Gjëja e parë që Adami mësoi, ishte që ai po e shikonte Zotin në fytyrë. Zoti e formoi trupin e tij nga pluhuri i tokës, por ai qëndronte atje i shtrirë pa jetë si një kufomë, derisa Zoti i fryu frymë jete në hundë. Por kur Perëndia i dha Adamit puthjen e jetës, ai u bë një qënie e gjallë (Zanafilla 2:7) dhe në momentin e parë të vetëdijshëm për ekzistencën e tij, ai e dinte që jeta e tij ishte krijuar nga Perëndia.
Sigurisht që Perëndia është i padukshëm, por që nga fillimi i historisë së Biblës, Ai ka arritur që t’a bëjë të njohur veten. Kjo është arsyeja pse e bëri Veten të dukshëm për Adamin. Ne e quajmë këtë një teofani, që do të thotë një shfaqje e Perëndisë në formë të dukshme. Ishte mënyra e Zotit për të krijuar një marrëdhënie.
Zoti e prezantoi Veten si Krijuesi ynë dhe për këtë arsye edhe si zotëruesi ynë. Zoti të jep jetë dhe ti ke një vlerë të veçantë për Të. Zoti vendosi që të të krijonte ty në një qënie njerëzore. Ai e bëri këtë për një qëllim dhe ti do ta zbulosh këtë qëllim, ndërkohë që fillon të njohësh Atë që të krijoi ty.
Kopshti i Edenit
Bibla na tregon se “Zoti Perëndi kishte krijuar një kopsht në Eden, dhe atje ai vendosi njeriun që krijoi, e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit” (Zanafilla 2:8,15).
Ne nuk mund të jemi të sigurt për vendndodhjen e saktë të kopshtit, por është e rëndësishme të kuptojmë, që ishte një vend i vërtetë. Ndodhej afër lumenjve Tigër dhe Eufrat (Zanafilla 2:10-14), të cilët përshkojnë Irakun e ditëve të sotme.
Gjëja më e rëndësishme, është që Zoti përgatiti një vend për Adamin dhe Zoti e vendosi atë atje. Ai bën të njëjtën gjë edhe për ne. Bibla na thotë, se Zoti ka përcaktuar vendin e saktë, se ku do të jetojë secili prej nesh (shih Veprat 17:6). Vendi ku Zoti do të vendosë, nuk do të jetë i përkryer. Madje edhe kopshti i Edenit, ishte i ekspozuar ndaj mundësisë të së keqes. Por nuk ka vend më të mirë ku mund të jetosh, sesa aty ku Zoti të ka vendosur. Ti nuk je aty ku je për shkak të një aksidenti, por si rrjedhojë e planit dhe qëllimit të Zotit për ty.
Zoti i dha Adamit përgjegjësinë, për t’i vënë emrat të gjitha kafshëve dhe të kujdesej për kopshtin (Zanafilla 2:15). Puna është një dhuratë e mirë nga Zoti, dhe Zoti ndjente kënaqësi nga ajo që Adami po bënte. Mund të jetë e vështirë për ty, të imagjinosh që Zoti mund të ndjej kënaqësi për dokumentat që ti përgatit, për materialet që grumbullon, apo për shtëpinë që ndërton—por kështu është.
Një Martesë e Bërë në Parajsë
Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. (Zanafilla 2:22)
Do më kishte pëlqyer shumë, të kisha patur mundësinë të shikoja mimikën e fytyrës së Adamit! E imagjinoj Zotin që i del para Adamit dhe i thotë, “Dua të të prezantoj me dikë!” Nuk e vë në dyshim që ai mbeti me gojë hapur. Ai padyshim duket mjaft i kënaqur me këtë! Adami thotë, “Kjo tashmë është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim” (Zanafilla 2:23).
Zoti i bashkoi ata sëbashku. Mundohu ta përfytyrosh këtë në mendjen tënde. Zoti Perëndi e merr dorën e gruas dhe e vendos atë në duart e Adamit dhe i thotë, “ja partnerja që unë kam krijuar për ty!”
