kryeqindësi që qëndronte përballë tij, kur pa se, pasi bërtiti ashtu, dha frymë, tha: “Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!”

Tjetra
Audio
1 x

Turma abuzoi me Jezusin për tre orë, pastaj ndodhi diçka krejt e papritur: “Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë” (Marku 15:33).

Jezusi kishte thënë: “Unë jam drita e botës” (Gjoni 8:12; 9:5). Kur njerëzit zgjodhën ta shuanin atë dritë, Perëndia e mbuloi tokën me errësirë. Ngjarjet që ndodhën në këto tre orë errësirë, na çojnë në zemër të historisë së Biblës. 

SAKRIFICA

Në kohët e Dhiatës së Vjetër populli i Perëndisë kryente një ritual të përvitshëm, në të cilin kryeprifti vendoste duart e tij mbi një cjap dhe rrëfente mëkatet e popullit mbi kokën e kafshës. Perëndia i kishte thënë priftit që të vendoste mëkatet e popullit mbi kokën e cjapit (Levitiku 16:21). Ky ritual ishte një ilustrim se si Perëndia do ta hiqte fajin tonë duke e transferuar atë në një vend tjetër.

Kjo temë përshkon gjithë Biblën. Profeti i Dhiatës së Vjetër, Isaia, foli për vuajtjet e Mesias dhe tha: “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:6). Perëndia i vendosi mëkatet tona mbi Mesian dhe Ai i mbarti ato sikur të ishin të Tijat.

Në Dhiatën e Re, Gjon Pagëzori e identifikoi kështu Jezusin: “Ja, Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29). Ai do të përmbushte atë që kishin ilustruar të gjitha flijimet e Dhiatës së Vjetër.

Apostulli Pjetër e përshkroi me këto fjalë atë që i ndodhi Jezusit në errësirë: “Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit” (1 e Pjetrit 2:24). Apostulli Pal e shprehu kështu: “Sepse atë, që nuk njihte mëkat, e bëri mëkat për ne” (2 e Korintasve 5:21).

E gjithë Bibla dëshmon për këtë të vërtetë thelbësore, misterioze dhe të mrekullueshme, që Jezusi mbarti fajin e mëkateve tona në vdekjen e Tij në kryq.

Nuk është për t’u habitur, që Perëndia e mbuloi këtë ngjarje të tmerrshme me errësirë. Mundohu të përfytyrosh mëkatin tënd si një barrë mbi supet e tua. Perëndia Atë e ngriti atë barrë dhe e vendosi mbi Jezusin, i cili e mbajti barrën për ty. Jezusi vdiq duke mbartur mëkatet e botës. Ne as nuk mund ta përfytyrojmë se çfarë do të thoshte kjo për Birin e shenjtë të Perëndisë. 

FERRI NË TOKË

Kur Jezusi mbarti mëkatet tona, Ai duroi gjithashtu çdo dimension të pasojave që ato sjellin. Biri i përsosur i Perëndisë u bë fajtori në sytë e Atit, dhe Jezusi përjetoi forcën e plotë të ndëshkimit të mëkatit, që u derdh mbi Të. 

Mëkati na ndan nga Perëndia dhe gjatë këtyre orëve të tmerrshme errësire, Birit iu hoq ngushëllimi i dashurisë së Atit. Krishti hyri në të gjitha dimensionet e ferrit në kryq, dhe nga thellësia e agonisë së tij, Ai bërtiti me zë të lartë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46).

Jezusi ishte rrufepritësi i gjykimit të Perëndisë. Duke përthithur forcën e plotë të ndëshkimit të mëkatit njerëzor në trupin e Tij, Ai hapi rrugën që të tjerët të shpëtohen nga gjykimi i Perëndisë. Ai ishte lutur që të tjerët të faleshin, dhe përmes vdekjes së Tij Ai e bëri të mundur këtë. 

