Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Zanafilla 3:1-24

Mëkati i Adamit dhe premtimi i parë

1 Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia: “Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?”.

2 Dhe gruaja iu përgjegj gjarprit: “Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë;

3 por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: “Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni””.

4 Atëherë gjarpri i tha gruas: “Ju s’keni për të vdekur aspak;

5 por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni si Perëndia në gjendje të njihni të mirën dhe të keqen”.

Rënia e njeriut

6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai.

7 Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t’u mbuluar.

8 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit.

9 Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: “Ku je?”.

10 Ai u përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse jam lakuriq dhe u fsheha”.

11 Dhe Perëndia i tha: “Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?”.

12 Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra”.

13 Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: “Pse e bëre këtë?”. Gruaja u përgjigj: “Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj”.

14 Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: “Meqenëse bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.

15 Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj”.

16 Gruas i tha: “Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty”.

17 Pastaj i tha Adamit: “Meqenëse dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: “Mos ha prej saj”, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate.

18 Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave;

19 do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh”.

20 Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë gjallesave.

21 Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.

22 Dhe Zoti Perëndi tha: “Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t’i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë përgjithnjë”.

23 Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë.

24 Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.

Tjetra
Audio
1 x

Nëse jeta ishte kaq e mirë në Kopshtin e Edenit, pse është kaq ndryshe sot? Përgjigjja e kësaj pyetjeje, gjendet në luginën e parë të historisë së Biblës. 

Kur Perëndia e vendosi Adamin në Kopshtin e Edenit, Ai tha: “Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:1617).

Adami dhe Eva tashmë e njihnin të mirën. Ata nuk kishin përjetuar kurrë ndonjë gjë tjetër dhe Perëndia donte t’i ruante nga njohja e së keqes. Në urdhrin e Tij të dashur, Perëndia po u thoshte: “Në universin e gjerë ekziston një fuqi që quhet e keqe. Ju nuk dini asgjë për të dhe nuk dua që ta përjetoni ndonjëherë. Dua që të jetoni të lirë nga fuqia e saj e tmerrshme dhe shkatërruese. Mos e prekni të keqen, sepse do t’ju shkatërrojë.” 

NGA VJEN E KEQJA?

Bibla nuk na jep në asnjë moment një shpjegim të plotë të origjinës së të ligës, por na tregon se ku filloi. Krahas botës së dukshme që ne njohim, Perëndia bëri një krijim të padukshëm në qiell dhe e mbushi me engjëj. 

Satani (emri i të cilit do të thotë “kundërshtar”) ishte një nga këta engjëj. Ai u mbush me krenari dhe u përpoq të uzurponte pozitën e Perëndisë (shih Isaia 14:12-14). Krenaria është rrënja e çdo të lige. 

Rebelimi qe i pasuksesshëm dhe kjo çoi në përjashtimin e Satanit nga prania e Perëndisë dhe në hedhjen e tij poshtë në tokë. Prandaj, që nga fillimi i historisë njerëzore ekzistonte tashmë një armik i prirur për ta shkatërruar veprën e Perëndisë, dhe qëllimi i tij kryesor ishte t’ua bënte të njohur të keqen burrit dhe gruas.

REKRUTIM PËR REBELIM 

Satani hyri në Kopshtin e Edenit, me qëllim që ta rekrutonte racën njerëzore në rebelimin e tij kundër Perëndisë. Ai erdhi në formën e një gjarpri tërheqës, duke u paraqitur si një mik dhe filloi të vinte në dyshim urdhrin e vetëm të Perëndisë.

“Por Perëndia e di se ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni si Perëndia në gjendje të njihni të mirën dhe të keqen”, tha ai (Zanafilla 3:5). “Ha nga kjo pemë”, po thoshte Satani, “dhe ti do të kesh gjithçka. Ti e ke tashmë njohjen e së mirës, por nëse do të ndihesh i plotësuar, duhet të kesh edhe njohjen e së keqes.”

Adami dhe Eva vendosën që kjo ishte ajo çfarë ata donin. Ata e thyen urdhrin e Perëndisë dhe me atë veprim mosbindjeje fituan njohjen e së keqes. Që atëherë, të gjithë kemi jetuar me të. Njohja e së keqes u bë një fuqi, që kaloi te çdo njeri nga brezi në brez dhe në çdo kulturë. 

Njohja e së keqes është problemi kryesor i racës njerëzore. Nuk mund të lexosh një gazetë pa u kujtuar se, edhe pas gjithë përparimeve të historisë së njerëzimit, ne ende luftojmë me të keqen në të gjitha format e saj të shëmtuara.