Kur dy njerëz martohen, Zoti bën në mënyrë të padukshme atë që Ai bëri për Adamin dhe Evën në kopësht. Nëse je i/e martuar, mundohu të përfytyrosh Zotin duke marrë dorën tënde dhe atë të bashkëshortit/ bashkëshortes tënde, dhe ti bashkojë ato së bashku. Kur e di që është Zoti që ju ka bashkuar, kjo gjë mund të të ndihmoj të kapërcesh periudhat më të vështira.
Një Urdhërim i Dashur
Zoti hyri në Kopshtin e Edenit si një mysafir, duke prezantuar Veten, dhe duke ndërtuar një marrëdhënie me burrin dhe gruan. Ai nuk e imponoi Veten tek ata, por i dha atyre mundësinë që të zgjidhnin një marrëdhënie besimi dhe bindjeje me Të.
Zoti i dha Adamit vetëm një urdhërim, që ishte si gjithë urdhërimet e Tij, një shprehje e mrekullueshme e dashurisë së Tij.
“Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:17).
Zoti ka bërë gjithçka të mirë, dhe po aq e mirë ishte dhe e vetmja gjë që Adami njihte. Qëllimi i urdhërimit të Zotit, ishte ta mbante atë larg nga e keqja.
Origjina e së Keqes
Bibla nuk na jep një shpjegim të plotë të origjinës të së keqes, por na tregon ku fillon ajo. Krahas botës së dukshme që ne njohim, Zoti bëri një krijim të padukshëm në qiell të mbushur me engjëj. Djalli ishte një nga këta engjëj.
Ai u mbush me krenari dhe u përpoq të merrte me forcë pozitën e Zotit (shih Isaia 14:12-14). Rebelimi i tij ishte i pasuksesshëm dhe kjo bëri që qënia e tij të përjashtohej nga prania e Zotit, dhe të hidhej poshtë në tokë. Pra, që nga fillimi i historisë së njerëzimit, kishte një armik i cili ishte i vendosur të shkatërronte veprën e Zotit. Synimi i tij i parë, ishte t’i prezantonte burrit dhe gruas njohjen e së keqes.
Rekrutimi për Rebelim
Satani hyri në kopësht, me synimin për të mbledhur qënie njerëzore që t’i bashkoheshin rebelimit të tij kundër Zotit. Shpirtrat janë të padukshëm për ne, kështu që kur satani donte të fliste me burrin dhe gruan e parë, ai iu paraqit në formën e një gjarpëri joshës. Ai e prezantoi veten si një mik dhe filloi të vinte në dyshim, të vetmin urdhërim që Zoti kishte dhënë.
“A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’ ”(Zanafilla 3:1). Nëse satani mund të krijonte iluzion në mendjen e Evës rreth asaj që Zoti kishte thënë, ai ishte në një fillim të mirë për të fituar fuqi mbi të. Pastaj satani i sugjeroi se Zoti kishte ekzagjeruar rreth pasojave të mëkatit. “Ti padyshim që nuk do të vdesësh, ” i tha ai (Zanafilla 3:4). “Si mund të besosh se një veprim kaq i vogël mosbindjeje, mund të të drejtoj në diçka kaq drastike siç është vdekja?”
Por sugjerimi i tij i tretë, ishte ai që bëri ndryshimin vendimtar për Evën dhe Adamin. Satani tha, “Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjëndje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen” (Zanafilla 3:5).
Adami dhe Eva vendosën që e donin këtë njohuri djallëzore. Ata nuk i’u bindën urdhrit të vetëm të Zotit dhe morën atë që donin. Që atëherë të gjithë kemi jetuar me këtë njohuri.
Shpresë në Mallkim!
Zoti i tha gjarprit… I mallkuar qofsh. (Zanafilla 3:14)
Kur një person apo diçka është e mallkuar, i është dorëzuar shkatërrimit. Kështu që, kur Zoti mallkoi gjarprin, ai po shpallte se e keqja nuk do të qëndronte. Kur Zoti foli për një çlirues që do të shtypte kokën e gjarprit, Adami dhe Eva duhet të kenë qenë tej mase të lumtur ( shih Zanafilla 3:15).
Një Mallkim i Devijuar
Pastaj Zoti u kthye nga Adami dhe i tha ‘mallkuar…’ (Zanafilla 3:17)
Adami duhet të ketë qëndruar pa frymë në ato momente. Zoti kishte mallkuar gjarprin, dhe tani Ai po shikonte drejt tek Adami, ndërsa shqiptoi përsëri atë fjalë ogurzezë.
