Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Jozueu 24:1-33

Mbledhja e fundit në Sikem 

1 Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë.

2 Dhe Jozueu i tha tërë popullit: “Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: “Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera.

3 Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun.

4 Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun; Esaut i dhashë si trashëgimi malin e Seirit; por Jakobi dhe bijtë e tij zbritën në Egjipt.

5 Pastaj dërgova Moisiun dhe Aaronin dhe godita Egjiptin me atë që bëra në mes të tij; pastaj ju nxora jashtë.

6 Kështu nxora nga Egjipti etërit tuaj, dhe ju arritët në det. Egjiptasit i ndoqën etërit tuaj me qerre dhe me kalorës deri në Detin e Kuq.

7 Por ata i klithën Zotit, dhe ai vendosi një errësirë të dendur midis jush dhe egjiptasve; pastaj hodha mbi ta detin, që i mbuloi; dhe sytë tuaj panë atë që u bërae. Pastaj qëndruat për një kohë të gjatë në shkretëtirë.

8 Unë ju çova në vendin e amorejve, që banonin matanë Jordanit; ata luftuan kundër jush dhe unë jua dhashë në dorë; ju pushtuat vendin e tyre dhe unë i shpartallova para jush.

9 Pastaj Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, u ngrit për të luftuar Izraelin; dhe dërgoi të thërrasë Balaamin, djalin e Beorit, që t’ju mallkonte;

10 por unë nuk desha të dëgjoj Balaamin; prandaj ai ju bekoi me të madhe, dhe ju çlirova nga duart e Balakut.

11 Kaluat pastaj Jordanin dhe arritët në Jeriko; banorët e Jerikos luftuan kundër jush; kështu bënë Amorejtë, Perezejtë, Kananejtë, Hitejtë, Girgasejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë; por unë jua dorëzova në dorë.

12 Dhe çova para jush grerëzat, që i bënë të ikin para jush, ashtu si kishte ndodhur me dy mbretërit e Amorejve; por kjo nuk ishte meritë e shpatës ose e harkut tënd.

13 Dhe ju dhashë një tokë për të cilën nuk kishit punuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar, dhe ju banuat në to; dhe tani hani frytin e vreshtave dhe të ullishteve që nuk keni mbjellë”.

14 Prandaj tani t’ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit.

15 Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e amorejve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit.”

16 Atëherë populli u përgjigj dhe tha: “Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t’u shërbyer perëndive të tjera!

17 Sepse Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, që ka bërë mrekullira të mëdha para syve tanë dhe që na ka mbrojtur gjatë gjithë rrugës që bëmë dhe midis gjithë popujve në mes të të cilëve kemi kaluar;

18 dhe Zoti ka dëbuar para nesh tërë popujt dhe Amorejtë që banonin në këtë vend; prandaj ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë”.

19 Por Jozueu i tha popullit: “Ju nuk mund t’i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi xheloz; ai nuk do t’i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja.

20 Kur ta braktisni Zotin dhe t’u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet për t’ju bërë keq dhe për t’ju konsumuar pas aq të mirave që ju ka bërë”.

21 Dhe populli i tha Jozueut: “Jo, ne do t’i shërbejmë Zotit”.

22 Atëherë Jozueu i tha popullit: “Ju jeni dëshmitarë kundër vetvetes, pse keni zgjedhur për vete Zotin për t’i shërbyer!”. Ata iu përgjigjën: “Jemi dëshmitarë!”.

23 Jozueu tha: “Hiqni, pra, perënditë e huaja që janë në mes tuaj dhe përuleni zemrën tuaj Zotit, Perëndisë së Izraelit!”.

24 Populli iu përgjigj Jozueut: “Ne do t’i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t’i bindemi zërit të tij”.

25 Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin, dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem.

26 Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë; dhe mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit.

27 Jozueu i tha pastaj tërë popullit: “Ja, ky gur do të jetë një dëshmitar kundër nesh, sepse ai i dëgjoi tërë fjalët që na tha Zoti; ai, pra, do të shërbejë si dëshmitar kundër jush, me qëllim që të mos e mohoni Perëndinë tuaj”.

28 Pastaj Jozueu e ktheu popullin në vendin ku ishte më parë, secili në trashëgiminë e vet.

Vdekja e Jozueut 

29 Pas këtyre gjërave Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,

30 dhe e varrosën në territorin e pronës së tij në Timnath-Serah, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.

31 Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut dhe që dinin tërë veprat që Zoti kishte bërë për Izraelin.

