Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Veprat 1:1-11

Ngritja e Jezusit në Qiell

1 Tregimin e parë e bëra, o Teofil, mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi edhe të bëjë edhe të mësojë, 

2 deri në ditën në të cilën u mor në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë, apostujve që ai kishte zgjedhur. 

3 të cilëve, pas vuajtjes së tij, iu paraqit i gjallë me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë. 

4 Dhe, duke u mbledhur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: “Që e keni dëgjuar nga unë, tha Jezusi,

5 sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh.” 

6 Kështu ata, që ishin mbledhur bashkë, e pyetën duke thënë: “Zot, a do t’ia rivendosësh në këtë kohë mbretërinë Izraelit?.” 

7 Por ai u tha atyre: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe afatet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet. 

8 Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarë në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, dhe Samarinë dhe deri në skajin e dheut.” 

9 Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e shikonin, u ngrit lart; dhe një re e mori prej syve të tyre. 

10 Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha qëndruan pranë tyre, 

11 dhe thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell.”

Tjetra
Audio
1 x

Gjatë një periudhe dyzet ditore pas ringjalljes, Jezusi i mësoi dishepujt e Tij dhe i solli ata në një nivel të ri të të kuptuarit. Më parë, ata e kishin menduar kryqin si një katastrofë të pakthyeshme. Tani, ata e shihnin se gjithçka kishte ndodhur pikërisht ashtu siç e kishte planifikuar Perëndia.

Krishti nuk qe vazhdimisht me dishepujt ato dyzet ditë. Ai u shfaqej atyre, i mësonte dhe pastaj zhdukej sërish. Në këtë mënyrë Ai filloi t’i mësonte që të shkëputeshin nga varësia e pranisë së Tij fizike.

Për tre vjet ata ishin mësuar të flisnin me Jezusin drejtpërdrejt, ballë për ballë. Por tani gjërat do të ishin ndryshe. Ata duhet të mësonin që ta ndiqnin Jezusin me anë të besimit dhe jo me anë të shikimit. Dishepujt u mësuan gradualisht që t’i besonin Jezusit pa e parë Atë. 

POROSIA E MADHE

Në fund të dyzet ditëve Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve me dishepujt e Tij. Ai u dha këtë urdhër: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet”, dhe u premtoi praninë e Tij të vazhdueshme (Mateu 28:18-20). Por udhëzimet e menjëhershme ishin që dishepujt të prisnin në Jerusalem.

Jezusi i kishte mësuar ata për Frymën e Shenjtë. Tani u premtoi se Fryma do të vinte dhe do t’u jepte fuqi për të qenë dëshmitarët e Tij deri në skajet e dheut (Veprat 1:8).

Më pas Jezusi u ngrit në qiell. Në raste të tjera kur Krishti ishte shfaqur, Ai thjesht ishte zhdukur, por kësaj here ata e panë Jezusin të shkonte. Kjo ishte shfaqja e fundit e Jezusit të ringjallur para tyre. Provat ishin dhënë; trajnimi kishte përfunduar. Tani Jezusi po kthehej tek Ati. 

MBI RE

Luka shkruan se Jezusi “mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e shikonin, u ngrit lart; dhe një re e mori prej syve të tyre” (Veprat 1:9). Në çaste kritike në historinë e Biblës, Perëndia e bëri të njohur praninë e Tij në një re. Reja mbushi tempullin e Salomonit duke i dhënë popullit një shenjë të dukshme të pranisë së Perëndisë. Në historinë e Shpërfytyrimit, Perëndia foli nga një re mbi mal.

Tani, kur Jezusi u ngrit, dishepujt panë që ai u mor në re. A ka diçka më të qartë se kjo? I njëjti Krisht që kishte ardhur nga Ati, tani po kthehej tek Ati. Pasi e përfundoi punën e Tij, Ai u mirëprit nga Ati dhe kjo u simbolizua në një re. 

NJË NJERI NË QIELL 

Kur Jezusi i la dishepujt, ata ishin plot gëzim, sepse e dinin se Ai ishte kthyer tek Ati (Luka 24:52). Kjo do të thoshte se për herë të parë në historinë njerëzore, tani kishte një njeri në qiell.

Adami u dëbua nga prania e Perëndisë, dhe si rezultat të gjithë fëmijët e tij ishin të ndarë nga Perëndia. Krishti u mirëprit në praninë e Atit, dhe si rezultat të gjithë ata që e ndjekin Atë do të mirëpriten nga Ati. Adami na nxori jashtë. Jezusi na udhëheq brenda.

