Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Zanafilla 1:1-31

Krijimi i qiellit, i tokës dhe i dritës

1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.
2 Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave.
3 Pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita!”. Dhe drita u bë.
4 Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.
5 Dhe Perëndia e quajti dritën “ditë” dhe errësirën “natë”. Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e parë.

Krijimi i atmosferës dhe i hidrosferës mbi e nën kupën qiellore

6 Pastaj Perëndia tha: “Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t’i ndajë ujërat nga ujërat”.
7 Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat, që ishin poshtë kupës qiellore, që ishin sipër kupës qiellore. Dhe kështu u bë.
8 Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore “qiell”. Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e dytë.

Formimi i litosferës dhe i hidrosferës nën kupën qiellore

9 Pastaj Perëndia tha: “Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera”. Dhe kështu u bë.
10 Dhe Perëndia e quajti terën “tokë” dhe grumbullimin e ujërave “dete”. Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.

Krijimi i jetës bimore për litosferën

11 Pastaj Perëndia tha: “Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe pemët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij”. Dhe kështu u bë.
12 Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën sipas llojit të tyre dhe drurë, që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili sipas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
13 Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes; dita e tretë.

Krijimi i yjeve në atmosferë

14 Pastaj Perëndia tha: “Të ketë ndriçues në kupën qiellore të qiellit për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet;
15 dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën”. Dhe kështu u bë.
16 DhePerëndia bëri dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madhë për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai bëri gjithashtu yjet.
17 Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore të qiellit për të ndriçuar tokën,
18 për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
19 Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e katërt.

Krijimi i jetës shtazore në atmosferë dhe në hidrosferë

20 Pastaj Perëndia tha: “Të gjallërohen ujërat nga një numër i madh gjallesash dhe të fluturojnë zogjtë përmbi tokë nëpër hapësirën e kupës qiellore të qiellit”.
21 Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe çdo shpirt të gjallë që lëviz dhe që gjallërojnë ujërat, secili sipas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.
22 Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: “Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë”.
23 Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e pestë.

Krijimi i jetës shtazore për litosferën

24 Pastaj Perëndia tha: “Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, sipas llojit të tyre”. Dhe kështu u bë.
25 Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët sipas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës sipas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.

Krijimi i njeriut

26 Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”.
27 Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë e krijoi; Ai krijoi mashkullin e femrën.
28 Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”.
29 Dhe Perëndia tha: “Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë që ka fruta që përmbajnë farë; kjo do t’ju shërbejë si ushqim.
30 Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim”. Dhe kështu u bë.
31 Atëherë Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e gjashtë.

Tjetra
Audio
1 x

Si mund ta dimë se si filloi bota? Askush nuk qe atje duke mbajtur shënime, kur gjithçka ndodhi! Si mund ta dimë se çfarë kishte Perëndia në mendje kur Ai krijoi burrin dhe gruan e parë? Askush s’mund t’i dinte këto gjëra, nëse vetë Perëndia nuk do të merrte iniciativën për t’ia treguar dikujt. Kjo është pikërisht çfarë Ai bëri. 

Është e arsyeshme të hamendësojmë që Perëndia foli me Adamin dhe Evën për gëzimin e Tij në krijimin e gjithësisë, dhe se ata ua përcollën këto histori fëmijëve të tyre. Por kur historitë transmetohen nga brezi në brez, ato shtrembërohen, ndaj është e rëndësishme të kuptojmë se Perëndia i zbuloi këto gjëra në mënyrë më të drejtpërdrejtë. 

Në udhëtimin tonë, do të ndeshemi me Moisiun. Perëndia iu shfaq dukshëm atij dhe i foli me zë të dëgjueshëm (Numrat 12:8). Ky privilegj unik për të folur me Perëndinë ballë për ballë, i dha mundësinë Moisiut që në pesë librat e parë të Biblës të shkruante atë që Perëndia i tha. 

KRIJUESI ËSHTË ZOTËRUESI

Gjëja e parë që Perëndia dëshiron që ti të dish, është se Ai është Krijuesi yt: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zanafilla 1:1). Kjo është e rëndësishme, sepse një krijues gjithmonë ka të drejtën e autorësisë mbi atë që ai ose ajo ka bërë. Perëndia dëshiron që ti të dish se Ai është Krijuesi, dhe për këtë arsye zotëruesi i gjithçkaje, dhe këtu përfshihesh edhe ti. 

Kjo të tregon diçka madhështore, jo vetëm për Perëndinë, por edhe për veten tënde. Ti nuk je një aksident i historisë, ekzistenca e të cilit është rezultat i disa atomeve, që u përplasën rastësisht. Perëndia të bëri me një qëllim dhe ti do ta zbulosh atë qëllim, ndërsa vazhdon ta njohësh Atë. 

NJË NISMË MBRESËLËNËSE

Përpiqu ta përfytyrosh Krijuesin në punë. Ditë pas dite, Perëndia i shtoi dimensione të reja krijimit të Tij: dritën, qiellin, detet, bimësinë, diellin, hënën, yjet, peshqit, zogjtë dhe kafshët. Secila prej këtyre u konceptua në mendjen e Perëndisë, dhe kur foli, Ai i solli ato në ekzistencë. Kur çdo vepër krijuese përfundoi, Perëndia e rishikoi punën e Tij dhe shpalli se ishte e mirë. 

Pikërisht këtu, Perëndia kurorëzoi krijimin e Tij me një iniciativë mbresëlënëse: “Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë’” (Zanafilla 1:26).