Beteja nuk është vetëm rreth nesh, por edhe brenda nesh. Përndryshe, pse do ta bëje sërish diçka, që të çoi në mjerim herën e fundit? Ka një fuqi që po punon te ne të gjithë, të cilën asnjëri prej nesh nuk mund ta kuptojë plotësisht. Të gjithë kemi lindur në këtë përleshje. 

SHPRESË NË NJË MALLKIM

Perëndia nuk do të lejojë kurrë që e keqja të thotë fjalën e fundit. Ai erdhi në kopsht dhe u përball me Satanin, duke shpallur se mbretëria e tij rebele nuk do të zgjaste. 

“Qofsh i mallkuar”, tha Perëndia (Zanafilla 3:14). Kur dikush apo diçka është e mallkuar, ai i është dorëzuar shkatërrimit. Për këtë arsye, kur Perëndia mallkoi gjarprin, Ai po shpallte se e keqja nuk do të mbizotëronte. Më pas Perëndia foli për një çlirues, i cili do të shtypte kokën e gjarprit (Zanafilla 3:15). Adami dhe Eva duhet të jenë gëzuar së tepërmi kur e dëgjuan këtë lajm.  

Pastaj Perëndia u kthye nga Adami dhe shqiptoi sërish atë fjalë dënuese. “Mallkuar…” Adami duhet të ketë pasur ndjesinë se po bëhej pjesë edhe ai në shkatërrimin e Satanit. Por në vend që t’i Adamit thoshte “qofsh i mallkuar”, ashtu siç Zoti bëri me gjarprin, Perëndia tha: “Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd” (Zanafilla 3:17).

Perëndia e devijoi mallkimin nga Adami, në mënyrë që ai të binte mbi tokën dhe jo mbi të. Në këtë mënyrë Perëndia e largoi gjykimin e Tij nga Adami, duke krijuar mundësinë për një pajtim në të ardhmen. Në ditën që mëkatoi, Adami zbuloi hirin dhe mëshirën e Perëndisë. Mallkimi që duhej të ishte mbi të, ra diku tjetër. Kjo na tregon një nga gjërat më të rëndësishme, që duhet të dimë për Perëndinë e Biblës–Ai është Perëndi i mëshirës, ashtu si dhe i drejtësisë. 

TË PËRJASHTUAR NGA KOPSHTI

Nuk ka vend për të keqen në praninë e Perëndisë. Ashtu si rebelimi i Satanit çoi në dëbimin e tij nga qielli, ashtu edhe mëkati i prindërve tanë të parë çoi në përjashtimin e tyre nga kopshti, ku kishin njohur bekimin dhe praninë e Perëndisë (Zanafilla 3:23). 

Jeta u bë një luftë e përditshme në një vend armiqësor. Martesa e përsosur e Adamit dhe Evës u dëmtua, dhe puna e tyre u bë zhgënjyese, ndërsa ferra dhe gjemba mbinin nga toka. Kur afrohej mbrëmja, ata me siguri do ta kenë pyetur veten nëse Perëndia do të vinte sërish të ecte me ta. Por Ai nuk e bëri më kurrë këtë.

Me kalimin e kohës, Adami dhe Eva do të vinin re shenja dhe rrudha në lëkurën e tyre. Ata do të përjetonin dhimbje dhe do të zbulonin se vdekja, për të cilën Perëndia u kishte folur, ishte një realitet i tmerrshëm, që ata nuk mund ta shmangnin. 

Perëndia vendosi kerubimët–engjëjt që përfaqësojnë gjykimin dhe shenjtërinë e Tij–në hyrje të kopshtit, së bashku me “një shpatë flakëruese”, që bllokonte rrugën për te Pema e Jetës (Zanafilla 3:24). Adami dhe Eva u ndanë nga Perëndia dhe mbetën vetëm në një botë armiqësore. Ata e humbën Parajsën dhe nuk dukej se kishte më rrugë kthimi. 

Errësira në luginën e parë

Kjo është analiza e Biblës për problemin njerëzor: ne e njohim të keqen dhe jemi përjashtuar nga vendi ku përjetohej prania dhe bekimi i Perëndisë. 

Mallkimi është lugina e parë në historinë e Biblës. Bota u bë një vend i errët. Pjesa tjetër e historisë ka të bëjë me atë që ka bërë Perëndia për të ndriçuar dritën e Tij në errësirën tonë, për të na çliruar nga e keqja dhe për të hapur rrugën e kthimit për në parajsë. Prandaj, le të vazhdojmë udhëtimin drejt malit të dytë.

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.
  1. Si na ndihmon ajo që ndodhi në Kopshtin e Edenit, për të kuptuar më mirë botën tonë?
Save Progress
Shko në fillim