Ky është një çast për të ndaluar dhe për të adhuruar. Nuk mund ta konceptojmë dot se si e kanë përjetuar kryqin Perëndia Atë dhe Perëndia Bir. Si duhet të jetë ndier Ati që të hiqte dorë nga Biri për ne? Si duhet të jetë ndier Biri që të zhytej në thellësitë e ferrit? E vetmja gjë që dimë, është se në errësirë Biri u braktis nga Ati. Ati u largua nga Biri. Perëndia u braktis nga Perëndia. 

MISIONI U PËRMBUSH

Pas tri orësh, errësira kaloi dhe Jezusi thirri: “U krye!” (Gjoni 19:30). Këto fjalë ishin një deklaratë triumfi. Stuhia kishte mbaruar. Gjykimi i derdhur mbi Krishtin ishte konsumuar plotësisht. Gjithçka që duhej bërë për të pajtuar njerëzit me Perëndinë, ishte përmbushur. Mëkati ishte trajtuar, drejtësia ishte përmbushur, dhe Jezusi kishte përfunduar gjithçka që Ati i kishte dhënë për të bërë.

Tani mbetej vetëm që Jezusi të jepte jetën e tij. Ai thirri me një zë të lartë: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim” (Luka 23:46). Jeta e Jezusit nuk u mor nga Ai (Gjoni 10:18). Ai e dha veten për ne (Galatasve 2:20). 

“BIRI I PERËNDISË”

Një centurion dhe disa nga ushtarët e tij ishin vënë për të ruajtur kryqin e Jezusit. Detyra e tyre ishte të siguroheshin që askush të mos e shpëtonte Jezusin nga vdekja. Ata e ruajtën kryqin ato gjashtë orë të kryqëzimit të Jezusit, dhe kishin qenë dëshmitarë të gjithçkaje që ndodhi.

Më parë ushtarët ishin bashkuar me turmën duke tallur Jezusin. Por errësira e papritur, e panatyrshme në mesditë, i la të gjithë pa fjalë. Pastaj, në çastin që Jezusi vdiq, toka filloi të dridhej. Errësira e papritur, e shoqëruar më pas nga tërmeti, i tmerroi ushtarët që qëndronin në këmbët e kryqit, dhe ata rrëfyen: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!” (Mateu 27:54).

Turma që kishte parë Jezusin duke vuajtur dhe vdekur, shkoi në shtëpi e tronditur dhe e tmerruar, të bindur nga të tjerët se po e nderonin Perëndinë duke e kryqëzuar Jezusin. Por askush nuk mund të vinte në dyshim se dora e Perëndisë kishte qenë te errësira dhe tërmeti. Çfarë do të ndodhte në të ardhmen, nëse ata kishin kryqëzuar Birin e Perëndisë? 

Pamja e luginës më të errët

Dita kur Jezusi vdiq, ishte dita më e errët në historinë njerëzore. I ngritur në kryq, Jezusi kishte mbetur pezull mes tokës dhe qiellit, i refuzuar nga toka dhe i braktisur nga qielli. Por ne e quajmë këtë ditë e Premtja e Mirë, sepse gjithçka që Perëndia kishte premtuar të bënte që nga fillimi i kohës, u përmbush nga vdekja e Zotit Jezu Krisht në kryq.

Duke mbartur mëkatin tonë, Ai bëri të mundur që ne të ishim të drejtë përpara Perëndisë. Duke qenë i braktisur nga Ati, Ai hapi rrugën që ne të pajtohemi me Perëndinë. Duke hyrë në thellësitë e ferrit, Ai hapi rrugën për në qiell. 

Vuajtjet e paimagjinueshme të Jezusit në errësirë janë pika më e ulët në historinë e Biblës. Por lugina më e thellë na shpie menjëherë te mali më i lartë.

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.
  1. Shpjego me fjalët e tua se çfarë ndodhi gjatë tre orëve të errësirës kur Jezusi ishte në kryq.
Save Progress
Shko në fillim