Barrierat ose “kufijtë” (Eksodi 19:12, 23) u vendosën si një lloj zone përjashtimi në bazën e malit që ishte “tërë tym, sepse ZOTI kishte zbritur mbi të në zjarr” (Eksodi 19:18). I gjithë mali u drodh me forcë, dhe tingulli i borisë u bë gjithnjë e më i fortë. Perëndia po zbriste për t’i dhënë popullit ligjet e Tij.
Një Pasqyrim i Ri i Hirit të Zotit
Ligji i Perëndisë nuk ishte asnjëherë një shkallë që njerëzit jo të shpëtuar të ngjiteshin në parajsë. Ishte gjithmonë një model jete për popullin e Perëndisë, të cilët ishin shpëtuar nga gjykimi nëpërmjet gjakut të Qengjit. Kjo është arsyeja pse Dhjetë Urdhërimet fillojnë me Perëndinë duke kujtuar popullin e Tij, “Unë jam ZOTI, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë” (Eksodi 20:2).
Perëndia nuk ishte duke thënë, “Unë po ju jap këto urdhërime, me qëllim që duke i respektuar ato, të bëheni populli im.” Ai ishte duke thënë: “Unë po ju jap këto urdhërime, sepse ju tashmë jeni populli im.” Mesazhi i ligjit për ty sot nuk po të tregon se çfarë duhet të bësh që të jesh i shpëtuar. Ligji na tregon se si populli i Perëndisë duhet të jetojë, dhe për këtë arsye na flet sot. Ato janë udhëzimet e jetës që duhet të ndjekësh, në të cilën Perëndia të thërret kur Ai të shpëton me hir, nëpërmjet besimit në Zotin Jezus Krisht.
Një Vështrim i Shpejtë i Lavdisë së Perëndisë
Dhjetë Urdhërimet nuk janë një grup rregullash arbitrare. Ato janë një pasqyrim i drejtpërdrejtë i karakterit të Perëndisë. Në Dhjatën e Re, mëkati përcaktohet si humbje e lavdisë së Perëndisë dhe si shkelje e ligjit (Romakëve 3:23; 1 Gjonit 3: 4). Duke i vendosur këto dy aspekte së bashku, mund të nxjerrim një përfundimin të arsyeshëm se ligji është një shfaqje e lavdisë së Perëndisë.
Pse nuk duhet të shkelësh kurorën? Sepse Perëndia është besnik. Pse nuk duhet të vjedhësh? Sepse Perëndia është i besueshëm. Pse nuk duhet të gënjesh? Sepse Perëndia është e vërteta. Pse nuk duhet të lakmosh? Sepse Perëndia është në paqe dhe i kënaqur me Veten. Kur Perëndia tha: “Mos ki perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3), ai e tha këtë sepse Ai është i vetmi Perëndi. Askush tjetër nuk është si Ai. Kur Perëndia urdhëroi që të pushojmë në një ditë të javës, Ai e tha këtë sepse Ai pushoi nga puna e Tij në ditën e shtatë.
Urdhërimet e Perëndisë iu dhanë njerëzve të Tij të shpenguar. Nëse i përket Atij, ato janë për ty. Perëndia po të thotë, “Ti je i imi /e imja, prandaj jetoje jetën tënde mbi atë që Unë jam, dhe kështu duhet të duket një jetë e perëndishme.”
Një Pasqyrë që Reflekton Dashurinë e Perëndisë
Perëndia është dashuri dhe Dhjetë Urdhërimet tregojnë se çfarë pamje ka një jetë me dashuri. Zotin tonë Jezus e pyetën në një rast, “Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?” (Mateu 22:36). Në vend që të zgjidhte një prej tyre, Jezusi i përmblodhi të gjithë së bashku dhe tha, “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:37-39).
Si duket në praktikë një jetë dashurie? Dhjetë Urdhërimet i përgjigjen kësaj pyetje. Katër urdhërimet e para na tregojnë se si është natyra e Perëndisë të dashur:
1. Ti nuk ke perëndi të tjerë përpara ZOTIT.
2. Ti nuk krijon një imazh. Ti e do Perëndinë ashtu siç Ai është, jo si do doje ti që të ishte, ose si ti e imagjinon që të jetë.