Adami do ketë menduar se ai do të shkatërrohej totalisht, por ai u surprizua. Në vend që t’i thoshte Adamit “i mallkuar qofsh”, ashtu siç i tha gjarprit, Zoti i tha “e mallkuar është toka për shkakun tënd” (Zanafilla 3:17).
Zoti e devijoi mallkimin larg nga Adami, kështu që ra mbi tokë dhe jo drejtpërdrejt mbi të. Zoti e mbajti gjykimin e tij larg nga Adami, duke krijuar hapësirë për një ribashkim të ardhshëm. Ditën që ai mëkatoi, Adami zbuloi hirin dhe mëshirën e Zotit. Mallkimin që duhet ta merrte ai, shkoi diku tjetër.
Jashtë nga Edeni
Prindërit tanë të parë u dëbuan nga Edeni, atje ku kishin njohur bekimin dhe praninë e Zotit (Zanafilla 3:23). Jeta u bë një mundim i përditshëm në një vend të vështirë për të jetuar, ku ata ishin të ekspozuar ndaj të gjitha llojeve të rrezikut nga kafshët e egra. Me kalimin e kohës, ata do të vinin re shenja dhe rrudha në lëkurën e tyre. Ata do të përjetonin dhimbjen dhe do të zbulonin se kjo vdekje për të cilën Zoti kishte folur, ishte një realitet i tmerrshëm që ata nuk mund ta shmangnin.
Zoti vendosi Kerubinët – engjëjt që përfaqësojnë gjykimin dhe shenjtërinë e Tij – në hyrje të kopshtit, së bashku me një shpatë flakëruese që ndizej para dhe prapa, duke bllokuar rrugën drejt pemës së jetës. Duhet të ketë qenë një pamje e tmerrshme.
Shpata e Thyer
Imagjinoje veten duke qëndruar jashtë kopshtit të Edenit, bashkë me Adamin dhe Evën, duke parë mbrapa tek engjëjt dhe shpata e shndritshme e gjykimit. Nuk ka asnjë mënyrë për ty që të kthehesh pas tek prania e Zotit. Nëse do e provoje, shpata do të të priste. Por ndërsa shikon, dikush del nga prania e Zotit, dhe qëndron pranë teje. Pastaj Ai kthehet dhe shkon drejt shpatës flakëruese.
Dridhesh ndërsa e shikon. Shpata është duke flakëruar para dhe prapa dhe ti mund të imagjinosh, se çfarë do të ndodhë me Të kur të arrij atje. Por Ai vazhdon të ecë përpara, në mënyrë të qëndrueshme, pa pushim. Shpata e godet – dhe e vret Atë. Ajo i’a thyen trupin, por duke thyer trupin e Tij, shpata në vetvete është e thyer. Shpata që e vrau Atë qëndron e copëtuar për tokë. Me vdekjen e Tij, rruga e kthimit drejt pranisë dhe bekimit të Zotit, është e hapur.
Kjo është ajo që ndodhi kur Jezusi vdiq. Gjykimi që na mbante larg pranisë së Zotit e goditi Atë. Ajo u konsumua dhe u shkatarrua në Të. Shpata e gjykimit të Zotit u thye mbi Të dhe kështu rruga e kthimit drejt bekimit të Zotit, është e hapur për të gjithë ata që duan të vijnë në praninë e Tij.
Një Moment Lutje
Zoti i Plotfuqishëm,
Unë e pranoj që ti je Krijuesi dhe zotëruesi im. Të falënderoj që më ke bërë në imazhin tënd. Dua të të njoh më mirë. E pranoj që ti je i vetmi, që mund t’më çliroj nga pushteti i së keqes.
E shoh që bota duhet të çlirohet nga e keqja dhe e pranoj se edhe unë kam nevojë, të çlirohem nga pushteti i saj në jetën time. Faleminderit që Jezus Krishti erdhi në botë, në mënyrë që e keqja të mos rezistojë.
Faleminderit që me vdekjen e Tij, Ai hapi rrugën e kthimit në bekimin Tënd dhe në praninë Tënde, për të gjithë ata që duan të vijnë pranë Teje. Bëj që edhe unë të jem njëri prej tyre.
Në emër të Jezusit,
Amen