Perëndia të krijoi që të pasqyrosh diçka nga natyra dhe lavdia e Tij, që kur njerëzit të të shikojnë, të shohin një lloj pasqyrimi të Vetë Perëndisë. Kjo është ajo që i jep dinjitet dhe vlerë unike çdo jete njerëzore. Të gjitha kafshët u krijuan nga Perëndia, por asnjë prej tyre nuk u bë në ngjasim me Perëndinë. 

DUKE SHIJUAR MIRËSINË E PERËNDISË

Adami shijoi jetën në një kopsht të quajtur Eden, të cilin Perëndia e kishte mbjellë pranë lumenjve Tigër dhe Eufrat (Zanafilla 2:8-14). Ndonëse nuk mund ta përcaktojmë saktësisht vendndodhjen e tij, ai me shumë mundësi ndodhej diku në zonën e Irakut të sotëm. 

Jeta në Eden ishte e mrekullueshme. Ishte krejt ndryshe nga çdo gjë tjetër që kemi përjetuar, saqë është e vështirë ta kuptojmë. Por ia vlen të përpiqemi ta përfytyrojmë. Adami gëzonte privilegjin e të punuarit nga afër me Perëndinë. Detyra e tij e parë, ishte t’u vinte emra kafshëve, teksa Perëndia i sillte tek ai (Zanafilla 2:19). Emërtimi mund të mos tingëllojë si ndonjë punë e rëndësishme, por në të vërtetë, kjo ishte përpjekja e parë shkencore. Shkenca, në thelbin e saj, ka të bëjë me vëzhgimin, klasifikimin dhe përshkrimin, dhe kjo ishte puna e parë që Perëndia i dha Adamit. 

Gjithçka që i duhej Adamit, ishte siguruar në kopsht. Kur ishte i uritur, atij i duhej vetëm të ngrihej dhe të merrte fruta nga pemët. Puna i jepte kënaqësi. Ai ishte i mbrojtur nga rreziku dhe gëzonte shëndet të përsosur. Ishte parajsa mbi dhe. 

Gëzimi më i madh i jetës në Eden ishte prania e afërt, e dukshme e Perëndisë. Perëndia është Frymë, prandaj Ai është i padukshëm për ne. Por në Kopshtin e Edenit, Perëndia mori një formë të dukshme, në mënyrë që Adami të mund ta njihte Atë.  Këtë e quajmë teofani. Perëndia erdhi dhe eci me Adamin në kopsht (Zanafilla 3:8). 

NJË MARTESË E BËRË NË QIELL

Perëndia e pa që nuk ishte mirë për Adamin të ishte vetëm dhe kështu Zoti bëri një grua dhe e solli te njeriu (Zanafilla 2:18, 22). Përfytyro gëzimin e Adamit, kur Perëndia i prezantoi!

Perëndia mund ta kishte krijuar Evën dhe t’i linte që ta gjenin vetë njëri-tjetrin në kopsht. Por Ai nuk e bëri këtë. Perëndia ishte aktivisht i përfshirë që t’i sillte ata të dy bashkë. Përpiqu ta përfytyrosh Perëndinë, teksa bashkon duart e tyre dhe u jep bekimin e Tij në jetën që ata do të ndanin së bashku. 

Çifti i parë do të përballej me problemet e tyre në të ardhmen, por ata kurrë nuk e vunë në dyshim faktin se ishin bashkuar nga Perëndia. Kjo është e vërtetë për çdo martesë, dhe kjo është arsyeja pse martesa është e shenjtë. 

Pamja nga mali i parë 

Ndalu pak për të perceptuar pamjen e botës sipas krijimit të Perëndisë. Përfytyro si duhet të ketë qenë të jetoje në këtë mjedis të përsosur: duke ndarë gëzimet e një martese plot dashuri dhe intimitet; duke u rritur në njohuri, në përvojë dhe aftësi nëpërmjet punës krijuese që të jep kënaqësi; dhe mbi të gjitha, duke kultivuar një marrëdhënie të thellë me Perëndinë, vizitat e të cilit në kopsht sillnin një kënaqësi të madhe. 

Jeta që njohim sot, është vetëm një hije e përjetimit që prindërit tanë të parë shijuan në majën e malit, në Eden. Perëndia dëshiron që ti të dish se si ishte jeta e tyre dhe si mund ta rimarrësh atë që ka humbur.

Ka ardhur koha të largohemi nga mali i parë i historisë së Biblës. Vijojmë më tutje pa shumë dëshirë, sepse ndalesa tjetër në udhëtimin tonë është një luginë e thellë. 

Ne bëmë disa zbulime të mrekullueshme këtu. Perëndia është Krijuesi i të gjitha gjërave. Ai e bëri gjithçka mirë. Ai i ka krijuar burrat dhe gratë në shëmbëlltyrën e Tij, duke i dhënë dinjitet dhe vlerë unike çdo jete. 

Disa mund të besojnë se jeta është më e pasur kur Perëndia qëndron larg, por përjetimi i jetës në majë të malit te Kopshti i Edenit na mëson se jeta nuk mund të jetë kurrë më e pasur sesa kur Perëndia është pranë.

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.
  1. Nga 1 (kurrë nuk kam hapur një Bibël më parë) deri në 10 (kam një doktoraturë në studimin e Biblës), sa njohuri ke rreth Biblës? A mendon se Bibla ka rëndësi për jetën tënde të përditshme?
Save Progress
Shko në fillim