3. Ti e nderon emrin e Perëndisë dhe kurrë nuk e përdor kot.
4. Ti i jep Perëndisë kohë—kohë për të adhuruar, kohë për të shërbyer, dhe kohë për të kujtuar se përpara teje është një përjetësi e madhe për të cilën duhet të përgatitesh.
Gjashtë urdhërimet e fundit na tregojnë se çfarë do të thotë të duash të afërmin tënd porsi vetveten:
5. Fillon në shtëpi me njerëzit e parë që Perëndia vendos në jetën tënde: ndero babain dhe nënën tënde.
6. Do të thotë që ti e respekton jetën si një dhuratë e shenjtë e dhënë nga Perëndia.
7. Do të thotë që ti je besnik ndaj bashkëshortes/ bashkëshortit tënd.
8. Do të thotë që ti je një njeri i besueshëm, dhe se nuk përfiton nga dobësia dhe cënueshmëria e të tjerëve.
9. Do të thotë që ti e mban fjalën tënde dhe se fjalët e tua janë të vërteta.
10. Do të thotë që ti gëzohesh me atë që Perëndia u jep të tjerëve, në vend që të dëshirosh për veten tënde pikërisht atë që Ai u jep të tjerëve.
Dhjetë Urdhërimet janë një pasqyrë që reflektojnë lavdinë e Perëndisë. Perëndia është dashuri, dhe Ai na bën thirrje që ne të reflektojmë natyrën e Tij, se kush Ai është. Dhe kjo është pikërisht ajo çfarë tregojnë Dhjetë Urdhërimet.
Një Radiografi e Shpirtit
Isha tek dentisti kohët e fundit. E kisha shtyrë vizitën për një kohë të gjatë, më së shumti sepse nuk ndjeja ndonjë dhimbje. Eksperienca nuk ishte inkurajuese. Dentisti im më bëri disa radiografi dhe i ngriti ato në dritë për t’i parë.
“Obobo, ç’gjëndje e mjerueshme! Ka shumë prishje nën këto mbushje,” tha ai.
“Por unë nuk ndjej asnjë dhimbje,” insistova unë. Por atij nuk i bëri përshtypje kjo. “Do kesh nevojë për një punë goxha të madhe” tha ai. “Dhe sa më shpejt, aq më mirë.”
Shumë njerëz ecin në jetë, pa ndjerë ndonjë dhimbje për gjëndjen e tyre shpirtërore. Ata bëjnë supozimin e rremë se gjërat janë mirë me ta, dhe se duke jetuar një jetë të respektueshme në përgjithësi ata janë në një gjendje të mirë shpirtërore. Por ligji i Perëndisë është si një radiografi për shpirtin. Ai na tregon se jemi njerëz që e kemi të vështirë ta lëmë Perëndinë të jetë Perëndia, dhe që është e natyrshme për ne të duam veten më shumë se të tjerët.
Arsyeja e parë pse ke nevojë për Jezus Krishtin, nuk është që ti të kesh një jetë më të pasur, më të plotë, dhe më të kënaqshme. Është sepse ti je një mëkatar, nga natyra dhe nga praktika. Radiografia e Ligjit të Perëndisë e nxjerr në pah këtë gjë. Ligji është diçka e mirë, po ashtu siç është e mirë një radiografi, edhe nëse ato na sjellin lajme të këqija. Mua nuk më pëlqyen lajmet e këqija tek dentisti, por isha mirënjohës të dija rreth problemit, përpara se gjëndja të përkeqësohej. Nëse nuk je në dijeni që ka një problem, nuk do të përpiqesh të ndjekësh zgjidhjen.
Jezusi e bëri të qartë se urdhërimet shkojnë më thellë se veprimet tona. Ata kërkojnë mendimet dhe synimet e zemrave tona. “Keni dëgjuar se të moçmëve u qe thënë: “Mos shkel kurorën”. Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mateu 5:27-28).
Një kuptim i duhur i Dhjetë Urdhërimeve do të të drejtojë te besimi në Jezus Krishtin (Galatasve 3:24). Nëse ligji nuk të ka sjellë ende tek Krishti, ti ke humbur qëllimin e tij më të madh. Ky ishte edhe thelbi i deklaratës së Jezusit ndaj farisenjëve: “Ju hetoni Shkrimet … por ju nuk doni të vini tek unë” (Gjoni 5:39-40). Ata ishin të zënë me studimin e ligjit, por ata humbën të gjithë thelbin e kuptimit të ligjit që ishte për t’u treguar atyre nevojën e tyre për Krishtin.
