Ruaje tek faqja kryesore
Open the Bible can be just a tap away! Tap the icon at the bottom of your browser and choose "Add to Home Screen"
Mbylle

Hyr

Hyr teHape Biblën:

Regjistrohu

Save your progress by creating a FREE account! Get started by filling out the info below:

Rikuperimi i Llogarisë

Kërko një fjalëkalim të ri:

Vendos adresën tënde të emailit më poshtë dhe një fjalëkalim i përkohshëm do të të dërgohet me email. Ti mund të ndryshosh fjalëkalimin herën tjetër kur të identifikohesh.

Na Kontakto

Na dërgo një mesazh ose shiko pyetjet e shpeshta nëse dëshiron të dish më shumë rreth nesh.

Isaia 55:1-13

Ftesa e Mesias gjithë të eturve

1 “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!

2 Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop? Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.

3 Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit.

4 Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve.

5 Ja, ti do të thërrasësh një komb që nuk e njeh, dhe një komb që nuk të njeh do të vrapojë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, sepse ai të ka përlëvduar”.

6 Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.

7 I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, te Perëndia ynë që fal bujarisht.

8 “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”, thotë Zoti.

9 “Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.

10 Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa ujitur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbijë në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë.

11 Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.

12 Sepse ju do të niseni me gëzim dhe do t’ju kthejnë në paqe. Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.

13 Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mërsina; kjo do të jetë për Zotin një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet”.

Tjetra

Historia Vazhdon

Mbas dyzet vitesh në shkretëtirë, Zoti e drejtoi pupullin e Tij në tokën e premtuar, në Kanaan. Prania e Zotit ishte me popullin e Tij: Ai ngriti udhëheqës në kohë krize dhe i dha popullit fitoren mbi armiqtë e tij. Por njerëzit vunë re, se vendet e tjera kishin mbretër dhe ushtri të forta dhe ata donin të ishin njësoj si këto vende. Mbreti i parë, Sauli, ishte një zhgënjim, por nën udhëheqjen e pasardhësit të tij David, bekimi i Zotit ishte i dukshëm. 

Davidi solli Arkën e Besëlidhjes në qytetin e Jeruzalemit; ai dëshironte që adhurimi i Zotit, të ishte në qendrën e jetës së kombit. Zoti premtoi që një nga pasardhësit e Davidit, do të vendoste një mbretëri që nuk do të mbaronte kurrë dhe se Ai do të mbretëronte përgjithmonë. 

Ai nuk ishte djali i Davidit, Salomoni. Në vitet e fundit, Salomoni u largua nga Zoti dhe, kur vdiq, mbretëria u nda në dysh. 

Dhjetë fise në veri, u ndanë nga prejardhja gjenealogjike e Davidit. Ata vuajtën nën udhëheqjet e këqija, derisa mbretëria e verisë u pushtua në 722 (Para Krishtit). Dy fise vazhduan drejt jugut. Disa nga mbretërit e tyre e nderuan Perëndinë; të tjerë e drejtuan popullin drejt së keqes. 

Zoti u foli mbretërve dhe njerëzve, nëpërmjet profetëve që dëgjuan Fjalën e Zotit drejtpërdrejt, siç kishin bërë Abrahami dhe Moisiu më parë. 

Një nga këta profetë ishte Isaia. Zoti i tha që të bënte një ftesë të jashtëzakonshme popullit. 

Në qytetin ku unë dhe gruaja ime Karen jetonim, në veri të Londrës, ditët e markatës dhe të tregut, ishin çdo të enjte dhe të shtunë. Tregtarët mbërrinin rreth orës gjashtë të mëngjesit dhe përgatisnin vendin ku do të vendosnin produktet që do shisnin. 

Kishte tezga frutash dhe perimesh, një mbajtëse bagazhesh, stenda rrobash dhe një burrë që çuditërisht dukej se shiste pjesë të fshesës me korrent. Vendi ishte gjithmonë plot me njerëz, që kërkonin të binin në ujdi për një shitblerje. 

Zoti përdor skenën e një tregu, për të na shpjeguar ofertën e Tij të pabesueshme për ne. 

“O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!” (Isaia 55:1). Shekuj më vonë, Jezusi i mori këto fjalë dhe i zbatoi tek Vetja. 

“Nëse dikush ka etje,” tha Ai, “le të vijë tek unë dhe të pijë” (Gjoni 7:37). 

Tregtari në rrugë është Biri i Perëndisë. Ai ofron të kënaqë etjet e thella brenda shpirtit tënd. Le të shkojmë në treg dhe të zbulojmë më shumë. 

