Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

1 Mbretërve 12:1-24

Sjellja pa mend e Roboamit me Izraelin 

1 Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur aty për ta bërë mbret.

2 Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte në Egjipt, ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), dhe Jeroboami jetonte në Egjipt.

3 Atëherë dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë asambleja e Izraelit erdhën t’i flasin Roboamit dhe i thanë:

4 “Yt atë e ka bërë zgjedhën tonë të rënde; tani ti lehtëso skllavërinë e ashpër të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që na ka imponuar dhe ne do të të shërbejmë”.

5 Ai iu përgjigj atyre: “Shkoni dhe kthehuni tek unë pas tri ditëve”. Dhe populli iku.

6 Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe u tha: “Çfarë më këshilloni t’i përgjigjem këtij populli?”.

7 Ata iu përgjigjën, duke thënë: “Në rast se sot ti do të bëhesh shërbëtor i këtij populli dhe do t’i shërbesh, në rast se do të tregohesh mirëdashës me ta dhe do t’u thuash fjalë të mira, ata do të jenë shërbëtorë të tu përjetë”.

8 Por Roboami hodhi poshtë këshillën që i dhanë pleqtë dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij,

9 dhe u tha atyre: “Çfarë më këshilloni t’i përgjigjem këtij populli që më foli, duke më thënë: “Lehtëso zgjedhën që na ka vënë yt atë”?”.

10 Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të iu përgjigjën, duke thënë: “Kështu do t’i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke të thënë: “Yt atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani ti lehtësoje atë”. Kështu do t’u thuash atyre: “Gishti im i vogël është më i trashë nga brinjët e atit tim;

11 prandaj, në qoftë se im atë ju ka ngarkuar me një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se im atë ju ka dënuar me fshikull, unë do t’ju dënoj me kamxhik””.

12 Tri ditë më vonë Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: “Kthehuni tek unë pas tri ditëve”.

13 Mbreti iu përgjigj ashpër popullit, duke mos pranuar këshillën që i kishin dhënë pleqtë;

14 përkundrazi i foli popullit sipas këshillës së të rinjve, duke thënë: “Im atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj; por unë do ta bëj edhe më të rëndë; im atë ju ka dënuar me fshikull, kurse unë do t’ju dënoj me kamxhik”.

15 Kështu mbreti nuk mori parasysh kërkesën e popullit, sepse rrjedha e ngjarjeve varej nga Zoti, në mënyrë që të përmbushej fjala që Zoti i kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shiloh.

Ndarja e Mbretërisë

16 Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj atij duke i thënë: “Çfarë pjese kemi ne me Davidin? Nuk kemi asnjë trashëgimi me të birin e Isait! Në çadrat e tua, o Izrael! Tani kujdesohu

17 Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetet e Judës mbretëronte Roboami.

18 Mbreti Roboam dërgoi Adoramin, të ngarkuarin me haraçet, por tërë Izraeli e qëlloi me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam shpejtoi të hipë mbi një qerre për të ikur në Jeruzalem.

19 Kështu Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.

20 Kur tërë Izraeli dëgjoi që Jeroboami ishte kthyer, dërgoi ta thërrasë dhe të paraqitej përpara asamblesë dhe, e bëri mbret mbi tërë Izraelin. Asnjeri nuk e ndoqi shtëpinë e Davidit, me përjashtim të të vetmit fis të Judës.

21 Roboami, me të arritur në Jeruzalem, mblodhi tërë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër shtëpisë së Izraelit dhe për t’i kthyer kështu mbretërinë Roboamit, birit të Salomonit.

22 Por fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, duke i thënë:

23 “Folë me Roboamin, birin e Salomonit, mbret të Judës, me tërë shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit dhe pjesës tjetër të popullit, dhe u thuaj atyre:

24 Kështu flet Zoti: “Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit! Secili të kthehet në shtëpinë e tij, sepse kjo gjë vjen nga unë”. Ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa, sipas fjalës të Zotit.

Tjetra
Audio
1 x

Pas vdekjes së Salomonit u rritën tensionet mes dhjetë fiseve në veri dhe dy fiseve në jug ku pushteti dhe pasuria ishin përqendruar rreth Jerusalemit. 

