Ungjijtë nuk i fshehin dyshimet e besimtarëve të parë. Kur gratë gjetën varrin bosh të Jezusit, ato nuk kishin asnjë shpjegim për atë. Sigurisht që nuk menduan se Jezusi ishte ringjallur prej së vdekurish. As që u shkoi ndërmend kjo gjë (Luka 24:4-8).
Këto gra kishin besuar në Jezusin. Ato e ndoqën Jezusin dhe kishin një dashuri të thellë për Të. Por gratë ishin të tronditura nga realiteti i tmerrshëm i vdekjes së Tij torturuese, ku kishin qenë dëshmitare vetëm dy ditë më parë. Vizita e tyre te varri ishte e motivuar nga dashuria, por i mungonte krejtësisht besimi. Shpresat dhe ëndrrat e tyre ishin thyer.
DISHEPUJT QË NUK BESUAN
Trauma e humbjes dhe e vuajtjes së madhe ka bërë që disa njerëz të thonë me trishtim se nuk mund të besojnë më. Kjo ishte pikërisht gjendja e këtyre grave në mëngjesin e parë të Pashkës.
Varri bosh i la të habitura derisa Perëndia u dha shpjegimin. Dy engjëj u shfaqën dhe u thanë se Jezusi ishte ringjallur (Luka 24:6-7). Më pas grave iu kujtua premtimi i Jezusit dhe besuan (Luka 24:8). Besimi i krishterë nuk mbështetet te ndjenjat, impulset, apo idetë personale. Ai mbështetet plotësisht në të kuptuarit dhe të besuarit e asaj që Perëndia na thotë se ka bërë. Nëse Perëndia nuk do t’u kishte thënë pse varri ishte bosh, ato nuk do ta dinin kurrë se çfarë të mendonin për këtë.
Gratë u kthyen nga varri dhe u treguan dishepujve se çfarë kishte ndodhur. Por dishepujt nuk u besuan atyre (Luka 24:11). Pjetri vrapoi drejt varrit dhe pa shiritat e pëlhurave prej liri, por ai përsëri u largua “i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur” (Luka 24:12). Vetëm kur Jezusi iu shfaq dishepujve, zemrat e tyre e përqafuan me gëzim atë që mendjet e tyre nuk mund ta mohonin më.
DËSHMI TË PAKUNDËRSHTUESHME
Thomai nuk ishte me dishepujt e tjerë kur Jezusi iu shfaq atyre, dhe ai këmbënguli se nuk do të besonte nëse nuk i jepeshin prova fizike të pakundërshtueshme: “Po nuk pashë në duart e tij shenjën e gozhdëve dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe po nuk vura dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj” (Gjoni 20:25).
Thomai i donte dhe i respektonte dishepujt e tjerë, por ai refuzoi ta mbështeste besimin e tij mbi përvojën e miqve të tij. Ai ishte i vendosur që besimi i tij duhej mbështetur mbi prova të forta.
Një javë më vonë, dishepujt u mblodhën përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi tek ata dhe i foli drejtpërdrejt Thomait. “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia”, tha Ai. “Shtrije dorën tënde dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!” (Gjoni 20:27).
Duke u përballur me provat që kishte kërkuar, Thomai besoi dhe rrëfeu besimin e tij te Jezusi, Zoti dhe Perëndia i tij.
TË SHOHËSH DHE TË BESOSH
Besimi i apostujve ishte të reaguarit me besim ndaj provave që iu paraqitën përpara. Ata panë. Për shkak se panë, ata besuan. Kjo temë është e pranishme në të gjitha historitë e Ungjillit për ringjalljen. Kur Gjoni hyri në varrin bosh, ai pa dhe besoi (Gjoni 20:8). Maria Magdalena u tha dishepujve “se kishte parë Zotin” (Gjoni 20:18). Jezusi u tregoi duart dhe këmbët e Tij, dhe “dishepujt, pra, kur e panë Zotin, u gëzuan” (Gjoni 20:20).
Apostujve iu dha roli unik që të ishin dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ringjalljes. Një dëshmitar është dikush që ka parë një ngjarje drejtpërdrejt, jo ai që mund të raportojë gjërat që dikush tjetër i ka thënë. Kjo ishte kaq e rëndësishme, saqë kur apostujt zgjodhën një zëvendësues për Judën, duhej të ishte dikush që ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i ringjalljes (Veprat 1:22).
Prandaj Thomai kishte të drejtë të këmbëngulte se duhej ta shihte vetë Jezusin. Nëse ai do të përmbushte rolin e një apostulli, nuk mjaftonte që të dëgjonte thjesht dëshmitë e të tjerëve.
SI MUND TË BESOJMË?
Theksimi i Biblës për të parit ngre një pyetje të qartë: Si mund të besojmë ne që nuk e kemi parë Jezusin? Përgjigjja është se të katër Ungjijtë na paraqesin provat e dëshmitarëve okularë për jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit. Thirrja unike e apostujve ishte të regjistronin ato që kishin parë dhe dëgjuar për Jezusin, në mënyrë që njerëzit në çdo brez dhe kulturë të kenë mundësinë të besojnë.
Perëndia nuk na ka thirrur në një besim të verbër. Ai na fton të hetojmë deklaratat e Jezusit dhe na paraqet provat e fjalëve dhe veprave të Tij në Ungjij, në mënyrë që ne t’i shqyrtojmë këto gjëra.
NJË MARRËDHËNIE INTEGRITETI
Besimi i krishterë është një reagim besimi ndaj provave që Perëndia ka vendosur para nesh. Besimi nuk mbështetet mbi pohimet dogmatike të kishës, apo në përvojat mistike të një individi, por në provat e Fjalës së Perëndisë, vetë Shkrimet.
Perëndia të ka krijuar me një mendje, zemër dhe vullnet, dhe Ai nuk do ta anashkalojë asnjërën prej tyre. Ai të fton në një marrëdhënie me Të, e cila ka integritet, për shkak se mendja jote bindet, zemra pushtohet dhe vullneti përkushtohet.
Kjo nuk do të thotë se të gjitha pyetjet e tua do të marrin përgjigje. Por kjo do të thotë se Perëndia të ka dhënë prova të mjaftueshme që ju të “besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emër të tij.” (Gjoni 20:31).
Pamja e luginës së pestë
Besimi e ka vendin në luginë më shumë sesa në majën e malit, sepse ka shumë gjëra që nuk mund t’i shohim. Ne ecim me anë të besimit, jo me anë të shikimit. Kjo do të thotë se ne jetojmë me shumë pyetje të papërgjigjura.
Besimi i krishterë pohon atë që Perëndia ka zbuluar. Përulësia e krishterë pranon se ka shumë gjëra që nuk i dimë. Por besimi në Jezusin qëndron mbi një themel të sigurt provash të palëkundshme, dhe ata që besojnë tek Ai, nuk do të zhgënjehen.
Pas ringjalljes, Jezusi iu shfaq dishepujve dhe besimtarëve të tjerë për një periudhë prej dyzet ditësh. Herën e fundit ata patën mundësinë t’i hidhnin një vështrim të shpejtë asaj që Jezusi kishte premtuar për të ardhmen. Ajo histori na çon në të fundit majë mali në këtë fazë të dytë të udhëtimit tonë.