Çmimi Është i Duhuri!

“Ejani, blini…pa para dhe pa paguar” (Isaia 55:1).

Shitja zakonisht ka të bëjë me tregtarin që argumenton me blerësin, për të arritur një ujdi në çmimin e lartë që ai dëshiron të shesë, por këtu kemi Krishtin që argumenton për të ulur çmimin! Është si një shitje në ankand ku gjithçka funksionon mbrapsht, sepse Krishti ka zgjedhur t’i shesë atij që ofron më pak. 

Eja, pra, me mua në imagjinatën tënde në këtë shitje ankandi! 

Krishti është duke qëndruar në vendin e shitjes dhe Ai thotë, “Unë jam i lumtur që mund të të jap falje dhe pajtim të plotë me Perëndinë. Oferta përfshin vlerën përfundimtare të jetës së përjetshme dhe është në dispozicion sot për atë që ofron më pak. “ 

Një burrë me një kostum me viza del përpara dhe bën ofertën e parë. “Unë kam bërë një jetë të mirë dhe kam drejtuar një biznes të ndershëm”, thotë ai. “Kam qenë besnik ndaj gruas time dhe kam qenë një baba i mirë për fëmijët e mi. Kam shërbyer në bordet e tre organizatave bamirësie. Do të doja të bëja ofrertën time me këto punë të mira.” 

Një murmuritje ngrihet nga pjestarët e tjerë të ankandit. Kjo është një ofertë mjaft mbresëlënëse. “Shitja i shkon burrit me kostum për tani”, thotë drejtuesi i ankandit. 

Më pas një zonjë me një pallto blu ngre dorën. “Unë nuk kam bërë aq shumë sa burri me kostumin me viza”, thotë ajo, “por kam marrë pjesë në kishë me besnikëri dhe mendoj se jam bërë një person shpirtëror”. 

“Shitjen e merr zonja me pallton blu për momentin”, thotë shitësi. “A mund të më bëjë dikush një ofertë më të ulët?” 

Një vajzë me xhinse blu ngre dorën. “Unë nuk kam marrë pjesë në kishë si zonja me pallton blu, por dua sinqerisht të bëj atë që është e drejtë dhe jam përpjekur të bëj një jetë, që është e pëlqyeshme për Perëndinë.” 

“Në të vërtetë”, thotë drejtuesi i ankandit, “kjo nuk është shumë, por meqë shitjen e fiton ai që ofron më pak, është e jotja për tani. A ka ndonjë ofertë tjetër? ” 

Një burrë me një triko të kuqe, i skuqur pak në fytyrë, ngrihet ngadalë. “Unë nuk kam jetuar sipas pritshmërive të mija”, thotë ai. “I kam zhgënjyer njerëzit dhe kam bërë disa gjëra të tmerrshme, por të paktën jam penduar. Nuk kisha ndërmend të bëja atë që kam bërë, prandaj më lejo të ofroj faktin që jam penduar vërtet.” 

“Në të vërtetë”, thotë shitësi, “kjo nuk është edhe aq shumë. Por meqë e merr ai që ofron më pak, oferta jote e dobët e ka fituar shitjen për momentin. A do të më bëjë dikush një ofertë më të ulët?” 

Kjo nuk është një betejë krenarie; është një betejë turpërimi. Shumë njerëz kanë hequr dorë nga ofertat, jo sepse kostoja është shumë e lartë, por sepse ofertat janë shumë të ulëta. 

Shumica e njerëzve, thjesht shikojnë nëse dikush guxon të ofrojë më pak sesa burri me triko të kuqe. Si mundet dikush t’i ofrojë kaq pak Zotit? 

Më në fund dikush del përpara dhe thotë: “Unë nuk kam asgjë për të ofruar. Pendimi im nuk është ai që duhet të jetë; besimi im nuk është ai që duhet të jetë; punët e mia nuk janë ato që duhet të jenë. Asgjë nuk është ashtu siç duhet të jetë! Nuk kam asgjë për të ofruar. ” Dhe shitësi i ankandit deklaron fituesin me çekiçin e Tij. “Shitja është e jotja”, thotë Ai. “Është e jotja.” 

Çfarë Japim Ne?

Ndoshta po mendon, në rregull, por a nuk duhet t’i japim diçka Zotit? A nuk duhet të na vij keq? A nuk duhet të besojmë? 