Roboami, djali i Salomonit, i përkeqësoi gjërat. Ai i konsideronte fiset veriore si rebelë dhe nisi t’i nënshtronte me punë të detyruar. Fiset e veriut reaguan me shpalljen e pavarësisë dhe kurorëzuan Jeroboamin, udhëheqësin rebel, si mbretin e tyre. 

Kjo ndarje e trishtueshme e popullit të Perëndisë ishte shumë domethënëse. Perëndia kishte premtuar bekimin e njerëzve nga çdo komb nëpërmjet një mbreti nga pasardhja e Davidit. Kur fiset e veriut kurorëzuan mbretin e tyre, ata po e shkëpusnin veten e tyre nga ai premtim dhe nga bekimi i Perëndisë.

FE, POLITIKË DHE DHUNË

Jeroboami ishte një udhëheqës dinak. Ai e kuptoi se, nëse njerëzit besnikë në veri vazhdonin të vizitonin Jerusalemin për të adhuruar Zotin në tempull, ata do të kujtoheshin për premtimin e Perëndisë dhe mund ta ripërtërinin besnikërinë e tyre ndaj pasardhjes së Davidit. Kështu që ai krijoi dy viça të artë, dhe themeloi qendrën e vet të adhurimit në veri (1 i Mbretërve 12:28). 

Jeroboamit nuk i interesonte t’i bindej Zotit. Ai thjesht po e përdorte fenë për të forcuar identitetin e popullit të tij. Dhe çdo fe bën punë kur ke këtë qëllim. 

Në jug, ku vazhdonin të mbretëronin pasardhësit e Davidit, zakonisht mbreti ia kalonte pushtetin djalit të tij kur ishte afër vdekjes. Por në veri nuk kishte një shtëpi mbretërore të themeluar dhe as nuk njihej ndonjë linjë trashëgimtarësh. Ndaj dhe intrigat politike e dhuna u shtuan në masë, dhe shumica e mbretërve erdhën në pushtet duke vrarë pararendësit e tyre. 

PËRNDJEKJA E POPULLIT TË PERËNDISË

Ashabi ishte më famëkeqi nga mbretërit e veriut. Jezebela, gruaja e tij, udhëhoqi një përndjekje të egër, në të cilën profetët e Perëndisë u përndoqën dhe u vranë. Brenda një gjysmë shekulli Izraeli ishte kthyer nga një popull i bashkuar që adhuronte Zotin, në një komb të hutuar dhe të përçarë. Pesëdhjetë vjet pasi reja e pranisë së Perëndisë kishte mbushur tempullin e Salomonit, njohja e Perëndisë kishte humbur, madje edhe mes popullit të Tij. 

Pasojat shoqërore të largimit nga Perëndia dhe nga ligjet e Tij ishin katastrofike. Profeti Amos i përshkroi kushtet në mbretërinë veriore me këto fjalë: “…e shesin me para të drejtin dhe të varfrin për një palë sandale, ata që dëshirojnë fort të shohin pluhurin e tokës mbi kryet e të varfërve dhe shkelin të drejtën e të përulurve. Një njeri dhe ati i tij shkojnë bashkë te po ajo vajzë, për të përdhosur emrin tim të shenjtë” (Amos 2:6-7). 

Historia e trishtueshme e mbretërisë së veriut vazhdoi për rreth dyqind vjet (920–722 para Krishtit). Qenë gjithsej nëntëmbëdhjetë mbretër dhe secili prej tyre “bëri atë që është e keqe në sytë e ZOTIT” (shih 2 i Mbretërve 15:9). 

Përfundimisht, Perëndia lejoi që armiqtë ta mposhtnin mbretërinë e veriut. Mbreti i Asirisë e internoi të gjithë popullsinë në vitin 722 para Krishtit, duke i shpërndarë në tërë mbretërinë e tij. Më pas, ai e ripopulloi vendin me emigrantë, të cilët u bënë të njohur si samaritanët. 

HISTORIA NË JUG

Dy fiset në jug, që shpesh njihen si mbretëria e Judës, patën një udhëheqje më të mirë se ajo e motrave dhe e vëllezërve të tyre në veri. Asa, Jozafati, Joasi, Amatsiahu, Uziahu dhe Jothami u vlerësuan nga Perëndia. Por asnjëri prej tyre nuk i shkatërroi vendet e adhurimit të perëndive të tjera të ngritura në kohën e Salomonit. Këto qendra idhujtarie vazhduan të ishin një fyerje për Perëndinë. 