32 Eshtrat e Jozefit, që bijtë e Izraelit kishin sjellë nga Egjipti, i varrosën në Sikem, në pjesën e arës që Jakobi ua kishte blerë bijve të Hamorit, atit të Sikemit, për njëqind pjesë argjendi, dhe që ishte pronë e bijve të Jozefit.

33 Pastaj vdiq edhe Eleazari, bir i Aaronit, dhe e varrosën në malin, që ishte pronë e birit të tij Finehas dhe që ia kishin dhënë në krahinën malore të Efraimit.

Tjetra
Audio
1 x

500 vjet pasi Perëndia iu shfaq Abrahamit, pasardhësit e tij ishin rreth dy milion njerëz. Ata ishin të shtypur në Egjipt dhe nga kjo pikëpamje jeta e tyre dukej e zymtë. 

Por Perëndia nuk e kishte harruar popullin e Tij, as premtimin e Tij për t’u dhënë atyre tokën e premtuar. Pas katërqind vitesh heshtje, Perëndia që iu shfaq Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, ndërhyri në jetën e një burri të quajtur Moisi. 

Dora e Perëndisë ishte mbi Moisiun që në ditët e hershme të tij. Nëna e Moisiut e fshehu atë në një shportë në brigjet e lumit Nil për ta shpëtuar nga masakra e foshnjave izraelite; vajza e Faraonit e gjeti dhe e rriti si princ në pallatin mbretëror, por më vonë Moisiu iku nga Egjipti për të filluar një jetë anonime në shkretëtirë.

ZJARRI VETUSHQYES

Ky ishte çasti kur ndërhyri Perëndia. Moisiu pa një shkurre, që digjej dhe flaka nuk e konsumonte. Zjarri ushqente veten. Të gjitha zjarret e tjera shuhen kur e kanë shteruar lëndën djegëse në dispozicion. Një qiri digjet derisa dylli shkrihet, dhe pastaj flaka shuhet. Por kjo flakë ishte krejt ndryshe nga të tjerat. Ajo mbante gjallë veten. Perëndia është vetekzistues. Ai nuk varet nga askush dhe asgjë. 

Ndërsa Moisiu u afrua, Perëndia i foli nga zjarri: “Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit” (Eksodi 3:6). Pastaj Perëndia zbuloi emrin, me të cilin Ai donte të njihej: “UNË JAM AI QË JAM” (Eksodi 3:14). 

Më pas, Perëndia e dërgoi Moisiun ta nxirrte popullin e Tij nga Egjipti (Eksodi 3:10). Moisiu u përball me Faraonin sipas urdhrit të Perëndisë: “Lëre popullin tim të shkojë” (Eksodi 5:1). Faraoni nuk pranoi. Por pas një sërë fatkeqësish që shkatërruan mbretërinë e tij, më në fund faraoni iu bind urdhrit të Perëndisë. 

PASQYRIMI I KARAKTERIT TË PERËNDISË 

Mbas dy muajsh, njerëzit e Perëndisë e ngritën kampin në malin Sinai. Atje qëndruan për dhjetë muaj dhe Perëndia e përdori atë kohë për të kthyer një turmë të hutuar në një komb të disiplinuar. 

Përparësia e parë ishte që njerëzit të kuptonin thirrjen e tyre unike. Ata ishin populli i Perëndisë, trashëgimtarë të premtimeve, që Perëndia ia kishte dhënë Abrahamit. Perëndia ua konfirmoi përkushtimin e Tij në një besëlidhje: “Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im” (Levitiku 26:12). 

Pastaj Perëndia i dha popullit të Tij Dhjetë Urdhërimet, të cilat nuk ishin një listë arbitrare rregullash, apo një grup vlerash të kushtëzuara nga ana kulturore. Këto urdhërime janë një pasqyrim i drejtpërdrejtë i karakterit të Perëndisë. Kur Ai thotë: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje,” ka të bëjë me faktin se Ai është i vetmi Perëndi. Kur Perëndia thotë: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore”, Ai e thotë këtë, sepse është besnik. Kur Ai thotë: “Nuk do të lakmosh,” kjo është për shkak se Perëndia është në paqe me Veten dhe i bën thirrje popullit të Tij të jetë si vetë Ai (Eksodi 20:3, 14, 17).

Zbatimi i ligjit nuk na bën njerëz të Perëndisë, por të qenët populli i Perëndisë do të thotë që jemi thirrur të reflektojmë karakterin e Tij duke jetuar sipas ligjit të Tij. 