Po. Por ne nuk e marrim shpëtimin sepse ofrojmë këto gjëra. Shpëtimi është një dhuratë. Shumë njerëz hutohen në këtë pikë. Ata mendojnë për shpëtimin, si një marrëveshje në të cilën Zoti ofron falje dhe jetë, dhe ne në këmbim sjellim pendim dhe besim, dhe disi bashkohemi dhe bëjmë një ujdi. Por ky nuk është ungjilli. 

Burri i verbër nuk erdhi tek Krishti sepse ai e kishte shikimin; ai erdhi tek Krishti që të fitonte shikimin. Ti nuk vjen tek Krishti me një jetë të ndryshuar; ti vjen tek Krishti për një jetë të ndryshuar. Ti vjen tek Krishti për të marrë. 

Nëse Zoti do të të pyeste ditën e fundit të jetës tënde, pse duhet të të linte të hyje në parajsë, përgjigja nuk është “për shkak të punëve të mia të mira”, ose për pendimin tim, apo edhe besimin tim. Shpëtimi ynë nuk mbështetet në asgjë që kemi bërë. Ai qëndron vetëm në Jezus Krishtin. 

Nëse kemi besim në pendimin dhe besimin tonë, nuk do të kemi kurrë siguri, sepse besimi dhe pendimi ynë, nuk janë kurrë ato që mund të jenë. 

Shpëtimi ynë varet tërësisht nga Krishti. Besimi është dora e hapur që merr atë që Ai ofron, dhe pendimi është përgjigjja e një zemre që ka marrë. 

Të Japësh Ofertën më të Ulët

Shumë njerëz e kanë të vështirë të lavdërojnë, sepse ata nuk e kanë marrë kurrë atë që Krishti jep. Ata ndjekin një kod moral dhe ja ofrojnë atë Zotit. Në fakt gjithçka që ata kanë bërë, është t’i ofrojnë gjëra Zotit. Duart e tyre janë plot, dhe ata nuk kanë ardhur kurrë tek Krishti për të marrë. 

Zoti e ka bërë kështu, në mënyrë që secili prej nesh, të ketë mundësinë të bëj ofertën më të ulët. Vetëm krenaria qëndron në anën tënde. Burri me kostumin me viza dhe zonja me pallton blu, mund ta kenë këtë bekim gjithashtu, por ata duhet të ndalojnë së provuari ta blejnë atë. Ata duhet të lënë mënjanë veprat e tyre dhe të vijnë te Krishti me duar bosh. 

Sigurisht që kur e bëjmë këtë, kjo na lë në një borxh të pallogaritshëm ndaj Jezusit për gjithë jetën tonë. Ne shikojmë lart në fytyrën e Krishtit dhe themi: “Unë nuk mund as ta shpreh borxhin e madh që të detyrohem, për atë që më ke dhënë. Kështu që unë do të të adhuroj, të dua dhe të të bindem për pjesën e mbetur të ditëve të mia; jo sepse kështu mund të marr, por sepse unë tashmë kam marrë ”. 

Të Bësh Blerjen 

“Ejani, blini” (55:1). Duke vërtetuar se shpëtimi është një dhuratë falas, Krishti tani na fton të shkojmë dhe të blejmë. Ai përdor fjalën “blej” sepse ekziston një transaksion i caktuar, në të cilin merr atë që Krishti ofron. 

Edhe pse nuk do paguash për të, ti duhet ta marrësh atë, dhe vetëm nëse ky transaksion nuk ndodh, ajo që Krishti të ofron mbetet, atje ku ishte, në vendin e shitjes. 

Të Shohësh Nuk Do Të Thotë Të Blesh

Disa personave u pëlqen thjesht “të shikojnë” kur dalin nëpër dyqane, dhe nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe me këtë. Në këtë pikë janë shpirtërisht edhe disa njerëz. Ata kanë ardhur tek ankandi i Krishtit dhe fillojnë dhe bëjnë pyetje rreth Biblës dhe shpëtimit.  

Thjesht të shohësh është shumë mirë, por të shohësh nuk është të blesh. Angazhimi më i madh i jetës tënde, është i denjë për hetimin më të thellë, prandaj shikoji me kujdes kushtet që ofron Krishti. Por mos e ngatërro të parët me të blerët. Nëse ajo çfarë Krishti ofron është për ty, ti duhet ta pranosh dhe të mbyllësh marrëveshjen. 