Gjërat morën për keq në Judë kur Manasi erdhi në pushtet pak pasi u shpërndanë fiset e veriut. Manasi mbretëroi për pesëdhjetë e pesë vjet, dhe e çoi popullin e Perëndisë në ligësi edhe më të mëdha se gjithë kombet që Perëndia i kishte dëbuar nga toka e premtuar (2 i Mbretërve 21:1, 9).

Manasi nxiti adhurimin e Molekut që përfshinte një ritual djallëzor ku fëmijët flijoheshin në zjarr. Ai “u këshillua me mediumë dhe magjistarë” dhe ndërtoi altarë për perënditë pagane në tempullin e Zotit, si një akt përfundimtar mosbindjeje ndaj Perëndisë (2 i Mbretërve 21:4-6). Perëndia e kishte thirrur popullin e Tij të ishte drita e botës, por Manasi i çoi në errësirë të thellë. 

NDRYSHIMI I LIGJEVE, NDRYSHIMI I ZEMRAVE

Disa vite më vonë, Josia, nipi i Manasit, filloi të kërkonte Zotin. I nxitur nga rizbulimi i një dorëshkrimi të Ligjit të Perëndisë, që kishte humbur në tempull, Josia udhëhoqi një fushatë reformimi në të gjithë kombin. Ai shkoi në të gjithë vendin dhe mbikëqyri personalisht shkatërrimin e të gjithë altarëve të idhujve në vend (2 i Mbretërve 23). Disa prej tyre ishin ndërtuar që në kohën e Salomonit dhe kishin qenë aty për treqind vjet. 

Reforma e Josias ishte sulmi më i madh kundër praktikave pagane në historinë e Izraelit. Ai eliminoi idhujtarinë. Por ndryshimi i ligjeve nuk barazohet me ndryshimin e zemrave, dhe shumë shpejt pas vdekjes së Josias, altarët e idhujve u rindërtuan dhe kështu rifilluan modelet e mëkatit, që lidheshin me ato altare.

Pamja e luginës së katërt 

Historia tragjike e mbretërisë së ndarë na mëson se kur një komb largohet nga Perëndia, fuqitë e errëta të së keqes vërshojnë. Populli i Perëndisë zgjodhi të adhuronte perënditë që krijoi vetë. Ata u larguan nga drita dhe në fund u përpinë nga errësira. 

Por Perëndia nuk e braktisi kurrë popullin e Tij. Ai vazhdonte t’u fliste atyre nëpërmjet profetëve, edhe kur ata u drejtoheshin perëndive të tjera. Isaia, Jeremia, Osea, Joeli, Amosi, Abdia, Mikea, Nahumi, dhe Habakuku të gjithë i bënë thirrje popullit të Perëndisë për pendim gjatë këtyre viteve të errëta të mbretërisë së ndarë. Por populli i Perëndisë nuk po e dëgjonte Fjalën e Tij. 

Kështu që pas paralajmërimeve të përsëritura, më në fund erdhi koha për gjykimin e Perëndisë mbi popullin e Tij. Ushtria babilonase e rrethoi Jerusalemin dhe qëndroi atje për gati dy vjet, derisa qyteti u rrëzua në vitin 586 para Krishtit. Vuajtja e popullit të Perëndisë nuk përshkruhej me fjalë. Shumë prej tyre humbën jetën, dhe shumica e të mbijetuarve u dërguan në kampet e internimit në Babiloni. 

Qyteti i Jerusalemit u kthye në rrënoja, që digjeshin dhe konsumoheshin. Tempulli ku Perëndia kishte zgjedhur të takohej me popullin e Tij, ishte shkatërruar plotësisht. Mbretëria madhështore që gjithë bota e pati zili në kohën e Davidit dhe Salomonit, u shndërrua në një bashkësi të vogël robërish lufte në Babiloni. Por edhe në kohën më të errët, Perëndia nuk e kishte harruar as popullin dhe as premtimin e Tij.

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.
  1. Pse mendon se njerëzit e Perëndisë vazhdonin të largoheshin nga Ai? Çfarë i bën njerëzit të largohen nga Perëndia sot?
Save Progress
Shko në fillim