Dishepujt e dinin se Jezusi do t’i përfaqësonte ata përpara Atit. Biri i Perëndisë mori natyrën tonë njerëzore në tokë, dhe e ka marrë atë në qiell, nga ku vepron si avokati i popullit të Tij. 

GËZIMI I TË ULURIT

Kur Jezusi u ngrit tek Ati, Ai “u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta” (Hebrenjve 1:3). Kjo fjali është plot domethënie. Priftërinjtë në Dhiatën e Vjetër nuk uleshin kurrë. Orenditë në tempull përfshinin një llambë dhe një tavolinë, por jo karrige. Mungesa e karriges ishte një kujtesë pamore se puna e priftit nuk mbaronte kurrë. Kishte gjithmonë një flijim tjetër për t’u ofruar.

Por puna e Krishtit ka përfunduar. Nuk ka më flijime për t’u ofruar, nuk ka më shlyerje për t’u bërë, asgjë tjetër për t’u bërë, në mënyrë që zemërimi i Perëndisë të qetësohet dhe t’i sjellë falje popullit të Tij. Puna shpenguese e Krishtit është e plotë dhe kjo është arsyeja pse Ai u ul. 

BEKIMI QË NUK MBARON KURRË

Përshtypjet e fundit zakonisht lënë një ndikim të fortë në mendje, dhe çasti i fundit që dishepujt panë Jezusin, ishte plot kuptim. Jezusi ngriti duart dhe i bekoi dishepujt, dhe “ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit në qiell” (Luka 24:51).

Dishepujt e panë Jezusin duke u ngritur në re, teksa ishte ende duke shpallur bekimin e Perëndisë në jetën e tyre. Ai nuk kishte mbaruar së bekuari dishepujt! Sot Zoti Jezu Krisht, që është ngjitur në qiell, vazhdon të bëjë atë që po bënte kur Ati e ngriti në re: Ai po derdh bekimin e Tij në jetët e njerëzve të Tij. Çdo dhuratë e mirë në jetën tënde, vjen nga dora e Tij. 

PREMTIMI I KTHIMIT TË TIJ

Jezusi u foli qartë dishepujve për kthimin e Tij: “Do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:3).

Ndërsa Jezusi u ngrit në qiell, dy engjëj e konfirmuan këtë premtim. “Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell”, thanë ata (Veprat 1:11).

Jezusi i kishte folur Kajafës për një ditë kur vetë Kajafa do ta shihte “Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtë të Fuqisë, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit” (Mateu 26:64). Kajafa e konsideroi këtë si blasfemi. Por Perëndia Atë e lartësoi Jezusin, duke e ringjallur prej së vdekurish. Një ditë, çdo person që ka jetuar mbi tokë, do ta shohë Jezusin në lavdinë e Tij të plotë. Për miqtë e Tij ky do të jetë fillimi i një gëzimi të madh. Për armiqtë e Tij do të jetë fillimi i pikëllimit të pafund. 

Ajo që i ndodhi Jezusit në ngritjen e Tij, do t’i ndodhë të gjithë njerëzve të Tij kur Ai të vijë në lavdi. Ashtu si Jezusi u rrëmbye në re, po kështu, kur Ai të kthehet, të gjithë ata që besojnë në Të, do të rrëmbehen për ta takuar Jezusin në ajër. Çdo i krishterë do të marrë pjesë në atë ditë. Ata të krishterë që tashmë kanë vdekur, nuk do ta humbasin atë ditë. Ata do të vijnë me Të, dhe që nga ai çast të gjithë njerëzit e Krishtit do të jenë përgjithmonë me Perëndinë (1 e Thesalonikasve 4:17).

Pamja nga mali i gjashtë

Dishepujt u kthyen me gëzim në Jerusalem. Ata ishin vetëm një grup i vogël njerëzish përballë një detyre madhështore. Si mundeshin ata ta përmbushnin porosinë për të bërë dishepuj nga të gjitha kombet? Përgjigjja qëndronte në personin dhe veprën e Frymës së Shenjtë.

Tjetra
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.
  1. Jezusi është ngritur në qiell dhe vazhdon ta bekojë popullin e Tij. Në ç’mënyra mund ta shohësh bekimin e Perëndisë në jetën tënde sot?
Save Progress
Shko në fillim