Vendosja e Binarëve për Trenin
Historia e Dhjatës së Vjetër e ilustron qartë se populli i Perëndisë nuk ishte në gjëndje të zbatonte ligjin e Tij. Ligji na thotë se çfarë duhet të bëjmë, por nuk na jep fuqinë për ta bërë këtë. Më vonë në historinë e Biblës, Perëndia premton një besëlidhje të re në të cilën Ai jo vetëm na thotë se çfarë duhet të bëjmë, por edhe na fuqizon për të lëvizur në atë drejtim. “Do të vë brënda jush Frymën tim, dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia” (Ezekieli 36:27).
Ligji i Perëndisë është si binarët e një treni. Binarët bëjnë të mundur drejtimin, por treni nuk do të shkojë gjëkundi nëse nuk ka fuqi në motorrë. Është puna e veçantë e Frymës së Shenjtë t’u japë njerëzve të Perëndisë fuqinë për të lëvizur në drejtimin që është përcaktuar në Ligjin e Perëndisë.
Kthimi i Urdhërimeve në Premtime
Ekziston një histori e bukur për një burrë, i cili kaloi kohë në burg për shkak se ishte hajdut. Vjedhja ishte kthyer në një mënyrë jetese për të, derisa krahu i gjatë i ligjit e zuri në befasi. Gjatë kohës që ishte në burg, ai dëgjoi lajmin e mirë të Jezus Krishtit, dhe u kthye mrekullisht në besim. Kur erdhi koha që ai të lirohej, burri e dinte që i duhej të përballej me një mundim tjetër. Shumica e rrethit të tij shoqëror ishin hajdutë, dhe nuk do të ishte e lehtë për të që të thyente mënyrën e stilit të vjetër të jetesës.
Të djelën e parë të lirisë së tij të re, ai u fut në një ndërtesë kishe. Dhjetë Urdhërimet ishin të shkruara në një pllakë në pjesën e përparme, dhe sytë e tij shkuan menjëherë te fjalët e urdhërimit që dukej se po e dënonin atë. “Ti nuk do të vjedhësh”.
Kjo është gjëja e fundit për të cilën kam nevojë, mendoi me veten. I di dobësitë e mia. I di dështimet e mia, dhe i di betejat me të cilat do përballem.
Ndërsa shërbesa vazhdonte, ai nuk mund t’i shkiste sytë nga pllaka me urdhërimet. Duke i rilexuar fjalët, ato dukeshin sikur po merrnin një kuptim tjetër. Fillimisht, ai i kishte lexuar këto fjalë me tonin e një urdhërimi: “Ti nuk do të vjedhësh!” Por tani, dukej sikur Perëndia ishte duke i folur këto fjalë atij, në formën e një premtimi. “Ti nuk do të vjedhësh.” Ai ishte një krijesë e re në Krishtin, dhe Perëndia ishte duke i premtuar se Fryma e Shenjtë do të bënte të mundur që ai ta mposhtte stilin e vjetër të të jetuarit.
Premtimi i Perëndisë është se kur ti beson në Zotin Jezus Krisht, Ai do të të japë Frymën e Shenjtë, në mënyrë që të bësh një jetë që është e kënaqshme për të. Fuqia e Tij do të bëjë ndryshimin midis një beteje në të cilën je i paracaktuar të humbasësh, dhe një beteje në të cilën do të kesh fitore përfundimtare. Ligji na tregon se si Perëndia dëshiron që ne të jetojmë. Krishti, e bën këtë jetë të mundur.
Një Shteg i Hapur
Ligji është një pasqyrë që ekspozon mëkatet e fshehura të jetës sonë. Kur e kuptojmë siç duhet, ligji do të na bindë për nevojën tonë për një shpëtimtar, dhe do të na shpjerë tek Krishti. Dhe kur Fryma e Shenjtë jeton në ne, ligji nuk është më një listë kërkesash të pamundura, por një përshkrim i mundësive të reja.