TË ZHYTUR NË KRIZA

Disa javë më vonë, populli i Perëndisë u zhyt në krizë. Kur Moisiu ishte larg, populli bëri një idhull dhe të gjithë u përfshinë në lloj-lloj shthurjesh (Eksodi 32:5–6). Sjellja e tyre ishte më tepër një mospërputhje sesa një pasqyrim i karakterit të Perëndisë. 

Perëndia i tha popullit të Tij se Ai do t’u jepte tokën e Kanaanit, por për shkak të mëkatit të tyre ata nuk do ta gëzonin dhuratën e pranisë së Tij (Eksodi 33:3). Kur populli e dëgjoi këtë, iu thye zemra. Ata e kuptuan që dhuratat e lirisë dhe begatisë nuk do të kishin kuptim pa praninë dhe bekimin e Perëndisë, prandaj dëshironin që marrëdhënia e tyre me Perëndinë të ripërtërihej. 

NJË VEND PËR T’U TAKUAR ME PERËNDINË 

Perëndia i dha Moisiut udhëzime të hollësishme për një qendër adhurimi të lëvizshme, të quajtur tabernakull. Në qendër të kësaj strukture, të ngjashme me një çadër, ishte Vendi Shumë i Shenjtë. Arka e besëlidhjes u vendos atje. Ajo ishte një arkë prej druri e mbuluar nga një kapak me statujat e kerubimëve, figurat engjëllore që kishin ruajtur hyrjen e Kopshtit të Edenit. 

Ky ishte vendi ku Perëndia do të takohej me një përfaqësues të popullit të Tij, të quajtur kryeprift (Eksodi 25:22). Kur kryeprifti hynte në Vendin Shumë të Shenjtë dhe spërkaste gjakun e një kafshe të flijuar midis kerubimëve, tabernakulli mbushej me një re, që përfaqësonte praninë e drejtpërdrejtë të Perëndisë. 

Perëndia po tregonte se si prania e Tij do të kthehej te populli i Tij. Kerubimët ishin një kujtesë pamore se mëkati sjell gjithmonë vdekje. Por gjaku i kafshës së flijuar tregonte gatishmërinë e Perëndisë për të pranuar një zëvendësues. 

DUKE ECUR PËRPARA ME PERËNDINË 

Populli i Perëndisë u zhvendos nga Sinai dhe u drejtua për në Kanaan. Prania e Perëndisë ishte me ta, dhe Ai ishte i gatshëm t’u jepte tokën, që i kishte premtuar Abrahamit. Por toka ishte tashmë e zënë dhe popullit të Perëndisë i mungonte guximi për të luftuar. Pa besim, ata nuk mund të gëzonin përmbushjen e premtimit të Perëndisë, prandaj u endën në shkretëtirë për dyzet vjet, derisa një brez i ri ishte gati të ecte përpara në bindje.

Populli i Perëndisë hyri në Tokën e Premtuar nën udhëheqjen e Jozueut, pasardhësit të Moisiut. Në këtë ndodhi të vetme Perëndia plotësoi dy qëllime: Ai përmbushi premtimin e besëlidhjes së Tij dhe solli gjykim.

Perëndia i kishte thënë Abrahamit se do të kishte një vonesë të gjatë para se pasardhësit e tij të trashëgonin Tokën e Premtuar, sepse “padrejtësia e amorenjve s’ka arritur ende kulmin” (Zanafilla 15:16). Kjo ndodhi pesëqind vjet më vonë. Perëndia i kishte parë mizoritë e tyre të vazhdueshme, prandaj solli rrënimin e amorenjve. 

Pamja nga mali i tretë

Kur u vendosën në tokën e premtuar, Jozueu i bëri thirrje popullit që ta ripërtërinte besëlidhjen e tij me Perëndinë. Në më pak se pesëdhjetë vjet, Perëndia e kishte sjellë popullin e Tij nga skllavëria e Egjiptit në begatinë e Kanaanit. “Ne do t’i shërbejmë Perëndisë”, thanë ata (Jozueu 24:18). 

Ishte një moment i shkëlqyeshëm. Por nuk do të kalonte shumë kohë derisa populli i Perëndisë ta gjente veten sërish në një luginë tjetër të errët. 

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.
  1. Prania e Perëndisë zbriti në tabernakull. Ku mund ta gjejmë praninë e Perëndisë në botën e sotme? Pse?
Save Progress
Shko në fillim