Të Provosh Nuk Do Të Thotë Të Blesh

Gjithashtu, edhe të provosh nuk do të thotë të blesh. Nëse do kishim blerë, çdo fustan që gruaja ime ka provuar gjatë njëzet viteve të fundit, do kishim falimentuar me të vërtetë! Por të provosh nuk do të thotë të blesh. Ti mund të qëndrosh në një dyqan nga ora 9 e mëngjesit dhe në 5 të mbasdites, nga e hëna në të premte dhe të mos blesh asnjëherë asnjë gjë. Dhe po kështu ti mund të vish në kishë, të lexosh Biblën, t’i bashkohesh një grupi studimi dhe prap asnjëherë nuk mbyll një marrëveshje me Krishtin. Ndoshta ndjen që duhet të blesh por prap asnjëherë nuk blen. 

Të Kesh Njohuritë Nuk Do Të Thotë Të Blesh 

Dhe të kesh njohuritë nuk do të thotë të blesh. Ishim duke parë për të blerë një lavatriçe para disa muajsh. Ne bëmë kërkimin tonë dhe gjetëm një asistent shitjesh të shkëlqyeshëm. Ai ishte si një enciklopedi e vërtetë për njohuritë rreth lavatriçeve. 

“Kjo këtu”, tha ai me një të folur me hundë, “rrotullohet për njëzet e tre minuta në proçesin e çentrifugës; dhe kjo ka opcione shtesë si përshpejtim proçesi, kursim kohe por nuk ka matësin automatik të temperaturës. “ 

Ne filluam të bisedonim me të, dhe ai na tregoi që edhe ai vetë nuk kishte një lavatriçe sepse jetonte vetëm, dhe duke qenë se kishte shumë rroba, shkonte në lavanderi një herë në muaj. Ai dinte gjithçka mbi lavatriçet por nuk kishte blerë një për veten. Dhe si përfundim as ne nuk e blemë lavatriçen. 

Ndoshta në këtë pozitë gjëndesh edhe ti shpirtërisht. Ti di shumë gjëra rreth Jezusit, por ajo çfarë Ai ofron, nuk është bërë akoma e jotja. Të kesh njohuritë nuk do të thotë të blesh. 

Ka një kohë në dispozicion që mund të bësh kërkimet e tua, por nëse do të blesh, duhet të vij një pikë që duhet të marrësh vendimin të mbyllësh marrëveshjen. Dhe kur ti blen, ajo çfarë Krishti ofron bëhet e jotja. 

Krishti do që ti të vish tek Ai—për të blerë, pa para dhe pa një çmim. A je gati të blesh? 

Një Moment Lutje

Zot i Plotfuqishëm,

Faleminderit që Jezus Krishti ka ardhur dhe ka blerë dhuratën e pajtimit me jetën e përjetshme me Ty. Faleminderit që Ai ma ofron këtë dhuratë lirshëm. Më fal për krenarinë time, që mendova se kishte diçka që mund të ofroja duke paguar, për një dhuratë të tillë. Me përulësi e pranoj se nuk kam asgjë për të të ofruar. Dora ime është e zbrazët, por është e hapur për të marrë. 

Me kënaqësi marr atë që ti më jep lirshëm, i mahnitur që ajo që ke blerë me një çmim të tillë, mund të bëhet e imja kaq thjeshtë. Fjalët nuk mund të shprehin borxhin që të detyrohem. Mbushe zemrën time me dashurinë tënde dhe më udhëhiq në shtigjet e Tua. 

Më lër të jetoj për lavdinë Tënde, nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tim, Amen

Tjetra
Përdori këto pyetje për t'u përfshirë më tepër në Fjalën e Zotit. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori si pyetje personale reflektimi.
  1. Në shembullin e ankandit, ne imagjinuam njerëz që bënin "oferta" të ndryshme për të marrë në këmbim faljen dhe jetën e përjetshme me Zotin. Në cilat "oferta" mendon se shumica e njerëzve mbështeten, për të shkuar në parajsë?
  2. Cila është "oferta" e pranueshme për të fituar faljen e Zotit dhe hyrjen në parajsë? Pse?
  3. Pse është e vështirë për ne të pranojmë, që shpëtimi është një dhuratë falas? Çfarë duhet të pranojmë për veten dhe jetën tonë, në mënyrë që të arrijmë në këtë përfundim? (Shih Isaia 64:6 dhe Romakëve 3:10-12)
  4. Në cilin proces të blerjes je tani—duke kërkuar, duke provuar, duke marrë njohuri, je gati për të blerë, apo e ke bërë tashmë blerjen?
Save Progress
Shko në fillim